20141209hp |
Që rreth dy shekuj më parë Charles Caleb Colton, klerik dhe shkrimtar, ka thënë: "Të shkruash atë që ia vlen të botohet, të gjesh njerëz të ndershëm për ta botuar dhe për sigurosh njerëz të ndjeshëm për ta lexuar, këto janë tre vështirësitë e mëdha të të qenit autor." Por në Shqipëri autorët tashmë kanë disa shtëpi botuese ku mund të trokasin dhe të gjejnë ndershmëri, seriozitet e profesionalizëm. Dhe dy ndër më të spikaturat prej tyre drejtohen nga gratë. Ato janë presidentja e shtëpisë botuese "Toena" Irena Toçi dhe drejtorja ekzekutive e botimeve "Dudaj" Arlinda Dudaj.
Irena Toçit i shkëlqejnë sytë kur shprehet se është rritur me shtëpinë botuese "Toena", një emër ky që bashkon nistoret e mbiemrit të të shoqit, e tashmë edhe të saj, dhe fundoret e emrit të Irenës. Prej më shumë se pesë vjetësh, "Toena" drejtohet nga Irena Toçi, duke ia ka dalë të ruajë pozicionin udhëheqës në fushën e botimeve, me 200 tituj të rinj përvit dhe zgjerimin e rrjetit të librarive nëpër Shqipëri, ndërsa synon daljen përtej kufijve. Me Institutin e Librit dhe Promocionit 'Toena', të krijuar në vitin 2006, Irena Toçi synon promovimin e autorëve shqiptarë në letërsi artistike e fusha të tjera.
"Botimi, ose ndoshta duhet të them botimi i librave, është krejt i ndryshëm nga ajo që me sa duket mendojnë shumica e njerëzve. I riu që e quan atë një profesion të këndshëm diletantësh, të përshtatshëm për dikë që nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë, por që i pëlqejnë librat, është nën një iluzion." Kështu ka shkruar Stanley Unwin në librin e tij "E vërteta rreth botimit". Dhe duket se një iluzion të tillë nuk e ka pasur as Irena kur një vit pas diplomimit për kimi-industriale në vitin 1992, u përfshi në fushën e botimeve bashkë me të shoqin, Fatmir Toçi.
"Ishte fillimi i vitit 1993 kur hapëm 'Toenën' me tre punëtorë dhe nxorëm librin e parë në 20 mijë kopje, 'Metoda e gjuhës italiane pa mësues'. Duket se libri solli mbarësi dhe vijon të botohet çdo vit, pasi ka shumë kërkesa për të," kujton Irena fillimet e punës në shtëpinë e saj botuese, më e madhja në Shqipëri sot. Dhe vijon: "Sot, pas 20 vjetësh veprimtari, kemi 30 punonjës, një rrjet me mbi 100 bashkëpunëtorë përkthyes në profesion të lirë, redaktorë recensentë, anëtarë bordesh të ndryshme që ngremë herë pas here, apo të tjerë që punojnë për projekte të veçanta të shtëpisë botuese, me të cilët punojmë me honorare".
"Toena" u rrit me pasion, e bashkë me të profesionalisht edhe Irena, që njeh dhe mund të bëjë tashmë çdo proces pune. "Kam punuar për vite si dizenjuese, korrektore e redaktore dhe më pëlqen të vazhdoj t'i bëj, e sot jam një sy më shumë në çdo punim që del në botim. Kam marrë vendime për botime, kam përzgjedhur çfarë do të duhej për kolana të ndryshme," shprehet Irena. Për shumë vjet ajo ka shërbyer si drejtore ekzekutive dhe, nëse marrëveshjet i bënte drejtori i përgjithshëm, që vendoste si duhej nisur dhe zbatuar një projekt, më tej gjithçka ishte në dorë të Irenës, që nga hollësitë, dorëzimi i një projektlibri, teksti e dorëshkrimi, nxjerrja nga shtypshkronja e deri te menaxhimi nëpër librari të ndryshme.
