20141021hp2 |
Kur çmimi rekord i aksioneve të "Apple" në vitin 2012 e bëri kompaninë e krijuar nga i ndjeri Stiv Xhobs më të vlefshmen e të gjitha kohërave, ishte e paimagjinueshme për "Foxconn"-in, që prodhon produktet e "Apple"-it, të mendonte për ndonjë kompani tjetër përveç gjigandit amerikan. Por Jia Yueting-ut, kryetar i bordit dhe zyrtar kryeekzekutiv i Kompanisë së Informacionit të Internetit dhe i Teknologjisë "Leshi", iu deshën vetëm pesë minuta për ta bindur bosin e "Foxconn"-it Terry Guo të bënte pikërisht këtë. Jia Yueting-u e ka kthyer uebsajtin e kompanisë së vet Letv.com në një nga uebsajtet e videove më të popullarizuara në Kinë.
Foto: 武传华 / 东方IC
Jia Yueting-u ka lindur në vitin 1973 në provincën Shanxi të Kinës Veriperëndimore. Puna e tij e parë pas studimeve universitare ishte në një zyrë tatimore. Por vetëm një vit më vonëJia Yueting-u u largua prej andej për të hyrë në njërën prej shumë kompanive që kishin në pronësi miniera qymyrguri në provincën e tij. Në vitin 2002 Jia Yueting-u vendosi të niste biznesin e vet, duke krijuar Kompaninë e Teknologjisë së Komunikimit "Xibeier", e cila u shiste pajisje telekomunikacioni kryesisht ndërmarrjeve shtetërore. Nga ky biznes i vogël më vonë do të lindte kompania "Sinotel Technologies", e cila u bë publike në Bursën e Singaporit në vitin 2007 dhe ku Jia Yueting-u është tani përgjegjës për drejtimin strategjik e hartimin e planeve të zgjerimit.
Në vitin 2003, Jia Yueting-u takoi Liu Hong-un, atëherë reporter televizioni për lajmet lidhur me telekomunikacionin. Të dy themeluan Kompaninë e Teknologjisë së Komunikimit "Xbell Union", e cila një vit më pas do të quhej Kompania e Internetit dhe e Teknologjisë së Informacionit "Leshi". Në nëntor po të atij viti "Leshi" krijoi portalin e videove në internet Letv.com, biznesi kryesor i kësaj kompanie. Ndërsa uebsajtet imitime të "YouTube"-it gëlonin tashmë në treg, Letv.com zbatoi një model pajtimi (abonimi) të përdorur nga një tjetër firmë në ShBA, "Hulu". Me pronësinë e plotë të të drejtave të autorit të filmave dhe serive televizive, dhe me produktet e veta televizive, Letv.com tashmë është bërë uebsajti numër një i videove të gjata në Kinë, duke e rritur mjaft vlerën e vet të marketingut.
Foto: 东方IC
Në vitin 2009, Jia Yueting-u themeloi kompaninë kinematografike "Le Vision", që renditet e treta në Kinë tashmë për nga madhësia.
Kompania kinematografike "Le Vision" ka prodhuar me dhjetëra filma të njohur. Në vitin 2013 "Le Vision" nxori 10 filma, prej të cilëve "Tiny Times 1.0" dhe "Tiny Times 2.0" arritën shitje 800 milionë juanë (mbi 130 milionë dollarë amerikanë). Në maj 2013 u caktua në funksionin e drejtorit artistik të Kompanisë kinematografike "Le Vision" Zhang Yimou, regjisori e famshëm i filmave të tillë si "Meli i kuq", "Shtëpia e kamave fluturuese", "Mallkimi i lules së artë" e së fundmi "Lulet e luftës". Zhang Yimou ka qenë gjithashtu bashkëregjisor i ceremonisë së hapjes dhe ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike të Pekinit të vitit 2008.
Modeli novator i biznesit të "Le Vision" ka tërhequr vëmendjen e tregut. Në gusht 2013 kjo kompani pati raundin e parë të financimit me një vlerë prej 200 milionë juanësh, me vlerën e saj të llogaritur të tregut në shumën 1.55 miliardë dollarë.
