PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Gratë kineze, "gjysma e pasur e qiellit"
2014-11-11 16:48:06 CRI Komenti juaj Printoni

"Gratë mbajnë gjysmën e qiellit" është thënia e famshme e ish-kryetarit të shtetit të Kinës Mao Ce Dun, por gratë kineze tashmë përbëjnë edhe më shumë se gjysmën e grave më të pasura në botë. Tre nga pesë gratë më të pasura në botë që kanë një pasuri prej më shumë se 1 miliard dollarë janë kineze. Vetëm 14 gra në botë e kanë bërë vetë pasurinë e tyre me vlerë dhjetëshifrore, dhe gjysma e tyre janë nga Kina.

Instituti i Kërkimeve "Hurun" ka publikuar në tetor "Listën e grave më të pasura të Kinës" për vitin 2014, krahas edhe "Listës së njerëzve më të pasur në Kinë", një prej dy listave më prestigjioze kur vjen fjala për të ditur lidhur me gjendjen dhe renditjen e të pasurve në Kinë, bashkë me "Listën e njerëzve më të pasur në Kinë" të "Forbes"-it.

Rupert Hoogewerf-i, i njohur me emrin kinez "Hurun" dhe që është themeluesi dhe drejtuesi i Institutit të Kërkimeve "Hurun", thotë: "Rëndësia e 'Listës së njerëzve më të pasur në Kinë' është ndërgjegjësimi për ekonominë private, por në qoftë se do të kuptosh me të vërtetë hollësitë konkrete, atëherë duhet ta rianalizosh këtë listë. Prandaj ne vazhdimisht bëjmë nënlista, një ndër të cilat është edhe 'Lista e grave më të pasura të Kinës'. Në këtë listë ne kemi një ndarje të veçantë për gratë sipërmarrëse, duke shpresuar se do të zbulojmë të përbashkëtat dhe dallimet ndërmjet sipërmarrësve meshkuj dhe atyre femra. Mendoj se kjo do të thotë që mund të kemi informacion më të hollësishëm për të njohur gratë më të pasura të Kinës dhe për të mësuar rreth karakteristikave të tyre. "


Foto: 素苗 / 东方IC

"Lista e grave më të pasura të Kinës" tregon se biznesmenet miliardere kineze e kanë përqendruar kryesisht veprimtarinë e tyre në pasuritë e patundshme dhe sektorin financiar. 28 dhe 14 për qind e 50 grave të përfshira në listë vijnë përkatësisht nga sektori e pasurive të patundshme dhe ai financiar. Gjashtë nga dhjetë gratë më të pasura në Kinë merren pikërisht me biznesin e pasurive të patundshme.

Drejtori i Institutit të Kërkimeve "Hurun" Rupert Hoogewerf shprehet: "Në të vërtetë, lista e grave të pasura është e ndryshme nga listat e tjera. Gratë më të pasura kineze u kushtojnë më shumë vëmendje pasurive të patundshme dhe investimeve financiare në këtë sektor. Nga kjo listë mund të vërejmë për shembull se 28 për qind e grave më të pasura të Kinës kryesisht i kanë bërë paratë e tyre në sektorin e pasurive të patundshme, ndërsa në listën e përgjithshme shifra është rreth 20 për qind. Katërmbëdhjetë për qind e grave në listë janë të përfshira në sektorin financiar, por në listën e përgjithshme të të pasurve të Kinës raporti është nën 10 për qind. Shumë meshkuj miliarderë janë në industrinë e manifakturës, por ka pak gra në këtë industri, rreth gjysma e numrit të meshkujve. Gratë i kushtojnë më shumë vëmendje të ushqyerit të shëndetshëm dhe në industrinë ushqimore dhe atë veshjeve e ushtrojnë biznesin e tyre 11 për qind e atyre që janë të përfshira në listën e grave më të pasura të Kinës."

