PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Yang-ët, "lulet e kopshtit" të ndërtimit në Kinë
2014-11-04 16:09:55 CRI Komenti juaj Printoni

Yang Guoqiang-u dhe Yang Huiyan-i janë babë e bijë, por ata kanë të përbashkët, përveç lidhjes së gjakut, edhe kompaninë që drejtojnë. Yang Guoqiang-u, nga një bujk e blegtor i varfër, u shndërrua në manjat të pasurive të patundshme, duke krijuar "Country Garden", që është bërë sot një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Kinë. Kurse Yang Huiyan-i është gruaja më e pasur në Kinë dhe një prej miliarderëve më të rinj në moshë, trashëgimtare e perandorisë së pasurive të patundshme të të atit dhe që duket se po ndjek hapat e suksesit të tij.


Foto: Gcmt / 东方IC

Yang Guoqiang-u, i njohur edhe si Yeung Kwok Keung, ka lindur në 9 tetor të vitit 1954 në një fshat në Shunde të provincës Guangdong të Kinës Jugore, pranë kryeqendrës së kësaj province Guangzhou, sot një nga zonat më të pasura në Kinë. Por sigurisht nuk ka qenë kështu në kohën e fëmijërisë së Yang Guoqiang-ut. Ai është shprehur një herë se familja e tij ishte aq e varfër, saqë para moshës 18-vjeçare kurrë nuk pati mundësinë të vishte rroba të reja. Yang Guoqiang-u fillimisht nisi ta nxjerrë bukën e gojës duke u marrë që në moshë fare të re me bujqësi e blegtori. Ai rriste bagëti dhe kultivonte drithëra, veçanërisht oriz, por përsëri nuk arriti të dilte nga varfëria. Prandaj, ashtu si edhe shumë të tjerë, Yang Guoqiang-u shkoi në qytet në kërkim të një jete më të mirë, duke nisur të punonte në ndërtim, fillimisht si punëtor i thjeshtë krahu e pastaj si murator. Fati i tij nisi të ndryshojë kur ai ishte 24 vjeç dhe filloi punë në një firmë menaxhimi pasurish. Brenda gjashtë vjetësh ai ishte kreu i njësisë së ndërtimit të kësaj kompanie.

Më pas, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, Yang Guoqiang-u filloi të blejë toka të mbetura djerrë dhe të nisë ndërtimet në to, në një kohë kur tregu i pasurive të patundshme ende nuk ishte i konsoliduar dhe vlera e këtyre pasurive ishte e ulët. Ishte pikërisht koha e duhur. Yang Guoqiang-u e filloi me 87 hektarë tokë dhe nisi të blejë gjithnjë e më shumë, teksa tregu i pasurive të patundshme po niste të lulëzonte, i nxitur nga shtimi dhe pasurimi i klasës së mesme në Kinë. Megjithatë, jo gjithçka kaloi pa peripeci. Kështu, në vitin 1992, Yang Guoqiang-u dhe disa partnerë të tij ndërtuan 4000 shtëpi në Shunde. I goditur nga një taksë për pasuritë e patundshme e vendosur një vit më pas për të frenuar rritjen të çmimeve të banesave, ai kishte vështirësi për shitjen e këtyre shtëpive. Për ta zgjidhur krizën, Yang Guoqiang-u ndërtoi një shkollë ndërkombëtare brenda bllokut të banesave që kishte ndërtuar, gjë që tërhoqi banorët e pasur të Guangzhou-t të blinin shtëpi aty.


Foto: gcmt / 东方IC

Në vitin 1997 Yang Guoqiang-u themeloi kompaninë e tij "Biguiyuan", që më vonë do të quhej në gjuhën angleze "Country Garden" dhe që njohu një rritje meteorike. "Country Garden" ka tani në pronësi mbi 18 milionë metra katrorë tokë, duke zënë kështu vendin e katërt ndër kompanitë kineze të ndërtimit. Shumica e kësaj sipërfaqeje është në provincën Guangdong, një ndër provincat më të zhvilluara në Kinë, dhe "Country Garden" është tashmë kompania më e madhe e ndërtimit në këtë provincë. Projektet e ndërtimit të kompanisë përfshijnë ndërtesat e banimit, përfshi vilat, dyqanet e shitjes me pakicë dhe parkingjet e makinave.

