PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zheng Yonggang-u, biznesmeni i pazakontë i veshjeve
2014-12-16 14:52:32 CRI Komenti juaj Printoni

Zheng Yonggang-u e bëri pasurinë në industrinë gjigante kineze të veshjeve, ashtu si shumë të tjerë, por ai nuk është i zakonshëm ndër sipërmarrësit kinezë. Së pari, pasurinë e tij Zheng Yonggang-u e ka bërë duke privatizuar një firmë shtetërore ku më parë ishte drejtues, dhe jo si shumë biznesmenë të tjerë kinezë që i ngritën firmat e tyre nga e para. Së dyti, teksa shumica e sipërmarrësve kinezë e arrijnë suksesin e tyre falë një pune të madhe e të palodhur, shpesh duke punuar çdo ditë të javës me orë të zgjatura, e madje nganjëherë pa marrë as edhe një ditë pushim në vit, Zheng prej shumë vitesh ka këmbëngulur që të mos punojë më shumë se tetë orë në ditë, dhe zakonisht punon vetëm gjashtë orë. Ai fle drekave të paktën 20 minuta, i pëlqen të hajë në shtëpi dhe shëtit përditë me të shoqen në parqe e lulishte, teksa shumica e kolegëve të tij biznesmenë janë para tryezave të punës.


Foto: 龙生 / 东方IC

Zheng Yonggang-u ka lindur në vitin 1958 në Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, një qytet pranë Shangait. Në moshën 18-vjeçare Zheng Yonggang-u hyri në ushtri dhe ëndrra e tij në atë kohë ishte të bëhej gjeneral. Por, pasi doli nga ushtria në vitin 1979, ai nisi të punonte në një ndërmarrje të tregtisë së jashtme, punë të cilën e la katër vjet më pas, sepse, siç thotë, i dukej "shumë kufizuese". Megjithatë, gjatë punës aty i riu mësoi se si funksionon një ndërmarrje, njohuri të cilën e vuri në shfrytëzim kur u caktua drejtor i një fabrike dorezash në qytetin e tij të lindjes Ningbo. Kjo ishte një fabrikë që kishte dalë me humbje prej disa kohësh, por në dy vjet Zheng Yonggang-u e përmbysi krejtësisht gjendjen dhe e bëri atë një sipërmarrje fitimprurëse. Si menaxher i ri, ai tregoi një stil të fortë drejtimi, duke krijuar një vrull të madh rritjeje.

Në vitin 1989, në moshën 31-vjeçare, Zheng Yonggang-ut iu kërkua të përsëriste suksesin e tij në një ndërmarrje më të madhe shtetërore, një fabrikë veshjesh e cila prodhonte kryesisht kostume për burra. Në vitin 1991 Zheng-u bleu aksionet shtetërore të kësaj fabrike, duke e kthyer atë në private. Ai e quajti "Shanshan", që në gjuhën kineze do të thotë "bredh", dhe që do të ishte edhe emri i kompanisë së ardhshme që do të krijonte Zheng Yonggang-u mbi bazën e kësaj fabrike. Ishte fillimi i hyrjes së Kinës në ekonominë e tregut dhe "Shanshan"-i ishte një nga kompanitë e para që shpërndau aksione. Risi tjetër kryesore e saj ishte krijimi i një rrjeti dyqanesh ekskluziviteti, diçka e panjohur në Kinë në atë kohë.

Në vitet '90 të shekullit të kaluar në Kinë sektori i mallrave të luksit ende nuk ishte i zhvilluar mirë. Zheng Yonggang-u e shfrytëzoi këtë potencial,duke investuar për të krijuar imazhin e "Shanshan"-it si një prodhues kinez i kostumeve të meshkujve të stilit perëndimor. Ky investim iu shpërblye kur klientët e pasur meshkuj filluan të parapëlqejnë të kenë një kostum të firmës "Shanshan" për ceremonitë e tyre të martesës ose për raste të tjera. Në vitin 1996 "Shanshan"-i u bë e para kompani veshjesh e kuotuar në Bursën e Shangait. Një vit më pas, në vitin 1997, shitjet e "Shanshan"-it arritën 1 miliard juanë (mbi 165 milionë dollarë amerikanë), teksa pjesa e tregut e kësaj kompanie për kostumet e meshkujve arriti kulmin, duke zënë 37.4 %.

