20141007hp |
Muajin e kaluar u publikua Lista e të Pasurve të Kinës për vitin 2014 nga Instituti i Kërkimeve "Hurun". Sipas kësaj liste Ma Yun, i njohur edhe si Jack Ma, themeluesi i Grupit "Alibaba", është bërë njeriu më i kamur në Kinë me një pasuri prej 150 miliardë juanë (rreth 24.5 miliardë dollarë).
Foto: 裴强 / 东方IC
50-vjeçari Ma ia zuri kështu vendin e parë në këtë renditje themeluesit të Grupit "Wanda" të Dalian-it Wang Jianlin, me gjithë një rritje prej 7 për qind të pasurisë së këtij të fundit. Wang Jianlin-i renditet i dyti në listën e këtij viti, me një pasuri 145 miliardë juanë (23.6 miliardë dollarë amerikanë).
Kjo është hera e parë që Ma Yun-i ngjitet në krye të listës, kryesisht falë ofertës publike fillestare prej 21.8 miliardë dollarësh të "Alibaba"-s në Bursën e Nju-Jorkut në shtator, që vlerësohet si oferta publike fillestare më e lartë në historinë e bursave amerikane.
Rreth gjysma e 1 271 sipërmarrësve kinezë të përfshirë në Listën e të Pasurve të Kinës për vitin 2014 të "Hurun"-it janë nga industria e manifakturës dhe e pasurive të patundshme. Një prej tyre është edhe Yan Jiehe, themeluesi i kompanisë së ndërtimit "China Pacific Construction", i cili renditet bashkë me të birin i shtati në këtë listë.
Yan Jiehe është vlerësuar shpesh si diçka krejt e ndryshme në botën e biznesit dhe sipërmarrjes. Ish-mësuesi është tashmë ndërtuesi më i madh privat në Kinë dhe një nga njerëzit më të pasur të saj, si edhe dikush që nuk druhet të thotë atë që mendon. Por Yan është gjithashtu një sipërmarrës i shquar dhe udhëheqës biznesi i njohur për mendimet dhe qasjen e vet shpesh novatore. Ai di të bëjë vetëm vepra të mëdha dhe e tillë është pa dyshim edhe rrafshimi i 700 maleve për të ndërtuar një qytet.
Yan Jiehe ka lindur në vitin 1960 në qytetin Huaian të provincës Jiangsu të Kinës Lindore. Ai ishte më i vogli ndër nëntë fëmijët e një çifti mësuesish. Gjëja që Yan Jiehe mban më shumë mend nga fëmijëria është uria.
Kur Yan Jiehe mbushi moshën për të ndjekur studimet e larta, në Kinë sapo kishte nisur Reforma dhe Hapja dhe rifilloi provimi i pranimit në universitet, gjë që i dha atij mundësinë të studionte në një universitet me emër në Kinë, siç është Universiteti "Renmin" i Pekinit. Pas përfundimit të studimeve, edhe Yan Jiehe ndoqi gjurmët e disa brezave të familjes së vet dhe nisi të punojë si mësues i gjuhës kineze në një shkollë të mesme në vendlindje, duke arritur të bëhet edhe drejtor i saj.
Megjithatë, në vitin 1986 Yan Jiehe vendosi ta lërë profesionin tradicional të familjes, sepse zbuloi te vetja prirjen për t'u marrë me administrim biznesi. Dhe kështu ai u bë drejtuesi i një fabrike çimentoje po në qytetin e vet, Huaian. Atje ai zbatoi modelin e vet të menaxhimit, duke rënë në sy të zyrtarëve të qeverisjes vendore, që vunë re se ai kishte aftësi për ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore jofitimprurëse. Dhe kështu në disa vitet e ardhshme Yan Jiehe punoi si menaxher në shtatë fabrika shtetërore. Të gjitha ato ishin të ndryshme: njëra prodhonte korrëse bari që eksportoheshin në ShBA, një tjetër bënte makineri, por që të gjitha kishin të përbashkët se vuanin prej mungesës së rendimentit dhe burokracisë. Yan Jiehe i ndihmoi ato t'i shpëtojnë falimentimit e të dalin me fitim. "Nuk ka asnjë biznes me humbje, ka vetëm menaxherë të cilët janë të paaftë, " tha i riu Yan Jiehe gjatë një interviste për Televizionin Qendror të Kinës asokohe.