Degët e kompanisë janë të përfshira tashmë jo vetëm në sektorin e ndërtimit, por edhe në zbukurimet e brendshme, hoteleri, administrim prone etj. Deri në 31 dhjetor 2011, kompania "Country Garden" kishte në pronësi pesë hotele me pesë yje, njëzet e një hotele standarde me pesë yje dhe një hotel me katër yje, me gjithsej 8352 dhoma. Ndër degët e "Country Garden" përfshihen Kompania e Ndërtimit "Zengcheng", Kompania e Ndërtimit "Huadou" e Guangzhou-t dhe shumë të tjera.

Më 20 prill të vitit 2007 "Country Garden" u kuotua në Bursën e Hong-Kongut.


Foto: 李富华 / 东方IC

Oferta publike fillestare e "Country Garden" siguroi 1.66 miliardë dollarë amerikanë, po aq sa oferta publike fillestare e gjigantit të internetit "Google" në ShBA në vitin 2004. Në të vërtetë, që përpara shpalljes së ofertës publike fillestare të "Country Garden", dhe pikërisht në vitin 2005, Yang Guoqiang-u ia kishte kaluar 70 për qind të pasurisë së përgjithshme dhe të aksioneve të kompanisë vajzës së tij të dytë, Yang Huiyan-it. Ky vendim për lëvizjen dhe transferimin e një përqindjeje të madhe të aksioneve të kompanisë u mor i shoqëruar edhe nga spekulimet e publikut se drejtuesi i kompanisë kishte gjithashtu synime t'ia dorëzonte frenat e drejtimit të kompanisë Yang Huiyan-it. Kur një gazetë honkongase e pyeti Yang Guoqiang-un përse ia dha ato para së bijës, ai u përgjigj: "Edhe po të arrija të mbushja moshën 100-vjeçare, përsëri asaj kisha për t'ia lënë, sido që të jetë. Ajo është pjesëtare e familjes dhe unë kam besim tek ajo." Në një rast tjetër Yang Guoqiang-u është shprehur se Yang Huiyan-i "ka një karakter të mirë, punon shumë dhe ka të cilësi të mira të drejtimit të korporatës"


Yang Huiyan
Foto: 陶刚 / 东方IC

Në të vërtetë, para se të bëhej aksionarja kryesore e "Country Garden", Yang Huiyan-i nuk luante ndonjë rol të rëndësishëm në të. Yang u bashkua me kompaninë e krijuar nga i ati vetëm në vitin 2005, pasi u kthye në atdhe nga studimet në ShBA. Vetëm atëherë Yang Huiyan-i u vu në qendër të vëmendjes, pikërisht kur babai i saj vendosi që t'i japë kontrollin e thuajse tre të katërtave të aksioneve të kompanisë. Duke e bërë atë si në përralla brenda natës miliardere.

Yang Huiyan-i ka lindur në vitin 1981, edhe ajo në Shunde të provincës Guangdong. Fillimisht Yang ndoqi shkollën e hapur nga kompania e të atit dhe që mbante po të njëjtin emër, pra "Country Garden", për t'i vazhduar studimet e mëtejshme në Britaninë e Madhe. Më pas Yang Huiyan-i u kthye në Kinë dhe vijoi shkollimin aty, duke shkuar më pas në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Universitetin Shtetëror të Ohajos, ku u diplomua për marketing dhe logjistikë në vitin 1984. Që kur ishte studente, Yang Huiyan-i ishte shumë e zellshme dhe studionte shumë, një karakteristikë që e ndihmoi atë të bëhet femra e suksesshme që është tani.

Pas përfundimit të studimeve, Yang Huiyan-i u kthye në Kinë për të shërbyer si ndihmëse e të atit, duke e ndihmuar atë në çështjet e strategjisë e planifikimit të kompanisë.

Yang Huiyan-i gjithmonë e ka kuptuar dëshirën e të atit që ajo të bëhet pasuesja e tij në "Country Garden". Sidoqoftë, sipas medias, ajo kurrë nuk kishte dashur të bëhej sipërmarrëse, e ca më pak femra më e pasur. Përkundrazi, kur ishte e vogël e ca më vonë, Yang Huiyan-i shpesh u thoshte prindërve se donte të bëhej mësuese, pavarësisht qëllimeve të të atit për të ardhmen e saj. Sipas një ish-punonjësi të "Country Garden": "Zonja Yang Huiyan nuk ka qenë ndonjëherë e interesuar në administrimin e ndonjë biznesi, veçanërisht të një sipërmarrjeje aq të madhe sa 'Country Garden', ose të paktën nuk e ka pasur një interes të tillë para se të shkonte në Shtetet e Bashkuara".