Me hyrjen e Kinës në OBT në vitin 2001, "Shanshan"-i njohu një rritje të konkurrencës prej firmave të modës nga Franca dhe Italia, si edhe nga rivalët vendës si "Youngor" dhe "Septwolf". Por Zheng Yonggang-u e pa këtë hyrje të kompanive të huaja në tregun kinez jo vetëm si sfidë, por edhe si mundësi, duke u bërë një ndër sipërmarrësit kinezë më të fokusuar ndërkombëtarisht. "Mospranimi i bashkëpunimit me markat e huaja nuk do të na sillte ndonjë të mirë," pranon Zheng Yonggang-u. "Po ta bënim këtë, nuk ka dyshim se përfundimisht do ta shihnim veten të lënë mënjanë. Për t'u bërë 'peshkaqenë që notojnë mes peshkaqenëve' prodhuesit kinezë duhet të bashkëpunojnë me ata të huaj. Ne gjithashtu mund të krijojmë një kontigjent të madh njerëzish me përvojë përmes bashkëpunimit. Ne kemi nevojë për bashkëpunim të huaj për të përgatitur veten për krijimin e markave të njohura ndërkombëtarisht. Duke bashkëpunuar dhe duke krijuar partneritet me markat e huaja fitohet kapital dhe përvojë, që do të shërbejë si bazë nga e cila do të nisen markat e modës globale dhe konkurruese të Kinës". Zheng Yonggang-u" vë re më tej: "Sipërmarrjet kineze nuk mund të jenë të vetëmjaftueshme. Ato duhet të hapen ndaj kulturave të huaja dhe kanë nevojë të zotërojnë teknologji dhe të përvetësojnë aftësi menaxhuese nga firmat e huaja. Gjëja më e rëndësishme është bashkëpunimi. Besoj se bashkëpunimi global është prirja e së ardhmes."


Foto: 吴长青 / 东方IC

Dhe kështu, që në vitin 2001 "Shanshan"-i filloi të zbatojë strategjinë "Marka të shumta dhe ndërkombëtarizim". Gjatë një dhjetëvjeçari, nën udhëheqjen e Zheng Yonggang-ut, "Shanshan"-i firmosi marrëveshje bashkëpunimi me kompani të njohura amerikane, franceze dhe italiane, si "Dupont", "Farao" etj., duke krijuar mbi 30 marka,ndërsa më pas përfshiu një aksionar të madh japonez në biznesin e vet. Në shkurt të vitit 2010 konglomerati japonez "Itochu Corporation" bleu 28 % të Grupit "Shanshan", për 746 milionë juanë (rreth 122 milionë dollarë amerikanë). Marrëdhënia mes të dy kompanive kishte filluar që në 1993, kur "Itochu" ia ngarkoi prodhimin e këmishave për eksport "Shanshan"-it. "Shanshan"-i filloi prodhimin për ndërmarrjet e përbashkëta të "Itochu"-t, me marka të tilla si "Renoma Paris" dhe "Le Coq Sportif".

Pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011 në Japoni, falë bashkëpunimit me "Shanshan"-in, "Itochu" është në një pozicion që shumë kompani të tjera japoneze mund ta lakmojnë, duke pasur mundësi prodhimi anembanë Kinës.

Pasi "Shanshan"-i siguroi pozicionin në industrinë kineze të veshjeve, Zheng Yonggang-u mori gjithashtu vendimin për diversifikimin e biznesit të kompanisë nga veshjet në industrinë e teknologjisë së lartë, në mineralet e rralla dhe të pasuritë e patundshme. "Shanshan"-i investoi 80 milionë juanë (13 milionë dollarë amerikanë) për ndërtimin e një fabrike prodhimi baterish litiumi në Anshan, duke blerë në të njëjtën kohë aksione në miniera të ndryshme në mbarë botën, nga Australia në Argjentinë, për të siguruar furnizim për biznesin e prodhimit të këtyre baterive. "Shanshan"-i është tashmë prodhuesi më i madh i baterive të litiumit në Kinë.

Për të forcuar aftësitë e kërkim-zhvillimit, "Shanshan"-i u bë aksionari më i madh i kompanisë së teknologjisë së lartë "Kinwa", një firmë e kuotuar në bursë, që i përkiste Akademisë Kineze të Shkencave.


Foto: 张恺欣 / 东方IC

Brenda katër vjetëve nga marrja e vendimit për diversifikim (2004), Grupi "Shanshan" raportoi një rritje të vëllimit të përgjithshëm të pasurive të veta nga 1.8 miliardë juanë (294 milionë dollarë amerikanë) në mbi 5 miliardë juanë (817 milionë dollarë amerikanë) dhe rritja vazhdon në ditët e sotme.