Foto: 东方IC
Kompania kinematografike "Le Vision" ka hyrë tashmë zyrtarisht në tregun e ShBA-së, ku ka hapur një zyrë në Los Anxheles dhe ku do të fillojë fushatën e vet të "Hollivudit" me një fond 200 milionë dollarësh për filmat e ardhshëm që pritet të jenë suksese komerciale.
Jia Yueting-u hodhi themelet e pranisë në ShBA të "Le Vision" në fillim të këtij viti me vizitën që bëri pikërisht në "Hollivud".
"Le Vision" është e fundit ndër kompanitë kineze që po synojnë "Hollivudin".
Në vitin 2011 Jia Yueting-u krijoi Wangjiu.com, i pari uebsajt i tregtisë elektronike për shitjen e verërave të cilësisë së lartë në Kinë. Wangjiu.com ofron shërbime profesionale dhe të gjithanshme për ata që duan të kenë standarde të larta jetese.
Në vitin 2012 në "LeShi" u krijua njësia e teknologjisë elektronike "Zhi Xin". Në qershor të po atij viti u bë marrëveshja me "Foxconn"-in, pikërisht kur Jia Yueting-u mori pjesë në një veprimtari në të cilën kryetari i "Foxconn"-it Terry Guo ishte i ftuar nderi. Në kohën që Jia Yueting-u kërkoi të takohej me Terry Guo-n, ky i fundit i dha vetëm pesë minuta kohë para se të niste darka. Jia Yueting-u e shfrytëzoi këtë mundësi për t'i thënë se si mund ta mundte "Foxconn"-i "Samsung"-un me "modelin plotësisht ekologjik" të "Letv"-së, që lidh pajisjet elektronike dhe përmbajtjn e tyre me një televizor ndërveprues.
Një gjë e tillë tërhoqi interesin e Terry Guo-s dhe Jia Yueting-u si përfundim kaloi një javë të tërë në selinë e "Foxconn"-it për të diskutuar e negociuar lidhur me një marrëdhënie partneriteti strategjik ndërmjet të dy kompanive.
陶小放 / 东方IC
Në mars 2013 "Foxconn"-i njoftoi se do të prodhonte Super TV të "Leshi"-së, duke bërë njëkohësisht të vetat 20 % të aksioneve të saj. Një tjetër investitor në televizorët smart të "Leshi" është Lee Kai-fu, ish-kreu i degës së "Google" në Kinë. Po vitin e kaluar vlera e aksioneve të Letv.com të zotëruara nga Jia Yueting-u u rrit nga 3.359 miliardë juanë (550 milionë dollarë amerikanë) në 18.978 miliardë juanë (afro 4 miliardë dollarë amerikanë). Rritja erdhi edhe nga blerja e një firme të medias së re me një vlerë të përgjithshme prej 1.6 miliardë juanësh (diku te 260 milionë dollarë amerikanë).
Në korrikun e sivjetshëm botimi në gjuhën kineze i revistës "Forbes" publikoi "Listën vjetore të zyrtarëve kryeekzekutivë më të mirë të Kinës", mbështetur në të ardhurat për tre vjet me radhë të kompanive kineze të kuotuara në bursë. Në këtë listë, ku janë përfshirë 50 zyrtarë kryeekzekutivë, Jia Yueting-u renditet në vendin e parë. Një muaj më pas, po kjo revistë publikoi listën e parë të 10 novatorëve kryesorë të Kinës. Lista u hartua mbi kritere të tilla, si arritja e suksesit tregtar të mbështetur në teknologji dhe luajtja e një roli vendimtar në këtë sukses; ndryshimi në mënyrë domethënëse i industrisë; krijimi i një grup të ri të përdoruesish dhe pritshmëria për të bërë ndonjë risi tjetër të rëndësishme prej kandidatëve për t'u përfshirë në listë. Edhe në këtë listë Jia Yueting-u ishte një ndër të përfshirët. Novacioni ka kohë që njihet si çelës për një ekonomi moderne. Legjendat lidhur me një numër miliarderësh të vetëbërë në mbarë botën tregojnë se sa të fuqishëm mund të jenë modernizues të tillë, një ndër të cilët është pa dyshim edhe Jia Yueting-u.