PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina, "mbretëresha" e produkteve të Krishtlindjeve
2014-12-23 10:40:28 CRI Komenti juaj Printoni

Para rreth dy dhjetëvjeçarësh, pema ose plaku i Krishtlindjeve ishin diçka e largët për kinezët, por me hapjen e Kinës ndaj botës së jashtme dhe forcimin e shkëmbimeve kulturore me Perëndimin, gjithnjë e më shumë njerëz në Kinë kanë filluar të kremtojnë festat perëndimore. Dhe kështu festa kryesore perëndimore, festa e Krishtlindjeve, është njohur dhe është pranuar nga shumë kinezë dhe tani ka hyrë edhe në shumë familje të zakonshme kineze.


Foto: 吴长青 / 东方IC

Ndonëse nuk janë një festë zyrtare, Krishtlindjet në Kinë kanë filluar të festohen thuajse po aq sa disa nga festat tradicionale kineze. Veçanërisht në vitet e fundit, ka pasur një fokus të shtuar te Krishtlindjet, sidomos në mesin e të rinjve. Po të marrësh parasysh rritjen ekonomike me ritme të larta të Kinës dhe mënyrën se si kanë filluar të rinjtë të pranojnë vlerat perëndimore, nuk është e çuditshme që Krishtlindjet kremtohen në një masë të tillë të madhe.

Pemët e Krishtlindjeve vendosen në shumë hotele të qyteteve të mëdha në Kinë dhe këto qytete mbushen plot me atmosferën e festës, veçanërisht duke vezulluar mbrëmjeve nga dritat festive e duke u sjellë një atmosferë hareje banorëve të tyre.


Foto: 冯军 / 东方IC

Por Kina e kremton festën në mënyrën e vet. Ndryshe nga shumë festa tradicionale kineze, veçanërisht Festa e Pranverës, dhe nga mënyra e kremtimit në Perëndim, bashkimi familjar nuk është pjesë e traditës së Krishtlindjeve në Kinë, por për një numër në rritje të rinjsh kinezë Krishtlindjet janë një rast për të shkëmbyer dhurata me kolegët dhe shokët (teksa festat tradicionale kineze nuk janë të përqendruara rreth dhënies së dhuratave). Mollët për shembull, janë një dhuratë simbolike, sepse shqiptimi i fjalës mollë në gjuhën kineze është i ngjashëm me fjalën për Krishtlindje. Mollët që dhurohen për festën e Krishtlindjeve, të njohura si "mollë të shenjta", kushtojnë deri pesë herë më shumë se zakonisht dhe janë të paketuara, e mund të jepen kështu si dhuratë në vigjilje të Krishtlindjeve për të uruar lumturi. Të rinjtë organizojnë mbrëmje të ndryshme në natën e Krishtlindjeve, e po ashtu çiftet e reja parapëlqejnë një darkë romantike në ndonjë restorant luksi.

Por me gjithë ndryshimet, Krishtlindjet si në Kinë, ashtu edhe në Perëndim, kanë të përbashkët se janë një periudhë e mirë për të blerë e për të bërë tregti.


Foto: 陈荣辉/东方IC

Teksa tradita e kremtimit të Krishtlindjeve por përhapet në mbarë Kinën, dyqanet e mallrave luksoze, restorantet, hotelet dhe biznese të tjera e kanë parë këtë si një mundësi marketingu. Gjatë gjithë periudhës së Krishtlindjeve pothuajse të gjitha qendrat tregtare në Kinë organizojnë veprimtari të mëdha promovuese. Shumë dyqane vënë reklama të dukshme jashtë, ku thuhet se në vigjilje të Krishtlindjeve nuk do të pushojnë dhe do t'u ofrojnë më shumë ulje konsumatorëve.

"Sivjet në veçanti ka pasur një atmosferë të ndjeshme të Krishtlindjeve në Kinë", shprehet Hao Litong-u, një menaxhere shitjesh e Kompanisë së Produkteve të Zejtarisë "King Tree", duke shtuar se blerësit kinezë janë të interesuar për produkte me cilësi të lartë të Krishtlindjeve .

