PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Arti i pasurimit dhe pasurimi me art
2014-10-28 17:13:20 CRI Komenti juaj Printoni

"Bërja e parave është art, puna është art dhe biznesi i mirë është arti më i mirë." Kështu është shprehur Andy Warhol, një nga përfaqësuesit më në zë të pop-artit. Por sigurisht, mund të thuhet edhe e anasjella: arti i mirë është edhe biznes i mirë. Dhe në Kinë, edhe pse tregu i artit ka njohur luhatje që nga ankandet e vjeshtës të vitit 2011, interesi i njerëzve të pasur për veprat e artit nuk ka shfaqur shenja rënieje. Qoftë për investim ose për koleksionim, të pasurit në Kinë po e marrin artin gjithnjë e më seriozisht. Bukurshkrimi dhe pikturat tradicionale kineze janë më të shiturat e më të koleksionuarat, të ndjekura nga punimet e porcelanit dhe veprat e artit bashkëkohor. Dhe artistët bashkëkohorë kinezë, veçanërisht piktorët, kanë hyrë tashmë në radhët e të pasurve të rinj.

Sivjet, për të shtatin vit me radhë, Instituti i Kërkimeve "Hurun", në bashkëpunim me Grupin "Artron", publikoi Listën e Artit të "Hurun"-it, që është një listë e artistëve që kanë fituar më shumë mbështetur në shitjen e veprave të tyre në ankandet publike. "Qëllimi i listës është që të sigurojë një bazë objektive të artistëve kinezë, me qëllim që të nxiten njerëzit e pasur në Kinë për t'u angazhuar në botën e artit," shprehet Rupert Hoogewerf, drejtori i Instituti i Kërkimeve "Hurun", që publikon po ashtu çdo vit edhe listën e njerëzve më të pasur në Kinë, një prej dy listave më prestigjioze, bashkë me atë të "Forbes"-it.

Kurse kryetari i bordit i Grupit "Artron" Wan Jie shprehet: "Ka një entuziazëm të të pasurve në Kinë për të koleksionuar, por ata shpesh nuk dinë se nga t'ia fillojnë. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë Lista e Artit e 'Hurun'-it."

50-vjeçari Zeng Fanzhi u ngjit në krye të listës si artisti kinez i gjallë më i shitur në vitin 2013, me 74 vepra të shitura në ankand publik për një vlerë 149 milionë dollarë, dyfish më shumë se në vitin 2012, kur u rendit i dyti.

Ndërsa Listën e Artit të "Hurun"-it të publikuar vjet e kryesoi Zhou Chunya, me veprat e tij të shitura në ankand që arritën në 470 milionë juanë (rreth 75 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2012.

Zhou Chunya u bë artisti më i ri që kishte kryesuar ndonjëherë renditjen e listës. Vlera e veprave të Zhou Chunya-t më shumë se u dyfishua krahasuar me vitin 2011, kur ai u rendit në vendin e tetë. 222 piktura të Zhou Chunya-së u shitën në vitin 2012.

Zhou Chunya ka lindur në vitin 1955 në Chongqing. Babai i Zhou Chunya-së ishte kritik letrar, ndërsa e ëma punonte në një shkollë të mesme muzike. I ati, që vdiq shumë i ri, kur Zhou Chunya ishte vetëm 14 vjeç, kishte një bibliotekë të pasur, si edhe disa piktura të rëndësishme tradicionale kineze. Babai i përçoi të birit dashurinë për pikturën, veçanërisht atë tradicionale kineze, në një kohë kur pikturat e vajit kishin zëvendësuar tashmë pikturat e bojës me një traditë të lashtë e një pasuri të larmishme.

Zhou Chunya filloi të pikturonte në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, në vitin 1971, në një nga shkollat ​​shumë të pakta artistike që ekzistonin gjatë Revolucionit Kulturor. Ndër të tjera Zhou Chunya kujton se, në një kohë varfërie të madhe, shkolla i jepte një rrogë të vogël dhe mundësinë për të ngrënë mish disa herë në javë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, për tre vjet Zhou Chunya punoi në Ndërmarrjen Artistike të qytetit Chengdu. Veprat që krijonte aty ishin shumë të drejtpërdrejta e të kuptueshme dhe në to personaliteti i autorit nuk shpërfaqej fare e nuk kishte ndonjë rëndësi. Më pas, Zhou Chunya nisi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Sichuan-it, në vendlindjen e vet Chongqing, e rihapur në vitin 1977, ku u njoh edhe me artin perëndimor, edhe pse jo me atë bashkëkohor, por me klasicizmin, realizmin dhe impresionizmin.

