20140930zimaoqu |
Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait, që është zona e parë e Tregtisë së Lirë në pjesën kontinentale të Kinës, ka mbushur një vit pas formimit në vitin 2013. Me rastin e 1 vjetorit të kësaj zone ekonomike në Kinën Lindore, qeveria kineze ndërmori përkohësisht 27 masa të posaçme për investimet e huaja, duke hapur dritën jeshile për investime të huaja në prodhimin e kripës, të agjencive të shitjeve për transportin ajror, transportin hekurudhor, etj. Kjo do të thotë që ndërmarrjet e huaja mund të zgjerojnë biznesin e tyre në këta sektorë kryesorë, që ishin me kufizime ose ku nuk lejoheshin investimet e huaja. Ky është konsideruar si një sinjal pozitiv për hapjen dhe zgjerimin e mëtejshëm të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait.
"Gjatë këtij viti, në zonën e Tregtisë së Lirë e Shangait janë ndërmarrë shumë politika të reja. Për zinxhirin e furnizimit të makinave, koha është para, pasi klientët i kushtojnë vëmendje vetëm nëse pjesët e këmbimit mund të dërgohen në kohë. Në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait, politika është 'së pari hyrje dhe më pas deklarim '. Ne udhëhiqemi nga shpejtësia. Kështu që mund të ulim në 1 ose 2 ditë afatin kohor për t'iu përgjigjur klientit. Tani, po merremi me importin dhe në 5 vjetë të ardhshëm, do të vëmë Kinën në fokus të Rajonit të Azi-Paqësorit dhe nga Kina do të zgjerojmë biznesin në eksport dhe të mbulojmë Rajonin e Azi-Paqësorit. Zhvillimi i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait përputhet krejtësisht me kërkesat e kompanisë sonë," u shpreh znj. Li Ying, drejtore e shërbimeve e kompanisë Mopar.
Foto nga 东方IC
Në ambjentet e kompanisë Mopar në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait, znj. Li Ying u shpreh që rritja e biznesit të kësaj kompanie është realizuar nga politika e re e zhdoganimit në zonën e tregtisë së lirë.
Kompania Mopar merret me investimet nga grupi i famshëm i automjeteve FIAT-CHRYSLER. Ajo ofron pjesë këmbimi origjinale të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkak që tregu kinez i automjeteve është më i madhi në botë dhe për arsye të politikës në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait "Të ecim përpara , të provojmë të parët ! ", kompania Mopar ka lëvizur nga Singapori, duke e kthyer Kinën në qendrën e saj të menaxhimit mbi zinxhirin e furnizimit.
Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka një sipërfaqe prej 28.78 kilometrash katrore. Si një zonë e re eksperimentale për ekonominë kineze, ajo ka një mision të rëndësishëm për eksplorimin e një rruge të re dhe një modeli të ri për hapjen e Kinës. Në vitin e parë të formimit , Zona e Tregtisë se Lirë e Shangait ka patur arritje të mëdha në rinovimin e sistemit menaxhues. Duke nxjerrë mësime nga vende të tjera, ajo ka publikuar mbi 60 masa të reja në sektorët kryesorë të tregtisë, si doganë, karantinë dhe çështje detare. P.sh, në doganë është vënë në zbatim politika "Së pari hyrje dhe më pas deklarim ", çka ka shpejtuar procesin e zhdoganimit dhe ka nxitur lehtësimin tregtar. Ndërkohë, është vënë në përdorim lista negative, sipas së cilës, ndërmarrjet mund të ndërmarrin të gjitha veprimet tregtare, që nuk përfshihen në këtë listë. Kjo ka rritur më tej hapjen dhe transparencën e tregut kinez. Në bazë të listës negative të vitit 2013, në muajin qershor të këtij viti, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka publikuar versionin e vitit 2014, duke e pakësuar numrin e masave të posaçme të kontrollit për lejen e investimeve të huaja në 139 nga 190, që ishte më parë. Përqindja e rregullimit është 26.8%. Zoti Ai Baojun është zv/kryetar i bashkisë së Shangait dhe drejtor i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait. Ai prezantoi gjendjen e qarkullimit të zonës së tregtisë së lirë gjatë vitit të kaluar.
