20141021hp1 |
Wu Changjiang thotë se një fëmijëri e vështirë nga ana ekonomike i ka bërë sipërmarrës si ai të kenë sukses. Kompania e krijuar prej tij "NVC Lighting" është bërë tashmë prodhuesja më e madhe e pajisjeve të ndriçimit në Kinë, ndërsa ai vetë ka një pasuri që llogaritet në rreth gjysmë miliardi dollarë.
Foto: Gcmt / 东方IC
Wu Changjiang-u ka lindur në vitin 1965, një vit para fillimit të Revolucionit Kulturor, duke u rritur gjatë një periudhe të trazuar në historinë kineze. Babai i tij ishte minator në një minierë qymyrguri dhe ishte në më të shumtën e kohës i larguar nga shtëpia, prandaj tre fëmijët u rritën me nënën në fshat, ku jeta ishte shumë e vështirë dhe shpesh nuk kishin asgjë për të ngrënë. Wu Changjiang-u thotë: "Kur isha fëmijë, familja ime ishte më e varfra në fshat, dhe më kujtohet se ne ishim të uritur pjesën më të madhe të kohës."
Si fëmija më i madh, Wu Changjiang-u bëri çdo gjë që kishte mundësi për t'i ardhur në ndihmë familjen së vet dhe filloi të merrej me punë në bujqësi që kur ishte vetëm 10 vjeç. Por ky do të ishte edhe një mësim për të. "Që në një moshë të njomë mësova se puna e madhe dhe ambicia janë çelësi i suksesit," thekson Wu Changjiang-u.
Por punën ai e shihte të lidhur me studimin, nën ndikimin edhe të prindërve të vet. "Pavarësisht se vetë nuk kishin ndonjë arsimim të madh, prindërit e mi - dhe veçanërisht nëna – më nxitnin për të mësuar me zell," shprehet Wu Changjiang-u.
Në të vërtetë, dukej sikur ishte një periudhë jo e mirë për ata të rinj që donin të ndiqnin rrugën e studimeve. Wu Changjiang-u vë në dukje: "Në atë kohë shumica e njerëzve besonin se arsimi nuk ishte ndonjë gjë e rëndësishme. Por unë isha shumë i përkushtuar dhe punova shumë, e si rezultat isha gjithmonë ndër të parët e klasës."
Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1984, Wu Changjiang-u nisi studimet e larta për prodhim aeroplanësh. Pas diplomimit ai nisi punë në një ndërmarrje shtetërore për prodhimin e aeroplanëve. Duke parë aftësitë dhe seriozitetin në punë të tij, Wu Changjiang-u u caktua në krye të departamentit të marrëdhënieve me jashtë, prandaj shpesh shkonte në udhëtime pune jashtë Kinës. Ishte një përgjegjësi e madhe për një djalë të ri në të njëzetat, i cili sidoqoftë dukej se kishte një karrierë të shkëlqyer para. Megjithatë, në vitin 1992 Wu Changjiang-u vendosi ta lërë punën në ndërmarrjen shtetërore dhe të kalonte në sektorin privat, si një hap i parë për të realizuar ëndrrën që një ditë të niste edhe ai biznesin e vet.
"Unë nuk kisha frikë nga rreziqet. Kisha shkollëm dhe besoja se do të isha në gjendje të ushqeja veten duke punuar me zell. E dija që kur isha ende fëmijë se isha i aftë për të përballuar vështirësitë. Dhe veç kësaj, nuk kisha vënë dhe aq shumë para mënjanë, prandaj nuk kisha dhe aq shumë për të humbur," vë në dukje Wu Changjiang-u. Ai kishte vendosmërinë edhe për të fituar para për të ndryshuar gjendjen e familjes së vet dhe për të përmirësuar mënyrën e tyre të jetesës.
Dhe kështu Wu Changjiang-u shkoi në Guangdong, provincën e zhvilluar të Kinës Jugore, fqinje me Hong-Kongun, duke filluar të mendojë që ditën e parë aty për mënyrat se si mund të niste biznesin e vet. Në fillim Wu Changjiang-u vendosi të punojë për kompani të tjera, me qëllim që të fitonte përvojë. Më në fund ai hyri në një kompani hongkongase që prodhonte pajisje ndriçimi, ku si pagesa, ashtu edhe perspektiva e punës ishin shumë të mira. Por përsëri Wu Changjiang-u vendosi ta linte edhe këtë kompani, ndonëse ky ishte një vendim i vështirë, që madje çoi edhe në prishjen e martesës së tij. Wu Changjiang-u kujton: "Thjesht doja të shkoja pas ëndrrës që kisha në zemër, të krijoja biznesin tim. Dhe kështu në vitin 1998 bashkë me disa të tjerë krijova 'NVC Lighting'".
"Kur filluam, unë dhe ata që investuan bashkë me mua arritëm të mblidhnim vetëm 1 milion juanë (mbi 162 mijë dollarë)," kujton Wu Changjiang-u. Dhe shton: "Por ne dëshironim dhe kishim vullnetin të kërkonim mundësitë që marka jonë të rritej dhe të bëhej simbol i cilësisë së lartë të shërbimit, produkteve dhe njohurive të prodhimit."
Pas një dhjetëvjeçari nga krijimi, "NVC Lighting" arriti të bëhet një markë shumë e njohur në Kinë, duke zënë pjesën më të madhe të tregut në industrinë e prodhimit të pajisjeve të ndriçimit.