Në vitin 1980, Zhou Chunya filloi një sërë udhëtimesh në Tibet, që është fqinj me provincën e tij të lindjes Sichuan, gjë që ishte diçka e zakonshme asokokohe për artistët e kësaj province. Tibetianët, me veshjet e tyre plot ngjyra, tiparet fizike mbresëlënëse dhe karakterin e hapur, ishin asokohe subjektet e parapëlqyera të Zhou Chunya-së.

Pas diplomimit në vitin 1982, Zhou Chunya ndoqi një rrugë të ngjashme me artistë të tjerë të brezit së tij, duke kaluar nga realizmi i mësuar në shkollë drejt kërkimit të mënyrave më vetjake të shprehjes, në kubizëm, ekspresionizëm etj., që dobësuan lidhjen e tij me realitetin.

Duke kujtuar ato vite, Zhou Chunya shprehet se ai kaloi nga një periudhë kur pikturonte lule vetëm për të praktikuar përdorimin e ngjyrës, në ndërgjegjësimin se lulja mund të jetë një subjekt në vetvete.


Zhou Chunya
Foto: 马犇 / 东方IC

Zhou Chunya thotë se mbyllja e Kinës gjatë periudhës së adoleshencës së tij kishte edhe anët e veta pozitive: ajo ndihmoi për t'i dhënë brezit të tij një doze të lartë idealizmi dhe vendosmërie.

Në vitin 1986, me ndihmën e një shoku që jetonte në Gjermani, Zhou Chunya-së iu dha mundësia për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Kaselit. Në Gjermani Zhou viziton muze dhe galeri arti, vëzhgon dhe diskuton, dhe në përgjithësi përpiqet të kuptojë e të shijojë kulturën e pasur artistike të Gjermanisë, duke e krahasuar me atë të vendit të vet. Profesori i tij Reiner Kallhardt, një njeri i mrekulluar nga Kina dhe pasuria e kulturës së saj, e ndihmon Zhou Chunya-në në këtë udhëtim krahasimi dhe zbulimi.

Në të vërtetë, gjatë vitit të parë të qëndrimit në Gjermani Zhou nuk pikturon aspak, ndërsa në vitin 1988 krijon pikturat "Kali i kuq" dhe "Lopa blu", me elemente ekspresioniste e neoimpresioniste dhe që të kujtojnë pikturat e tij të mëvonshme të famshme të titulluara "Qentë e gjelbër".

Por në këtë periudhë ndodh diçka, të cilën Zhou Chunya e vlerëson si shumë të rëndësishme për procesin e tij krijues, aq sa thotë se ka sjellë një ndryshim drastik. Dy shokë të tij kinezë i dhurojnë një kasetë me muzikë të luajtur me instrumente të lashta tradicionale kineze. Artisti menjëherë e kupton dhe vetëdijësohet se ai i përket një kulture shumë të ndryshme nga ajo ku është duke jetuar. Që nga ai çast Zhou nis të ketë një interes të madh për kulturën e lashtë kineze dhe fillon që ta studiojë atë me zell. Dhe pas diplomimit në vitin 1988 largohet nga Gjermania dhe kthehet në atdhe.


Foto: 东方IC

Një numër i madh veprash të Zhou Chunya-së datojnë në vitet '90 të shekullit të kaluar. Ai shfaq një prirje të ndryshme nga ajo e piktorëve të tjerë kinezë të asaj kohe. Ndërsa pothuajse të gjithë ata i kishin kthyer sytë drejt Perëndimit, Zhou Chunya ndihej si i hipnotizuar nga pikturat e lashta kineze, ku vëren një thellësi dhe elegancë që mund ta gjesh vetëm në kulturën kineze. Zhou Chunya ka deklaruar: "Unë jam i ndikuar thellësisht nga tradita kineze, e cila do të mbetet gjithmonë me mua kudo që të shkoj." Dhe ai element i kulturës kineze pas së cilës Zhou Chunyatërhiqet më shumë janë kopshtet tradicionale, veçanërisht gurët dhe shkëmbinjtë e tyre, që janë në qendër të një serie pikturash mjaft të njohura të tij. Pikërisht pikturat më të shtrenjta të shitura prej tij në vitin 2012 ishin ato të triptikut "Seria e gurëve", të krijuara prej tij në vitin 1994 dhe që u shit në ankand për 29.9 milionë juanë (rreth 4.8 milionë dollarë amerikanë).

