PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Financimi në grup, një model i ri investimesh në Kinë
2014-12-23 11:20:15 CRI Komenti juaj Printoni

Financimi zakonisht është një problem për njerëzit që dëshirojnë të nisin ose të zgjerojnë biznesin e tyre, pasi ata mund të kenë ide të mira, por nuk i njohin mirë rreziqet e tregut. Me shtimin e kërkesës në këtë drejtim, vitet e fundit në Kinë ka hyrë një koncept i ri, që quhet financim në grup dhe që u ka hapur sipërmarrësve një derë drejt suksesit.

Financimi në grup është në të vërtetë realizim i ideve ose koncepteve duke shfrytëzuar fuqinë e grupit dhe duke përqendruar fondet e burimet e financimit. Ai përbëhet nga nismëtarët, investitorët dhe ofruesit e platformës. Zakonisht, financimi në grup bëhet në internet dhe nismëtarët i publikojnë projektet e tyre nëpërmjet uebsajteve përkatëse, për të mbledhur fondet që duhen për realizimin e ideve.

Financimi në grup nuk ka vështirësi fillimi dhe është i shumëllojshëm e zakonisht krijues. Përparësia më e madhe e këtij lloj financimi është ndarja e rrezikut. P.sh., kur dikush hap një restorant ose një kafene, mund të humbë dhjetëra mijë, e madje edhe miliona juanë nëse biznesi nuk shkon mirë. Kjo shifër është vërtet e madhe për shumë njerëz. Mirëpo, me financimin në grup, rreziku i investimit ulet, pasi ai ndahet ndër pjesëmarrësit e shumtë. Kështu, çdo njeri i thjeshtë mund të gjejë mundësi të përshtatshme për të investuar në një sektor të caktuar. Me financimin në grup, një investitor nuk ka nevojë të paguajë shumë dhe mund të ofrojë vetëm rrogën mujore.

2014-a vlerësohet si viti i parë i financimit në grup në Kinë. Megjithëse në të vërtetë një shërbim i tillë ka filluar para 2-3 vjetësh në internet, ai ka njohur një zhvillim të vrullshëm vetëm sivjet. Grupi "Zero2IPO" është një agjenci profesionale që merret me investimet për nisjen e biznesit dhe u ofron sipërmarrjeve të ndryshme shërbime për ofertën publike fillestare. Në fund të korrikut të këtij viti, ky grup publikoi raportin e tij mbi gjendjen e financimit në grup në Kinë. Sipas këtij raporti, në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, në mbarë Kinën janë bërë gjithsej 1423 financime në grup, me një vëllim të përgjithshëm prej më shumë se 180 milionë juanësh. Me këtë prirje, Banka Botërore parashikon që, deri në vitin 2025, shifra e financimeve në grup në Kinë mund të arrijë në 50 miliardë dollarë amerikanë, kurse në mbarë botën në 300 miliardë dollarë amerikanë.

"Zhongchou.cn", i hapur në vitin 2013, është uebsajti i grupit NCF për shërbimet e financimit në grup. Ky uebsajt ofron shërbime të gjithanshme për investitorët, si mbledhje fondesh, investime etj. Zoti Sun Hongsheng është drejtori ekzekutiv i "Zhongchou.cn". Ai shprehet:

"Sot uebajti ynë është afruar më pranë me publikun dhe shumë qytetarë të thjeshtë kanë filluar të përdorin shërbimet tona. Ne themi me humor që, nëse në Kinë ka 100 milionë veta që merren me financim në grup, 10 milionë prej tyre përdorin 'Zhongchou.cn'."

Sheng Jia është drejtori ekzekutiv i grupit NCF. Në të vërtetë, fillimisht ai u mor me biznesin e motorëve të kërkimit në internet, por më pas vuri re prirjen e zhvillimit të financimit në grup dhe pa ngurrim hyri në këtë sektor. Tani grupi i tij NCF ka formuar tre platforma profesionale të financimit në grup, duke përfshirë "Zhongchou.cn".


Foto: 吕建设 / 东方IC

"Në Kinë tregu i kapitaleve ka disa nivele. Shpresoj që 'zhongchou.cn' të bëhet niveli bazë i tregut. Kështu që, kur dikush të ketë nevojë për fond fillestar biznesi, shpresojmë që të vijë tek 'Zhongchou.cn'," thekson Sheng Jia.

Ka nga ata që janë shprehur në mënyrë metaforike që financimi në grup u ka dhënë krahë ideve të mira. Në Kinë ka katër lloje të financimit në grup: financim në grup nëpërmjet dhurimeve, në të cilin investitorët bëjnë dhurime për projekte ose sipërmarrje të ndryshme; financim në grup me kërkesë, sipas të cilit investitorëve u kërkohet të investojnë, për të siguruar shërbime dhe produkte; financim në grup me të drejtë borxhi, në të cilin investitorët mund të marrin përsipër një pjesë të borxhit të kompanive dhe fitimet t'i marrin në të ardhmen; financim në grup me të drejtë aksionare, ku investitorët mund të bëjnë të tyren një pjesë të aksioneve të kompanive.

Ndër këto katër lloje, financimi në grup me të drejtë aksionare është më i përhapur, pasi ky model nuk ka prag të lartë investimi dhe investitorët e zakonshëm mund të marrin pjesë më thjesht. Yang Dong është profesor i asociuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit "Renmin" të Kinës. Ai u shpreh:

"Unë mendoj që financimi në grup ofron mundësi jo për njerëzit e pasur a të famshëm, por për njerëzit e thjeshtë, të cilët mund të kenë një shans për investim ose nisjen e biznesit. Me këtë model, mund të investosh edhe me vetëm një juan. Për nisjen e biznesit, një student mund të publikojë idenë e vet në internet për të siguruar financim. Nëse 10 mijë veta investojnë qoftë edhe vetëm një juan, do të mblidhen 10 mijë juanë dhe me këtë fond, ai mund të hapë një restorant të vogël ose një sallon bukurie."

Eksperti i njohur i menaxhimit të informacionit Xu Zipei është i mendimit që, për arsye se interneti nuk ka kufi dhe është i përhapur në mbarë botën, të gjithë mund të investojnë nëpërmjet platformës së financimit në grup. Në të vërtetë, në disa platforma të njohura amerikane të këtij lloj financimi ka pasur investitorë nga Kina. Për këtë, Xu Zipei shprehet:


Foto: 吴长青 / 东方IC

"Firmat e investimeve me rrezik në ShBA janë nismëtarë të investimeve, ndërsa në Kinë dhe vende të tjera investitorët marrin pjesë në këto projekte, duke e përfunduar procesin e investimeve me financimin në grup. Kjo ka krijuar një platformë të re për firmat dhe fondet në Kinë që merren me kapitalet me rrezik."

Guo Wei është një investitor në bizneset fillestare në "Silicon Valley" të Kalifornisë në ShBA. Deri tani ai ka investuar në 11 kompani të reja. Guo Wei është i mendimit se kërkesat për investime janë A-ja, ndërsa kërkesa për financim vjen më pas. Me një platformë të tillë, fondet e lira në treg mund të qarkullojnë më lirisht dhe investitorët mund të bëhen vetë investitorë në bizneset fillestare.

"Mund të ecësh në hapat e investitorëve të famshëm. Mendoj, kjo është një gjë shumë tërheqëse. Kur nuk ke përvojë në investime dhe financim me të drejtë aksionare, nëse mund të ecësh në hapat e një investitori të famshëm në bizneset fillestare, kjo do të përbënte një ndryshim, një gjë krejtësisht revolucionare," thotë Guo Wei.(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China