20141118pj1 |
Zhu Linyao ka nofkën më të bukur ndër biznesmenët kinezë: "Mbretëresha e aromave", por shumë nuk kishin dëgjuar për të përpara vitit 2008, kur "Forbes"-i e përfshiu në listën e "Miliardereve të reja globale". "Forbes"-i gjithashtu e ka cilësuar atë "një nga sipërmarrëset më të suksesshme të Kinës, si edhe si një nga miliarderet e vetëbëra më të reja në botë". Zhu Linyao është mishërimi më i mirë i atyre që quhen biznesmenë që nuk duan të bëjnë bujë: ajo kurrë nuk ka dhënë ndonjë intervistë për median dhe nuk do që të flasë për jetën e saj. Por mbi 2 miliardë dollarët pasuri që ka, që e renditin ndër gratë më të pasura në Kinë, e rrjedhimisht edhe në botë, flasin më shumë se çdo fjalë e saj.
Foto: Gcmt / 东方IC
Zhu Linyao (e njohur edhe si Chu Lam Yiu) ka lindur në vitin 1970 në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, Zhu Linyao shkoi në kryeqytetin Pekin për të ndjekur studimet e larta. Gjatë viteve të universitetit ajo nisi të shfaqë interes për tregtinë. Ndryshe nga shumë shokë e shoqe të saj, Zhu Linyao nuk donte thjesht të përfundonte universitetin dhe të gjente një punë të mirë më pas, prandaj pak pas diplomimit filloi në Pekin biznesin e vet, një firmë tregtimi të esencave e aromatizuesve, duke nuhatur potencialin e madh që kishin këto produkte dhe duke filluar të tregojë talentin e vet në sipërmarrje. "Në të vërtetë, në fillim ajo nuk mendonte për këtë biznes, por më pas gjeti aty pak nga pak thesarin e vet," tregon një shoqe e universitetit e Zhu Linyao-s.
Në një udhëtimet e saj të shumta të punës në Shangai, në përpjekje për ta zgjeruar biznesin e vet në këtë qytet, të njohur edhe si "kryeqyteti financiar i Kinës", e reja u miqësua me Lin Guowen-in nga provinca Guangdong e Kinës Jugore, i njohur edhe si Lam Kwok Man. Edhe Lin Guowen-i kishte ngritur një kompani aromatizuesish në Shenzhen po të provincës së tij të lindjes, Guangdong-ut, dhe kishte hapur një degë të kësaj kompanie në Shangai në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. Të dy, Zhu Linyao e Lin Guowen-i, u dashuruan dhe u martuan. Pas martesës çifti u zhvendos në Hong-Kong, ku Zhu Linyao krijoi kompaninë e aromatizuesve "Huabao".
Me aftësinë në biznes, përvojën dhe vrullin rinor të Zhu Linyao-s, "Huabao" pati një rritje të shpejtë. Zhu Linyao gjithashtu u tregua mjeshtre në krijimin e marrëdhënieve të biznesit, duke arritur të nënshkruajë kontrata afatgjata furnizimi me prodhuesit më të mëdhenj të duhanit e të cigareve në Kinë.
"Huabao" filloi të punojë me kompanitë më të mëdha të duhanit në Kinë, duke bërë marrëveshje për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me to. Për shembull, në vitin 2001 "Huabao" formoi kompaninë "Tianhong" të Yunnan-it, që u bë furnizuesja e aromatizuesve për të gjitha markat e cigareve të Grupit "Hongtashan", një nga prodhuesit më të mëdhenj të cigareve në Kinë. "Huabao" zotëron 60 % të ndërmarrjes së përbashkët "Tianhong" të Yunnan-it, kurse "Hongtashan" pjesën tjetër prej 40 %. Që nga krijimi i aleancës mes tyre, "Huabao" ka qenë i vetmi furnizues me aromatizues për të gjitha produktet e duhanit të "Hongtashan"-it.
Duke përdorur të njëjtin model, "Huabao" krijoi partneritete të rëndësishme me disa nga emrat e tjerë të mëdhenj në biznesin e cigareve në Kinë, duke përfshirë "Hongmei"-n dhe "Hademen"-in. Zhu Linyao e udhëhoqi me sukses "Huabao"-n drejt bërjes kompania nr. 1 e aromatizuesve të duhanit në Kinë, që zë tani më shumë se 50 % të tregut vendas. Por "mbretëresha e aromatizuesve" nuk ishte e kënaqur vetëm me suksesin në aromatizuesit e duhanit. Duke marrë parasysh se industria e duhanit kishte mundësi të kufizuara rritjeje në të ardhmen, në vitin 2004 Zhu Linyao vendosi që "Huabao" të zgjerohet drejt prodhimit të aromatizuesve të ushqimit. Në prill të atij viti, "Huabao" nënshkroi një marrëveshje me Kompaninë e Teknologjisë së Aromatizuesve të Shangait, duke krijuar një ndërmarrje të përbashkët me të. Në vitin 2005 "Huabao" bleu 20 % të aksioneve të kompanisë "Maifu" të Weihai-t në provincën Shandong. Më pas Zhu Linyao u përqendrua në bashkëpunimin me grupe të mëdha ushqimore vendëse e ndërkombëtare, të tilla si "Danone" dhe "Yurun".