Nëse vjet Zhou Chunya u bë artisti më i ri që kishte kryesuar Listën e Artit të "Hurun"-it, në moshën 58-vjeçare, i rendituri sivjet i pari në këtë listë, Zeng Fanzhi, është ndjeshëm më i ri, pikërisht 50 vjeç.

Vitin e kaluar Zeng Fanzhi bëri histori në botën e artit. Një pikturë e tij u shit për 23.3 milionë dollarë në një ankand të "Sotheby's" të zhvilluar në tetorin e vjetshëm në Hong-Kong, duke vendosur një çmim të ri rekord. Ishte shuma më e lartë e paguar ndonjëherë për një vepër nga një artist bashkëkohor aziatik.

Piktura, me një gjerësi rreth 4 metra, e titulluar "Darka e fundit" dhe e frymëzuar nga piktura e famshme murore e shekullit të 15-të me të njëjtin titull e Leonardo da Vinçit, u shit pas një lufte që zgjati më shumë se 10 minuta në mes të dy blerësve në telefon. 600 vetat që kishin mbushur njërën nga sallat e Qendrës së Mbledhjeve dhe Ekspozitave në Hong-Kong ndoqën me vëmendje e duke duartrokitur këtë garë interesante derisa u shpall oferta fituese, mbi dy herë më e lartë se vlerësimi paraprak prej 10.3 milionë dollarësh amerikanë.

Zeng Fanzhi theu rekordin e mëparshëm për një artist aziatik bashkëkohor të vendosur nga japonezi Takashi Murakami me skulpturën "Lopçari im i vetmuar", që u shit për 15.1 milionë dollarë amerikanë në një ankand në vitin 2008.

"Kam mbetur pa fjalë nga ky çmim," thotë në lidhje me shitjen rekord të veprës së Zeng Fanzhi Nick Simunoviç, drejtori menaxhues i Galerisë "Gagosian" në Hong-Kong, e cila përfaqëson Zeng Fanzhi-në dhe ka ekspozuar e shitur në galeritë e veta veprat e këtij piktori. "Ishte e diskutueshme për mua nëse tregu do të mund të thithte materiale me aq shumë cilësi, por është e qartë se ia doli ta bëjë një gjë të tillë."

Por si gjithmonë fillimet nuk kanë qenë të lehta. Ishte viti 1998 dhe Zeng Fanzhi po përpiqej të gjente një vend ku të ekspozonte pikturat e tij. Tregu për artin modern asokohe në Kinë pothuajse nuk ekzistonte. Më në fund, Zeng Fanzhi ia doli të varte një prej këtyre pikturave në hollin e hotelit "Ritz-Carlton" në Shangai dhe u lumturua kur pikturën, tashmë e famshmja "Vargu i maskave Nr. 6" (1996), e bleu një turist amerikan për 16 000 dollarë amerikanë.

Vetëm një dhjetëvjeçar më vonë, e njëjta vepër u ble për më shumë se 9.7 milionë dollarë amerikanë në ankandin e "Christie's" në Hong-Kong, duke e bërë Zeng Fanzhi-në artistin aziatik të gjallë më të shtrenjtë - dhe turistin amerikan që e shiti atë, një njeri shumë të lumtur.

Sot, Zeng Fanzhi është një ikonë në botën e artit dhe karriera e tij është një analogji e zhvillimit të artit modern kinez nga realizmi shoqëror utilitar i fëmijërisë së tij në lartësitë e panaireve globale të artit me çmime shtatëshifrore.

Studio e tij në distriktin e njohur artistik në rrethinat e Pekinit është një oazë e qetë, larg rrëmujës dhe rrëmetit të kryeqytetit kinez.