Bashkë me të shoqin, Irena Toçi ndër vite ka marrë vendime të mëdha për hapjen e librarive të reja, apo projekte me investime të konsiderueshme. Sot "Toena" ka 10 librari të saj në Tiranë, Vlorë e Sarandë, krediton librari të tjera dhe ka si objektiv të hapë librari të reja jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në çdo hap Irena dhe bashkëshorti i saj kanë hasur pengesa, në një biznes që nuk mund të vlerësohet assesi i lehtë. Ndërmarrja e tyre për shpërndarjen e librit u mbyll nga pasiguria e udhëtimeve nëpër Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997. "Por, si çdo e keqe që sjell një të mirë, ajo kohë na orientoi të forconim më shumë sektorin e prodhimit të librit dhe ishin vitet e lulëzimit në shtypshkronjën 'Toena', ku investuam shumë. Deri në vitin 2003 u morëm me botimin e librit shkollor dhe të librit artistik," kujton Irena Toçi.
Tani që puna aty është konsoliduar, Irena Toçi i është drejtuar artit të menaxhimit të librarive.
"Mënyra se si punohet me to varion nga viti në vit," thotë ajo. Me kalimin e viteve, idetë mbi libraritë, marrëdhëniet për t'i ngritur e për t'i mbështetur, jo thjesht për t'u vënë emrin "Toena", por për t'i ndërtuar sipas konceptit të vet, e mbajnë në pozicion kërkues. "I pajisëm libraritë tona me rafte të bukura, ndarje sipas llojit të librit, përkthimeve, letërsive, autorëve, kolanave, duke u kujdesur të ketë vend për botime të tjera, pasi ka rëndësi të ekspozojnë dhe të shesin libra edhe botues të tjerë që kanë interes për bashkëpunim. Këto librari në fillim ishin pjesë e 'Toenës', që ishte e licencuar, por më pas i kaluam për menaxhim tek ata që i kanë sot. Ne i mbështesim fuqishëm me furnizim librash, por në marrëdhëniet ekonomike kanë kaluar në tipin e ekskluzivitetit dhe tani funksionojnë për mrekulli," vë në dukje Irena.
Që nga viti 1993 kur u çel e deri më sot, "Toena" nën siglën e saj numëron 2500 tituj librash të çdo lloji: studime, libra historikë, enciklopedi, fjalorë të ndryshëm, libra për fëmijë, letërsi artistike shqipe dhe letërsi artistike të huaj, doracakë etj. "Kemi shumëllojshmëri, pasi nuk jemi fokusuar vetëm në letërsi gjatë viteve, por në botime të përziera, kjo është një zgjedhje jona," tregon Irena Toçi, ndërsa shfleton katalogët e pasur të librave të botuar ndër vite. Ajo vetë ndjek çdo zhvillim të ri mbi teoritë e menaxhimit të biznesit dhe ka kryer dhe specializim pasuniversitar për biznes.
Sipas Irena Toçit, sfida e gruas në biznes është harmonizimi i kohës mes punës dhe familjes. Si grua ajo e vlerëson si "sfidë të përhershme" drejtimin e biznesit, por mendon që rëndësi ka se si arrin të harmonizojë të përditshmen e familjes me punën. "Nuk jemi të barabartë me burrat, se natyra na ka dhënë ca misione plus, që ata nuk i bëjnë dot," shprehet znj. Toçi. "Disa gra kanë parësore karrierën, por unë nuk e shoh veten ndër to". Por si grua që biznesi e mban gjatë në punë, ajo e çmon ndihmën e së ëmës në rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve, edhe pse sot jeta ofron mundësi të tjera që i lejojnë një gruaje sipërmarrëse të arrijë të harmonizojë kohën mes punës, fëmijëve dhe familjes. Çdo ditë e punës për Irena Toçin nis herët, rreth orës 7:30, me telefonat e parë me menaxherët për të vijuar në zyrë. "Prodhimi nuk pret dhe duhet ta vë në vijë punën çdo mëngjes," vëren ajo. "Sot njerëzit me vështirësi menaxhojnë gjëra të thjeshta në familje - të ardhurat për ushqimin, faturat për të shkolluar fëmijët - por nuk mund të mendojnë për argëtim, pjesë e të cilit është edhe libri, që blihet në library," thotë gruaja që prej pesë vjetësh ka në dorë frenat e "Toenës".
Irena shprehet e kënaqur për tre fëmijët e saj, edhe sepse botimet, si pjesë e familjes, kanë përcjellë tek ta peshën e punës. Ajo mendon se fëmijët, sipas moshës, duhet të njihen me përgjegjësitë e punës në një biznes familjar.