Foto: 李豫龙 / 东方IC
Gjëja e parë që bëri Yan Jiehe ishte ndryshimi i politikave të burimeve njerëzore. "Më parë aty nuk mund të pushoje punëtorë nga puna dhe nuk mund të ngrije në detyrë ata që punonin mirë përpara atyre që kishin punuar atje për një kohë të gjatë," thotë Yan Jiehe. Ai gjithashtu paraqiti një koncept që ishte krejtësisht i panjohur për shumë nga ndërmarrjet: shitjen. "Ndërmarrjet shtetërore pritnin që blerësit të shkonin tek ato, në vend që të kërkonin për klientë," shprehet Yan-i.
Për të tërhequr një personel sa më të mirë, Yan Jiehe vendosi të paguante më shumë ata që kishin rezultate më të mira në punë, ndërkohë që e rriti edhe pagën minimale me 50 %. Dhe ç'është më e rëndësishmja, ai bëri ndryshime në strukturën e menaxhimit, duke bërë të mundur që menaxherëve të mesëm të mos u duhej gjithmonë të shkonin tek ai për të marrë miratim, duke shmangur kështu hallkat e tepërta e burokracinë e panevojshme dhe duke nxitur frymën e vetëveprimit.
Li Bingfeng-u, një prej kuadrove të qytetit Huaian në atë kohë, kujton se si konkurrentët bllokonin rrugën për në zyrën e Yan Jiehe-së me tryeza, karrike dhe gurë. Kompanitë e tyre po dilnin nga qarkullimi. "Papritmas, ky djalosh i quajtur Yan po e bënte të gjithë punën e tyre," shprehet Li Bingfeng-u.
Në vitin 1995 Yan Jiehe vendosi të krijojë biznesin e vet dhe kështu me një kapital fillestar 100 000 juanë (mbi 16 500 dollarë), themeloi kompaninë e vet të ndërtimit "China Pacific Construction". Por, sigurisht, si çdo biznes, fillimisht kishte probleme për të gjetur klientë. Më në fund "China Pacific Construction" fitoi një kontratë për të ndërtuar tre ujësjellës në Nankin, me një vlerë 300 mijë juanë (mbi 48.7 mijë dollarë amerikanë). Duke dashur të bënte një punë sa më cilësore, Yan Jiehe i shfrytëzoi të gjitha burimet që kishte dhe, në përfundim, doli me 80 000 juanë (13 mijë dollarë amerikanë) humbje. Por puna e patëmetë dhe e shpejtë që kishte bërë kompania e Yan Jiehe-së, duke i dorëzuar veprat në gjysmën e kohës së përcaktuar, dhe etika në punë e vëmendja e Yan Jiehe-së edhe ndaj hollësive më të vogla, u bënë kaq shumë përshtypje zyrtarëve të bashkisë së qytetit të Nankinit, saqë ata vendosën t'i japin "China Pacific Construction" kontrata të tjera të mëtejshme që kapën vlerën e 30 milionë juanëve (4.88 milionë dollarëve amerikanë). Dhe kështu ato 80 mijë juanë të humbur i sollën Yan Jiehe-së 8 milionë juanë (1.3 milionë dollarë amerikanë) fitime.
Pas këtyre sukseseve të fillimit e pas bërjes kështu milioner, Yan Jiehe dhe kompania e tij "China Pacific Construction" morën një emër të mirë dhe filluan të sigurojnë kontrata për vepra më të rëndësishme infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e metrosë së Nankinit, ndërtimin e autostradës që lidh provincën Jiangsu me qytetin e Shangait, si edhe të autostradës Pekin-Shangai, e po ashtu edhe urën e varur "Jiangyin" mbi lumin Jance, po në provincën Jiangsu, e cila kur u përfundua ishte ura e varur më e gjatë në Kinë dhe e katërta në botë.
Gjatë pjesëmarrjes në ndërtimin e këtyre veprave të mëdha infrastrukturore, Yan Jiehe po mendonte edhe për zgjerimin e kompanisë së vet duke blerë ndërmarrje në pronësi shtetërore. Yan bleu më shumë se 30 ndërmarrje të tilla në vështirësi dhe i bëri ato fitimprurëse. "China Pacific Construction" u rrit kështu me shpejtësi dhe u bë një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Kinë. Duke i risjellë këto ndërmarrje shtetërore në jetë dhe duke u ofruar vende pune banorëve vendorë, Yan Jiehe vendosi marrëdhënie të ngushta pune me autoritetet vendore, duke bërë kështu që "China Pacific Construction" të sigurojë gjithnjë e më shumë kontrata për vepra të ndryshme, të cilat gjithmonë i zbatonte në kohë dhe me cilësi.