Shenzhen-i në provincën Guangdong të Kinës Jugore dhe Pekini mbeten dy qytetet me mjedis më të mirë për gratë sipërmarrëse, duke pasur secili nga nëntë gra në këtë listë, të ndjekur nga Shangai me 8.

Shtatëmbëdhjetë miliardere kineze kanë një pasuri me vlerë më shumë se 10 miliardë juanë (1.6 miliardë dollarë amerikanë), po aq sa vitin e kaluar. Pesëmbëdhjetë prej tyre janë të reja në listë, katër më shumë gjatë vitit të kaluar.

Për sa i përket moshës, mesatarja është 48 vjeç, po aq sa vitin e kaluar, por 5 vjet më e vogël se sa mesatarja e moshës së listës së përgjithshme të të pasurve të Kinës dhe 6 vjet më e vogël se mesatarja e listës së meshkujve më të pasur të Kinës. Ndërkohë, më e reja në listë është 24-vjeçarja Ji Kaiting, vajza e kryetarit të Bordit të kompanisë së pasurive të patundshme "Logan" Ji Haipeng. Ji Kaiting-u renditet në vendin e 25-të me 8 miliardë juanë (1.3 dollarë amerikanë), dhe është e vetmja në listë që ka lindur pas viteve '90 të shekullit të kaluar. Ji Kaiting-u është po ashtu miliarderja më e re në botë, duke ia zënë këtë vend bashkëthemeluesit të "Facebook"-ut Dustin Moskovitz.

Shumica e atyre që janë përfshirë në "Listën e grave më të pasura të Kinës", pikërisht 70 për qind e tyre, e kanë bërë vetë pasurinë, pra nuk e kanë trashëguar atë, duke e filluar gjithçka nga zeroja. Fakti që shumica e këtyre grave nuk e kanë trashëguar pasurinë nga familjet e tyre, por kanë punuar shumë duke u ngjitur deri në majën e botës së biznesit, që tradicionalisht ka qenë një vend i mbizotëruar nga meshkujt, mund të frymëzojë më shumë të reja të bëhen gra të suksesshme në karrierën e tyre dhe të çojnë përpara emancipimin e femrës.

Rupert Hoogewerf-i thotë shtimi i madh i numrit të miliardereve tregon se Kina siguron një mjedis të mirë biznesi edhe për gratë.

"Gratë e pasura sipërmarrëse në Kinë nuk janë më vetëm një histori kineze. Përkundrazi, është një histori globale, pasi gratë më të pasura të Kinës po bëhen gjithnjë e më të njohura në mbarë botën," shprehet ai.

Fjalët e Rupert Hoogewerf-it mbështeten nga Olivia Jingshu Ji, themeluese dhe nënkryetare e Shoqatës së Sipërmarrësve të Kinës, një organizatë profesionale që synon të nxitë frymën e sipërmarrjes në Kinë. "Duke udhëtuar nëpër qarqet e biznesit në mbarë botën, jam takuar me gjithnjë e më shumë drejtuese kineze biznesi, gjë të tregon se sa shumë punon dhe çfarë aftësish të forta sipërmarrjeje ka femra kineze," vë në dukje Olivia Jingshu Ji

"Si numri i grave të pasura të vetëbëra, ashtu edhe i vajzave ose bashkëshorteve të burrave të pasur po vjen duke u shtuar, duke bërë që numri i femrave të pasura në Kinë të rritet ndjeshëm," vë në dukje Wu Yinzhou, analiste e firmës së konsultimeve "Fulun" me qendër në Shangai, duke shtuar: "Tani femrat kineze po e thonë gjithnjë e më shumë fjalën e tyre në biznes, investime dhe administrimin e pasurisë familjare."