Sipas saj, shitjet e produkteve të Krishtlindjeve të kompanisë "King Tree" në tregun kinez janë rritur me 30 për qind nga viti në vit.

"Në vitet e mëparshme, klientët vendës blinin vetëm pemë Krishtlindjesh, por tani ata blejnë më shumë zbukurime për pemët. Produktet e Krishtlindjeve po pranohen gradualisht nga njerëzit në Kinë," vë në dukje Hao Litong-u.

Kompania e Produkteve të Zejtarisë "King Tree" filloi të kishte si objektiv kryesor konsumatorët kinezë në vitin 2010. Shumica e pemëve që shet në Kinë kjo kompani janë për hotelet dhe qendrat tregtare që festojnë Krishtlindjet.


Foto: 陈荣辉/东方IC

Mjaft dyqane në Kinë kanë filluar shitjet e tyre për Krishtlindjet që në shtator, ndërsa periudha tetor-nëntor është zakonisht kulmi i blerjeve. Sigurisht edhe dyqanet në internet nuk mbeten pas. Tani kutitë e dhuratave, dritat, zilet, pemët, kapelet, çorapet, shiritat, babagjyshët e produkte të tjera të lidhura me Krishtlindjet mund të porositen me një të klikuar.

Shumë kohë para se Krishtlindjet të përhapeshin në qytetet e Kinës, fabrikat e saj prodhonin produktet e domosdoshme për festimin e kësaj feste në Perëndim. Industrialisht, Kina quhet tashmë "mbretëreshë e Krishtlindjeve". Në pjesën kontinentale të Kinës dhe në Hong-Kong vlerësohet se prodhohen 70 deri në 80 për qind e të gjitha lodrave të Krishtlindjeve në botë. Në të vërtetë, thuhet se më shumë se 60 % e produkteve të Krishtlindjeve në mbarë botën vitin e kaluar erdhën nga Yiwu, qytet në provincën lindore kineze të Zhejiang-ut. Gjatë viteve të fundit, numri i prodhuesve të zbukurimeve të Krishtlindjeve në Yiwu është rritur nga 80 në 600.

Industria kineze e prodhimit të zbukurimeve për Krishtlindjet i ka përballuar problemet ekonomike në Europë dhe Amerikë me rritjen e shitjeve në tregun vendës, ku zbukurimet e Krishtlindjeve janë një mjet gjithnjë e më popullor marketingu për tregtarët vendorë.

"Krishtlindjet janë si Viti i Ri kinez: edhe të varfrit e kremtojnë këtë festë," thotë Chen Jinlin-i, kryetari i Shoqatës së Produkteve të Krishtlindjeve të Yiwu-së. "Hotelet, kopshtet, shkollat, supermarketet, të gjitha kanë zbukurime Krishtlindjesh."

Zhang Lanfang-u, pronare e Fabrikës së Produkteve të Zejtarisë "Yihang", shprehet se periudha e Krishtlindjeve është aq e ngarkuar, saqë ajo nuk kanë kohë as "për të pirë një filxhan çaj". "Kriza financiare ka pasur asnjë ndikim në shitjet e mia," thotë zonja Zhang.

Por me fitimet nga eksportet të goditura nga rritja e konkurrencës dhe e vlerës së juanit, biznesmenë të tillë si kryetari i Kompanisë së Arteve dhe Zejeve "Youlide" të Zhejiang-ut Gong Yuequan e kanë vënë theksin në shitjet brenda vendit dhe risitë. Gong Yuequan-i thotë se blerësit vendas duan sende të Krishtlindjeve më ekstravagante - dhe më të shtrenjta - se të huajt, pasi ato përdoren shpesh si mjete marketingu në komplekse, restorante, hotele dhe ndërtesa zyrash.

"Youlide" po punëson dizenjues për të krijuar më shumë produkte të reja, shumë prej të cilave ndërthurin elemente lindore dhe perëndimore. Këto përfshijnë një babagjysh Krishtlindjesh me veshje tradicionale kineze dhe një pemë gjashtë metra të lartë që mund të zbukurohet me toptha dhe dhurata për Krishtlindje, e pastaj me nyje fatsjellëse dhe kafazë për Vitin e Ri Kinez.