Irena Toçi ndihet e plotësuar në raport me ëndrrat e rinisë, pasi i ka arritur ato me kohën. "Kur piqesh, merr përgjegjësi të mëdha e shlyen detyrimet ndaj vetes dhe të tjerëve. Tek unë erdhi natyrshëm, jo e sforcuar, se as vendimet për të bërë këtë apo atë, nuk merren rastësisht. Mund të kishim gjetur një mënyrë administrimi të biznesit përmes dikujt tjetër, por nuk e kemi bërë, sepse këtu çdo gjë ka ardhur natyrshëm," thekson znj. Toçi.
A mund të kishte zgjedhur një tjetër biznes? Kjo pyetje merr një "Jo!" të madhe nga Irena Toçi, sepse për të libri është dashuri jete dhe vë në dukje se kurrë nuk do të shkëputet prej tij.
Irena Toçi, ndryshe nga shumë kolege të saj, nuk e pëlqen idenë për grupimin e grave biznesmene në shoqata, sepse ka përvojën e vet që lufta bëhet më mirë me burrat në një tryezë, ku debatohen ide për më të mirën. "Ne jemi grupuar prej tre vjetësh në shoqatën 'Shoqëria e librit shqip', ku jemi të gjithë bashkë, gra dhe burra në biznesin e botimeve", thekson ajo. Lidhur me rritjen e sipërmarrëseve femra në biznesin e botimeve, Irena ndihet e kënaqur që fusha e botimeve në Shqipëri është një treg në zhvillim, ku janë përfshirë shumë gra. Ajo vë në dukje: "Gratë botuese janë aktive dhe mjaft të suksesshme në punën që bëjnë, janë me ambicie e rezultate."
Ambiciet e vetë Irena Toçit për vijimin e biznesit lidhen me ruajtjen e pozicionit si shtëpi botuese numër një që ka sot "Toena", si dhe me promovimin e librave. "Është një biznes që fitoi emër të madh në vitet kur u drejtua nga një burrë dhe dëshiroj ta ruaj biznesin në këtë nivel, i pari në treg. 'Toena' vazhdon e tillë edhe nën drejtimin tim në pesë vjetët e fundit. Ne botojmë deri në 200 tituj të rinj në vit, kur shtëpia botuese që renditet e dyta boton 25 tituj të rinj, dhe diferenca është shumë e madhe," vë në dukje botuesja. Irena synon t'i kushtohet shumë promocionit të librit me Institutin e Librit dhe Promocionit "Toena", krijuar në vitin 2006.
Por a ka pengje Irena Toçi? "Plot," përgjigjet ajo, "jeta është e mbushur me pengje. Gjithmonë njeriu ka një Mekë të parealizuar dhe përpiqet ta realizojë, pa këtë Mekë dhe pa pengje nuk gjenden motive që të nxitin të ecësh përpara." Po ku ndihet më mirë Irena Toçi? E ku gjetkë, përveçse, siç thotë vetë, "në punën e saj".
Por pa dyshim Irena Toçi nuk është e vetmja botuese që spikat. Drejtorja ekzekutive e botimeve "Dudaj" është një tjetër histori suksese e gruas në fushën e botimeve.
Arlinda Dudaj gjithmonë "ka vrapuar", por ka ditur të sigurojë zgjidhje të mira, ndaj sot ndihet e kënaqur për çka arritur, ndonëse ka ambicie për më shumë. Ka botuar libra biografikë për shumë gra të fuqishme në botë, duke i ofruar si modele, për të cilat gruaja shqiptare ka nevojë për të guxuar e për të fituar.
Arlinda Dudaj është nga të paktat gra në Shqipëri që administron biznesin familjar në fushën e botimeve. Ajo mendon se më mirë se kushdo, një shtëpi botuese e bëjnë femrat, pasi edhe lexuesit më së shumti janë gra dhe beson se komunikimi është pjesë e dallimit të gruas që bën biznes: "Një biznes botimesh merr shumë forcë nga një grua dhe sot, në botë, 80 % të menaxhimit të shtëpive botuese e bëjnë gratë. Kështu po ndodh edhe në Ballkan me shumicën e shtëpive botuese, si në Rumani, Bullgari, Serbi etj. Është çelës i mirë suksesi dhe gratë janë pjesë e fitoreve". Arlindës i pëlqejnë shumë gratë që dinë të bëjnë biznes dhe punojnë me pasionin e femrës. "Por pa u maskilizuar," vëren ajo.
Kolana e botimeve "Dudaj", në rreth 14 vjet nga krijimi, arrin qindra tituj, por më e rëndësishme mbetet se blihen e lexohen përherë e më shumë. Sipas botueses, arsyeja e këtij rezultati është promovimi, të cilin di ta bëjë mirë, duke zgjedhur modelet perëndimore.
