20141202hp |
Ndonëse ndërtimi vlerësohet si një sektor i vështirë, pra "burrash", nuk ka munguar përfshirja me sukses e grave sipërmarrëse shqiptare në këtë biznes. Dy më të spikaturat prej tyre janë pa dyshim administratorja e kompanisë së ndërtimit IVEA Gjinovefa Parruca dhe sipërmarrësja e kompanisë së ndërtimit "Ferati" në Vlorë Zeliha Ferati
E para prej tyre, Gjinovefa Parruca, zgjodhi një profesion "burrash" për të plotësuar dëshirën e të atit. Por ndonëse zgjedhjet që bëhen sipas vullnetit të të tjerëve e jo tonit, shpeshherë nuk na pëlqejnë, ajo tashmë i jep të drejtë babait të saj. Znj. Gjinovefa studioi për inxhinieri ndërtimi në vitin 1992, dhe ka qenë ndër të parat gra që ka hapur biznesin e vet në ndërtim. Për 22 vjet ajo ka ndërtuar pallate, vila, shkolla e objekte të tjera, duke vërtetuar zotësinë e vet dhe të gruas në përgjithësi. Krenare për sa ka arritur, ajo tashmë hedh idenë për ngritjen e një banke investimesh për të ndihmuar gruan për të çelur biznese të reja. Ambicia e saj e fundit: një shtëpi të moshuarish...
Që nga viti 1974, kur mbaroi Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Gjinovefa Parruca ka provuar të gjitha llojet e ndërtimeve, që nga hotelet, pallatet, objektet e ndryshme industriale, deri tek ato kulturore, duke ngjitur shkallët e karrierës profesionale deri në drejtim.
Gjinovefa e zgjodhi këtë degë për të plotësuar dëshirën e të atit, edhe pse inxhinieria shihej më shumë si profesion djemsh. "Mbarova me 12 vajza Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit jo nga dëshira ime, por për të plotësuar dëshirën e tim ati, i cili, pas luftës, punoi në ndërtimin e shumë veprave e objekteve industriale, që nga tharja e kënetës së Maliqit, deri tek uzinat dhe Kombinati Metalurgjik i Elbasanit." Dhe vazhdon: "Babai më thoshte: 'Çdo shkollë mund të bësh, por ta dish, si ndërtimi nuk ka'. Dhe kishte pasur të drejtë vërtet".
Objekti i parë ku Gjinovefa Parruca punoi si inxhiniere në zbatim, ishte Hotel-Turizmi në Elbasan, i pari objekt 10-katësh në Shqipëri.
"Fitova shumë përvojë pune nga dy inxhinierë të vjetër, mjaft të kualifikuar", kujton vitet e para znj. Parruca. Pas martesës, ajo u vendos në Krujë, ku nisi punë si inxhiniere në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Punoi në ndërtimin e objekteve industriale, mes të cilave fabrika e çimentos, uzina e superfosfatit në Laç, si edhe në godinat e ndryshme social-kulturore. Puna më e bukur për të mbetet ndërtimi i Muzeut Historik të Krujës. Përvoja e fituar do t'i hynte më pas në punë kur nisi biznesin e vet të ndërtimit.
Që në fillim të viteve '90, me ndryshimet politike e ekonomike në Shqipëri dhe fillimin e nismave private në biznes, Gjinovefa Parruca nisi të mendojë daljen më vete si private dhe në kokë i vërtitej një pyetje: "Kur nxjerr një ndërmarrje me fitim, pse të mos e bëj për veten time këtë?". Më në fund vendosi dhe në vitin 1992 mori licencën dhe hapi biznesin e vet në ndërtim, duke qenë ndër të parat gra, jo vetëm në biznesin e ndërtimit, por edhe në biznes në përgjithësi në Shqipëri. Znj. Gjinovefa kujton: "Ishte ajo kohë kur shumë trembeshin se mund të mbeteshin pa punë, kurse unë thosha me vete: 'Si nuk po më heqin nga puna?' Në atë kohë punoja edhe mësuese në shkollën e mesme të ndërtimit. Më në fund vendosa dhe dola vetë nga puna. Nuk njihja asgjë nga ky treg, as si funksiononte, por guxova".