Një shumëllojshmëri rrethanash kanë çuar në rritjen e suksesit të femrave sipërmarrëse në Kinë, thotë Linda Xinrong Kausch, një shkrimtare e cila tani është duke shkruar librin "Ëndrra kineze", në lidhje me suksesin që kanë 12 biznesmene perëndimore në Kinë. Linda Xinrong Kausch shprehet se zhvillimi i një mjedisi mikpritës shoqëror dhe ekonomik ka qenë vendimtar në arritjet e grave në Kinë, duke theksuar se ky mjedis jo vetëm i ka lejuar, por edhe i ka nxitur femrat të arsimohen dhe të krijojnë kompanitë e tyre. Një tjetër faktor, sipas Linda Xinrong Kausch-it, janë rregullat e tregut në ndryshim të vazhdueshëm të një ekonomie në zhvillim të shpejtë si ajo e Kinës, të cilat janë më elastike dhe më pak burokratike se ato në Europë për shembull. Përveç këtyre, shton ajo, është çështje krenarie për gratë kineze që të japin ndihmesë për familjen e tyre dhe për vendin.

"Shumica e grave kineze që janë në punë, thonë: 'Ndihemi krenare që punojmë," vë në pah Kausch. "Gratë kineze janë gjithmonë shumë ambicioze dhe e kanë në natyrën e tyre që të jenë mjaft punëtore. Dhe një gjë e tillë më në fund po u shpërblehet."

Kolumnisti i "New York Times"-it Nicholas Kristof dhe gruaja e tij kinezo-amerikane Sheryl WuDunn, argumentojnë në librin e tyre "Gjysma e qiellit: Kthimi i shtypjes në mundësi për gratë në mbarë botën", se është e pamundur që vendet e ndryshme të përparojnë nëse gratë nuk janë pjesë aktive dhe produktive e fuqisë punëtore. Sipas tyre, përparimet e mëdha që ka bërë Kina në arenën botërore janë një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e fuqizimit ekonomik të grave.

E megjithatë, duhet thënë se, ndërsa pasuria dhe numri i grave më të pasura të Kinës janë pa dyshim mbresëlënëse, ato ende mjaft më të ulëta se numri dhe pasuria e homologëve të tyre meshkuj. Kështu, ndonëse pragu i përfshirjes së grave në listë është 5 miliardë juanë, me një rritje prej 36 për qind krahasuar me vitin e kaluar, dhe pasuria mesatare e të gjitha grave të listës është 10.9 miliardë juanë, një rritje 14 për qind krahasuar me vjet, pragu i përfshirjes së meshkujve në "Listën e të pasurve të Kinës" të "Hurun"-it është 20.5 miliardë juanë dhe mesatarja e pasurisë së tyre është 45 miliardë juanë, katër herë më shumë se ajo e femrave.

Sidoqoftë, mund të thuhet së është pozitive që tek këto gra rritja personale e tejkalon qëllimin sipërfaqësor të pasurimit. Vetëm 0.4 % e tyre deklaruan se thjesht rritja e pasurisë e tyre ishte motivi që i nxiste për sukses. Këto sipërmarrëse gra i kushtonin më shumë rëndësi realizimit të potencialit dhe aftësive të tyre.

Le të bëjmë tani një përmbledhje të 10 vendeve të para në "Listën e grave më të pasura të Kinës" të "Hurunit"


Yang Huiyan
Foto: 陶刚 / 东方IC

Për të katërtën herë që prej 9 vjetëve kur ka filluar të publikohet kjo listë, e para në renditje ndodhet 33-vjeçarja Yang Huiyan, duke qenë kështu edhe kryesuesja më e shpeshtë e kësaj liste. Yang Huiyan-i është drejtore ekzekutive e kompanisë së ndërtimit "Country Garden" dhe ka një pasuri 44 miliardë juanë (7.19 miliardë dollarë amerikanë). Ajo nuk është një miliardere e vetëbërë, pasi pasurimi i saj ndodhi pikërisht në vitin 2005, kur i ati, themeluesi i "Country Garden" Yang Guoqiang, i kaloi 70 për qind të aksioneve të kompanisë, megjithatë, e vendosur në drejtimin e "Country Garden"-it, Yang Huiyan-i ka arritur ta çojë edhe më tej drejt rritjes këtë kompani.