Afro 14 vjet më parë, Arlinda Dudaj sapo kishte përfunduar studimet e larta për gjermanishte, por vijonte të ruante fort dashurinë për leximin. "Më ka pëlqyer gjithmonë të lexoja dhe, pse jo, edhe të përktheja. Por që ta merrja seriozisht këtë punë, ndodhi në vitin 2001," kujton fillimin, kur pasi ideja për hapjen e shtëpisë botuese "Dudaj" u poq, iu desh të udhëtonte shumë jashtë vendit. Ishin udhëtime të lodhshme, por të nevojshme për t'u lidhur me shtëpi të mëdha botuese, një punë plot vështirësi, por edhe me aventura, gjatë së cilës vajzës së re i duhej të paraqitej tek agjentë të mëdhenj dhe me emër.
"Fillimi ishte i vështirë, mund të them 'me djersë të ftohta'," thotë me të qeshur Arlinda kur kujton Panairin e Librit në Frankfurt dhe momentin kur u takua me agjenten e Grishamit. "Ishte një amerikane shumë e fortë, që, për fat të keq, sot nuk jeton më. Më pas takova drejtoren e jashtme të 'Mondadori'-t, 'Enaud'-it etj. Të gjithë habiteshin kur u flisja për Shqipërinë, se nuk kishin pasur kurrë kërkesa për botime. Në Shqipëri asokohe ishte një kaos i vërtetë, ku shumë botues botonin, por pa kontrata të drejtpërdrejta", tregon fillimet e punës kur vendosi dhe botoi romanin 'Parfum' të Patrick Süskind-it, duke çmuar shumë mundësinë që i njohja shumë e mirë e gjermanishtes.
"U lidha së pari me gjermanët dhe vetëm për 100 marka, kaq ishte kontrata për të drejtën e autorit, pra minimale. Por ishin shumë të dashur që të jepnin lejen për botim në një gjuhë të panjohur siç ishte shqipja," tregon Arlinda. Nuk mund ta harrojë dot piraterinë që i ndodhi me botimin e Dan Brown-it: "Ishte një goditje e madhe për mua, u futëm në gjyq, fituam, por ishte një përvojë shumë negative," thotë Arlinda. Për të pirateria mbetet një nga problemet më të mëdha në sektorin e botimeve.
Arlinda Dudaj ka zgjedhur të punojë me agjentë letrarë të shkrimtarëve të ndryshëm, në një lidhje shumë të natyrshme. "Më ka ikur droja e viteve të para, ndoshta se vinim nga një botë ndryshe, ndërsa tani kur ulem me të mëdhenj ndihem mire," tregon Arlinda në lidhje me raportet shumë të mira me shtëpi të mëdha botuese, si ajo italiane "Mondadori", por edhe me shtëpi botuese amerikane, britanike etj.
Ndër shumë tituj të botimeve "Dudaj" kryeson letërsia bashkëkohore, një zgjedhje që e solli monitorimi i tregut, ku ndihej mungesa: "Në atë kohë vazhdonte botimi i klasikëve të mëdhenj. Ne botuam Nolin, Konicën etj., por mungonte e sotmja. Kjo më detyroi ta orientoj punën drejt botimeve të kohës. Ishte punë e madhe, por shpejt kuptuam se kishim zgjedhur drejt, dhe tani gati 85 % e botimeve tona janë përkthime", thotë Arlinda.
Ajo ka zgjedhur gjithashtu edhe kontratat e drejtpërdrejta: "Brenda një kohe të shkurtër morëm të drejtat e botimeve për një pjesë të mirë të shkrimtarëve më në zë, sipas rregullave ndërkombëtare".
Në botime Arlinda Dudaj ndjek prirjen botërore, ku kryeson letërsia e modelit të Dan Brown-it, ndër më të kërkuarit, që sipas saj sjell risi, mistere, trillera që intrigojnë. "Nuk vjen nga marketingu botëror, por është e njëjta prirje për një letërsi më pak të lodhshme nga klasikja. Ndoshta koha është e tillë, njerëzit duan të lexojnë për t'u çlodhur," thotë Arlinda.
Sot, shtëpia botuese 'Dudaj', është bërë ndërkombëtare nga lidhjet e drejtpërdrejta, një rrugë që do të vazhdojë. Ashtu si edhe shitjet e librave në internet, që po sjellin një sukses të vërtetë.
