20141104industri |
Industria e makinerive dhe pajisjeve është një sektor që krijon lehtësi për njeriun, duke forcuar njëkohësisht konkurrencën mes ekonomive të ndryshme. Në këtë industri, veçanërisht prodhimi i pajisjeve është thelbi i konkurrencës mes vendeve të ndryshme.
Zv.ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës Su Bo u shpreh se makineritë e pajisjet sigurojnë mbështetje për industrinë kombëtare dhe zgjerimin e vazhdueshëm të kësaj industrie. Ky sektor është simboli i fuqisë industriale dhe ekonomike të një vendi.
"Nëse shikojmë historinë e zhvillimit të ekonomive të përparuara, mund të vërejmë se çdo vend ka një industri të fuqishme makinerish e pajisjesh. Kështu që konkurrenca mes vendeve të ndryshme, qoftë në fushën ekonomike, qoftë në fusha të tjera, në të vërtetë bëhet në këtë industri," tha Su Bo.
Për shkak të teknologjisë së lartë dhe të ndërlikuar të zbatuar në industrinë e makinerive dhe të pajisjeve, për një kohë të gjatë kjo industri në Kinë ka qenë e prapambetur, ndërsa vendet e tjera zotëronin përbërësit dhe teknologjinë kyçe. Për shembull, në vitet '80 të shekullit të kaluar, prodhimi i gomave radiale në Kinë ishte i kufizuar krejtësisht nga vendet perëndimore dhe kostoja ishte tepër e lartë. Për të zgjidhur këtë vështirësi, kompania "Saixiang Technology" bëri kërkime dhe investime të shumta, duke u bërë udhëheqësja e kompanive kineze në këtë fushë dhe duke fituar famë të mirë në tregun ndërkombëtar. Në vitin 2008, "Saixiang Technology" u fut me sukses në tregjet europiane dhe tregun indian, duke vendosur bashkëpunim të qëndrueshëm me kompanitë e njohura ndërkombëtare, si "Eurotire" dhe "Airbus". Një nga drejtuesit e kompanisë "Saixiang Technology", Liu Wenan, u shpreh se, pas përpjekjeve të pandërprera, pajisjet kineze të prodhimit të gomave janë të mirënjohura nga të gjitha vendet ku ky sektor është i zhvilluar.
"Është shumë e vështirë për makineritë kineze që të fitojnë një vend në tregun ndërkombëtar. Në të kaluarën ne blinim pajisje të vjetra nga jashtë, ndërsa tani mund t'u shesim atyre pajisje të reja. Kjo tregon që industria e makinerive dhe e pajisjeve e Kinës është rritur në mënyrë të gjithanshme dhe ne jemi një pjesë e kësaj rritjeje," tha Liu Wenan.
Qysh nga Reforma dhe Hapja, me zhvillimin e sistemit industrial dhe plotësimin e zinxhirit industrial, industria kineze e makinerive dhe e pajisjeve po përparon, duke kaluar nga niveli i ulët në një nivel të lartë. Në prodhimin e pajisjeve, si thelbi i kësaj industrie, është krijuar një sistem i shumëllojshëm, me përmasa të mëdha dhe me një nivel të lartë teknologjik, duke përbërë kështu një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë kombëtare.
Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2013, vlera e përgjithshme e prodhimit të pajisjeve në Kinë i kaloi 20 trilionë juanët, duke zënë mbi një të tretën e vëllimit botëror. Ndërkohë, 13 kompani kineze përfshihen në 500 kompanitë më të fuqishme të botës në këtë sektor. Të gjitha këto shifra tregojnë që fuqia konkurruese e Kinës është rritur në mënyrë të dukshme.
Për hapjen e tuneleve dhe ndërtimin e hekurudhave, metrove etj., duhet patjetër një mjet i veçantë, makina gërmuese. Kjo makinë përdoret pothuajse në çdo projekt ndërtimi, por, për shkak të teknologjisë së ndërlikuar dhe kostos së madhe, prodhimi i saj dikur kontrollohej krejtësisht nga vendet perëndimore dhe Japonia. Tani, pas përpjekjeve dhjetëravjeçare, Kina po bëhet një gjigant i ri në këtë fushë.
Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës ka arritur të prodhojë në mënyrë të pavarur makinën më të madhe gërmuese në botë me mburojë. Yang Hongjun është menaxher në një kantier ndërtimi të një tuneli në qytetin Zhengzhou të Kinës Qendrore. Ai bën të ditur:
"Nëse gërmimi bëhet me punëtorë, ka shumë rrezik, ndërsa me këtë lloj makine, është krejtësisht ndryshe. Kjo makinë e bën punën me siguri dhe pastërti. Ju garantoj që mund të ecni këtu poshtë me këpucë lëkure. Nëse kjo punë bëhet me punëtorë, bëhet shumë pluhur dhe ka rreziqe potenciale."
Foto: 宋建春 / 东方IC
Për të ndërtuar një tunel me gjatësi prej mbi 100 metrash me punëtorë duhet të ndalohet qarkullimi dhe kohëzgjatja e ndërtimit është së paku 1 vit. Ndërsa me makinën gërmuese me mburojë, e gjitha kjo bëhet brenda 2 muajsh. Krahas shkurtimit të kohës, nuk ka nevojë për ndalimin e qarkullimit dhe trafiku vazhdon në mënyrë normale. Gjithashtu, shmanget edhe ndotja nga pluhuri dhe zhurmat.
Tani në Kinë, po ndërtohen linja metroje në mbi 20 qytete dhe makinat gërmuese me mburojë përdoren në të gjitha këto vepra. Për arsye të kostos së ulët dhe cilësisë së lartë, më shumë se gjysma e tregut kinez zotërohet nga kjo makinë e prodhuar nga Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës.
Në vitin 2013, ky grup bleu me sukses kompaninë e njohur gjermane TBM, që më parë ishte si partnere, ashtu edhe rivale e tij në këtë drejtim. Përfaqësuesi i lartë i TBM-së, Z. Oeistein Widding, u shpreh që grupi kinez është një blerës perfekt për TBM-në.
"Kishte disa kompani që synuan blerjen. Ndër to, Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës ishte më profesionisti dhe më ambiciozi. Jemi të bindur që grupi kinez mund ta zhvillojë në mënyrën më të përshtatshme biznesin tonë të pajisjeve gërmuese dhe të arrijë një sukses më të madh në të ardhmen," thotë z.Widding, përfaqësues i lartë i TBM.
Pas blerjes së kompanisë TBM, Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës është bërë prodhuesi më i madh në Kinë, si edhe i dyti më i madh në botë, i makinave gërmuese. Në fund të korrikut të këtij viti, linja hekurudhore e shpejtësisë së lartë në Turqi, e ndërtuar nga Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës, filloi zyrtarisht nga funksionimi, duke u bërë hekurudha e parë e shpejtësisë së lartë e ndërtuar nga një kompani kineze jashtë vendit.
Tani, Grupi i Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore i Kinës ka ndërtuar 4 qendra shitjesh në Hong-Kong, Gjermani, Brazil dhe Australi dhe po përpiqet për zgjerimin e biznesit të tij në Iran, Azerbajxhan, Indi dhe Rusi. Për zhvillimin e shpejtë të këtij grupi, anëtari i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës Yang Huayong është i këtij mendimi:
"Niveli teknologjik i produkteve gërmuese me mburojë të Grupit të Pajisjeve të Inxhinierisë Hekurudhore të Kinës tani ka arritur në nivelin e parë botëror. Tani ai zotëron pjesën më të madhe të tregut kinez dhe në tregun global renditet në vendin e 2-të." (Jiang Lei)