Po nëse Yiwu mund të quhet "qyteti i Krishtlindjeve", Xitan-i pa dyshim e meriton të jetë "Fshati Krishtlindjeve" i Kinës. Xitan-i ndodhet fshehur në malet e provincës Zhejiang. Moti aty është i ftohtë në dimër, por pa dyshim nuk bie borë dhe ky vend nuk i ngjan Polit të Veriut ku ndodhet "punishtja" e Babagjyshit të Krishtlindjeve. E megjithatë, nga Xitan-i dërgohen zbukurime me vlerë 100 milionë dollarë në vende të largëta si ato europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brazili.

Wang Lianming-u është drejtuesi i një prej prodhuesve më të hershëm të zbukurime të Krishtlindjeve në Xitan, Kompanisë së Arteve dhe Zejeve "Ruian". Wang Lianming-u thotë se, ndërsa tregu jashtë vendit është ende fokusi kryesor i biznesit të "Ruian"-it, interesi për produktet e kësaj kompanie është në rritje në Kinë.

"Në të kaluarën, Krishtlindjet ishin një festë që festohej vetëm jashtë vendit dhe pak këtu në Kinë dinin shumë gjëra për të," shprehet Wang-u. "Por në vitet e fundit kjo festë po kremtohet gjithnjë e më shumë në Kinë, ashtu si edhe shitja e zbukurimeve për këtë festë ka ardhur duke u shtuar."

Para se të fillonte prodhimin e produkteve të Krishtlindjeve, Kompania e Arteve dhe e Zejeve "Ruian" prodhonte kryesisht rruzuj për diskotekat, dhe ende e bën një gjë të tillë. Ashtu si shumë kompani të tjera në Xitan, "Ruian"-i po ashtu prodhon produkte për festa të tjera perëndimore, si Hallouini, e madje edhe maska për karnavalet braziliane.

Xitan-i ka vetëm 3 000 banorë, por këtu ka 40 fabrika të mëdha dhe rreth 200 punishte më të vogla. Në Xitan vijnë për të punuar edhe nga krahina të tjera të Kinës.

Një pronar fabrike, Wang Songjiang-u, thotë se nuk di shumë për festën:

"Krishtlindja është para së gjithash një festë për të huajt dhe ne këtu nuk dimë shumë për të. Por na mjafton të dime se zbukurimet që prodhojmë janë për festimin e Krishtlindjeve, dhe se mund të bëjmë biznes dhe të fitojmë para," thotë Wang-u i kënaqur.


Foto: 芳芳 / 东方IC

Ndërsa 40-vjeçari Yang Jiandong drejton një nga mijëra fabrikat që bëjnë lodrat që shumë prej nesh u dhurojnë fëmijëve ose i vënë në pemët e Krishtlindjeve. Kompania e tij, "Attop", prodhon 800 000 helikopterë lodër me kontroll në largësi në vit, por gjithashtu bën pjesë për kukullat Barbi, makina lodër etj.

Në katin e parë të fabrikës, makineri që kanë kushtuar rreth 200 mijë dollarë secila prodhojnë pjesët plastike, ndërsa në katin e dytë qindra punëtorë bëjnë montimin e tyre ose të pjesëve elektronike. Një kat më sipër janë punëtorët më të kualifikuar dhe më të mirëpaguar të fabrikës, që merren me ngjyrosjen e lodrave, para se ato të çohen në një tjetër linjë, ku testohen e në fund ambalazhohen. Lodrat dërgohen në vende të ndryshme të botës, që nga Mbretëria e Bashkuar e deri në Brazil e Kosta-Rikë.

Yang Jiandong-u vë në dukje: "Lodrat e prodhuara prej nesh jane shumë cilësore. Tani gjithnjë e më shumë blerës vendës e të huaj kanë besim në kompani si jona."

