PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Made in China" futet në fazën e robotëve
2014-09-30 15:19:53 CRI Komenti juaj Printoni

Në një fabrikë të madhe në deltën e Lumit të Perlave në Kinën Jugore, që njihet si "fabrika e botës", disa robotë në formë "dore" metalike po bëjnë montimin e kondicionerëve, ndërsa robotë të tjerë bëjnë përkatësisht paketimin dhe transportimin e materialeve të ndryshme.Është kompania më e madhe në botë për prodhimin e kondicionerëve, "Gree", që po përpiqet të krijojë një linjë prodhimi të automatizuar me robotë.

Dong Mingzhu është presidentja e kompanisë "Gree". Ajo bëri të ditur që, brenda dy vjetësh, "Gree" do të bëjë një investim me vlerë prej së paku 5 miliardë juanësh për të realizuar një fabrikë robotike pa njerëz dhe për ta çuar në 70 % prodhimin automatik.

"Brenda një ose dy vjetësh, sistemi i prodhimit i kompanisë do të ndryshojë krejtësisht. Në fabrikat tona do të ketë më pak se pesë veta," tha Dong Mingzhu.

Përveç "Gree", gjithnjë e më shumë kompani të tjera kineze kanë filluar të përdorin linja të automatizuara prodhimi me robotë, duke zëvendësuar krahët e shumtë të punës. "Rapoo Technology" është një kompani me qendër në Shenzhen të Kinës Jugore që prodhon pajisje kompjuterike. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, kjo kompani i ka zëvendësuar 75 % të punëtorëve të saj me robotë, duke kursyer 100 milionë juanë në vit. Me ndihmën e robotëve, kompania "Rapoo Technology" ka zënë një pjesë të madhe të tregut ndërkombëtar, pasi produktet e saj janë cilësore dhe me çmim të ulët.

Për arsye që robotët mund të rritin produktivitetin, të ulin koston dhe të garantojnë cilësinë e produkteve, kompanitë kineze kanë ardhur duke i përdorur ata gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, edhe kompanitë e huaja të prodhimit të robotëve, si ABB, kanë filluar të futen në tregun kinez. Tani në mbarë vendin, janë krijuar më shumë se 30 parqe industriale robotësh.

Kina ka pasur një zhvillim të shpejtë me sektorin e manifakturës si bazë. Por vitet e fundit kostoja e krahut të punës në ekonominë e dytë më të madhe në botë është rritur shumë dhe ajo po përballon konkurrencë nga vendet fqinje, si ato të Azisë Juglindore dhe India. Përballë një gjendjeje të tillë, z. Qu Daokui, presidenti i kompanisë SIASUN me qendër në Shenyang të Kinës Verilindore, shprehet se sektori i manifakturës në Kinë duhet medoemos të përdorë modelin e robotëve, për të pasur më shumë efektivitet në prodhim.

"Nga njëra anë, prodhimi i nivelit të ulët po zhvendoset me shpejtësi në vendet e Azisë Juglindore, Meksikë dhe Indi. Nga ana tjetër, në tregun vendës ne nuk kemi krahë të mjaftueshëm pune dhe kostoja është rritur në mënyrë të ndjeshme. Në këtë mënyrë, ne nuk kemi më përparësi në prodhimin tradicional. Në këto kushte, jemi të detyruar që të bëjmë ndryshim dhe modifikim në sektorin tonë të manifakturës me ndihmën e robotëve," u shpreh Qu Daokui.

Sipas të dhënave nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës, në vitin 2013, në Kinë u shitë gjithsej 37 mijë robotë industrialë, afro tre herë më shumë se në vitin 2012. Zv.sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Industrisë së Robotëve të Kinës Yao Zhiju bëri të ditur që një ndër pesë robotë industrialë sot në botë shitet në Kinë.

"Vjet Kina u bë tregu më i madh i robotëve në botë, duke e kaluar Japoninë. Kjo ka ardhur për arsye që në Kinë rritja në tregun e robotëve industrialë është më e madhe sesa në vendet e tjera të botës," tha Yao Zhijun.

