PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Morris Chang-u, njeriu të cilin "paraja e ndjek vetë"
2014-11-25 09:54:39 CRI Komenti juaj Printoni

Morris Chang-u, me emrin e lindjes Zhang Zhongmou e i njohur edhe si Chung Mou Morris Chang, ka lindur më 10 korrik 1931 në Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, në një familje të shtresës së mesme. Kur ishte i ri, ëndrra e tij ishte që të bëhej shkrimtar. Megjithatë, babai i Morris Chang-ut, një zyrtar në bashkinë e Ningbo-s, e bindi atë që të vepronte ndryshe dhe që shkrimtaria të mbetej vetëm një ëndërr. "Në rininë timë të hershme, sfondi i jetës sime ishin lufta, varfëria, padrejtësia shoqërore," tregon Morris Chang. "Prandaj, këto tri gjëra - lufta, varfëria dhe padrejtësia – mbizotëronin në mjedisin në të cilin jam rritur."

Dhe vazhdon: "Kina ishte shumë e varfër për shkak të këtyre faktorëve; shumica e njerëzve ishin shumë të varfër, edhe ata të shtresës së mesme si familja ime. Është e vërtetë që ne të kësaj shtrese nuk vdisnim nga uria e as nuk vuanim për bukën e gojës, por kamja jonë dhe stili ynë i jetesës ishin shumë, shumë më modestë në krahasim me pasurinë dhe mënyrën e jetesës të familjeve të shtresës së mesme sot në Kinë." Changthotë se edhe në atë kohë kishte disa njerëz të pasur e të fuqishëm, por shumica vritnin mendjen si do ta siguronin vaktin e ardhshëm dhe nuk kishin një shtëpi për të qenë ku të futnin kokën.

"Si ndikuan gjithë këto tek unë?" shprehet ai. "Mësimi për mua ishte që unë duhej të studioja shumë e më vonë të punoja shumë. Dhe të shpresoja që do të kishte paqe dhe drejtësi. Ky ishte mësimi që mora."


Foto: Udndata / 东方IC

Familja e Morris Chang-ut ishte zhvendosur nga Ningbo në Guangzhou të provincës Guangdong kur nisi Lufta Kino-Japoneze dhe forcat japoneze filluan bombardimin e qytetit. Prandaj Morris Chang-u dhe nëna e tij u zhvendosën në Hong-Kong, që asokohe ndodhej nën sundimin britanik, ku më në fund ata jetuan disa vjet në paqe.

Në vitin 1948 Morris Chang-u shkoi në ShBA, ku fillimisht nisi studimet në Universitetin e Harvardit, por thotë se, pas një viti aty, e kuptoi se për të gjetur një punë të mirë pasi të diplomohej, duhej të shkonte në një shkollë me trajnim më të specializuar, kështu që kaloi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT), ku u diplomua për inxhinieri mekanike në vitin 1952, ndërsa një vit më pas po në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit mori gradën"master shkencor". Për shkak se nuk arriti të niste edhe doktoraturën në MIT, Morris Chang-u vendosi të gjente një punë. "Kisha katër oferta," tregon Chang-u, "dhe thjesht fati e donte që të bëja një zgjedhje pa i ditur në të vërtetë ndikimet dhe rrjedhojat e vëndimit tim".

Dhe kjo zgjedhje e tij ishte Kompania e Gjysmëpërcjellësveve "Sylvania". Pas tre vjetësh pune aty, në vitin 1958, Morris Chang-u vendosi - dhe koha tregoi që kishte të drejtë - të largohej nga "Sylvania", për të filluar punën në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit, e cila ishte një sipërmarrje në rritje tepër të shpejtë. Në fillim Morris Chang-u punoi aty si inxhinier mbikëqyrës, duke qenë edhe në krye të një linjë prodhimi, por karriera e tij njohu një rritje të shpejtë dhe pas tre vjetësh të tjerë, në 1961, ai u caktua si menaxher i një seksioni inxhinierik."Pikërisht në këtë kohë pronari i Kompanisë së Instrumenteve të Teksasit më tha se dëshironte që unë të merrja një kualifikim të mëtejshëm, duke më ofruar mundësinë për të studiuar për doktoraturën. Ishte një mundësi e artë, sepse kompania do të më paguante pagën e plotë për kohën që studioja, e madje do të më paguante edhe tarifën e doktoraturës dhe shpenzime të tjera shkollore," thotë Morris Chang-u.