Lëvizja nga moda te metalet e rralla dhe sektorë të tjerë e rriti ndjeshëm pasurinë e Zheng Yonggang-ut. Po ashtu, një tjetër sektor fitimprurës për të ishte investimi në shërbimet financiare. "Shanshan"-i është tashmë aksionare e Bankës së Ningbos, Bankës Tregtare të Anhui-t dhe Bankës së Zhvillimit "Pudong" të Shangait.

Në shtator 2011, Grupi "Shanshan" njoftoi planin për ndërtimin bashkë me "Itochu Corporation" të ndërtesës më të lartë në provincën e lindjes së Zheng Yonggang-ut Zhejiang, me një investim të përgjithshëm prej 9.7 miliardë juanësh (diçka më pak se 1.6 miliardë dollarë amerikanë). Duke ndërthurur një qendër tregtare, hotel luksi dhe ndërtesë zyrash, projekti është planifikuar të përfundojë në vitin 2017.


Foto: 胡军 / 东方IC

Zheng Yonggang-u i ka përdorur vizionin dhe frymën e vet të risive në industrinë kineze të veshjeve me konkurrueshmëri të lartë dhe gjithnjë e më shumë globale, duke bërë emër vetë dhe duke e bërë të njohur edhe kompaninë e vet "Shanshan". Zheng Yonggang-u ka qenë në krye të përpjekjeve të kësaj industrie për të kaluar nga veshjet pa markë në një force globale të dizenjimit dhe modës.

Zhvillimi i industrisë së veshjeve në Kinë filloi të jetë i shpejtë në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, kur, në bazë të politikës së Reformës dhe të Hapjes, kompanitë e veshjeve nga Hong-Kongu mbërritën në pjesën kontinentale të Kinës, pikërisht në Shenzhen të provincës Jugore Guangdong, duke ngritur aty fabrika prodhimi, për të vijuar më pas me bizneset nga provinca e Tajvanit dhe Japonia e Koreja e Jugut. Edhe pse industria e zgjerua shpejt në pjesë të tjera të Guangdong-ut, si dhe provinca të tjera, për një kohë të gjatë prodhimi me material porositësi ishte mënyra kryesore e funksionimit. Kjo mund të shpjegojë pse për vite industria e veshjeve në Kinën kontinentale nuk pati marka të famshme ndërkombëtarisht. "Ne ishim në gjendje të prodhonim veshje të çfarëdo marke të reklamuar në vitrinat e dyqaneve të Milanos, Parisit dhe Nju-Jorkut, por kishim pak marka të famshme ndërkombëtare tonat", pranon Cheng Dapeng-u, zëvendëskryetar i Shoqatës së Industrisë së Veshjeve të Kinës. Ndërsa Zheng Yonggang-u shprehet: "Në të vërtetë, nëpër dyqanet luksoze nuk shihje marka kineze, por vetëm marka ndërkombëtare. Kjo do të thoshte se marka kineze ende nuk kishte forcë të mjaftueshme tërheqëse në botë."

Zheng Yonggang-u ishte ndër ata sipërmarrës që kërkoi ta ndryshonte një gjendje të tillë.

Zheng Yonggang-u thotë se që në fillimet e "Shanshan"-it dëshironte të krijonte një markë të njohur kineze të veshjeve, por shumë nuk e besonin një gjë të tillë. Në atë kohë Zheng Yonggang-u mendonte se marka ishte një lloj shpirti vazhdimisht në kërkim. Ai shkoi në Francë dhe Itali për të marrë përvojë nga kompani të njohura botërore. Duke bërë krahasime me to, Zheng Yonggang-u zbuloi se marka e veshjeve është një paraqitje kulturore e historike. "Për mua marka e veshjeve është një lloj qytetërimi, një lloj arti dhe një lloj shkrirjeje midis njeriut dhe artit, midis veshjes dhe teknologjisë. Gjithashtu, ajo është një ndihmesë për kulturën e veshjeve dhe për risitë e mendimit," thekson Zheng Yonggang-u.

Sipas tij, hyrja e veshjeve kineze në tregun botëror, sidomos në tregun e vendeve të zhvilluara, varet nga pranimi i markave kineze prej tyre. "Veshjet ndryshojnë nga produktet teknologjike, shprehet Zheng-u, "sepse ato simbolizojnë një mënyrë të caktuar jetese. Markat e veshjeve u ofrojnë konsumatorëve jo vetëm lehtësi, por edhe karakter të veçantë, individualitet."

