20140916hp |
Me numrin më të madh të përdoruesve të internetit në botë, Kina paraqet sfida, por edhe shumë mundësi të mira biznesi. Interneti është bërë tashmë një pjesë e domosdoshme e jetës së përditshme në Kinën urbane dhe Victor Koo e ka shfrytëzuar shumë mire këtë. Ai e ndihmoi fillimisht një kompani të re asokohe si "Sohu" të bëhej portali kryesor i internetit në Kinë, duke u kuotuar në Bursën "Nasdaq". Victor Koo u largua nga "Sohu" kur kishte një karrierë të shkëlqyer përpara, por ai kishte vendosur të krijonte kompaninë e vet "Youku", e cila brenda një viti u bë uebsajti numër një i videove në Kinë, duke u quajtur edhe "Youtube" i Kinës, ndonëse Victor Koo vetë nuk e pranon një cilësim të tillë. Motoja e kompanisë së tij është "Bota po shikon", dhe vërtet, bota po shikon nëpërmjet "syve" të "Youku"-së.
Victor Koo, i njohur edhe si Gu Yongqiang, ka lindur në vitin 1966 në Hong-Kong. I ati, inxhinier ndërtimi, e dërgoi Victor-in për të studiuar në Australi që kur ishte 14 vjeç. Në shkollën ku mësonte ai ishte nxënësi kinez i parë dhe i vetëm, duke qenë mjaft i zellshëm e duke treguar një pjekuri të tillë për moshën e cila i habiste mësuesit e tij. Shumë shpejt Victor-i i kaloi vështirësitë e të jetuarit e të të studiuarit në një vend tjetër dhe shkëlqeu në mësime. Pas përfundimit të shkollës së mesme, VictorKoonisi studimet në degën e kimisë të Universitetit të Uellsit të Ri Jugor. Kur familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1985, Victor-i vendosi t'i linte Australinë e kiminë dhe të hynte në Universitetin e Kalifornisë në Berkeleypër të studiuar në degën e ekonomisë. Por dy herë aplikimi i tij për të studiuar në këtë universitet u hodh poshtë. Ndonëse familja, miqtë e të afërmit e këshilluan që të përpiqej të hynte në një shkollë më pak prestigjioze, Victor-i ishte i vendosur që të studionte pikërisht në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley. Ai e përshkruan veten se është një njeri këmbëngulës për të bërë atë pas së cilës është i apasionuar. Dhe këmbëngulja e tij i dha frytet e veta dhe më në fund, pas aplikimit të tretë, Victor Koo nisi studimet në departamentin e ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ku u diplomua pas vetëm dy vjetësh. Në vitin 1989 ai nisi punë në firmën e konsultimeve të menaxhimit "Bain". Në vitin 1992 Victor e la punën në këtë kompani dhe nisi studimet për master në administrim biznesi në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Stanfordit, po ashtu mjaft të njohur.
Dy vjet më pas, fill pas marrjes së gradës master, ai u kthye në Kinë, ku nisi të punonte si zv.president në "Richina Capital Partners", një kompani ndërkombëtare investimesh me fokus në Kinë, ku ishte përgjegjës për median, zbavitjen dhe projektet industriale. Përvoja që pati në këtë kompani, ishte veçanërisht e vlefshme për Victor Koo, sepse e bëri që, megjithëse i sapokthyer në Kinë, të arrinte të kishte një të kuptuar të qartë e të thellë të mënyrës si funksiononte tregu kinez, si edhe të potencialit të madh të zhvillimit të këtij tregu, duke e ndihmuar të krijonte një rrjet të gjerë shoqëror në fushën e investimit të kapitaleve, që do ta ndihmonte shumë më vonë.