Sigurisht ishte një ofertë që ai nuk mund të mos e pranonte, dhe kështu Morris Chang-u shkoi në Stanford, ku pas dy vjet e gjysmë studimesh "të zellshme e me rendiment", siç thotë vetë, pikërisht në pranverën e vitit 1964, mori gradën "doktor" në inxhinieri elektrike. Më pas Morris Chang-u u kthye për të punuar në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit, duke pritur që të vijonte të qëndronte ende në fushën e inxhinierisë.

Por disa muaj pas kthimit, nëndrejtori i biznesit të gjysmëpërcjellësve të kompanisë i kërkoi të kryesonte një departament shumë të rëndësishëm të prodhimit. "Natyrisht, kjo ishte ajo që unë gjithmonë kisha dashur të bëja, menaxhimi i përgjithshëm," thekson Morris Chang-u. "Ishte një ngritje e madhe në detyrë për mua nga menaxher inxhinierie në menaxher të përgjithshëm. U bëra menaxher i më shumë se 2000 vetave." Dhe më pas Morris Chang-u vijoi ngjitjen e shpejtë të shkallëve të karrierës nga departamentet më pak të rëndësishme për departamentet më të rëndësishme, derisa në vitin 1967 u bë menaxher i përgjithshëm i departamentit kryesor të gjysmëpërcjellësve në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit, i cili ishte pikërisht departamenti i qarqeve të integruara. Ndërsa disa vite më vonë Morris Chang-u përsëri u ngrit në detyrë, duke u bërë numri dy i biznesit global të gjysmëpërcjellësve të Kompanisë së Instrumenteve të Teksasit, ku qëndroi për gjashtë vjet. Chang-u vë në dukje se ngritja e tij disa herë në detyrë erdhi sepse në të gjitha këto detyra ai ka bërë diçka të rëndësishme, duke sjellë ndër të tjera fitime për Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit. Kështu, që në fillimet e veta në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit ai ishte projektuesi i transistorëve të germaniumit, të cilat më pas po me ndërmjetësimin e Morris Chang-ut iu shitën klientit më të rëndësishëm, IBM-së, çka i solli fitime të mëdha Kompanisë së Instrumenteve të Teksasit. Morris Chang-u gjithashtu ishte nismëtar i strategjisë së uljes së çmimeve edhe kur tregu nuk e kërkonte një gjë të tillë, duke sakrifikuar fitimet e hershme për të fituar pjesë të tregut, gjë që do të sillte fitime më të mëdha afatgjata. "Shumë njerëz në atë kohë menduan se ne ishim të marrë," kujton Morris Chang-u. "Pse duhej t'i ulnim çmimet kur nuk nevojitej që ta bënim një gjë të tillë? Por ne e bëmë një gjë të tillë sepse besonim në të, dhe kjo mënyrë doli se ishte e suksesshme dhe tregu i kompanisë nisi të zgjerohej dhe të ardhurat të shtoheshin. Kjo strategji dhe strategji të tjera të ndërthurura me të, e bënë biznesin e qarqeve te integruara në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit më të madhin në botë, e njëkohësisht edhe më fitimprurësin."


Foto: Udndata / 东方IC

Pas karrierës së sukssesshme 25-vjeçare në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit, në vitin 1984 Morris Chang-u vendosi të largohej, duke punuar për një vitsi president dhe kryezyrtar i operacioneve i Korporatës së Përgjithshme të Instrumenteve të Nju-Jorkut. Në vitin 1985 Morris Chang-u vendosi t'i përgjigjej ftesës për t'u bërë drejtor i Institutit të Teknologjisë së Kërkimeve Industriale të Tajvanit, me synimin që të përdorte aftësitë e tij për t'i shndërruar rezultatet e kërkimeve teknologjike në përfitime ekonomike. "Kjo gjë më tërhoqi, sepse unë nuk kisha qenë thjesht një kërkues apo person i stafit teknik, por gjithmonë e kam menduar punën time në Kompaninë e Instrumenteve të Teksasit dhe më pas për një kohë të shkurtër në Korporatën e Përgjithshme të Instrumenteve të Nju-Jorkut, si një punë të kthimit të rezultateve të kërkim-zhvillimit në përfitime ekonomike për këto kompani," thekson Morris Chang-u. "Kështu që e ndjeva që mund ta bëja edhe këtë punë në Institutit të Teknologjisë së Kërkimeve Industriale të Tajvanit."