Në vitin 1992 Gjinovefa Parruca krijoi kompaninë e saj të ndërtimit, së cilës i vuri emrin IVEA. "Kam qenë ndër të paktat gra që mora licencën në Ministrinë e Ndërtimit," kujton kohën kur nisi biznesin Gjinovefa Parruca. "Punën e parë si privat e nisa me ndërtimin e një objekti, që kishte mbetur i papërfunduar. Kështu, më pas punova me disa objekte të tjera të tilla dhe kjo më ndihmoi shumë, pasi merreshin me tendera shtetërorë dhe shteti të jepte paradhënie 30 % të vlerës. Kjo shënoi pasurinë time të parë".
Por ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri e dëmtuan dhe biznesin e Gjinovefa Parrucës, dhe dëmi ishte jo vetëm dëm fizik i pasurisë, por edhe në pagesa të pashlyera. Kur znj. Gjinovefa vendosi t'i futej rrugës së biznesit privat, mendonte që ta bënte një gjë të tillë më vete, por nevoja për likuiditete e detyroi të përfshijë aksionerë në biznes. Ndërkohë, nga 7 punëtorët e parë në 1992, me kalimin e kohës IVEA u rrit dhe arriti në 60 të punësuar.
Edhe pse me vështirësi, Gjinovefa Parruca ia doli të gjejë mirëkuptimin me pronarët e trojeve dhe çështja e likuiditeteve e zgjidh më në fund. Gjatë 22 vjetëve një sërë vilash me porosi në Durrës, Tiranë, në zonën e Shkozës, bashkë me pallate, janë ndërtuar nga kompania IVEA në bashkëpunim me zyrat e projektimeve dhe arkitektët e zgjedhur prej saj.
Znj. Parruca e pranon se vështirësitë më të mëdha mbeten mosdhënia e lejeve të ndërtimit nga bashkitë dhe komunat. "Ka shumë pengesa dhe shumë burokraci, ndaj duhet të zbatohet modeli që ndiqet në botë, ku çdo njollë në hartë merr lejen për ndërtim", mendon ndërtuesja e fortë.
Për Gjinovefa Parrucën, familja është një pikë e fortë mbështetëse. Ajo thotë se i shoqi e ka përkrahur gjithmonë në këtë udhëtim të saj në biznesin e ndërtimit. "Im shoq është mjek radiolog, ndër të parët në Shqipëri, por më ka kuptuar në dëshirën time dhe më ka mbështetur. Ka pasur raste kur më ka thënë: 'Po lodhesh shumë, më mirë hapim një klinikë', por unë i kam qëndruar bindjes se ndërtimi është punë e bukur, e pastër, që sjell para të pastër. Ndërtimi ka koston e vet dhe nuk kam qenë asnjëherë lakmitare, sepse kam shitur me çmime shumë të mira dhe mjaft konkurruese".
Sot kur ndërtimi ofron teknologji të reja dhe kur ka kaluar koha e vështirësive të fillimit, për Gjinovefën kryesorja është përkushtimi, jo vetëm në kohë, por edhe për të bërë më të mirën për klientët: "Ky biznes sjell të ardhura më shumë, por angazhimi që kërkon është shumë më i madh. Ti mund të ndërtosh një pallat, por duhet të mendosh që ai që banon aty, duhet të ndihet mirë."
Të dy vajzat e saj ndoqën profesionin e të atit, mjekësinë, duke u bërë njëra farmaciste dhe tjetra dentiste, dhe Gjinovefa e di mirë arsyen. "Punën time e kanë konsideruar përherë shumë të lodhshme, sidomos kur hidhej betoni dhe më duhej të rrija 30 orë pa lëvizur nga puna", tregon gruaja që sot vijon të punojë me shpresën se ndoshta ndonjë prej nipërve do të marrë në dorë patjetër kompaninë. Fatkeqësisht jo të gjithë mendojnë si babai i saj se nuk ka një profesion të dytë si ai i ndërtimit.
Gjinovefa Parruca njeh gra të tjera që punojnë në sektorin e ndërtimit dhe ndihet mirë me to kur takohen si mike e diskutojnë hallet e përbashkëta. "Nuk ndihemi në konkurrencë", thotë ajo.
