PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pasurimi i fshatrave të kombësive kineze
2014-09-30 14:48:04 CRI Komenti juaj Printoni

Fshati Yingpan, pasurim me kala

Fshati Yingpan i kombësisë buyi ndodhet në rrethinat e kryeqendrës së provincës Guizhou, Guiyang. Vitet e fundit, si rezultat i zhvillimit të turizmit të mbështetur te burimet historike dhe të kulturës së kombësisë buyi, niveli i jetesës së banorëve të fshatit Yingpan është ngritur dhe pamja e tij ka pësuar transformime shumë të mëdha. Prijësi i fshatarëve të Yingpan-it në rrugën e pasurimit është pikërisht Cen Desong, kryeplaku i fshatit.

45-vjeçari Cen Desong vjen i pakët nga trupi, ashtu siç janë të gjithë burrat e kombësisë buyi, kombësi së cilës i përkasin 96 % e banorëve të fshatit Yingpan ku jeton ai. Yingpan-i është një fshat me një sipërfaqe shumë të vogël toke të punueshme. Cen Desong-u u zgjodh kryeplak nga fshatarët në vitin 2002, kur ishte pra vetëm 33 vjeç. Ai ndodhej përpara realitetit të vështirë që të ardhurat e fshatarëve ishin të ulëta dhe shumë veta, sidomos të rinj, ishin të papunë. Cen Desong-u vriste pa pushim mendjen se si t'i çonte bashkëfshatarët që i kishin dhënë besimin e tyre në rrugën e pasurimit.

"Në fshatin tonë ekzistonte një disnivel i madh midis disa më të pasurve dhe numrit të madh të të varfërve dhe mjedisi nuk ishte i mirë. Vetëm një numër shumë i vogël fshatarësh fitonin diçka më shumë duke administruar ndonjë restorant të vogël, teksa pjesa më e madhe merreshin me bujqësi. Por tokat e fshatit tonë janë të pakta, prandaj ata nuk mund të pasuroheshin."

Për të ndryshuar këtë gjendje, Cen Desong-u vendosi të tërhiqte kompanitë e krahinave të tjera. Por fshati Yingpan ndodhet në zonën e mbrojtjes së burimeve ujore, prandaj shumë kompani që nuk arrinin dot të plotësonin standardet e mbrojtjes së mjedisit, nuk mund të nisnin punën në këtë fshat. Kështu që mendimi dhe dëshira e Cen Desong-ut për pasurim nëpërmjet kompanive nuk u bë realitet. Përsëri net pa gjumë për Cen Desong-un. Më në fund ai e zhvendosi fokusin te kalatë e fshatit ndërthurur me ushqimet karakteristike të kombësisë buyi.

"Në fshatin tonë ekzistojnë shumë kala të dinastisë Ming dhe ne kemi kulturën e pasur të kombësisë buyi. Për këtë arsye mendova që ne të zhvillojmë turizmin e kalave dhe turizmin e ushqimeve të kombësisë."

Para 600 vjetëve, në periudhën e sundimit të dinastisë Ming, në shpatet e maleve që rrethojnë fshatin Yingpan u ndërtuan shumë kala të vogla. Cen Desong-u mobilizoi të gjitha ndërmarrjet dhe banorët e fshatit, duke mbledhur 8 milionë juanë për të restauruar kalatë e dinastisë Ming.

Duke u mbështetur te kjo epërsi e veçantë dhe te zakonet e theksuara të kombësisë të fshatit Yingpan, nën kryesimin e Cen Desong-ut, fshatarët krijuan Shoqërinë Aksionare të Argëtimit "Kalatë e Yingpan-it". Në këtë shoqëri fshatarët kanë aksione, duke krijuar kështu një burim për shtimin e të ardhurave të tyre.

Pas krijimit të Shoqërisë Aksionare të Argëtimit "Kalatë e Yingpan-it", u zhvillua me një hov të madh turizmi në kala, dhe po ashtu filloi të ecte mbarë edhe biznesi i restoranteve të fshatarëve përreth këtyre kalave. Shoqëria Aksionare e Argëtimit "Kalatë e Yingpan-it" u ka krijuar fshatarëve mundësi punësimi, madje edhe shumë banorë të fshatrave të tjera kanë ardhur këtu për të punuar. Por si mund ta kryejnë mirë punën e shërbimeve dhe të paraqitin si duhet kulturën e pasur të kombësisë këta fshatarë, që dikur punonin token. "Ne ftuam profesorë të shkollës së turizmit për të hapur kurse të përgatitjes së fshatarëve, ftuam edhe ushtarakë për të stërvitur punonjësit e kalasë," thotë Cen Desong-u.