Morris Chang-un e tërhoqi po ashtu fakti që do të punonte në një mjedis krejtësisht të ndryshëm, dhe kjo risi e bëri që të largohej nga ShBA-ja, edhe pse për të ardhura mjaft më modeste. "Por unë atëherë isha shumë i sigurt financiarisht," shprehet Morris Chang-u. "Nuk isha i pasur, por duhet të kuptoni se standardet e pasurisë ishin shumë më të ulëta në vitin 1985. Por në standarde absolute unë isha financiarisht i sigurt, që do të thotë që mund të jetoja sipas mënyrës që dëshiroja – dhe mënyra ime e jetesës ishte në të vërtetë mjaft modeste - për pjesën tjetër të jetës time, pa pasur nevojë për të punuar e për një rrogë. Paraja e madhe në vitin 1985 ishte në sektorin financiar ose në menaxhimin e një kompanie në ShBA, por unë shkova në Tajvan thjesht për arsye të interesit për të renë. Dhe kjo është arsyeja pse unë them se duhet të ndiqni interesat tuaja dhe jo të shkoni aty ku mendoni se bëhet para e madhe."

Megjithatë, Morris Chang-u thotë me të qeshur se, kur nuk e ndjek paranë, paraja vjen vetë te ty. Në vitin 1987 ai themeloi Kompaninë e Prodhimit të Gjysmëpërcjellësve të Tajvanit, ku shërbeu si zyrtar ekzekutiv deri në vitin 2005. Ishte fillimi i periudhës kur kompanitë e mëdha ndërkombëtare po e kalonin prodhimin në Azi. Zinxhiri industrial i sektorit të gjysmëpërcjellësve pësoi ndryshime të mëdha që nga fillimi i viteve '90 të shekullit të kaluar, me hyrjen në lojë të Kompanisë së Prodhimit të Gjysmëpërcjellësve të Tajvanit. Kompanitë e mëdha të teknologjisë së lartë, si IBM, "Fujitsu" dhe "Siemens", integronin fillimisht si shërbimet e projektimit, ashtu edhe të prodhimit. Por shfaqja e Kompanisë së Prodhimit të Gjysmëpërcjellësve të Morris Chang-ut dhe e kompanive të ngjashme në Singapor dhe Korenë e Jugut solli një ndryshim, duke i çliruar kompanitë e projektimit nga kërkesat e prodhimit për kapitale intensive.


Foto: Udndata / 东方IC

Shpejt, Kompania e Prodhimit të Gjysmëpërcjellësve e Tajvanitu bë një një nga kompanitë e këtij lloji më fitimprurëse në botë, ndërsa Morris Chang-u një njeri i pasur sipas të gjitha standardeve.

Kur e pyet se çfarë cilësish duhet të ketë një udhëheqës i madh, Morris Chang-u së pari jep përkufizimin e vet se ç'është një udhëheqës: dikush që e di se në çfarë drejtimi duhet të shkojë dhe që ka njerëz që e ndjekin. Ndërsa një udhëheqës i madh është ai që i çon ndjekësit e tij në drejtimin e duhur. Morris Chang-u përmend një thënie të Uinston Çërçillit: "Britania e Madhe është udhëheqëse e botës, por bota nuk e ndjek Britaninë e Madhe", e cila, sipas Chang-ut, thekson më tej rëndësinë e të qenit një udhëheqës i madh. Këshilla që ai jep për të rinjtë është: Ji një njeri i mirë dhe puno shumë. Morris Chang-u vëren se ndershmëria është virtyti më i rëndësishëm për të, por ai vlerëson edhe shpirtin e krijimit të risive dhe përkushtimin për atë që bën, cilësi që sipas tij e kanë bërë atë të jetë ai që është sot.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China