20141216ouzhou |
Vitet e fundit, me zhvillimin e shpejtë të globalizimit ekonomik, veçanërisht pas krizës financiare globale dhe krizës europiane të borxheve, bashkëpunimi mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore ka njohur një zhvillim të vrullshëm. Në vitin 2013, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti dy koncepte strategjike, Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit, të njohura shkurt si "Një Brez dhe një Rrugë", duke ofruar kështu raste të reja për thellimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore.
Nëpërmjet strategjisë "Një Brez dhe një Rrugë" planifikohet të krijohet korridori më i gjatë ekonomik në botë, që do të përfshijë 4.4 miliardë veta dhe me një vëllim GDP-je 21 trilionë dollarë amerikanë.
Vendet e Europës Qendrore e Lindore janë nyja të rëndësishme transporti mes Lindjes dhe Perëndimit. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në lidhjen e Azisë dhe Europës, në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, financiare dhe teknologjike, si edhe në ndërlidhshmërinë infrastrukturore mes këtyre dy tregjeve të mëdha. Liu Haixing është drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Europiane në Ministrinë e Jashtme të Kinës. Ai shprehet:
"Tani ne po zhvillojmë bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore e Lindore në transportin hekurudhor dhe rrugor. Europa Qendrore e Lindore sigurisht mund të lidhet me strategjinë 'Një Brez dhe një Rrugë', veçanërisht me Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit."
Strategjia e Kinës është pritur pozitivisht nga vendet e Europës Qendrore e Lindore. Zv.ministri i Jashtëm shqiptar Alqi Puli u shpreh që Shqipëria, si një vend që ndodhet në Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, është e gatshme për të luajtur një rol aktiv. Puli thekson:
"Shqipëria ka qenë një pjesë e Rrugës së Mëndafshit. Qoftë për Kinën, qoftë për Europën Qendrore e Lindore, si edhe atë Jugore, mendoj se kjo strategji ka një rëndësi të madhe për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar."
Në verën e sivjetshme u zhvillua takimi i ministrave të Tregtisë Kinë-Europë Qendrore e Lindore, për nxitjen e bashkëpunimit tregtar. Në këtë takim palët arritën konsensus mbi rritjen e vëllimit të tregtisë mes tyre, shtimin e investimeve të ndërsjellta, zgjerimin e kanaleve të investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit në infrastrukturë. Ministri i Tregtisë i Kinës Gao Hucheng thotë:
"Me rastin e ndërtimit të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit, palët kanë rënë dakord që të shtojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin tregtar dhe të rritin nivelin e tregtisë në bazë të respektit, barazisë, leverdisë së ndërsjellë dhe përplotësimit, për të nxitur zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët."
11 nga vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë hyrë në Bashkimin Europian dhe vendet e tjera po përpiqen aktivisht për anëtarësim në aleancën europiane. Kina është shprehur hapur që marrëdhëniet e saj me Europën Qendrore e Lindore po zhvillohen brenda kornizës së BE-së. Kështu, Kina do të shfrytëzojë përparësitë e vendeve të këtij rajoni për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Në këtë sfond, shpallja e strategjisë "Një Brez dhe një Rrugë" është në përputhje me thellimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Europiane në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Sun Yongfu shprehet:
"Shtimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore mund të nxitë ndërtimin e Rrugës Detare të Mëndafshit dhe Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. Vendet e këtij rajoni prej kohësh kanë lidhje tregtare me Kinën në ndërtimin e porteve detare dhe në transportin hekurudhor. Linja hekurudhore Chongqing-Xinjiang-Europë kalon nëpërmjet këtij rajoni. Kjo linjë nis nga qyteti Chongqing i Kinës Jugperëndimore, kalon nëpërmjet Estonisë, Letonisë e Lituanisë dhe në fund hyn në Gjermani nëpërmjet Polonisë. Kështu që vendet e Europës Qendrore e Lindore, veçanërisht tre vendet baltike, kanë dëshirë që të shfrytëzojnë portet dhe hekurudhat e tyre për mbartjen e mallrave kineze. Me këtë linjë transporti mund të dërgohen edhe mallrat europiane drejt Kinës. Ky quhet shfrytëzim i ndërsjellë."
Linja hekurudhore Chongqing-Xinjiang-Europë është vënë në funksionim qysh nga viti 2011. Gjatësia e kësaj linje është 11179 kilometra dhe ajo lidh qytetin kinez Chongqing me Duisburgun e Gjermanisë. Kjo linjë ka shtuar efektivitetin e transportit mes Kinës dhe Europës. Znj. Yang Liqiong është zv.kryetare e zyrës së logjistikës të bashkisë së Chongqing-ut. Ajo vë në dukje:
"Me këtë linjë efikase duhen vetëm 16 ditë për të shkuar nga Chongqing-u për në Duisburg të Gjermanisë, të paktën 30 ditë më shpejt krahasuar nga transportin detar ose transportin detar të ndërthurur me atë hekurudhor."
Me zbatimin e strategjisë "Një Brez dhe një Rrugë", Azia dhe Europa do të kenë lidhje më të ngushta ekonomike dhe bashkëpunim më të gjerë. Në të ardhmen të dy këto kontinente do të kenë hapësirë më të madhe bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e tregtisë.
"Në vitin 2013, tregtia mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore mbeti në një nivel të ulët me mbi 50 miliardë dollarë. Sivjet shifra mund të arrijë në 60 miliardë dollarë. Jemi të bindur që rritja e tregtisë mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore do ta kalojë atë mes Kinës dhe Bashkimit Europian. Mund të themi që bashkëpunimi dypalësh ka një potencial shumë të madh. Kështu, transporti hekurudhor dhe ai detar do të jenë në të mirë të nxitjes së tregtisë dypalëshe," thotë Sun Yongfu, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Europiane pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës.(Jiang Lei)