Foto: 莫一 / 东方IC

Ndërkohë, në vend të dytë dhe kryesuese e listës së grave të pasura të vetëbëra të Kinës është 73-vjeçarja Chen Lihua (e njohur edhe si Chan Laiëa) e grupit të pasurive të patundshme "Fuwah" të Kinës, me 40 miliardë juanë (6.1 miliardë dollarë amerikanë), 8 % më shumë se në 2013-n.

Chen Lihua ka lindur në një vend mjaft të veçantë, në Pallatin e Verës në Pekin. Në vitin 2012 ajo u përfshi në "Listën e 100 njerëzve me ndikim më të madh në botë" të revistës amerikane "Time", bashkë me personalitete të tilla si financieri Warren Buffett, ose yje të artit e të sportit si Lionel Mesi e Beyonce. Lidhur me sekretin e suksesit të vet, Chen Lihua thotë së është ndjenja e përgjegjësisë për kompaninë "Fuwah" dhe më gjerë ndjenja e përgjegjësisë për shoqërinë dhe vendin.


Foto: Joseph Lee/东方IC

Chen Lihua pasohet në renditjen e grave më të pasura të Kinës nga themeluesja dhe drejtuesja e kompanisë së prodhimit të letrës "9 dragonjtë", 57-vjeçarja Zhang Yin, me 29 miliardë juanë (5.1 miliardë dollarë amerikanë), një rritje prej 7 % krahasuar me një vit më parë. Zhang Yin-i ka nofkën "gruaja që e kthen letrën në para", pasi letra, e mbi të gjitha letra e mbetur, është burimi i pasurisë së saj. Në vitin 2005, kompania e letrës "Nëntë dragonjtë" e krijuar prej Zhang Yin-it, të shoqit dhe vëllait të saj, u bë kompania më e madhe e letrës në Kinë. Zhang Yin-i thotë se dëshiron që ta bëjë "Nëntë dragonjtë" një biznes që zgjat për breza të tërë.


Foto: Gcmt / 东方IC

Vendi i katërt i renditjes i takon 50-vjeçares Wu Yajun, bashkëthemelueses dhe kryetares së bordit të kompanisë së pasurive të patundshme "Longfor". Pasuria e Wu Yajun-it ka pësuar një rënie prej 7 % krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 26 miliardë juanë (ose rreth 4.25 miliardë dollarë amerikanë). Në vitin 2011 Wu Yajun-i ishte gruaja më e pasur në Kinë dhe në botë, me një pasuri prej 42 miliardë juanësh (mbi 6.5 miliardë dollarë), por një vit më pas pasuria e saj u ul ndjeshëm për shkak të divorcit. Wu Yajun-it iu deshën vetëm 15 vjet për ta shndërruar "Longfor"-in nga një firmë e vogël në një ndër kompanitë më të mëdha të pasurive të patundshme në Kinë dhe vetveten në miliardere e në gruan më të pasur në botë.Në të vërtetë, fillimisht Wu Yajun-i ishte gazetare, dhe ishte një gazetare e mirë dhe së cilës i pëlqente profesioni. Kur është pyetur nëse pasurimi ishte arsyeja që vendosi ta ndryshojë profesionin, ajo është përgjigjur se, më shumë se për paratë, e bëri një gjë të tillë për punë vetëbesimi dhe për të luftuar paragjykimet shoqërore për aftësitë e grave në biznes, veçanërisht në atë të pasurive të patundshme.

Në vend të pestë të listës është Ma Dongmin-i, me 22.5 miliardë juanë (ose pak më shumë se 3.67 miliardë dollarë amerikanë). 44-vjeçarja Ma Dongmin përfshihet për herë të parë në "Listën e grave më të pasura të Kinës" të "Hurun"-it. Ma Dongmin-i është bashkë me të shoqin, Robin Li, themeluese e kompanisë së internetit "Baidu", motori më i madh i kërkimit në Kinë.