Turizmi në kalatë e lashta ka tërhequr shumë vizitorë nga qyteti Guiyang, kryeqendra e provincës Guizhou, pranë të cilit ndodhet Yingpan-i, por kanë filluar të shtohen gjithnjë e më shumë edhe turistët nga provincat e tjera. Ata mund të ngjiten në mal për të vizituar kalatë, mund të shijojnë gjellët e pasura në shtëpitë e fshatarëve dhe të kënaqen me këngët e vallet e kombësisë buyi. Cen Desong-u shprehet se zhvillimi i turizmit e ka ndryshuar shumë fshatin Yingpan.

"Pas krijimit të Shoqërisë Aksionare të Argëtimit 'Kalatë e Yingpan-it', pasuria e fshatit është shtuar në 30 milionë juanë, nga 10 milionë që ishte më pare. Gjithashtu, niveli i jetesës së fshatarëve është ngritur shumë dhe mjedisi i fshatit e kushtet e higjenës sanitare janë më të mira se dikur."

Fshati Yingpan është pasuruar, janë pasuruar edhe banorët e tij. Duke folur për ndryshimet që u ka sjellë turizmi, gruaja 41-vjeçare e kombësisë buyi, Chen Delan, thotë:

"Tani rrugët e fshatit janë të mira, duke na krijuar lehtësi të mëdha për të dalë jashtë fshatit e për të shkuar në vende të tjera. Tani unë dhe shumë gra të tjera të fshatit kemi mësuar të ngasim makinën e të përdorim kompjuterin dhe mund të gjejmë shpejt në internet të gjitha njohuritë që na nevojiten."

Edhe fshatarët që nuk marrin pjesë në Shoqërinë Aksionare të Argëtimit 'Kalatë e Yingpan-it' kanë përfituar gjithashtu nga lulëzimi i turizmit në fshat dhe jetojnë përditë e më mirë. Duke folur për jetën e tanishme, një prej tyre, Luo Shangcai, buzëqesh e lumtur:

"Dikur banonim në një shtëpi të vjetër. Kur Shoqëria e Argëtimit 'Kalatë e Yingpan-it' nisi të zhvillohet, edhe familja ime bleu makinë, ndërtoi shtëpi të re dhe filloi të merret me tregti. Prandaj jeta jonë dhe kushtet e tanishme ekonomike janë më të mira sesa në të kaluarën. Jo vetëm kaq, por ne po mendojmë tani të ngremë edhe një fabrikë tullash, për të përfituar nga shtimi i ndërtimit të shtëpive të reja."

Tani Shoqëria Aksionare e Argëtimit "Kalatë e Yingpan-it" është rritur e zhvilluar dhe ka marrë njëfarë përmase, por Cen Desong-u mendon se ajo duhet të bashkëpunojë me kompanitë profesioniste ndërkombëtare të administrimit të turizmit, për të marrë prej tyre konceptet e përparuara të menaxhimit dhe fonde, në mënyrë që turizmi i fshatit Yingpan të hedhë një hap tjetër të madh përpara dhe që banorët e këtij fshati të jetojnë edhe më mirë.

"Kam besim të plotë për të ardhmen e shoqërisë sonë "Kalatë e Yingpan-it". Si pjesë e fazës së ardhshme, jemi gati të bashkëpunojmë me një kompani ndërkombëtare, që ata me fondin dhe mënyrat e tyre menaxhimit të nisin fazën e 2-të të përdorimit të kalave tona për qëllime turizmi dhe të vazhdojnë të zhvillojnë turizmin në fshatin tonë. Në të njëjtën kohë, ne mund të zhvillojmë së bashku sektorin e ndërtesave të banimit," shprehet Cen Desong-u.

Gazi që pasuroi fshatrat e kombësisë yao

Në fshatrat e kontesë Gongcheng të kombësisë yao, në Rajonin Autonom të Guanxi-Zhuangut të Kinës Jugore, në mes të maleve dhe lumenjve shtrihen plantacionet frutore dhe ngrihen ndërtesa të rregullta dykatëshe, ndërsa banorët mikpritës të kombësisë yao i përshëndetin me këngë malësore mysafirët që vijnë nga larg. Kjo është pamja e sotme e fshatrave të kontesë Goncheng të kombësisë yao. Por, si është bërë kaq e begatshme dhe kaq e bukur kjo konte dikur mjaft e varfër?

