PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, lulëzim i postës së shpejtë
2014-10-15 11:08:38 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, kompania e njohur kineze e tregtisë elektronike "Alibaba" u kuotua me sukses në Bursën e Nju-Jorkut. Në ditën e parë të tregtimit, vlera e tregut e kësaj kompanie arriti në 231.4 miliardë dollarë. "Alibaba" u bë kështu kompania e 2-të më e madhe e internetit në botë. Ashtu si "Alibaba", edhe kompanitë e tjera kineze të tregtisë elektronike po favorizohen nga tregu i madh i Kinës, si edhe nga politika e saj e reformës dhe hapjes. Kompani të tilla, me çmimin e ulët dhe shërbimet cilësore, kanë ndryshuar mjedisin tregtar, si dhe modelin e konsumit të qytetarëve. Falë zhvillimit kaq të shpejtë të biznesit elektronik, edhe një sektor tjetër, ai i postës së shpejtë, po zhvillohet gjithashtu me ritme të larta, duke dëshmuar ndryshimet e reja në strukturën e ekonomisë kineze.


Foto: 陆龙 / 东方IC

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2012, numri i dërgesave me postën e shpejtë në mbarë Kinën arriti në 5.7 miliardë. Në vitin 2013, ky numër u rrit në 9.2 miliardë, me një sasi ditore mbi 65 milionë, duke e renditur Kinën në vendin e dytë në botë. Rritja mesatare e këtij sektori në Kinë për pesë vjet me radhë arriti në 43.5%. Huang Gang është këshilltar në Aleancën e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit dhe Logjistikës të Kinës. Ai u shpreh:

"9.2 miliardë do të thotë që, nëse popullsinë e Kinës e llogaritim në 1.4 miliardë banorë, mesatarja për frymë është 6-7 pako. Kjo do të thotë që ka shumë mundësi që Kina t'i kalojë Shtetet e Bashkuara dhe të zërë vendin e parë për postën e shpejtë."

Megjithëse vëllimi i përgjithshëm i postës së shpejtë në Kinë është i madh, niveli mesatar prej 6-7 pakosh për frymë është vetëm sa mesatarja botërore, ndërsa ekziston ende një hendek i madh me nivelin e vendeve të zhvilluara që është 30 pako për frymë. Gjithsesi, sektori i postës së shpejtë ka pasur ndryshime rrënjësore në krahasim me dhjetë vjetë më parë. Tani, me vetëm një telefonatë, postierët mund të çojnë dërgesën dhe qytetarët mund të zgjedhin shërbime dhe çmime të ndryshme sipas kushteve të tyre.

Tani në mbarë Kinën, ka mbi 1 milion punonjës në postës së shpejtë dhe çdo vit në këtë sektor shtohen mbi 100 mijë vende të reja pune. Me këto përmasa të mëdha, posta e shpejtë mund t'u ofrojë shërbime mbi 50 milionë klientëve në ditë, por përsëri nuk mund të plotësojë kërkesat e shumta. Nga qendra më e madhe e logjistikës në Kinë, që ndodhet në Linyi të provincës Shandong, përditë nisen mbi 8000 kamionë dhe vëllimi i mallrave që dalin nga kjo qendër është mbi 200 mijë tonë. Për shkak të rritjes së shpejtë të biznesit, shumë kompani nuk kanë numër të mjaftueshëm punëtorësh. Men Fanzhong është menaxheri i kompanisë "Jinchuan" në qytetin Linyi.

"Kemi shtuar pajisjet, si makinat-pirun etj., si edhe një numër punëtorësh," tha Meng Fanzhong.


Foto: 翁磊 / 东方IC

Ora rreth 10 e natës është periudha më e ngarkuar në qendrën e dispeçerisë të kompanisë ZTO Express, pasi të gjitha dërgesat duhet të nisen në krahinat e ndryshme të vendit nëpërmjet kësaj qendre. Lai Meisong është presidenti i kompanisë ZTO Express. Ai shpeshherë kontrollon në këtë qendër gjendjen e ambalazhimit dhe mbartjes së mallrave. Ai tha:

"Tani puna fillon në orën 8 të mbrëmjes dhe përfundon në 4 të mëngjesit. Këto ditë numri i dërgesave është afro 5 milionë. Në 11 nëntor ky numër do të arrijë në mbi 10 milionë dhe duhet të punojmë 24 orë në ditë. I gjithë transporti bëhet me shpejtësi të madhe. Kemi 200-300 makina që presin jashtë pikave të ngarkimit. Kur ngarkohet 95% e një makine, futim makinat që po presin jashtë. Koha e ndërrimit të makinave zakonisht është brenda 2 minutave."