Vendi i gjashtë në listën e grave më të pasura të Kinës zihet nga Zhang Xin, me 22 miliardë juanë (3.26 miliardë dollarë amerikanë), që përbën një rritje 29 % krahasuar me vitin 2013. 49-vjeçarja Zhang Xin dhe i shoqi Pan Shiyi janë themeluesit e kompanisë së pasurive të patundshme "Soho" të Kinës. Zhang Xin-i ka marrë gradën "master" në Universitetin e famshëm britanik të Kembrixhit dhe më pas ka punuar në "Wall Street", ndër të tjera edhe për një bankë të tillë si "Goldman Sachs"-i, për t'u kthyer më pas në vendlindjen e vet Pekin, ku pas martesës me Pan Shiyi-në krijuan të dy "Soho"-n, kompaninë për të cilën thuhet se sjell një stil të re jetese.

Zhang Xin-i, e rritur në varfëri, nuk dëshiron të mburret me pasurinë e vet, e madje as të përfshihet në lista të tilla si kjo që publikohet nga "Hurun"-i apo ajo e "Forbes"-it, e edhe tani që ka miliarda, ruan instinktin e kursimit. Nuk mban "Prada" a bizhuteri të tepërta dhe nuk fluturon në klasin e parë. "Nuk është se nuk ma lejon xhepi," shprehet ajo, "por ka të bëjë me ndërgjegjen."

Në vendin e shtatë të listës së grave të pasura të Kinës është 53-vjeçarja Lu Qianfang e kompanisë së pasurive të patundshme "Agile" të Guangzhou-t, me një pasuri 19 miliardë juanë (3.1 miliardë dollarë amerikanë), duke njohur një rënie 14 % krahasuar me vitin e kaluar. Fill pas saj vjen e ashtuquajtura "Mbretëreshë e aromave", themeluesja dhe drejtuesja e kompanisë së aromatizuesve "Huabao" Zhu Linyao. 44-vjeçarja ka një pasuri prej 16.5 miliardë juanësh (diçka më pak se 2.7 miliardë dollarë), 14 për qind më shumë se në 2013-n.


Foto: Gcmt / 东方IC

Për herë të parë në listën e grave të pasura të Kinës bën pjesë edhe Chen Jinxia, e cila ka njohur një rritje të vrullshme të pasurisë së saj, 35 % krahasuar me vitin e kaluar. 46-vjeçarja ka tani një pasuri prej 13.5 miliardë juanësh (2.2 miliardë dollarë amerikanë). Chen Jinxia mori drejtimin e Grupit "Yongjin" të Hunan-it pas ndarjes nga jeta të të shoqit, themeluesit të këtij grupi Wei Dong, në vitin 2008. Chen, e diplomuar në Universitetin e Financave dhe Ekonomisë të Shangait, dikur ishte krahu i djathtë i të shoqit në administrimin e kompanisë. Ashtu si edhe i shoqi, që i shmangej publicitetit, edhe Chen Jinxia asnjëherë nuk ka pranuar të japë intervista në media ose të mbajë fjalime publike, duke e përqendruar të gjithë vëmendjen në rritjen e kompanisë që drejton.

Po një vlerë prej 13.5 miliardë juanësh ka edhe pasuria e Zhang Jing-ut, që është themeluesja e një tjetër kompanie pasurish të patundshme, "Maoye International", me qendër në Shenzhen të provincës Guangdong, qyteti që pra, bashkë me Pekinin, ka numrin më të madh të grave të pasura në Kinë. Edhe Zhang Jing-i ka pasur një rritje të ndjeshme të pasurisë së saj krahasuar me vitin e kaluar, pikërisht prej 13-përqindësh.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China