20140923fe |
Kohët e fundit, me publikimin e politikave mbështetëse nga qeveria qendrore dhe qeveritë vendore, makinat elektrike janë bërë përsëri fokusi i publikut në Kinë. Por, me rritjen e numrit të shitjeve të makinave elektrike, ngarkimi i baterive të tyre vijon të jetë një problem që pengon zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori. Një gjë e tillë ka ofruar një mundësi të mirë për kompanitë kineze të energjive të reja.
Z. Hu punon si drejtues taksie në Shenzhen të Kinës Jugore. Ai e bën këtë punë prej pothuajse 20 vjetësh dhe në dy vjetët e fundit nget makinë elektrike. Lidhur me ngarkimin e baterisë së saj ai shprehet:
"Tani gjendja është më e mirë se në të kaluarën. Tani ka mjaft pika ngarkimi baterish dhe kjo nuk është më një problem."
Ngarkimi i baterisë së një makine elektrike kërkon mbi një orë dhe këtë kohë z. Hu mund ta shfrytëzojë për të ngrënë. Ai përdor një nga pikat e ngarkimit të ngritura nga kompania kineze "Potevio New Energy". Zv.menaxheri i përgjithshëm i kësaj kompanie Liang Meixi thotë:
"Kjo pikë është më e madhja ndër 74 pikat e ngarkimit të baterive në mbarë qytetin. Këtu tani ka 19 shtylla ngarkimi. Një shtyllë e tillë mund të ngarkojë bateritë e tre makinave, pra këto shtylla mund t'u shërbejnë 57 makinave elektrike."
Deri tani, kompania "Potevio New Energy" ka vendosur mbi 900 shtylla ngarkimi baterish në Shenzhen, të cilat mund të ngarkojnë afro 4000 autobusë dhe mbi 800 taksi me energji të re. Kjo ka zgjidhur problemin e ngarkimit të baterive të makinave elektrike në këtë qytet. Për shembull, për ngarkimin e plotë të baterisë së një makine elektrike kërkohet një orë e gjysmë. Me një ngarkim të plotë, makina mund të udhëtojë mbi 200 kilometra. Kjo do të thotë që makina elektrike harxhon vetëm 0.1 juan për km, ndërsa makina tradicionale harxhon 0.6 juan për km.
"Në qendrën tonë të monitorimit kemi disa sisteme për garantimin e gjendjen e makinave, si edhe sigurinë e baterive, qoftë në ngarkim, qoftë në udhëtim. Kemi së pari një sistem të përgjithshëm që monitoron gjendjen e makinave dhe procesin e ngarkimit. Me këtë sistem mund të dimë gjendjen e baterisë, si tensionin, rrymën e temperaturën, dhe mund të garantohet mirë siguria e baterisë. Gjatë procesit të ngarkimit, nëse bateria nuk është në gjendje të rregullt, sistemi ynë do të japë alarmin dhe ne mund të gjejmë shpejt vendndodhjen e kësaj makine me një kod të posaçëm të saj. Pastaj mund të dërgojmë inxhinierët për ta kontrolluar dhe rregulluar."
Në këtë qendër monitorimi operatorët mund të shikojnë gjendjen e shtyllave të ngarkimit e të baterive të makinave. Nëse bateria nuk ka energji të mjaftueshme, operatorët mund të njoftojnë drejtuesit e makinave me telefonatë, mesazh në celular ose internet, që të shkojnë në pikën më të afërt për ngarkim.
Jiang Jianping është zv.menaxheri i përgjithshëm i kompanisë "Potevio New Energy". Ai bëri të ditur që kompania ka investuar mbi 2 miliardë juanë në energjitë e reja dhe gjysma e investimeve të saj është bërë në Shenzhen. Sipas tij, kjo platformë monitorimi dhe shërbimi është realizuar pas studimit dhe investimeve të kësaj kompanie. Megjithëse ky sistem është bazuar në teknologji moderne, Jiang Jianping mendon që ka ende hapësirë për përmirësim:
"Të gjitha të dhënat e mbledhura në këtë sistem mund të shpërndahen brenda mbarë sektorit të makinave elektrike. Këto të dhëna janë shumë të vlefshme, pasi Kina po synon të bëhet një vend i fuqishëm në prodhimin e makinave. Në bazë të këtyre të dhënave, mund të bëhen analizat mbi materialet e baterive, mënyrat e përdorimit nga konsumatorët dhe madje përcaktimi i çmimit të makinave elektrike. I gjithë ky sistem ka vlerë shumë të madhe."
Në vitin 2013 në Kinë vëllimi i automjeteve të prodhuara dhe të shitura arriti mbi 20 milionë, por numri i makinave elektrike të shitura ishte vetëm 26 mijë. Analistët parashikojnë që, me mbështetjen nga qeveria qendrore dhe pushteti vendor, shitja e makinave elektrike do të hyjë në një fazë të re, me 60-150 mijë në vit. Ekspertët e quajnë 2014-n si viti kthesë për sa i përket përdorimit të makinave elektrike. Sipas të dhënave të fundit, në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, vëllimi i shitjes së makinave elektrike e ka kaluar atë të mbarë vitit të kaluar.
Sipas planit, në vitin 2015 numri i makinave elektrike dhe i makinave hibrid në Kinë do të arrijë në 330 mijë, 20 herë më shumë se në vitin 2013. Për të përshpejtuar përhapjen e makinave elektrike, përveç subvencioneve dhe uljes së taksave, pushteti vendor në Shenzhen, Shangai dhe Pekin ka filluar bashkëpunimin me kompanitë e këtij sektori, duke ndërtuar më shumë pika ngarkimi. Jiang Jianping-u është i mendimit që, në kushtet e tanishme, shërbimet për makinat elektrike duhet të ofrohen nga kompanitë profesioniste.
"Shërbime të tilla duhet medoemos të ofrohen nga profesionistët, pasi në vendbanimet tona nuk ka kushte të përshtatshme për instalimin e shtyllave të ngarkimit të baterive. Kështu që shërbimet duhet të ofrohen nga operatorët profesionistë, të cilat mund të garantojnë ngarkim të shpejtë dhe cilësor. Kompania jonë po merret me këtë lloj shërbimi për makinat elektrike," tha Jiang Jianping-u.
Për shërbimet përkatëse, fjalët e shoferit Hu përfaqësojnë ato të njerëzve që kanë blerë makina elektrike dhe që i pëlqejnë ato:
(sinkron 7, Hu)
"Shpresoj që të shpejtohet procesi i ngarkimit dhe të zgjatet koha e udhëtimit të makinave elektrike". (Jiang Lei/Artani)