PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ekonomia kineze hyn në "gjendjen e re normale"
2014-11-25 17:05:02 CRI Komenti juaj Printoni

Si ekonomia numër dy në botë, çdo lëvizje në ekonominë kineze tërheq vëmendje në shkallë globale. Tani, ekonomia kineze po futet në fazën e rritjes më të ulët, që njihet edhe si "gjendje e re normale", dhe kanë filluar të jepen mendime të ndryshme mbi të ardhmen e kësaj ekonomie. Disa sipërmarrës e ekspertë janë të mendimit që, në të ardhmen, shpejtësia nuk do të jetë elementi i vetëm për matjen e zhvillimit ekonomik, por cilësia do të jetë më e rëndësishme. Gjithashtu, risitë pritet të bëhen një fuqi më e madhe nxitëse për ekonominë kineze pas hyrjes së saj në gjendjen e re normale.

Sivjet ekonomia kineze pati një rënie të dukshme. Sipas të dhënave statistikore, në tre tremujorët e parë të këtij viti, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 7.4 % në krahasim me të njëjtën periudhën të vitit të kaluar, ndërsa rritja e PBB-së në tremujorin e tretë ishte 7.3 %, duke shënuar nivelin më të ulët në pesë vjetët e fundit.

Lin Yizhong është partner menaxhues në degën e firmës "Price Waterhouse Coopers" në pjesën kontinentale të Kinës dhe Hong-Kong. Ai është i mendimit që në këto vitet e fundit rritja e ekonomisë kineze është ngadalësuar disi, por sondazhet tregojnë që ende ka shumë investitorë që kanë besim të plotë te kjo ekonomi. Lin Yizhong e përshkruan zhvillimin e ekonomisë kineze me një krahasim tërheqës:

"Në fillim shpejtësia mund të jetë shumë e madhe, por duhet të ulet pak kur arrihet një fazë e caktuar. Kur vrapojmë, 100 metrat mund t'i përshkojmë për 9.9 sekonda dhe 200 metrat për 21 sekonda, por 400 metrat, 800 metrat dhe 1000 metrat nuk mund t'i bëjmë me një shpejtësi kaq të madhe".

Kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping e shtjelloi hollësisht gjendjen e re normale të ekonomisë kineze në Samitin e CEO-ve të APEK-ut të organizuar pak kohë më parë në kryeqytetin kinez Pekin:

"Gjendja e re normale do t'i sjellë Kinës mundësi të reja zhvillimi. Së pari, në gjendjen e re normale, megjithëse rritja e ekonomisë kineze është ngadalësuar, rritja reale përsëri është e madhe. Së dyti, në një gjendje të tillë, ekonomia kineze ka një rritje më të qëndrueshme, si dhe diversifikim të fuqisë së saj nxitëse. Së treti, në këtë gjendje, struktura e ekonomisë kineze është përmirësuar dhe zhvillimi ekonomik ka një perspektivë më të qëndrueshme. Së katërti, në gjendjen e re normale, qeveria kineze i ka thjeshtuar shumë procedurat administrative dhe ia ka kaluar një pjesë të kompetencave së saj tregut, duke çliruar më tej gjallërinë e këtij të fundit."

Megjithëse kohët e fundit ekonomia kineze ka pësuar një rënie të ritmeve të rritjes, përsëri niveli i kësaj rritjeje është i madh. P.sh., në vitin 2013, vëllimi i rritjes vjetore ishte i barabartë me vëllimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare në vitin 1994. Ekspertët janë të mendimit që tani Kina po nxit në mënyrë të bashkërenduar industrializimin, urbanizimin, informatizimin dhe modernizimion e bujqësisë. Një gjë e tillë ndikon pozitivisht për uljen e shqetësimeve lidhur me rritjen ekonomike, pasi një rritje me rreth 7 %, qoftë nga ana e shpejtësisë, qoftë nga ana e vëllimit të përgjithshëm, është ndër më të lartat në botë.


Foto: 汤德伟 / 东方IC

Wang Jun është zv.drejtor i Departamentit të Kërkimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës. Ai vë në dukje që tani qeveria kineze po fut risi në konceptet dhe metodat e makrokontrollit. Sipas, duke filluar nga ky vit, investimet nga qeveria dhe masat e saj të reformave e kanë pasqyruar këtë prirje.

"Tani, rritja ekonomike është futur në fazën e shpejtësisë së mesme, struktura ekonomike është përmirësuar pandërprerë, makrokontrolli ka më shumë inovacion dhe politikat për të ardhmen nuk do të dalin jashtë këtyre kufijve. Investimet do të përqendrohen tek stabilizimi i rritjes në një periudhë afatshkurtër, si dhe tek rregullimi strukturor në një periudhë afatgjatë. Ndërkohë, kjo do të lidhet edhe me nxitjen e reformave, stabilizimin e rritjes dhe përmirësimin e jetës së njerëzve, për të ngritur cilësinë e ekonomisë kombëtare," thotë Wang Jun.

Sipas planit të përgjithshëm të Kinës për thellimin e gjithanshëm të reformave, qeveritë e të gjitha niveleve po zbatojnë mbi 330 masa reformash në 15 fusha kryesore. Këtë vit, reformat e vlerësuara më shumë nga publiku përfshijnë thjeshtimin e procedurave të investimeve të huaja dhe të sistemit të regjistrimit për nisjen e biznesit privat. Me nxitjen e këtyre masave të reja, në tre tremujorët e parë të sivjetshëm konsumi përfundimtar i mallrave dhe shërbimeve ka dhënë kontribut për 48.5 % të rritjes ekonomike, duke e kaluar përqindjen e investimeve. Ndërkohë, rritja e sektorit të shërbimeve përbën 46.7 %, duke e kaluar atë të prodhimit industrial. Krahas kësaj, numri i ndërmarrjeve të reja në mbarë vendin është rritur me më shumë se 60 % në krahasim me vitin e kaluar.

Grupi "Lenovo" është prodhuesi më i madh i kompjuterave në botë. Presidenti dhe zyrtari kryeekzekutiv i kësaj kompanie Yang Yuanqing u shpreh që sektori kinez i manifakturës është më i përparuari në botë, por kjo nuk garanton zhvillimin e vazhdueshëm për 30 vjetët e ardhshëm. Ai është i mendimit që fuqia nxitëse për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik janë risitë dhe krijueshmëria, prandaj qeveria kineze duhet të rishikojë politikat e saj përkatëse.

"Zhvillimi me risi është në të vërtetë zhvillim i vazhdueshëm. Qeveria duhet të luajë rolin e vet në mënyrën e duhur, për të krijuar një mjedis më transparent dhe më të barabartë. Kjo mund të mbrojë inovacionin dhe të drejtat e pronësisë intelektuale dhe mund të inkurajojë investimet private në sektorët me risi. Krahas kësaj, duhet të ketë taksa favorizuese për kompanitë e këtyre sektorëve, për të formuar një vend novator," thekson Yang Yuanqing, presidenti dhe zyrtari kryeekzekutiv i kompanisë "Lenovo".

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China