Por Yang Guoqiang-u i merrte në mbledhjen e bordit të kompanisë dy prej tre vajzave të tij që kur ato ishin adoleshente, në mënyrë që ato të vëzhgonin e të kuptonin procesin e vendimmarrjes. Pas mbledhjeve, Yang Guoqiang-u u mësonte të bijave kuptimin e fjalëve që ishin thënë aty, si t'i trajtonin punonjësit e kompanisë e mësime të tjera. Punonjësit e vjetër të "Country Garden" e kujtojnë praninë e Yang Huiyan-it në këto takime, duke thënë se ajo ishte një vajzë e urtë dhe e qetë, që, e ulur në një kënd, vinte re se si babai i saj i merrte vendimet e rëndësishme të kompanisë.

Në vitin 2007, kur ishte vetëm 26 vjeçe, Yang Huiyan-i u bë njeriu më i pasur në pjesën kontinentale të Kinës dhe femra më e pasur në Azi, me një pasuri me vlerë 16.2 miliardë dollarë amerikanë sipas revistës "Forbes", mbi pesë herë më shumë se pasuria e atij që kryesonte listën e të pasurve në pjesën kontinentale të Kinës të "Forbes"-it një vit më parë, pra në vitin 2006, teksa hulumtues të pavarur si Rupert Hoogewerf i Institutit të Kërkimeve "Hurun" e shpinin shifrën në 17.5 miliard dollarë amerikanë.Yang Huiyan-i asokohe ishte më e pasur se individë të tillë si George Soros, Rupert Murdoch dhe Stiv Jobs. Yang Huiyan-i gjithashtu u rendit si miliarderja e dytë më e re në botë, pas Princit Albert të Thurn-it dhe Taxis-it të Gjermanisë, dhe femra më e re miliardere në listën e "Forbes"-it.

Me ndihmën e të atit, Yang Huiyan-i mori një barrë më të madhe në drejtimin e kompanisë, në një kohë kur në Kinë kishte një shtrëngim të politikave lidhur me pasuritë e patundshme dhe tregu i brendshëm po kalonte një periudhë "të akullt" në vitin 2008. Sidoqoftë, shitjet e "Country Garden" i kaluan parashikimet, me një rritje 12 % të kontratave të shitjeve krahasuar me një vit më parë. Meritë për suksesin e Yang Guoqiang-ut e të Yang Huiyan-it mund të thuhet se ka strategjia e tyre e gjetjes së vendeve të përshtatshme për ndërtim, që u solli epërsinë e kostos së ulët. Me këtë strategji theksi u vu në ndërtimin e banesave në rrethinat e qyteteve të mëdha ose në lagjet e reja të atyre që quhen qytete të kategorisë së dytë e të tretë në Kinë, pra qytete jokryesore, ku çmimet nuk janë të larta.


Foto: 翁磊 / 东方IC

E megjithatë, kriza financiare globale që shpërtheu në vitin 2008 e goditi rëndë Yang Huiyan-in, duke bërë që pasuria e saj të humbë dy të tretën e vlerës, pas rënies që patën bursat kineze së bashku me simotrat e tyre perëndimore. Sido që të jetë, atë vit Yang Huiyan-i ishte e treta në listën e të pasurve në pjesën kontinentale të Kinës të "Forbes"-it, dhe vijoi të jetë ndërmjet grave më të pasura të Azisë. Një vit më pas, në vitin 2009, Yang Huiyan-i kryesonte përsëri listat e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës, më një pasuri të përgjithshme neto që vlerësohej në 7.4 miliardë dollarë amerikanë nga revista "Forbes" dhe 7.1 miliardë nga Instituti i Kërkimeve "Hurun". Pasuria e Yang Huiyan-ite kalonte atë të Donald Trump-it, një nga ndërtuesit më të pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa tani pasuria e saj llogaritet në 44 miliardë juanë (7.19 miliardë dollarë amerikanë), duke kryesuar kështu për të katërtën herë në nëntë vitet e fundit listën e grave më të pasura të Kinës kontinentale.