"NVC Lighting" u formua me ambicien për të krijuar një markë të klasit botëror dhe për t'u bërë udhëheqëse në industrinë e prodhimit të pajisjeve ndriçuese. Për arritjen e këtyre dy objektivave, "NVC Lighting" u bë pionere e hapjes së dyqaneve të markës së vet në Kinë, duke krijuar edhe qendra rajonale në mbështetje të tyre. Deri në atë kohë, shitja e pajisjeve të ndriçimit bëhej në dyqane jo të specializuara dhe jo të ndonjë marke të veçantë, duke krijuar pak hapësirë e duke dhënë pak stimuj për të rritur cilësinë e këtyre produkteve dhe mbështetje teknike e të marketingut.
Me ngritjen e dyqaneve të shitjes me pakicë të produkteve të markës NVC, të cilat tani janë më shumë se 3 000 në të gjithë Kinën, "NVC Lighting" ka qenë në gjendje të kthehet në një kompani me ndikim shumë të madh në industrinë kineze të prodhimit të pajisjeve të ndriçimit.
"NVC Lighting" ka qenë e suksesshme në tërheqjen e fondeve për zgjerim nga institucionet e mëdha financiare, përfshirë "Softbank" dhe "Goldman Sachs", ndërsa në vitin 2010 kompania u listua në Bursën e Hong-Kongut. Duke pasur një shkallë të lartë të sigurisë financiare, kjo i ka mundësuar "NVC Lighting" të investojë shumë për të ardhmen.
"NVC Lighting" ka gamën më të gjerë dhe më të plotë të produkteve të ndriçimit në botë, si edhe teknologjitë dhe produktet mbështetëse, të tilla si sistemet kabllore dhe kontrollet e ndriçimit.
Sot "NVC Lighting" ka në Kinë gjashtë qendra kryesore prodhimi, dy qendra kryesore kërkim-zhvillimi dhe laboratorë në shkallë kombëtare për testimin dhe mbështetjen e zhvillimit. Përveç kësaj, "NVC Lighting" ka një qendër ndërkombëtare projektimi në Mbretërinë e Bashkuar.
"NVC Lighting" po shkon tani drejt zgjerimit global dhe mbështetja e veprimtarive dhe organizmave sportive ndërkombëtare e ka ndihmuar për njohjen edhe jashtë vendit të markës së saj. "NVC Lighting" është partner i Komitetit Olimpik të Azisë, kurse në korrik të vitit të kaluar nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Ndërkombëtare të Notit, për të përshpejtuar strategjinë e vet të globalizimit të markës. Produktet e "NVC Lighting" janë përdorur gjerësisht në stadiume dhe pallate sporti në mbarë botën, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, Lojëra Aziatike të Guangzhou-t 2010, Kupën e Botës të FIFA-s në futboll 2010 dhe shumë të tjera.
"NVC Lighting" është i pranishëm në më shumë se 50 vende të botës, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar e Indinë, si edhe vende të Lindjes së Mesme, Azisë Juglindore, Afrikës dhe Amerikës Latine, dhe ndikimi i markës është në rritje në të gjithë botën.
"Unë nuk besoj se ky sukses i 'NVC Lighting'-ut erdhi vetëm prej fatit, por më tepër nëpërmjet punës së madhe dhe objektivave të lartë që i ngarkuam vetes," vë në dukje Wu Changjiang-u.
Në vend që të luftonte për të siguruar fitime sa më të larta, "NVC Lighting" mbajti çmime konkurruese dhe fitimet i investonte në përmirësimin e produkteve të veta.
"Që prej fillimit isha i fokusuar te risitë," shprehet Wu Changjiang-u. "Më pëlqen të mësoj, të studioj e të analizoj, dhe kam bërë vazhdimisht ndryshime në strategjinë e biznesit, modelin e marketingut dhe menaxhimin e kompanisë sonë."
Sipas tij, suksesi në biznes kërkon që të bësh atë që të tjerëve mundt'u duket aventurë. "Nuk mund të ecim në një rrugë të zakonshme, në të njëjtën rrugë si gjithë të tjerët, në qoftë se ne shpresojmë të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme," shprehet Wu Changjiang-u.
Foto: Gcmt / 东方IC
Por jo të gjithë i mbështetën idetë e Wu Changjiang-ut. Teksa rezultatet treguan se disa prej këtyre ideve ishin të mira e të dobishme dhe pak nga pak ai siguroi përkrahjen dhe respektin e distributorëve, furnizuesve dhe punonjësve të kompanisë, aksionerët e tjerë nuk arritën t'i kuptonin arsyet e disa prej vendimeve të Wu Changjiang-ut, duke parë aty vetëm rreziqe dhe nuk i mbështetën risitë e tij.
"E quaj veten një sipërmarrës tipik për brezin tim në Kinë. Vullneti ynë dhe shpirt i pathyeshëm për t'i bërë gjërat më mirë rrjedhin që nga fëmijëria jonë. Ne kemi hasur shumë dhimbje dhe vuajtje, por kemi mbetur gjithmonë optimistë. Kurrë nuk më ka pëlqyer përtacia dhe të përfituarit në kurriz të punës të të tjerëve. Më pëlqen të shpërblehem nga puna ime e madhe, diçka që nëna ime ma mësoi që në fëmijëri," thekson Wu Changjiang-u.