Arlinda Dudaj nga vetja kërkon më shumë, sikurse ideja për një librari të parë moderne "Dudaj", sipas modelit amerikan "Barnes & Noble", fillimisht në kryeqytetin e vendit Tiranë. "Një librari e mirë bën që edhe libri të shkojë në mënyrë sa më të dashur te lexuesi," shprehet botuesja.
Por Arlinda është e vetëdijshme për sfidën që njeriu i sotëm modern lexon pak, ose edhe për, siç thotë ajo, rënien e cilësisë së leximit. "Ka një mori faktorësh pse është kështu. Një nga to, për shembull, është dhe ritmi pabesueshmërisht më i lartë i jetës në krahasim edhe me pak dekada më parë, është dhe pafundësia e ofertave që vijnë bashkë me librin për të ndarë kohën e lirë," vë në dukje ajo.
Po sa e vështirë është të jesh një grua në botën përgjithësisht mashkullore të biznesit? "Eshtë shumë e vështirë, megjithëse unë nuk e kam parë si luftë mes burrash e grash. Kam parapëlqyer përherë të punoj me profesionalizëm dhe të konkurroj në këtë mënyrë, dhe e kam gjetur vendin tim. Kjo është një histori që përmendet shpesh, ndodh që burrat që janë tërësisht maskilistë flasin për të drejta të barabartë me gratë, njëlloj sikur ofrojnë një lëmoshë dhe gra që flasin e kërkojnë po të drejta të barabarta, sikur janë viktima që kërkojnë një lëmoshë. Refuzoj të jem pjesë e kësaj skeme," thotë Arlinda Dudaj. Dhe vazhdon: "Nuk ka shumë gra në sipërmarrje, mjedisi është i vështirë dhe tejet mashkullor. Por ato gra që janë, kanë ditur të imponohen me shumë mençuri dhe ia kanë dalë të jenë një fytyrë e denjë e biznesit të tyre."
A ishte e vështirë konkurrenca me burrat për të? "Në këtë profesion të jesh femër mund të ecësh më shumë. Femrat kanë një nuhatje të mprehtë për letërsinë e janë lexueset më të mira. Është sigurisht një punë që të vë përpara edhe detyrime, sikurse çdo punë tjetër, por është gjithashtu edhe një veprimtari shumë e bukur, pa të cilën do të ndihesha si e boshatisur. Për këtë arsye është edhe kënaqësi shumë e madhe," shprehet znj. Dudaj, duke shtuar: "Sinqerisht e them, nuk e di në do të kisha bërë një punë tjetër më mirë sesa kjo që bëj. Librat janë një dashuri shumë e madhe për mua dhe them me bindje se nuk mund të jesh e suksesshme nëse nuk bën një gjë që e do me të vërtetë. Ndihem edhe me fat që puna ime është të merrem me librat, ngase rutina në këtë punë nuk ekziston. Gjithnjë do të kesh një gjë të re, temë, autor apo histori për t'u marrë. Sa e çuditshme më duket ndonjëherë tek e kap veten të flas e të flas për libra, pa u ndalur, për orë të tëra, e të mos mërzitem aspak. Gjithçka mund të zërë vend nëpër libra, e t'i mund ta diskutosh përmes tij. Puna me librin kërkon pasion dhe dashuri, nuk mund të jetë si në një biznes çfarëdo."
Po cilat janë cilësitë e një sipërmarrësi të suksesshëm për Arlinda Dudajn? "Dashuria për punën që bën, këmbëngulja, vullneti i fortë, aftësitë menaxhuese dhe bashkëkohësia."
Por, me gjithë kohën dhe energjitë kundrejt profesionit, ajo nuk lë prapa as detyrat si nënë. Kur e pyet si e arriti ekuilibrin mes karrierës dhe familjes, botuesja e njohur dhe nënë e një djali shprehet: "Që në fillim besoj se ka qenë në ekuilibër, punën e kam nisur gradualisht, qetësisht. Më tej më është dashur mund i dyfishtë. Në fakt pas sukseseve të gjithkujt fshihet një punë e palodhur dhe sakrifica të mëdha."
Por Arlinda Dudaj shprehet se duhet arritur edhe një ekulibër tjetër në jetë: "Njeriu duhet të kërkojë sërish, e nga ana tjetër të gjejë paqe e lumturi edhe tek ajo që ka, ndryshe harron të jetojë."