Një tjetër arsye përse "China Pacific Construction" parapëlqehej nga autoritetet vendore ishte gjithashtu fakti se Yan Jiehe qe i pari në Kinë që ndoqi modelin e biznesit "Ndërto, transfero". Sipas këtij modeli biznesi, "China Pacific Construction" investonte nga paratë e veta për ndërtimin e një vepre dhe, kur kjo vepër përfundonte, i dorëzohej qeverisë, e cila më pas paguante me këste. Një model i tillë ndihmoi në lehtësimin e barrës së disa prej qeverive vendore, veçanërisht të atyre në zonat më të prapambetura.
Së bashku me suksesin e biznesit të tij, edhe pasuria personale e Yan Jiehe-së sigurisht që gjithashtu u rrit. Vetëm për një vit, nga viti 2004 deri 2005, pasuria e tij u rrit nga 1 miliard juanë (162.6 milionë dollarë amerikanë) në 12.5 miliardë juanë (pak më shumë se 2 miliardë dollarë amerikanë), duke e renditur kështu Yan Jiehe-në të dytin në Listën e të Pasurve të Kinës të "Hurun"-it për vitin 2005.
Megjithatë, bashkë me famën e pasurinë erdhën edhe probleme për Yan Jiehe-në, duke u vënë sidomos në pikëpyetje modeli i tij i biznesit. Në vitin 2006, thashethemet në lidhje me problemet e financimit të "China Pacific Construction" bënë që huadhënësit të tërhiqnin kreditë e tyre, gjë që solli një zhvlerësim 30 për qind të pasurisë personale të Yan Jiehe-së.
Megjithatë, kjo venitje për "China Pacific Construction" dhe Yan Jiehe-në ishte jetëshkurtër. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, qeveria kineze nisi zbatimin e një pakete të madhe stimuluese, që parashikonte 600 miliard dollarë shpenzime në sektorin e infrastrukturës. Kjo krijoi një mundësi shumë të mirë për "China Pacific Construction", e cila e kaloi krizën e financimit, ndërsa pasuria e Yan Jiehe-së në një kohë të shkurtër u rrit në 3 miliardë dollarë amerikanë.
Vitin e kaluar të ardhurat e "China Pacific Construction" arritën në 59.6 miliardë dollarë, 40 për qind më shumë një vit më parë dhe gati dyfishi i kompanisë më të madhe amerikane të ndërtimit "Bechtel" (37.9 miliardë dollarë), duke e renditur "China Pacific Construction" në vendin e 166-të të listës së 500 kompanive më të mëdha globale të revistës "Fortune" për vitin 2014, vetëm katër vende më poshtë sesa gjigandi amerikan i teknologjisë "Google" dhe pesë vende sipër firmës së mirënjohur britanike të shërbimeve financiare "Barclays".
"China Pacific Construction" ka rreth 300 000 të punësuar, po aq sa edhe konkurrentët e saj të fuqishëm shtetërorë. Ajo është 50 për qind më e madhe se gjigandi i teknologjisë "Huawei Technologies", ose gati dy herë më e madhe se kompania e njohur kineze e prodhimit të automobilave "Geely" (pronari i "Volvo"-s), çka e bën atë lider të padiskutueshëm në gjirin e kompanive private në pjesën kontinentale të Kinës. Me ritmet e tanishme të zhvillimit, të ardhurat e kompanisë mund të arrijnë pa shumë vështirësi në 100 miliardë dollarë në pesë vjet.
Edhe pse "China Pacific Construction" ka qenë e njohur për kohë të gjatë në Kinë për madhësinë e vet (operacionet dhe të ardhurat), kjo është hera e parë që ajo përfshihet në renditjen e "Fortune".
Yan Jiehe, megjithatë, nuk i jep shumë rëndësi kësaj renditjeje. Ai thotë se përpjekjet e tij do të fokusohen në bërjen e "China Pacific Construction" një emër i njohur në tregun global të ndërtimit të infrastrukturës.
"Prania jonë në listën e 500 kompanive më të mëdha globale të revistës 'Fortune' është vetëm në funksion të ndërkombëtarizimit," shprehet ai.
Shenjat që "China Pacific Construction" ishte e etur për forcimin e pranisë së vet ndërkombëtare u bënë të qarta në fillim të këtij viti, kur Yan Jiehe bëri të ditur se kompania e tij ishte në bisedime me zyrtarët e Australisë dhe Zelandës së Re për projekte infrastrukturore në këto vende. Në maj, "China Pacific Construction" nënshkroi marrëveshje për projekte të infrastrukturës edhe me Mongolinë, Kilin dhe Ganën.
"Tregu ynë kryesor jashtë shtetit, megjithatë, do të jetë Europë," thotë Yan Jiehe.