Zeng Fanzhi është i sjellshëm dhe i qetë. "Ne ndodhemi tani në një periudhë lulëzimi të madh artistik në Kinë," thotë ai. "Në vitet '90 të shekullit të kaluar nuk kishte pothuajse asgjë, por tani ka artistë të panumërt. Nuk më takon mua ta them nëse ata janë të gjithë të mirë, kjo mund të mësohet vetëm në të ardhmen. "


Vepra e Zeng Fanzhi
Foto: Vincent Yu / 东方IC

Ky është një koment diplomatik i Zeng-ut lidhur me ata miliona veta të tërhequr në art nga ëndrra e pasurimit. Por në të vërtetë, në vend që të humbasë kohë duke menduar për gjendjen e botës së artit, apo qoftë edhe gjendjen e botës në një kuptim më të gjerë, Zeng Fanzhi thotë se ai është pothuajse tërësisht i përqendrur në pikturën e vet. Ai nuk njeh fundjavë dhe kalon më shumë se 330 ditë në vit në studion e vet, duke bërë pushim vetëm një muaj gjatë verës për të udhëtuar me familjen.

Ky përkushtim ndaj artit ka qenë tipari përcaktues i jetës së Zeng Fanzhi-së, që ka lindur në vitin 1964 në qytetin e Wuhan-it, në provincën Hubei të Kinës Qendrore. Prindërit e tij ishin që të dy punëtorë në një shtypshkronjë. "Kam qenë gjithmonë një nxënës i dobët; nuk i lejoja të tjerët të më detyronin të studioja gjëra që nuk më interesonin, dhe isha me të vërtetë i interesuar vetëm për vizatimin dhe pikturën," tregon Zeng-u.


Zeng Fanzhi
Foto: 鞠一衡 / 东方IC

Djaloshi filloi të vizatojë si një mënyrë për t'u larguar nga monotonia e shkollës. Kur thotë se ishte student i dobët, Zeng Fanzhi nuk e tepron aspak. Kur ishte në moshën 16-vjeçare ai e la shkollën e mesme për të punuar në shtypshkronjë ashtu si prindërit e tij, por duke marrë njëkohësisht mësime pikture në kohën e lirë.

Kur zbuloi se ekzistonte një gjë të tillë si shkollat e larta të artit, Zeng Fanzhi vendosi të aplikojë, por, për shkak të mangësive në lëndë të tilla si matematika dhe shkenca, ai dështoi në provimet e pranimit në universitet për pesë vjet rresht, derisa më në fund u pranua në Institutin e Arteve të Bukura të Hubeit në vitin 1987, në moshën 23-vjeçare, moshë kur studentët e tjerë zakonisht e kishin përfunduar këtë institut. "Kam qenë me fat që prindërit e mi nuk më bënin presion e nuk më shkurajonin; ata më mbështetnin shumë dhe nga viti në vit rezultatet e mia në provime ishin gjithnjë e më të mira, derisa më në fund arrita të fitoj," thotë Zeng Fanzhi.

Edhe pse e vetmja gjë që donte të bënte ishte të qëndronte në shtëpi dhe të pikturonte, pas diplomimit në vitin 1991 Zeng Fanzhi u caktua të punonte në një agjenci të re reklamash. Industria e reklamave në Kinë sapo kishte filluar. "Kur fillova unë punë në atë agjenci, të vetmet reklama që mund të shfaqeshin atëherë, ishin parullat politike, por një gjë e tillë ndryshoi shpejt," tregon Zeng Fanzhi. "Arrita të siguroj një kontratë të madhe për agjencinë, dhe kështu atëherë nuk kishte nevojë të shkoja në zyrë për një vit. Disa nga punët e mia më të mira i bëra pikërisht në atë periudhë."

Disa prej këtyre veprave të tij të para u bënë mjaft të njohura më vonë, duke përfshirë seritë groteske "Mishi" e "Spitali", në të cilat subjektet e Zeng Fanzhi-së kishin tashmë duar tepër të mëdha, që do të bëheshin një tipar karakteristik i veprave të tij.

Zeng Fanzhi ia shiti katër pikturat e tij të para për dy mijë dollarë secilën - një shumë e madhe parash në atë kohë në Kinë - Johnson Chang-ut, një koleksionist i njohur veprash arti nga Hong-Kongu, i cili e bëri këtë blerje me këshillën e kritikut të njohur të artit Li Xianting. Zeng Fanzhi thotë se Johnson Chang-u ende i ka ato katër piktura, të cilat duhet të vlejnë miliona dollarë sot. "Në atë kohë ata të dy (Chang dhe Li) ishin njerëzit më të rëndësishëm në botën e artit kinez dhe me të vërtetë më dhanë një shtysë në fillimet e ima," thekson Zeng-u. "Nuk është puna vetëm te paratë, por ata më dha edhe besim."