Para rreth 15 vjetësh, kur Ye Guirong-u u martua në fshatin Huangling të kontesë Gongcheng të kombësisë yao, familja e të shoqit kishte shumë pak të ardhura dhe jeta e kësaj familjeje ishte mjaft e vështirë për shkak të problemeve ekonomike. Nusja e re u pendua që u martua në këtë fshat, ku gjendja ishte më e keqe se në fshatin e vet, e për këtë arsye edhe qante shpesh. Por sot gjërat janë krejt ndryshe. Kur flet për jetën sot në Goncheng, Ye Guirong-ut i çelet fytyra:

"Në të kaluarën shkoja shpesh në mal për të prerë dru dhe isha e sfilitur nga lodhja e madhe. Mendoja se kisha bërë një gabim të madh e të pafalshëm që u martova në Goncheng. Por më vonë ne filluam të përdorim gaz metan, të rritim derra dhe të mbjellim pemë frutore, si portokalle, mandarina etj. Në këtë mënyrë jeta jonë është përmirësuar shumë dhe sot kemi të gjitha ato që na duhen. Tani nuk ndihem aspak e penduar që jam martuar dhe kam krijuar familje këtu, përkundrazi, jam shumë e lumtur," shprehet Ye Guirong-u.

Gazi metan që përmendi Ye Guirong-u edhe është një ndër arsyet e pasurimit të Huangling-ut, por dhe të fshatrave të tjera të kontesë Gongcheng të kombësisë yao.

Metani është një gaz pa erë dhe pa ngjyrë dhe është përbërësi kryesor i gazit natyror, i cili përmban 50 % - 90 % gaz metan. Gazi i metanit nxirret nëpërmjet një vargu procesesh natyrore në mjedis dhe gjendet kështu gjendet në sasi të madhe në natyrë, por mund të prodhohet edhe në mënyrë industriale. Sidoqoftë, fermerët e prodhojnë atë kryesisht nga mbetjet e kafshëve, të cilat futen në sterna, ku shpërbëhen, duke krijuar gazin metan, i cili përdoret pastaj për të prodhuar energji elekrike për gatim ose për ngrohje.

Tani në çdo shtëpi të fshatit Huangling përdoret gazi metan. Kryeplaku i Huangling-ut Huang Guangfa tha se gazi i metanit jo vetëm ka zgjidhur problemin e lëndëve djegëse për fshatarët, por edhe ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore rrugën e zhvillimit të mbarë fshatit. Kjo bujqësi e tipit ekologjik ka shtuar ndjeshëm të ardhurat e fshatarëve. Të ardhurat mesatare vjetore për frymë në fshatin Huangling-u i kanë kaluar tashmë 4000 juanët, një shifër kjo mjaft më e lartë se më pak se një dhjetëvjeçar më parë dhe se mesatarja e të ardhurave në fshatrat kineze:

"Zhvillimi i gazit të metanit kursen krahët e punës, mban pastër dhomat e kuzhinat tona dhe zhvillon ekonominë ekologjike pyjore," vë në dukje kryeplaku i Huangling-ut Huang Guangfa.

Pasurimi me gaz metan i fshatit Huangling është vetëm një miniaturë e ndryshimeve të pamjes dhe të nivelit të jetesës në të gjithë fshatrat e kontesë Gongcheng të kombësisë yao, në Rajonin Autonom të Guanxi-Zhuangut të Kinës Jugore.

Gazi i metanit filloi të përdoret në këtë konte në mesin e viteve '80 të shekullit të kaluar. Pas një periudhe disavjeçare politikash orientuese të kontesë, shtimit të pikave të eksperimentimit të përdorimit të gazit të metanit dhe mbështetjes me fonde nga ana e pushtetit vendor, deri në vitin 2005 në 88 % të familjeve të kësaj konteje janë vendosur instalimet e gazit të metanit. Siç e thamë, Huangling-u tashmë është në pararojë në kontenë Gongcheng të kombësisë yao, pasi aty të gjitha familjet përdorin gazin e metanit.

Përdorimi i gazit të metanit ka ngjallur shpresën e fshatarëve në kontenë Gongcheng të kombësisë yao në Rajonin Autonom të Guanxi-Zhuangut të Kinës Jugore dhe është bërë nyje lidhëse e sektorit të blegtorisë dhe shpendarisë me mbjelljen e kulturave bujqësore, duke siguruar funsionimin e mirë të ekonomisë ekologjike. Në të gjithë kontenë Gongcheng ekzistojnë më shumë se 50 mijë pika gazi metan, dhe në secilën prej tyre mund të mbarështohen deri në pesë krerë derra, kështu që është nxitur mjaft edhe ky sektor dhe konteja Gongcheng është sot ndër mbarështuesit më të mëdhenj të derrave në Rajonin Autonom të Guanxi-Zhuangut. Në të njëjtën kohë plehrat organike pa ndotje përmirësojnë cilësinë e kulturave bujqësore, duke shtuar prodhimin e drithrave të këtij distrikti për 10 vjet me radhë.