Pas pesë vjetësh pune në "Richina Capital Partners", pikërisht në mars 1999, Victor Koo nisi punë në kompaninë e internetit "Sohu", ku shërbeu fillimisht si kryezyrtar financiar e më pas edhe si president. Nën drejtimin e tij dhe të Zhang Zhaoyang-ut, "Sohu" u zhvillua shpejt, duke u bërë motori më i madh i kërkimit në internet në Kinë. Një nga arritjet më të mëdha të Victor Koo-së gjatë kohës që punonte në "Sohu" ishte blerja e 17173.com. Në fillim të mijëvjeçarit të ri kishte një konkurrencë shumë të ashpër në industrinë kineze të internetit, teksa kompani të tilla si "Sina", 163.com dhe "Tom" po tregonin përparësi të forta në këtë konkurrim. "Sina" po zinte vendin e parë për sa i përket renditjes së portaleve të internetit, ndërsa 163.com po shfaqej shumë e fortë në lojërat në internet. Kështu që rifitimi nga "Sohu" i vendit të parë në industrinë kineze të internetit ishte bërë një çështje kyçe për arritjen e suksesit afatgjatë nga kompania. Pas një shqyrtimi të thellë e të gjithanshëm, Victor Koo sugjeroi që "Sohu" të blinte 17173.com, uebsajti më i madh i komunitetit dhe i informacionit të lojërave në internet në atë kohë. Arsyet e sugjerimit të kësaj blerjeje ishte sepse, së pari, Victor Koo besonte se shërbimet e lojërave në internet do të ishin një biznes në rritje të shpejtë, pasi të dhënat e tregut tregonin se numri i atyre që luanin lojëra në internet në Kinë pothuajse u dyfishua në periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2003, çka dëshmonte për të ardhurat e larta që u krijuan nga ky sektor; së dyti, për shkak se kishte para të mjaftueshme në qarkullim, blerja e 17173.com do ta ndihmonte kompaninë "Sohu" të zinte një vend udhëheqës në industrinë e internetit në Kinë.
"Sohu" shpenzoi 20.5 milionë dollarë për blerjen e 17173.com, një sipërmarrje me të ardhura vjetore prej më pak se 800 mijë dollarësh dhe vetëm 200 mijë dollarë fitime në vit, kështu që shumë prej ekspertëve të industrisë së internetit e gjykuan këtë si një blerje jo fort të menduar. Megjithatë, Victor Koo vijoi të ishte me këmbëngulje i mendimit se blerja e 17173.com do ta forconte pozicionin e "Sohu" si një nga sipërmarrjet kryesore të internetit në Kinë dhe kapacitetin e saj në shërbimet për konsumatorin. Dhe më pas tregu dëshmoi se nga ana strategjike blerja e 17173.com nga "Sohu" ishte e drejtë: në vitin 2007 raporti financiar i "Sohu"-t tregoi se të ardhurat nga lojërat në internet të kompanisë arritën në 42.1 milionë dollarë, 394 % më shumë se një vit më parë (2006).
Dhe pikërisht kur ishte bërë tashmë një emër i njohur në sektorin e internetit në Kinë dhe i kishte përmbushur të gjitha objektivat kur nisi punën në kompani disa vjet më parë, në vitin 2005 Victor Koo dha dorëheqjen nga "Sohu", ndonëse vijon të ketë aksione aty edhe sot. Ambicia e tij e re ishte të shfrytëzonte mundësitë e paraqitura për të pasur një sipërmarrje të vetën. Dhe pas disa muajsh shqyrtimi, Victor Koo vendosi të hynte në sektorin e videove në internet, sepse besonte se bota po hynte në një erë të re, ku videot në internet, si një ndër aplikacionet kryesore të internetit, do të krijonin mundësi shumë të mira për biznes.
Victor Koo vë në dukje faktin se tre të katërtat e 420 milionë përdoruesve të internetit në Kinë tani shikojnë video, në krahasim me vetëm 10 për qind disa vjet më parë.