Foto: Gcmt / 东方IC
Në vitin 2006 Zhu Linyao filloi të punojë për listimin e "Huabao"-s në Bursën e Hong-Kongut, duke ia dalë ta bëjë një gjë të tillë me sukses në muajin gusht të po atij viti. Zhu arriti ta kuotojë kompaninë nëpërmjet të ashtuquajturit "listim të kthyeshëm", duke blerë për 70 milionë dollarë hongkongas (9 milionë dollarë amerikanë) "Lite", një kompani kompjuterash që ishte tashmë e listuar në Bursën e Hong-Kongut. Kuotimi e bëri "Huabao"-n një kompani gjigante të prodhimit të aromatizuesve, me një kapitalizim të tregut 10.4 miliardë dollarë hongkongas (1.35 miliardë dollarë amerikanë), teksa e rriti ndjeshëm pasurinë personale të Zhu Linyao-s. Vlera e aksioneve të "Huabao"-s u rrit nga 2.4 dollarë hongkongas (0.31 dollarë amerikanë) për aksion në qershor të vitit 2006 në 8.24 dollarë hongkongas(1.06 dollarë amerikanë) për aksion në nëntor 2007, duke e futur Zhu Linyao-n në klubin e miliarderëve.
Fillimisht Zhu Linyao kishte në pronësi 90.99 për qind të aksioneve të kompanisë, ndërsa më pas aksionet e saj arritën në 97.57 për qind. Por më pas, që nga gushti 2008, Zhu Linyao shiti më shumë se 41 % të aksioneve të saj, në këmbim të 4.4 miliardë dollarëve hongkongas (567 milionë dollarë amerikanë).
Në vitin 2007 Zhu Linyao u rendit në vendin e 44-t në "Listën e njerëzve më të pasur të shekullit" të "Hurun"-it. Në atë kohë pasuria e saj vlerësohej në 13.5 miliardë dollarë hongkongas (1.75 miliardë dollarë amerikanë). Pas tre vjetësh, në vitin 2010, pasuria e Zhu Linyao-s gati u dyfishua, duke arritur në 3.36 dollarë amerikanë, por një vit më pas, në 2011-n, ra ndjeshëm dhe shkoi në 2.2 miliardë dollarë amerikanë. Në listën e 400 njerëzve më të pasur në Kinë për vitin 2012, Zhu Linyao renditej në vendin e 39-të. Ndërkohë, në "Listën e grave më të pasura të Kinës" për vitin 2014 të "Hurun"-it, "Mbretëresha e aromave" zë vendin e tetë me një pasuri rreth 2.7 miliardë dollarë amerikanë, duke pasur një rritje 14 % krahasuar me 2013-n.
"Huabao" krijon, prodhon dhe shpërndan esenca aromatizuese për cigare dhe ushqime. Kompania e siguron shumicën e të ardhurave nga furnizimi me aromatizues i kompanive të duhanit. Megjithatë, Zhu Linyao thotë se strategjia e "Huabao"-s për zgjerimin përfshin kërkimin e motorëve të rinj të rritjes, duke e vënë më shumë theksin në aromatizuesit e ushqimeve e të pijeve dhe diversifikimin, për t'u larguar nga mbështetja e tepruar te duhani, që aktualisht përbën mbi 70 % të të ardhurave të grupit. Kompania "Huabao" synon të rritet si në mënyrë organike dhe nëpërmjet blerjeve, ashtu edhe zgjerimit, duke përfshirë biznesin e lëndëve të para.
Kompania ka krijuar qendra prodhimi në qytetin e Shangait, në provincat Shandong, Jiangsu, Hunan, Fujian, Yunnan e Guangdong, si edhe në Hong-Kong, ndërsa jashtë Kinës në Botsvanë të Afrikës Jugore; dhe qendra kërkim-zhvillimi në Shangai, Yunnan e Guangdong të Kinës, si edhe në Gjermani.
Përveç kompanive të saj të listuara, Zhu Linyao personalisht ka investuar edhe në industrinë kimike, teknologjinë e informacionit dhe ngritjen e qendrave mjekësore.
Foto: Gcmt / 东方IC
Me gjithë dëshirën për ta bërë "Huabao"-n një markë sa më të famshme, Zhu Linyao-s i pëlqen që ajo vetë të mbetet sa më e panjohur që të jetë e mundur. Ajo është e njohur ndër gazetarët për mospranimin e dhënies së intervistave dhe nuk flet për karrierën e vet, duke u përqendruar vetëm të biznesi, çka e ka bërë atë një prej miliarderëve më misteriozë në vend.
Një punonjës i "Huabao"-s shprehet: "Kryetarja Zhu nuk është prej atyre që dëshiron të duket e të bjerë shumë në sy. Asaj nuk i pëlqen të flasë për mënyrën se si u bë e pasur dhe për vështirësitë që ka përballuar. Zonja Zhu dëshiron më shumë që, në vend të kësaj, të diskutojë për çështje pune me ne." Kurse një tjetër punonjëse thotë: "Znj. Zhu rrallë shfaqet edhe para nesh dhe nuk flet për çështje personale. Prandaj, ne dimë shumë rreth asaj se si e bëri 'Huabao'-n publike duke e kuotuar në bursë dhe cila është strategjia e tanishme, por dimë shumë pak lidhur me znj. Zhu si grua dhe pothuajse asgjë për sfidat e vështirësitë që ajo sigurisht ka hasur gjatë rrugës."
Duket se Zhu Linyao i ka parasysh fjalët e veprimtares shoqërore dhe fitueses së Çmimit Botëror të Fëmijëve Inderjit Khurana: "Puno fort në heshtje, që suksesi yt të bëjë zhurmë".