Sipas një legjende kineze, shumë kohë më parë, një fshatar i moshuar me emrin Yu Gong vendosi të lëvizte dy male që bllokonin hyrjen e shtëpisë së tij. Legjenda thotë që ai u mundua jashtëzakonisht, por më në fund arriti që t'i lëvizë malet. Në këtë legjendë e ka burimin thënia "Yu Gong-u lëviz malet." Por tani kompania e Yan Jiehe-së planifikon "të lëvizë" 700 male.
Në atë që është pagëzuar nga shtypi si "projekti i lëvizjes së maleve" më i madh në historinë kineze, "China Pacific Construction" do të rrafshojë 700 male, për të ndërtuar një metropol të ri 50 kilometra larg kryeqendrës së provincës Gansu Lanzhou në Kinën Veriperëndimore.
Kalimi i Kinës nga një shoqëri rurale në një shoqëri urbane ka sjellë përshpejtimin e projekteve të zhvillimit.
Foto: 彭桐 / 东方IC
Numri i atyre që jetojnë në qytete në Kinë është dyfishuar në pak më shumë se dy dhjetëvjeçarë, nga 26 % në vitin 1990 në mbi gjysmën e popullsisë sot.
Sipas Institutit Global "McKinsey", në 12 vjet, Kina do të ketë 221 qytete me 1 milion banorë secili, krahasuar me 35 qytete të një madhësie të tillë në Europë sot. Po deri në atë kohë Kina pritet gjithashtu që të ketë 23 qytete me më shumë se 5 milion banorë secili.
Qyteti i ri që do të ndërtojë "China Pacific Construction", i quajtur Zona e Re Lanzhou, do të jetë i mbushur me rrokaqiej, parqe e madje edhe plazhe. Qyteti do të ketë gjithashtu një stadium të nivelit ndërkombëtar.
Projekti thuhet se do të rritë prodhimin e brendshëm bruto të rajonit në 43 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2030
"Themelimi i Zonës së Re Lanzhou shënon përpjekjen më të fundit që po bëhet për të përshpejtuar zhvillimin e rajoneve perëndimore të vendit," tha zëdhënësi i qeverisë Qin Yucai.
Lanzhou është tashmë ndër qytetet më të ndotura në Kinë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe mungesa e ujit mund të bëhet një problem edhe më i madh në këtë rajon jashtëzakonisht të thatë. Lidhur me shqetësimet për ndikimet që mund të ketë ndërtimi i qytetit të ri mbi mjedisin, zëdhënësja e "China Pacific Construction" Angie Wongu shpreh: "Mjedisi i Lanzhou-t është tashmë shumë i keq, plot male të shkretuara që kanë një mungesë të jashtëzakonshme të ujit. Modeli ynë i zhvillimit, që synon mbrojtjen e mjedisit, do ta devijojë ujin në këtë zonë, do të sigurojë ripyllëzimin dhe do të bëjë që gjërat të jenë më mirë se më parë."
Foto: 张向华 / 东方IC
Edhe mjaft banorë të thjeshtë të Lanzhou-t e kanë mirëpritur projektin e "China Pacific Construction". "Ndihem shumë krenar për këtë vepër, Kina është e mahnitshme," thotë ekskavatoristi 40-vjeçar Ju Xingwu, i cili punon pikërisht në ndërtimin e qytetit të ri. "Ky projekt kaq madhështor tregon fuqinë e Kinës."
Yan Jiehe tingëllon i sigurt për investimin e tij prej 3.5 miliardë dollarësh për ta ndërtuar qytetin në afro pesë vjet. "Ky qytet do të ketë shijen e qytetit të ujit Venecie dhe shijen e një oazi Las Vegasi në shkretëtirën e Gobit," thotë ai. Dhe shton: "Unë po përpiqem për të nderuar vendin dhe popullin tim."
Yan Jiehe, që ka marrë edhe nofkën "buldozeri", ka edhe plane të tjera të mëdha. Në qershor ai nënshkroi një marrëveshje prej 60 miliardë dollarësh me qytetin e Kunming-ut për të ndërtuar një qendër industriale dhe teknologjike: një amalgamë lagjesh banimi e zonash biznesi, me një sipërfaqe dy herë më të madhe se e Los Anxhelesit. Po në provincën Yunnan, në Dali, "China Pacific Construction" po ndërton një qendër të dytë të këtij qyteti turistik për të mirëpritur një fluks të parashikuar prej 300 000 banorësh të rinj gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Në janarin e sivjetshëm Yan Jiehe deklaroi se do të investojë 10 miliardë juanë për të ngritur ndërtesën më të lartë në Shangai, qytetin e qiellgërvishtëseve marramendëse. "'Boeing'-u ndërton aeroplanë, ne ndërtojmë qytete," shprehet Yan Jiehe.