Duke shfrytëzuar dhe duke ndërthurur përvojën e fituar në sektorët e konsultimit, të investimeve dhe të internetit, Victor Koo ishte në gjendje të bëjë gjykime të sakta lidhur me kushtet e tregut. Për më tepër, e gjithë përvoja e tij në "Sohu", nga njohja e ulje-ngritjeve në industrinë e internetit, te financimi, do ta ndihmonin shumë për krijimin e sipërmarrjes së vet private.
Dhe kështu, duke shfrytëzuar burimet e tij të financimit, me 3 milionë dollarë Victor Koo krijoi në shtator 2005 uebsajtin e videove "Youku", emër për të cilin ai thotë se nuk ka lidhje as me mbiemrin e tij dhe as me uebsajtin e njohur të videove të "Google"-it "Youtube", por që thjesht në gjuhën kineze do të thotë "i shkëlqyer dhe interesant".
"Youku" nisi zyrtarisht nga funksionimi në fund të vitit 2006. Ai u lejon përdoruesve të ngarkojnë aty video, duke u mundësuar njerëzve nga e gjithë bota t'i shohin dhe t'i ndajnë ato me të tjerët. Ndonëse si "Youku", ashtu edhe "YouTube", janë të dy uebsajte videosh, dhe kësisoj në sipërfaqe duken mjaft të ngjashme, Victor Koo shprehet: "Nëse 'Youku' do të kishte marrë modelin e biznesit të 'YouTube', ne nuk do të ishim këtu. Ne as që do të ekzistonim". Më shumë se gjysma e videove në "YouTube", thotë ai, janë të bëra nga përdoruesit e uebsajtit. "Kjo do të thotë se shumica e vizitorëve aty janë njerëz që shikojnë videot me mace. Nuk mund të krijosh një biznes serioz me video macesh," shprehet duke vënë buzën në gaz Victor Koo.
Në të vërtetë, edhe "Youku" fillimisht e vuri theksin te përmbajtjet e prodhuara nga përdoruesit, por më tej e zhvendosi fokusin te videot e prodhuara në mënyrë profesionale, të licencuara nga mbi 1 500 partnerë të saj. Kështu, ndryshe nga simotra e vet perëndimore "Youtube", e cila pra është më shumë e fokusuar në videot e shkurtra të prodhuara nga përdoruesit, me një mesatare shikimi të faqes 2 deri në 3 minuta, "Youku" ka më shumë prodhime të mediave, kryesisht të mediave kineze. Modeli hibrid i "Youku"-së përbëhej fillimisht nga 70 % e përmbajtjeve e prodhuar në mënyrë profesionale, dhe 30 % e prodhuar nga përdoruesit e internetit, duke pasur një mesatare të shikimit të faqes prej më shumë se 10 minutash, ndërsa tani raporti ka kaluar në 85 % me 15 %, gjithnjë me epërsi të përmbajtjeve të krijuara në mënyrë profesionale. Për shkak pra se kryesisht përmban programe televizive dhe filma me gjatësi të plotë, vizitorët e "Youku"-së harxhojnë mesatarisht një orë në ditë në këtë uebsajt, në krahasim me vetëm rreth 15 minuta të uebsajteve tipike amerikane. Duke shfaqur programet televizive një ditë pasi ato janë transmetuar për herë të parë, Victor Koo ka krijuar diçka të ngjashme me një stacion televiziv në internet. Përdoruesit e "Youku"-së gjithsesi mund të postojnë videot e tyre dhe të paguhen nëse këto video pëlqehen. "Youku" po ashtu u paguan më shumë se 100 milionë dollarë në vit të drejta autori "Hollivudit" dhe studiove kinematografike e televizioneve kineze, si edhe prodhuesve koreanojugorë të telenovelave, mjaft të ndjekura në Kinë, dhe atyre japonezë të filmave të animuar.
Sigurisht, modeli i "Youku"-së funksionon më së miri, duke tërhequr një numër shumë të madh shikuesish. Deri më tani, përpjekjet e Victor Koo-së kanë bërë që "Youku" të ketë më shumë se 260 milion shikues në muaj, duke zënë 40 % të tregut sa i përket kohës së kaluar nga përdoruesit. Victor Koo thotë se disa nga filmat e "Youku"-së kanë arritur që të jenë më të kërkuar në motorët kinezë të kërkimit sesa filma të tillë mjaft të ndjekur si "Harry Potter".