Znj. Parruca është që prej fillimit anëtare në Shoqatën Kombëtare të Gruas Afariste dhe Zejtare (SHPGAZ), çka e ka bërë të mësojë shumë nga trajnimet dhe vizitat në vende të ndryshme në aspektin profesional. Me bindjen se gruaja duhet të ketë forcën e vet ekonomike, si mënyra e vetme që sjell emancipim, Gjinovefa hedh idenë për ngritjen e një banke investimesh për gratë në biznes. "Ka ardhur koha që me kontributin tonë, duke qenë ne 49 % aksionere dhe pjesën tjetër ta ketë shteti, mund të japim linja krediti për gratë me 3% interesa vjetore. Kjo sjell shumë zhvillim për gruan shqiptare dhe, pse jo, mund të bëhet një bankë edhe më e madhe për gruan ballkanike."
Për gruan e fortë të ndërtimit, sfida e radhës mbetet ndërtimi i një shtëpie të moshuarish. Ajo ka blerë truallin në Vaqarr, por nuk ka ende financimin e nevojshëm. Megjithashtë, "kanë nisur prenotimet dhe janë zënë edhe dhomat", thotë ajo duke buzëqeshur, por duke prekur edhe një realitet të dhimbshëm në shoqërinë shqiptare.
Çfarë mendon ndërtuesja e suksesshme për paranë? "Për mua paraja ka vlerë sa ke jetë, mjafton ta kesh mundësinë të bësh ato që do."
Edhe rruga e jetës, profesionit dhe karrierës së Zeliha Feratit është e ngjashme me atë të Gjinovefa Parrucës.
Kushdo që e shikon Zeliha Feratin të ngjitë me lehtësi kodrën mbi Skelë në Vlorë, ku firma e ndërtimit 'Ferati' ka ngritur një bllok vilash 4-katëshe, kupton se 34 vjet punë inxhiniere ndërtimi janë "të pafuqishme" përballë energjisë që ka ajo. "Ndërtimi të lë emër pas, se dora e atij që e ka punuar mbetet në kujtesë për këdo", thotë gjithë pasion për profesionin drejtuesja teknike e biznesit familjar. Zeliha Ferati ka moton: "Çdo nismë private ka nevojë për një grua të fortë në administrim". Ajo mendon se çdo gjë gratë duhet ta kërkojnë me forcë për ta arritur e të këmbëngulin për ta mbajtur, pasi burrat nuk lëshojnë pe.
"Profesionin e dua me pasion", thotë duke qeshur inxhinierja e ndërtimit Zeliha Ferati, që dashurinë për punën e mban si në ditët e para. "Ndoshta se jam shumë impulsive", thotë, teksa kujton vitin 1981, kur e sapodiplomuar me rezultate të larta dhe e sapomartuar, nisi punë në Ndërmarrjen Komunale-Banesa në Vlorë. Punoi si inxhiniere dhe ngjiti shkallët e karrierës deri si kryeinxhiniere në ndërmarrjen që ndërtonte dhe mirëmbante banesat, plazhet, rrugët dhe gjelbërimin e lulishteve në Vlorë. "Punova aty deri në vitin 1998, kur vendosa të largohem e të ndërmarr sfidën personale me shoqërinë time të ndërtimit. Provat i kisha dhënë në vitin 1994, kur projektova dhe ndërtova disa vila dy- dhe trekatëshe, mes tyre edhe vilën tonë, pas lindjes së vajzës së tretë," tregon Zelihaja për fillimin e aktivitetit privat në ndërtim. Dhe pastaj shton: "Kishte ardhur koha të ndërmerrja sipërmarrje të mëdha",
Biznesi privat nuk ishte fushë e panjohur, sepse një biznes familjar me të shoqin znj. Zeliha e kishin çelur në vitin 1991, me linjën e parë private për pastrimin e kripës në zonën industriale në Vlorë. "Bëra projektin dhe, pasi morëm kredi në bankë, ndërtuam linjën dhe filluam punë," kujton Zelihaja biznesin që ia ndau në dy pjesë kohën e punës. Sa mbaronte punë në Ndërmarrjen Komunale-Banesa, pasditet për të nuk ekzistonin më si kohë pushimi, pasi shkonte te biznesi familjar për të ndihmuar e për të punuar me të shoqin.