Kompania "Attop" ka "akademi biznesi" 100-vendëshe ku jepen mësime për punëtorët pasi ata mbarojnë ndërresën, një piano të madh në korridor ("Çdokush mund t'i bjerë gjatë pushimit", vë në dukje Yang), një minifermë ku punëtorët mund "të pushojnë duke rritur perimet e tyre", dhe një departament kërkim-zhvillimi ku dizenjohen mjaft nga lodrat që prodhon fabrika.

Yang Jiandong-u e pranon se një arsye e ndryshimit është trysnia nga konsumatori. "Dhjetë vjet më parë," thotë ai, "kompanitë e huaja të zgjidhnin për të bërë lodrat e tyre në qoftë se u ofroje një çmim të lirë. Ato nuk kujdeseshin për certifikim ose për aftësitë e tua në kërkim-zhvillim. Por tani gjëja e parë që bëjnë ato është të kontrollojnë nëse keni certifikata sigurie dhe nëse jeni në gjendje të certifikoni lodra të reja. Kushton shumë t'i bësh këto teste çdo herë. "


Foto: 陈荣辉/东方IC

Menaxherët e "Attop"-it mendojnë se prodhuesit më të vegjël të lodrave, që i kanë siguruar tregut lodra të lirë për vite me radhë, së shpejti do të kapin fundin. Vitin e ardhshëm Krishtlindjet do të jenë më të shtrenjta e një vit pas tij edhe më të shtrenjta. Në të njëjtën kohë, këtij sektori i duhet të përballohet me faktin që familjet kanë më pak fëmijë, dhe që fëmijët kalojnë më shumë kohë me kompjutera e më pak me lodrat tradicionale.

"Fëmijët sot heqin dorë nga të luajturit me lodra rreth moshës tetë vjeç," thekson Yang Jiandong-u, "ndërsa më parë rreth moshës 13-vjeçare. Tani në këtë moshë ata përdorin 'iPad' ose 'iPhone'. Më parë prindërit u jepnin fëmijëve të tyre lodra dhe u thoshin që të luanin, ose fëmijët shikonin programet për ta në televizion, ndërsa tani luajnë me kompjutera e celularë. "

Për këtë arsye Krishtlindjet po bëhen një periudhë gjithnjë e më pak e parashikueshme për industrinë e prodhimit të lodrave.

Për të kapërcyer hendekun mes lodrave tradicionale dhe teknologjisë, "Attop"-i ka krijuar një arush pellushi të lidhur me një aplikacion në një smartfon: prindërit ose gjyshërit që ndodhen larg shtëpisë, mund të regjistrojnë mesazhe të cilat fëmija mund t'i dëgjojë nëse shtyp një buton tek arushi lodër.

"Industria po ndryshon për të gjithë," nxjerr në pah Yang Jiandong-u. "Për lodrat tradicionale, vitet e ardhshme nuk janë optimiste. Por, në qoftë se shpenzoni kohë për risi dhe krijueshmëri, ende ka një treg shumëmiliardësh."

"Attop"-i prodhon helikopterë dhe makina të cilat mund të kontrollohen me smartfona, të pajisura me kamera regjistruese. "Ne kurrë nuk i rreshtim përpjekjet për të krijuar linja të reja dhe ne po zhvillojmë teknologji në shumë nga linjat tona tani," thotë Yang Jiandong-u. "Këto lloj lodrash gjithashtu mund të përdoren nga të rriturit, dhe me një çmim më të lartë."

E teksa mjaft kompani në Kinë janë zhvilluar nga prodhimi i produkteve të Krishtlindjeve, një qytezë kineze është pasuruar në një mënyrë krejt të ndryshme nga Krishtlindjet: duke i kthyer telat dhe llambushkat që ndriçojnë pemët e Krishtlindjeve në pantofla.

Përvit dhjetë mijë tonë llambushka dhe tela të përdorur për ndriçimin e pemëve të Krishtlindjeve shkojnë në Shijiao, një qytezë rreth një orë larg me makinë nga kryeqendra e provincës Guangdong të Kinës Jugore Guangzhou. Shijiao quhet tashmë kryeqyteti botëror për riciklimin e dritave të Krishtlindjeve të mbetura çdo vit. Po si e mori këtë emër?