Numri i madh i shikuesve sigurisht ka sjellë edhe rritjen e numrit të reklamuesve në uebsajt. "Youku" ka krijuar gjatë disa viteve të fundit partneritet me rreth 900 reklamues markash, duke përfshirë edhe emra të tillë si P & G, "Coca-Cola", "General Motors", "Apple", "Lenovo", "Samsung" dhe "China Mobile". Duke ndërthurur televizionin dhe publicitetin në internet, "Youku" po zë një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregut të reklamave.
Victor Koo mendon se një faktor tjetër që ka sjellë suksesin e kompanisë është se, ndryshe nga shumë konkurrentë kryesorë të saj, "Youku" mbështetet në teknologjinë e krijuar në mënyrë të pavarur, si edhe në rrjetin e vet të shfaqjes së përmbajtjes së videove, duke pasur një shpejtësi të madhe sa i përket kërkimit, shikimit e ngarkimit të përmbajtjes në uebsajt, duke u bërë kështu edhe më tërheqës për vizitorët dhe reklamuesit.
Në vitin 2007 Victor Koo shpalli konceptin e shikimit të videos në vend të konceptit të shikimit të faqes së internetit që përdorej nga portalet e tjera të internetit. Ndërsa portalet përdornin shikimin e faqes së internetit për të tërhequr reklamuesit, Victor Koo ishte i mendimit se koncepti i shikimit të videos do të sillte më shumë prej këtyre reklamuesve, për shkak se përdoruesit e internetit kalojnë më shumë kohë duke parë videot sesa duke parë faqet e internetit. Sot "Youku" ka disa parametra për të matur paraqitjen e vet, duke përfshirë kohën e kaluar nga përdoruesit, shikimen e videove, shikimin e faqeve, numrin mujor të vizitorëve unikë të uebsajtit etj. Në të gjithë këta parametra, "Youku" ka qenë gjithmonë ndjeshëm përpara konkurrentëve. Falë këtyre përparësive konkurruese, në një periudhë të shkurtër "Youku" u bë uebsajti nr. 1 i videove në Kinë, me të ardhura që u rritën 500 % nga viti 2008 në 2009-n, duke arritur në 200 milionë juanë, ose më shumë 30 milionë dollarë amerikanë.
Për të luftuar piraterinë, "Youku" krijoi në fillim të vitit 2010 "Platformën e administrimit të identifikimit të të drejtave të autorit", që synonte të gjente dhe të hiqte materialet pirate. "Youku" po ashtu u përfshi në Komitetin e Rrjetit të të Drejtave të Autorit të Kinës dhe në Aleancën Kineze të Luftës kundër Piraterisë së Videove në Internet, për të luftuar kundër piraterisë në muzikë, filma dhe televizione në internet.
Në 2010 "Youku" bashkëpunoi me Televizionin Qendror të Kinës (CCTV) për një version të koncertit të madh të Vitit të Ri Kinez, që është ndoshta shfaqja më e shikuar televizive në histori, me 800 milionë shikues. Më vonë "Youku" bleu të drejtat nga transmetuesi shtetëror për të transmetuar ndeshjet e Kupës së Botës në futboll, si të asaj të Afrikës së Jugut, ashtu edhe sivjet të Brazilit. "Youku" gjithashtu transmeton filma të "Hollivudit", me pagesë (5 juanë).
Victor Koo shprehet se "Youku" zotëron hapësirën e mjaftueshme për të shtuar të ardhurat nga reklamat. "Në uebsajtin tonë ne kemi një minutë reklama në orë, në krahasim me 12 minuta në televizionet kineze. Mendoni se sa mundësi të mëdha rritjeje kemi," thotë ai.