Asokohe, dy vajzat e mëdha të saj, nxënëse në shkollën 8-vjeçare, mësuan t'ia dilnin mbanë vetë. "Kam lënë mangët shumë ndaj tyre, por e kisha vështirë të shkëputesha nga puna. Ndodhte që, pasi i merrja nga shkolla, vraponim mes përmes Pyllit të Sodës, ku ato në një cep bënin vetë mësimet e luanin sa lodheshin, dhe pas punës, ktheheshim bashkë në shtëpi," thotë Zeliha Ferati. Dhe kujton një rast në gjashtë vjet rresht pune që e quan "me sakrificë të jashtëzakonshme", jo vetëm për veten: "Mbaj mend një herë, kur me tim shoq u kthyem pas mesnate në shtëpi, gjetëm një shënim mbi tryezë: 'Jemi në grevë urie'. E kishin shkruar vajzat, të cilat më pas mësuan t'i dilnin zot vetes dhe të përgatitnin vetë ushqimin. Më vinte shumë keq, por duhej të ndihmoja tim shoq, se lodhej shumë, gati 24 orë në punë". Sytë e zinj të gruas imcake trishtohen edhe kur kujton të shoqin, që ndodhte të flinte në punë, pasi punohej me tre turne dhe kripa eksportohej.
Ngjarjet e vitit '97-s do të shkatërronin edhe biznesin e saj, por Zelihaja ia nisi nga e para në vitin 1998, kur u shkëput nga puna në shtet për të nisur rrugën e biznesit të vet në ndërtim, ku provoi përvoja të ndryshme në ndërtim rrugësh, ura, kanalesh kulluese, rikonstruksione të ndryshme. "Në vitin 1999, blemë linjën e betonit me të cilën punuam deri në 2002 dhe e lamë kur hymë aksionerë në fabrikën e tullave," kujton Zelihaja.
Zeliha Ferati ka punuar me tendera dhe ka garuar me burrat dhe si burrat në projekte të PNUD-it, financime të huaja në ndërtime rrugësh në qytetin e Vlorës dhe në fshatrat Lubonjë, Armen, Selenicë, Peshkëpi, ambulancën e re në Iliaz, e deri deri në Sarandë me riparime ujësjellësish. "Profesioni im i tillë është dhe kam pasur raste kur vija në orën 1:00 të natës në shtëpi dhe ikja prapë për avari që ndodhnin. Kam punuar shumë, me orë e pa orë", tregon inxhinierja, që nuk e quan të përfunduar punën e vet. "Jam specialiste dhe garoj vetëm me vlera. Edhe pas kaq vitesh, nuk e quaj të mbyllur një punë po nuk ma pa syri dhe ma shkeli këmba", thotë Zeliha Ferati.
Kompania 'Ferati' ka gjithçka, nga laboratori i materialeve të ndërtimit, baza mekanike me gjithë mjetet për ndërtimet në rrugë dhe ndërtesa, magazinat, arkiva dhe zyrat. "Të gjitha të ardhurat në më se 20 vjet i kemi hedhur në investime. Nuk e shikoj paranë si mjet për të bërë jetë normale si gjithë të tjerët, pasi mendoj që duke investuar, punëson shumë njerëz dhe grupe specialistësh. Të gjithë punonjësit i kemi trajnuar për punët që bëjnë; nuk ndodh që të fusim njeri në kantier, pa e trajnuar dhe pa sigurim teknik. Kjo është edhe detyra ime kryesore," thotë Zelihaja, si drejtuese teknike e firmës së ndërtimit 'Ferati'.
Përballë Qendrës Tregtare në Skelë ngrihet një pallat 12-katësh, nga më elegantët në Vlorë, i ndërtuar nga firma 'Ferati'. Për Zelihanë dhe të shoqin, ky pallat është krenaria e firmës, po aq sa historia e vendit ku ngrihet. "Këtu ka qenë shtëpia e vjetër e Feratëve", kujton Zelihaja. "Isha e fejuar kur aty tëhollja petët e bakllavasë për Vitin e Ri". Ajo kujton kohën kur shtëpia u prish në vitin 1979, për ndërtimin e Pallatit të Sportit, dhe peripecitë e kaluara nga viti 1998 deri më 2007, kur nisi ndërtimi i pallatit. "Nuk është kursyer asgjë. Kam ndjekur gjatë ndërtimit çdo detaj dhe them me bindje se këtu janë standardet më të mira në ndërtim", thotë ajo.