"Pas praktikës 1 vjeçare, Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait ka bërë 4 rinovime në sistemin e saj. Në këtë zonë, së pari, është formuar sistemi i menaxhimit të investimeve me listën negative si thelb, së dyti, po zbatohet në mënyrë të mbarë sistemi mbikëqyrës tregtar, i cili po fokusohet tek lehtësitë tregtare, së treti, është krijuar sistemi i ri i rinovimit financiar, që ka vënë këmbyeshmërinë e RMB-së në llogarinë kapitale si objektiv kryesor, dhe së katërti, është formuar sistemi mbikëqyrës gjatë dhe pas çeshtjeve, që bazohet nga ndryshimi i kompentencave të qeverisë. Krahas kësaj, kemi patur rezultate të rëndësishme fazore në formimin e kornizës së një sistemi bazë për lidhjen me rregullat e tregtisë ndërkombëtare," tha Ai Baojun, drejtor i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait.
Me rastin e 1 vjetorit të krijimit të zonës së tregtisë së lirë të Shangait, qeveria kineze po rregullon përkohësisht 27 masat e menaxhimit të posaçëm për lejen e investimeve të huaja në tregun vendas. Me këto masa të reja, janë hequr kufizimet e mëparshme dhe ndërmarrje të huaja në zonën e tregtisë së lirë janë lejuar që të bëjnë investime të plota në sektorë kryesorë tregtarë, si në shitje me shumicë të kripës, aplikim i teknologjive të reja në sektorin e naftës, agjenci për transportin ajror dhe atë hekurudhor.
Chen Fengying është drejtorja e Institutit të Studimeve të Ekonomisë Botërore pranë Akademisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Kinës. Ajo është e mendimit që ndryshimi i kësaj here mbulon jo vetëm sektorët e manifakturës dhe shërbimeve, por edhe sektorët që kanë lidhje me sigurinë shtetërore. Ky është një sinjal që Shangai ka nisur thellimin e gjithanshëm të reformave.
Foto nga 绍常 / 东方IC
"Pika kyçe ku janë përfshirë disa sektorë të rëndësishëm që kanë lidhje me sigurinë shetërore, si prodhimi i kripës, e cila duhet të kontrollohet nga shteti dhe ndikon në sigurinë kombëtare. Vlen të përmendet që sektorët e shërbimeve janë hapur në mënyrë të dukshme. Transporti ajror, pasuritë e paluajtshme, industria e anijeve, eksplorimi dhe shfrytëzimi i naftës dhe gazit natyror, si edhe transporti hekurudhor. Këtë herë, hapja është shumë e madhe, pasi janë përfshirë jo vetëm sektorët tradicionalë tregtarë, si prodhimi dhe shërbimi, por edhe sektorët që kanë lidhje me sigurinë shtetërore dhe ekonomike. Kjo është në të mirë të ndërmarrjeve kineze dhe atyre të huaja. Mund të themi që thellimi i gjithanshëm i reformave në Kinë është nisur në Shangai dhe në të ardhmen, do të shohim gjithnjë e më shumë masa përkatëse," u shpreh Chen Fengying.
Sipas të dhënave deri më 15 shtator, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait kanë nisur 283 projekte dhe janë krijuar gjithsej 12266 ndërmarrje të reja. Ndër to, 1677 janë me investime të huaja. Kjo shifër zë 13.7% të të gjitha ndërmarrjeve në këtë zonë pilot dhe numri i ndërmarrjeve të huaja është 10 herë më shumë se një vit më parë.
Omarn Alikhan është drejtor ekzekutiv i kompanisë kanadeze IMGS, që merret me transport. Për të zgjeruar biznesin në tregun kinez, ai dhe partnerët e tij kinezë duan të regjistrohen në zonën e tregtisë së lirë të Shangait.
"Po, jemi këtu për tu informuar rreth zonës së tregtisë së lirë. Gjatë këtij viti pas formimit të kësaj zone, kemi vënë re që politikat këtu janë shumë të mira. Kemi besim të plotë që do të kemi zhvillim më të madh këtë vit. Shpresojmë të krijojmë një kompani, për të transportuar mallra në mbarë botën. Kjo sapo ka filluar dhe po presim politikat përkatëse. Jam i bindur për zgjedhjen time dhe kjo zonë do të ketë zhvillim më të mirë," u shpreh Alikhan, drejtor ekzekutiv i Kompanisë IMGS. (Jiang Lei)