Victor Koo iu bashkua klubit të miliarderëve të Kinës në dhjetor 2010, pikërisht kur "Youku" u kuotua në bursën e Nju-Jorkut me një ofertë publike fillestare prej 203 milionë dollarësh. Vlera e aksioneve të kompanisë arriti nga 12.80 dollarë në 33.44 dollarë në ditën e parë të tregtimit, duke u rritur me 161 % dhe duke përbërë ditën më të mirë e hapjes në pesë vjet në Bursln e Nju-Jorkut. Një ditë më pas vlera e aksioneve të "Youku"-së më shumë se u trefishua, duke e çuar vlerën e "Youku"-së në gati 5 miliardë dollarë. Kjo ishte rritja e dytë për nga madhësia në tregtimin debutues të një oferte publike fillestare në bursat amerikane në dhjetëvjeçarin e fundit. Në nëntë muajt e parë të atij viti të ardhurat e raportuara të "Youku"-së arritën në 35.1 milionë dollarë amerikanë. "Youku" është një kompani që nxit përfytyrimin e investitorëve," shprehet Jack Ablin, kryezyrtari i investimeve në Bankën Private "Harris" me qendër në Çikago. "Oferta publike fillestare e 'Youku'-së përbën një ndërthurje të Kinës e internetit dhe çdo investitor po përpiqet të përfitojë nga një ndërthurje e tillë mbresëlënëse".
Megjithëse në prag të kuotimit të "Youku"-së vuajti nga një dhimbje fyti, në përpjekje për të gjetur investitorë ("Bëra 87 paraqitje në 12 ditë në prag të ofertë publike fillestare", kujton ai), Victor Koo shprehet se kuotimi në bursë nuk synonte thjesht mbledhjen e fondeve. "Ne e bëmë këtë për arsye strategjike. Ne kishim tashmë 50-60 milionë dollarë amerikanë në bankë. Nuk kishim nevojë shumë të madhe për para. Kuotimi në bursë do të përmirësojë imazhin tonë te agjencitë e reklamave dhe rregullatorët qeveritarë," thekson Victor Koo.
Në fillim të vitit 2012 "Youku" bleu rivalin e vet kryesor, "Tudou", në një marrëveshje me vlerë prej 1.1 miliardë dollarësh. Në atë kohë, "Youku" kishte 21.8 për qind të tregut, ndërsa "Tudou" 13.7 për qind. Grupi, që tashmë quhet "Youku-Tudou", siguron 36 % të të ardhurave nga reklamat në internet në Kinë dhe ka rreth 490 milionë përdorues.
Aksionerët e "Youku"-së zotëruan 71.5% të kompanisë së re, dhe aksionarët e "Tudou"-t 28.5%.
Victor Koo shprehet se tashmë "Youku-Tudou" e ka vënë theksin te celulari. "Celulari është bërë tashmë platforma numër një për 'Youku Tudou'. Ne jemi udhëheqës të padiskutueshëm në të gjitha parametrat e rëndësishëm dhe numri ditor i shikimit të videove në uebsajtin tonë në celular ka arritur në 400 milionë. Investimet tona të vazhdueshme në prodhimin e përmbajtjeve të ndryshme na kanë mundësuar të diversifikojmë burimin e të ardhurave tona," shprehet Victor Koo.
"Videot në internet janë një fushë kyçe e rritjes së industrinë e internetit dhe kemi në plan të transformuar më tej modelin e biznesit të 'Youku Tudou'-t," vë në dukje Viktor Koo. "Transformimi kërkon të bëjmë investime shtesë dhe të diversifikojmë modelet e të ardhurave. Investimi strategjik nga 'Alibaba' do të forcojë financat tona dhe do të na mundësojë të përshpejtojmë zgjerimin në mundësi të reja biznesi. "
Pasuria e Victor Koo, që në janar të vitit 2014 zotëronte 22 % të aksioneve në "Youku Tudou", llogaritet në vlerën e 1.2 miliardë dollarëve amerikanë.