Zheng Yonggang-u vëren se marka e një vendi është e pandarë nga nga statusi i këtij vendi në arenën ndërkombëtare dhe ka një marrëdhënie simbiotike me të: "Marka nuk është e veçuar. Ajo është e lidhur ngushtë me zhvillimin dhe forcën e një vendi. Tani 'Shanshan'-i mund të negociojë me disa kompani të huaja të njohura në mënyrë të barabartë dhe mund të hyjë në tregun ndërkombëtar, sepse është e mbështetur nga zhvillimi i Kinës. E dimë që, nëse një vend nuk është i fuqishëm, atëherë edhe kompanitë e këtij vendi nuk do të jenë të fuqishme."

Zheng Yonggang-u vë në dukje më tej: "Kina është marka jonë më e madhe, ajo është shtylla e përjetshme për kompaninë tonë. Si përfaqësuese e kombit kinez, kompania 'Shanshan' do të japë ndihmesën e duhur për ringjalljen e markave kineze."

Zheng Yonggang-ushprehet se ndihet me fat që jetoi në kohën e zhvillimit të Reformës dhe të Hapjes në Kinë. "Njerëzit si unë janë përfituesit më të mëdhenj nga reforma ekonomike në Kinë," thotë Zheng-u. Dhe shton: "Unë isha në një ndërmarrje shtetërore përpara ndryshimit të strukturës së saj. Mua nuk m'u desh të kaloj të gjitha vështirësitë e fazës fillestare të biznesit siç i kaluan kolegët e mi në kompanitë private. Unë, për hir të së vërtetës, nuk e pata një kohë të tillë plot andrralla. Me gjithë shndërrimet që pësoi kompania jonë, ajo ishte tashmë një biznes kaq i konsoliduar, saqë shumë vazhduan të na shohin si një kompani të madhe shtetërore edhe për një kohë të gjatë pas privatizimit. Ne ishim pjesëtarë të atij që mund të quhet në mënyrë të figurshme 'ekip kombëtar', pra ndër 500 kompanitë kryesore në Kinë."

Zheng Yonggang-u është aktiv në nxitjen e sipërmarrjes, veçanërisht tek të rinjtë. Ai vëren: "Po të flasim objektivisht, të rinjtë sot kanë më pak mundësi sesa kishim ne vite më parë. Pse? Sepse struktura industriale tashmë në Kinë ka përfunduar së formësuari pak a shumë. Por sektorët e rinj në zhvillim të shpejtë, si interneti, mund t'i krijojnë raste shumë të mira brezit të ri. Pjesëtarët e këtij brezi na e kalojnë ne më të vjetërve për sa u përket dijeve, vizionit dhe hapjes. Por ajo që u mungon është vendosmëria dhe forca e qëndresës."

Zheng Yonggang-u e sheh faktin që sipërmarrësit kinezë e kanë njohur varfërinë, si një nga përparësitë e tyre kryesore të konkurrimit në biznes. "Nga vuajtjet e së kaluarës, brezi yt zotëroi këtë frymë përballimi të vështirësive. Ndonjëherë bëj shaka dhe them se ne i përkasim një brezi vërtet interesant. Ne nuk kishim ushqim dhe rroba të mjaftueshme, ndërsa tani mbajmë veshje të markave më të mira dhe jetojmë në vila me kopshte. Ka një hendek shumë të madh midis vuajtjeve e vështirësive të viteve të para dhe begatisë e lulëzimit të viteve të mëvonshme. Pa dyshim kjo është një dukuri e rrallë në historinë e mbarë njerëzimit," shprehet Zheng Yonggang-u.


Foto: 张恺欣 / 东方IC

Zheng Yonggang-uështë vlerësuar me shumë çmime, si "Mjeshtër i menaxhimit i Kinës" nga Komiteti Akademik i Qendrës së Studimit të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit të Kinës dhe "Sipërmarrës i jashtëzakonshëm i Kinës" në vitin 1999. Vitin e kaluar Zheng Yonggang-u u rendit i 372-ti në "Listën e të pasurve të Kinës" të "Hurun"-it, me një pasuri të vlerësuar në 5 miliardë juanë (826 milionë dollarë amerikanë), megjithatë, sipas vlerësimeve të tjera, pasuria e tij tashmë i kalon një miliard dollarët. Madje miqtë e kolegët e tij thonë me shaka se pasuria e Zheng Yonggang-ut është 2 miliardë dollarë, por ai vetë vlen 200 miliardë dollarë.

Për sa i përket kohës së lirë, përveç shëtitjeve me të shoqen, Zheng Yonggang-ut i pëlqen edhe sporti, veçanërisht golfi, dhe e luan dy herë në javë. Ai madje po mendon të blejë një fushë golfi kur të dalë në pension. Sigurisht me këtë pasion, dhe sidomos me paratë që ka, një gjë e tillë është është larg të qenit vetëm një ëndërr.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China