Që nga viti 1991, kur firma 'Ferati' u regjistrua si biznes, Zelihaja zotëron 49 % të aksioneve. "Besoj se jemi të parët në Shqipëri që kemi bërë ndarje aksionesh në familje", thotë ajo, duke shtuar se kompania është plotësisht një biznes familjar, jashtë të cilit nuk janë as vajzat. Me gjithë arritjet në vite duke punuar pa orar, Zelihaja ka një peng: vajzat. "I kam borxh jetës sime, ashtu sikurse dhe im shoq, jetës së tij, por mbi të gjitha, borxh u kam vajzave që sakrifikuan shumë nga mosha. U kam peng përkëdhelitë, se kohën e lirë e kisha me pikatore", thotë me trishtim në sy Zelihaja kur flet për vajzat, po aq sa dhe krenohet për arritjet e tyre. Dy vajzat e mëdha jetojnë në Tiranë dhe kanë mbaruar studimet; e madhja juriste, punon në një ministri; e dyta, që ka trashëguar profesionin e së ëmës, inxhiniere ndërtimi, punon edhe ajo në një institucion. Që të dyja kanë mbaruar masterat e kanë kryer specializime të ndryshme. "Jam e kënaqur që kanë investuar për shkollim. I kisha mundësitë financiare që të studionin edhe jashtë, por nuk donin, ndoshta se që të vogla u rritën me hallet e biznesit familjar. Të dyja pas shkollës kanë bërë një vit stazh në firmë për të mësuar si punohet që të mbahet biznesi. Vajzat janë mësuar me punë, nuk lodhen, kjo u bën mirë për jetën. Pa ndihmën e tyre, nuk do të isha këtu ku jam dhe ndihem krenare për to", shprehet e kënaqur Zelihaja për dy vajzat e mëdha. Për të voglën thotë se "u rrit gati si jetime, me një mama gjithë ditën në punë dhe njohu motrat për nënë". Sot ajo studion në një universitet në Hagë të Holandës, por edhe për të Zelihaja shprehet: "Jam e kënaqur që është e zonja e vetes."
Zelihaja kujton sakrificën e madhe të prindërve për ta shkolluar, ndaj shprehet se ka bërë maksimumin për vajzat dhe familjen që të jetojnë më mirë.
Të ardhmen e kompanisë së saj të ndërtimit e shikon të lidhur me turizmin me hotele të vogla, sepse me largpamësi, ka blerë pasuri të paluajtshme për t'i vënë në punë bashkë me vajzat, për të cilat dëshiron që secila të ketë biznesin e vet.
Për Zeliha Feratin, emancipimi i gruas vjen me punë. Zeliha Ferati është anëtare e Shoqatës së Grave të Biznesit në Vlorë dhe ndihet mirë bashkë me femra të tjera, drejtuese biznesesh të vogla dhe të mëdha. "Takohemi shpesh, qajmë halle, këmbejmë mendime për bizneset që ka secila, kush me burrin e kush vetëm. Bashkë shkojmë në aktivitete brenda dhe jashtë vendit," tregon ajo. Zeliha Ferati ka shumë besim te puna e grave: "Në biznes kam punësuar shumë femra. Edhe në fabrikën e asfaltit, kishim më shumë gra, pasi punojnë me kujdes. Edhe asfalt kemi shtruar me to, dhe kur i panë për herë të parë duke shtruar rrugët këtu në Vlorë, të gjithë bënin çudi. Dhe unë u thosha: 'Shikoni se sa mirë punojnë." Ajo beson se gratë, që janë 50 % e popullsisë, qoftë sipërmarrëse apo nëpunëse, duhet të kenë besim te puna e tyre, pa pritur lëmoshën e burrave. "Çdo gjë duhet ta kërkojmë e të këmbëngulim për ta mbajtur, sepse burrat nuk lëshojnë pe", thotë inxhinierja. Për të, "çdo nismë private ka nevojë për një grua të fortë në administrim". E ndonëse gratë e bëjnë punën mirë, pa u ndier e pa bujë, ajo e di se forca dhe potenciali i gruas shqiptare në biznes, si në të gjitha fushat e jetës, është shumë i madh.