Në fillim të vitit 1993, Zeng Fanzhi vendosi ta lërë punën në agjencinë publicitare dhe të shkojë në kryeqytetin Pekin, ku sigurisht jeta kulturore ishte më e pasur. "Ndieja se Pekini ishte vendi ku mund të krijojë art dhe ku puna ime do të merrej seriozisht," shprehet ai. "Në Wuhan, kur njerëzit shikonin veprat e mia, buzëqeshnin, dhe nga ajo buzëqeshje e tyre unë kuptoja se ata mendonin se isha i marrë. Në Pekin ata panë tek unë një njeri me ide."

Në Pekin Zeng Fanzhi gjeti disa nga artistët më të famshëm në Kinë. Ai gjithashtu filloi një proces të pandërprerë risish e rikrijimi, duke përqafuar dhe pastaj duke braktisur stile të reja me një ritëm të furishëm. "Ne e vlerësojmë Zeng Fanzhi-në si artisti më i madh i gjallë në Kinë, pjesërisht për shkak se përfytyrimi i tij pamor ka ndryshuar pa pushim", vë në dukje Nick Simunoviçi. "Ai nuk është kurrë i kënaqur me një identitet të vetëm dhe në shumë aspekte po përmirësohet gjithnjë e më shumë; arti i tij në të vërtetë pasqyron zhvillimin e Kinës."

Rreth një vit pas mbërritjes në Pekin, Zeng Fanzhi filloi të punojë serinë "Maskat", që përfundimisht do ta bënte atë një artist me një pasuri prej shumë miliona dollarësh. Këto vepra kanë një stil dhe teknikë të ndryshme nga veprat më të hershme të Zeng Fanzhi-së dhe pasqyrojnë ndjenjat e tij se si njerëzit modernë e fshehin identitetin e tyre të vërtetë nga njëri-tjetri dhe nga vetvetja. Edhe pse pikturat e serisë "Maskat" kanë qenë më të suksesshmet financiarisht për të, në vitin 2004 Zeng Fanzhi e ndryshoi përsëri rrënjësisht stilin e tij, duke i drejtuar përpjekjet e veta në studimin e pikturës tradicionale kineze të peizazhit dhe bukurshkrimit, ashtu si edhe Zhou Chunya.

Tregu kinez i artit ka kaluar nëpër ulje-ngritjet e veta në dhjetëvjeçarin e kaluar, por çmimet e veprave të Zeng Fanzhi-së kanë mbetur shumë të qëndrueshme, vë në dukje Nick Simunoviçi. Kjo gjë, sipas tij, ka ardhur edhe për shkak të faktit se Zeng Fanzhi është shumë i njohur në qarqet artistike jashtë Kinës dhe sepse pjesa më e madhe e veprave të tij janë blerë nga koleksionuesit e huaj të veprave të artit.

"Kriza financiare e vitit 2008 ishte shumë i mirë për tregun kinez të artit, sepse pastroi spekulatorët dhe la vetëm ata që janë të dashuruar vërtet pas artit," thotë Zeng Fanzhi. "Por kjo nuk pati ndonjë ndikim të vërtetë mbi mua, sepse çmimi i shitjes së punimeve të mia qëndron pothuajse i njëjtë, pavarësisht se çfarë ndodh në tregun dytësor."

Zeng-u duket qartas se i ka shijuar të mirat që vijnë nga suksesi dhe fama e pasuria që e pasojnë atë – ai vesh rroba firmash të njohura dhe mban orë dore të shtrenjta - por ashtu si një numër në rritje pasanikësh të rinj në Kinë, ai duket se është tani në kërkim të diçkaje me më shumë kuptim e më thelbësore. "Kur fillova, dëshiroja që të fitoja sa më shumë para që të ishte e mundur dhe t'i shpenzoja ato për makina të shtrenjta dhe aeroplanë, por në dy vjetët e fundit kam ndryshuar me të vërtetë shumë," shprehet Zeng Fanzhi. "Mendoj se ajo shoqëri që e bën gjithçka vetëm për para, është e marrë fund."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China