Pas fillimit të përdorimit të gazit metanit, edhe mjedisi në Gongcheng është përmirësuar dukshëm. Në këtë konte kursehen çdo vit 130 mijë tonë dru, ose priten 3000 hektarë pyje më pak, dhe përqindja e mbulimit me pyje është ngritur në 80 %, nga 47 % që ishte në vitin 1987. Meqë për prodhimin e gazit metan përdoret plehu i kafshëve, ose edhe ujërat e përdorur, mjedisi i fshatrave të kontesë Gongcheng është përmirësuar dukshëm dhe përqindja e sëmundjeve ngjitëse është ulur shumë. Sot banorët e kombësisë yao të kësaj konteje kanë shtëpi dykatëshe dhe pajisje të ndryshme elektroshtëpiake. Mund të thuhet se niveli i tyre I jetesës nuk është fort i ndryshëm nga ai në qytete. Huang Hongxiu, banore e fshatit Yangmei Leikou të Gongcheng-ut, shprehet:

"Kurrë nuk më shkonte ndër mend, madje as që e kisha ëndërruar ndonjëherë, që do të kisha një shtëpi kaq të mirë. Pa politikat dhe mbështetjen ekonomike të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, nuk mund të kishim një shtëpi të tillë!"

Kryetari i kontesë Gongcheng të kombësisë yao, z. Tang Yunshu, u shpreh se për ndërtimin e fshatit të ri kinez nuk mjafton vetëm ngritja e shtëpive të reja, por edhe duhet të përmirësohen kushtet e banimit të fshatarëve, të shtohen të ardhurat e tyre dhe të punësohen në vend krahët e tepërt të punës. Tang Yunshu thotë:

"Objektivi ynë është të hartohet një plan shkencor për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së fshatrave të kontesë, të ngrihet një fshat i ri turistik sipas standardeve dhe kërkesave të larta dhe të përsosen 20 fshatra të rinj, për të shpejtuar ndërtimin e fshatrave të rinj të distriktit tonë."

Zbatimi i konceptit të fshatit të ri ekologjik ka nxitur edhe zhvillimin e shpejtë të turizmit në fshatrat e kombësisë yao. Peizazhi i bukur, bujqësia ekologjike tërheqëse dhe zakonet e doket e veçanta të fshatit të ri Hongyan të kontesë Gongcheng të kombësisë yao, që ndodhet në mes të maleve të blerta, po tërheqin turistë nga mbarë Kina e madje gjithnjë e më shumë turistë të huaj dhe turizmi është bërë një degë e re që po zhvillohet shpejt në këtë fshat. Vitet e fundit vetëm nga turizmi, të ardhurat mesatare për frymë të banorëve të këtij fshati janë rritur me rreth 3 mijë juanë, madje të ardhurat vjetor të disa familjeve i kanë kaluar 100 mijë juanët. Banori i fshatit Hongyan nga kombësia yao, Zhu Tianyou, shprehet i gëzuar:

"Tani fshati ynë mund të presë njëkohësisht mbi 400 turistë. Kohët e fundit përditë kanë ardhur mjaft turistë."

Çdo familje në kontenë Gongcheng të kombësisë yao në Rajonin Autonom të Guanxi-Zhuangut kultivon pemë frutore dhe ka arritur shkallë-shkallë të bëjë administrimin unik të mbjelljes së frutave, përpunimit dhe shitjes së tyre, madje disa lloje frutash eksportohen edhe në vende të tjera. Konteja Gongcheng ka tërhequr tashmë jo vetëm tregtarë individualë frutash, por edhe kompani të mëdha të njohura në mbarë Kinën.

Me zhvillimin e pandërprerë të bujqësisë ekologjike dhe të fshatrave të rinj ekologjikë, kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha në mënyrën e jetesës dhe në konceptin e banorëve të kombësisë yao të këtij distrikti. Fakti që i gëzon më shumë ata është se po bëjnë një jetë të re të begatshme dhe të lumtur pa u larguar nga vendlindja. Një nga drejtuesit e kontesë Gongcheng të kombësisë yao, z. Li Qingcai, thotë:

"Dikur rendnim vetëm pas prodhimit të drithërave dhe, si pasojë, u dëmtua rëndë ekologjia dhe u frenua zhvillimi ekonomik. Përparimi i sotëm i bujqësisë ekologjike ka nxitur zhvillimin harmonik të ekonomisë dhe të natyrës. Prandaj kjo është një rrugë shkencore zhvillimi."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China