Kina ka tashmë potencialin më të madh në botë për sa i përket tregut të robotëve. Megjithëse në krahasim me vendet e zhvilluara Kina e ka filluar disi më vonë kërkim-zhvillimin në fushën e robotikës, ekonomia e dytë në botë nuk i ka reshtur për asnjë çast përpjekjet për zhvillimin e këtij sektori.

Kompania SIASUN ka ndërtuar një punishte moderne me pajisje automatike. Presidenti i SIASUN-it Qu Daokui shprehet që kjo punishte ka teknologjinë më të përparuar robotike.

"Kjo që po bëjmë tani mbase është fjala më e fundit e teknologjisë në botë. Ne e quajmë punishte e prodhimit të robotëve nga robotët," tha Qu Daokui.

Zoti Qu Daokui shprehet se fakti që prodhimi, montimi dhe kontrolli i cilësisë në këtë punishte bëhen me teknologjinë më të fundit do të thotë që kompanitë kineze kanë arritur përparime në prodhimin automatik me teknologjinë digjitale dhe SMART.

"Nga ana strategjike, kjo në fakt është një ndryshim në modelin e prodhimit. Me këtë teknologji, do të realizohet prodhimi SMART, me të cilin mund të krijohen produkte të ndryshme në të njëjtën kohë dhe brenda një punishteje. Kjo njihet si linja SMART-Hibrid, e cila do të sjellë ndryshim në prodhimin në Kinë, si dhe teknologjinë e domosdoshme për shndërrimin e Kinës nga një prodhuese e madhe në një prodhuese të fuqishme," tha Qu.

Me risitë e pandërprera dhe përpjekjet e vazhdueshme, SIASUN ka shënuar rekorde të shumta botërore. Një gjë e tillë jo vetëm ka ndihmuar në përgjithësi kompanitë kineze në rritjen e fuqisë konkurruese, por edhe i ka siguruar vetë SIASUN-it porosi të shumta nga jashtë vendit.

Tani kërkesa nga sektorët e ndryshëm për robotë është rritur ndjeshëm, madje dhe disa sektorë që nuk kanë lidhje me teknologjinë kanë filluar përdorimin e tyre. Kjo i ka nxitur specialistët e kompanisë SIASUN të bëjnë pandërprerë kërkime për produkte të teknologjisë më të fundit. Qu Daokui mendon që, në gjendjen e tanishme, robotët e prodhimit kinez do të zënë një përqindje më të madhe në tregun ndërkombëtar dhe Kina mund të krijojë atë që ai e quan "mbretëri robotike".

"Mendoj që mund të ndërtojmë një mbretëri të tillë, pasi Kina tani është bërë tregu më i madh në botë në këtë drejtim. Kështu, ne tani kemi bërë një plan për zgjerimin global me qendër në Shangai të Kinës Lindore. Për arsye që produktet e SIASUN-it tani eksportohen në 13 vende të botës, jemi në prag të përfundimit të procesit të ndërkombëtarizimit të SIASUN-it."

Zheng Liyao është zv.drejtori i Institutit të Studimeve të Teknologjisë së Lartë (GG-II). Ai u shpreh që viti 2014 është viti i hyrjes së Kinës në robotikën industriale. Sipas prirjes në gjashtë sektorët kryesorë të manifakturës në Kinë, si ato të automjeteve dhe të pajisjeve elektronike, vëllimi i prodhimit me robotë në vitet e ardhshme pritet të jetë 310-688 miliardë juanë.Robotika ka filluar t'i japë gjallëri të re industrisë kineze.

Themeluesi i kompanisë "Microsoft" Bill Gates ka parashikuar që robotët do të ndjekin rrugën e kompjuterave dhe do të bëhen teknologjia tjetër që do të ndryshojë botën. Në fakt, robotët jo vetëm do të ndryshojnë mënyrën e prodhimit, por edhe do të sjellin një sërë risish teknologjike dhe përparimesh shoqërore në të ardhmen. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China