Raymond Li është menaxheri i përgjithshëm i Kompanisë së Përpunimit "Yong Chang". Përgjigjja e tij është: "Njerëzit donin të bënin para, kjo është e gjitha".

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, mundësitë ekonomike në Shijiao ishin shumë të kufizuara: ose do të merreshe me bujqësi, ose do të largoheshe për një punë e jetë më të mirë në qytetet e mëdha. Shijiao nuk kishte rrugë të mira, nuk kishte forcë punëtore të kualifikuar dhe as lëndë të para. Kishte vetëm hapësirë, dhe pikërisht kjo duhej, dhe shkrepëse e lëndë djegëse, për të nxjerrë nga dritat e pemëve të vjetra të Krishtlindjeve bakrin, metalin që përdorej nga fabrika të ndryshme jo larg Shijiao-s për të prodhuar tela, smartfona etj. Por sigurisht djegia ishte një proces që sillte ndotje të mjedisit. Ata që shkonin në Shijiao deri pesë vjet më parë, mund të shihnin aty re të dendura tymi.

Por pastaj diçka e rëndësishme ndodhi: me pasurimin gjithnjë e më të madh, njerëzit në Kinë filluan të kenë më shumë makina private, gjë që solli rritjen e çmimit të naftës e të produkteve që prodhoheshin prej saj, përfshirë edhe të plastikës që përdorej për dritat e pemëve të Krishtlindjeve. Për këtë arsye, prodhuesit kinezë të plastikës filluan të kërkonin alternativa të tjera. Zgjidhja më e thjeshtë ishte edhe më e lira: në vend të djegies së telave, të gjendej mënyra për t'i zhveshur ato nga mbështjellësja plastike, e cila mund të përdorej përsëri për të bërë një varg produktesh, para së gjithash pantoflat.

Sigurisht, kthimi i veshjes izoluese të telave në pantofla nuk është aq i thjeshtë sa mund të duket, por ishte diçka që kërkonte risi. Për krijimin e sistemit të riciklimit të dritave të pemëve të Krishtlindjeve nga Kompania e Përpunimit "Yong Chang" u desh një vit. Dhe ishte pikërisht kunati i Raymond Li-së, Yao, që e krijoi këtë sistem.

Yao ka studiuar për inxhinieri në një prej universiteteve më të mira në Kinë, por në vend që të punonte për ndonjë nga kompanitë e njohura në ndonjë qytet të madh, vendosi të kthehet në Shijiao për t'ia bashkuar biznesit të Raymond-it. Ndonëse mundësitë për inxhinierët në Kinë janë shumë të mëdha, Yao pa një rast më të mirë në kompaninë e kunatit të vet. Dhe nuk është zhgënjyer për zgjedhjen e tij.

Ndërsa Raymond-i thotë se ai vetë nuk i pati zgjedhjet që kishte Yao. 16 vjet më parë ai ishte 27 vjeç dhe punonte në një fabrikë boje e produktesh kimike. "Doja të isha isha i pasur dhe i suksesshëm," shprehet Raymond-i Li, "prandaj vendosa të hyj në biznesin e përpunimit të hedhurinave industriale".

Familja e së shoqes kishte tashmë një biznes të tillë të vogël, duke e kuptuar potencialin e tij, që mund t'i pasuronte më shumë se bujqësia, tregtia apo nëpunësia. Por Raymond-i thotë se pasurimi i vërtetë është ai që nuk dëme, si për shembull ndotja e mjedisit. "Yong Chang" riciklon në 1 mijë tonë në vit dhe Raymond-i vlerëson se Shijiao ka të paktën nëntë fabrika të tjera që importojnë dhe përpunojnë vëllime të ngjashme, të cilat kanë sjellë edhe pasurimin e banorëve të Shijiao-s, duke bërë që të kalojnë edhe ata Krishtlindje të gëzuara.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China