Kompania "SF Express", që u krijua në vitin 1993, e nisi biznesin e vet me dërgimin e dokumenteve tregtare mes Hong-Kongut dhe provincës Guangdong. Tani ajo merret me postën e shpejtë brenda e jashtë Kinës. Deri në korrik të këtij viti, "SF Express" kishte afro 290 mijë punonjës, mbi 12 mijë makina transporti dhe 15 avionë mallrash. Tani kjo kompani ka mbi 9100 pikë shërbimi brenda e jashtë vendit.

Viti 2003 ishte një pikë kthese për kompaninë "SF Express". Në atë kohë ra epidemia e SARS-it dhe njerëzit nuk dilnin nga shtëpia nga frika e kësaj sëmundjeje. Kështu, biznesi i postës së shpejtë u rrit në mënyrë të vrullshme në atë kohë. Duke shfrytëzuar rënien e çmimeve të transportit ajror, kompania "SF Express" nënshkroi marrëveshje me një kompani ajrore, duke u bërë kompania e parë dhe e vetme private që transporton pako me avionë mallrash. Kjo ka krijuar një bazë të mirë për rritjen e biznesit të kompanisë. Du Haoyang është zv.presidenti i kompanisë "SF Express". Ai u shpreh:

"Kjo pako e vogël përmban biznesin e klientëve tanë, pasi zakonisht ajo është një kontratë ose një mostër tregtare. Për këtë arsye, ne kemi filluar të kemi një të kuptuar më të thellë të postës së shpejtë dhe jemi përqendruar te cilësia e shërbimeve."

Pas vitit 2003, vëllimi i dërgesave të kompanisë "SF Express" është rritur shpejt, duke arritur një mesatare vjetore rreth 50 %. Në krahasim me kompani të tjera, çmimet e "SF Express" janë më të larta. Për shembull, për mbartjen e një pakoje nga Pekini në Shangai, "SF Express" kërkon 22 juanë, afro dy herë më shumë se kompanitë e tjera. Por e vërteta është që ende ka shumë njerëz që i zgjedhin shërbimet e saj, pasi "SF Express" transporton shpejt. Për këtë, Du Haoyang thekson:

"Nga ajo kohë deri më tani, gjendja nuk ka ndryshuar, sepse kostoja për transport me avion mallrash është shumë më e lartë sesa marrja me qira e një vendi në avion. Kështu që, nëse llogaritim vetëm koston, kjo punë sigurisht është me humbje. Por nga perspektiva dhe për të garantuar cilësinë e shërbimeve, ia vlen të veprojmë kështu."


Foto: 浙报集团/东方IC

Gjatë pesë vjetëve të kaluar, konsumi në internet në Kinë ka shënuar një rritje mesatare me 70 % në vit. Në vitin 2013, vëllimi i shitjeve në internet në Kinë shkoi në 1.84 trilionë juanë, duke u renditur në vendin e parë në botë, ndërsa ShBA-ja në vendin e dytë. Po ashtu vjet, numri i konsumatorëve në internet u rrit në 300 milionë, nga 7 milionë që ishte në vitin 2008. Analistët parashikojnë që, me prirjen e tanishme, në pesë vjetët e ardhshëm, rritja e konsumit në internet do të ruhet në mbi 30%.

Presidenti i grupit "Alibaba" Ma Yun është i mendimit që ekonomia e re e Kinës, që përfaqësohet nga biznesi elektronik, ka nevojë për një sistem logjistik me përmasa më të mëdha, me efektivitet më të lartë, me një rrjet më të përsosur dhe me shërbime më cilësore.

"Tani në Kinë dërgohen rreth 25 milionë pako në ditë. Atëherë, pas 10 vjetëve, parashikojmë që numri do të arrijë në 200 milionë pako në ditë. Sistemi i sotëm i logjistikës nuk mund të mbështetë këtë rritje të madhe. Prandaj, po mendojmë me guxim që të ndërtojmë një rrjet logjistik SMART, me të cilin njerëzit e 2000 qyteteve të vendit mund të marrin dërgesa me shërbim 24-orësh," u shpreh Ma Yun, presidenti i grupit "Alibaba". (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China