Edhe pse pjesëtare e të ashtuquajturit brez i dytë i të pasurve në Kinë, Yang Huiyan nuk është një fëmijë e përkëdhelur dhe ka dashur gjithmonë të bëhet një njeri i njohur dhe i respektuar në shoqëri falë përpjekjeve të saj. Në mars 2012, Yang Huiyan-i u emërua zëvendëskryetare e bordit të "Country Garden". Në gusht të po atij viti, kompania njoftoi se të ardhurat e saj nga shitjet në tremujorin e parë u rritën me 7.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, 2011. Yang Huiyan-i bëri disa ndryshime në kompani, duke sjellë një ekip menaxhimit krejt të ri dhe duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e kthimit të kompanisë familjare në një biznes me menaxhim bashkëkohor. Shumë besojnë se Yang Huiyan-i është një grua e zgjuar dhe e aftë, që mund ta ndihmojë kompaninë "Country Garden" të shndërrohet nga një biznes tradicional në një sipërmarrje moderne.

Tani që Yang Huiyan-i ka marrë në dorë drejtimin e "Country Garden"-it, kompania ka pësuar transformim të madh. Nga politikat dhe strategjitë e thjeshta që zbatonte më parë, kompania është shndërruar në diçka që ka një qasje më të personalizuar. Këto ndryshime janë pasqyruar në kulturën e përgjithshme të kompanisë.

Yang Huiyan-iaktualisht është drejtore ekzekutive e kompanisë, duke mbikëqyrur menaxhimin e burimeve dhe strategjitë zhvillimore të saj.

Për sa i përket stilit të drejtimit dhe filozofisë së biznesit, Yang Huiyan-i ka ruajtur karakteristikat e të atit, Yang Guoqiang-ut, duke punuar pa bujë dhe duke mos u marrë me menaxhimin e brendshëm të kompanisë. Ajo duket se ka trashëguar po ashtu edhe bujarinë e të atit, i cili jo vetëm e ka bërë të bijën të jetë ndër njerëzit më të pasur të Kinës, por edhe u ka zgjatur dorën e ndihmës të tjerëve që kanë nevojë për një gjë të tillë.

"Ai është një njeri që e kupton se si ta respektojë e ta përdorë pasurinë në vend që të jetë i fiksuar pas parave, falë përvojës së mëparshme të jetës së tij plot vuajtje dhe vështirësi," shprehet për Yang Guoqiang-un një shok i i ngushtë i fëmijërisë.

E megjithëse nuk ka kaluar një jetë të tillë të varfër e të vështirë si i ati, edhe Yang Huiyan-i dëshiron që pasuria të mos jetë një qëllim meskin e në vetvete, por të shërbejë edhe për mbajtjen e një përgjegjësie shoqërore. Kështu, që gjatë kohës kur ndodhej për studime në Shtetet e Bashkuara, Yang Huiyan-ii telefonoi të atit dhe e bindi atë të krijonte "shkollën më të mirë pa pagesë për fëmijët e familjeve në vështirësi ekonomike". Kështu, në vitin 2002, Yang Guoqiang-u hapi një shkollë të mesme bamirësie për të ndihmuar nxënësit e varfër, duke ofruar arsimim krejtësisht falas. Deri më sot, dhurimet e tij për këtë shkollë i kanë kaluar 260 milionë juanët.

Yang Guoqiang-u e quajti shkollën "Guohua" për nder të të vëllait. Duke folur lidhur me një gjë të tillë, vetë Yang Guohua, vëllai i Yang Guoqiang-ut dhe xhaxhai i Yang Huiyan-it, shprehet se ndihet i nderuar dhe sigurisht edhe ai ka dhënë ndihmesë për mbarëvajtjen e saj. Lidhur me nismëtaren për krijimin e kësaj shkolle, mbesën e tij, Yang Guohua thotë: "Mendoj se Yang Huiyan-i është një njeri shumë i sjellshëm. Ajo është shumë e mirë edhe me njerëzit krejt të panjohur. Yang Huiyan-i po ashtu punon shumë dhe i ka të gjitha cilësitë për të qenë një drejtuese e vërtetë biznesi".

Yang Huiyan-i është gjithmonë e buzëqeshur, por edhe shumë fjalëpakë. Mosbërja bujë është një ndër tiparet e saj kryesore, që ajo a ka trashëguar nga i ati. Veçanërisht pas kuotimit të "Country Garden" në Bursën e Hong-Kongut Yang Huiyan-i nuk është shfaqur shumë në publik, duke dashur që zhvillimi i kompanisë së krijuar nga i ati të flasë më shumë se intervistat e saj.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China