20140902hp |
Punonjësit e zinxhirit më të madh të dyqaneve të shitjes me pakicë të pajisjeve elektroshtëpiake në Kinë duhet të jenë çdo ditë të kujdesshëm: pronari i tyre mund të shfaqet nga çasti në çast në dyqan dhe të shtiret sikur është klient.
Foto nga CFP
Zhang Jindong-u, i cili e themeloi Kompaninë e Pajisjeve Elektroshtëpiake "Suning" në vitin 1990, shpesh futet në një nga dyqanet e tij të shumta në të gjithë Kinën për të parë se si është niveli i shërbimit. Dhe ka pak të ngjarë që shumica e mbi 120 000 punonjësve të "Suning"-ut, me përjashtim të menaxherëve, ta njohin.
Tek e fundit, Zhang Jindong-u është në përgjithësi njeri i qetë dhe që nuk dëshiron të bjerë në sy, ndryshe nga mënyra e tij e të bërit biznes, që është përshkruar si agresive dhe largpamëse.
Një pjesë e mirë e ambicies së Zhang Jindong-ut mund ta kenë zanafillën në vendosmërinë e tij shumë të madhe për të qenë i suksesshëm, veçanërisht pasi humbi prindërit e tij në një moshë të vogël. E ëma i vdiq kur ai ishte shtatë vjeç, kur babai katër vjet më pas.
Zhang Jindong-u ka lindur në vitin 1963 në një familje të varfër në Tianshui të provincës Anhui të Kinës Lindore dhe ishte më i vogli ndër katër fëmijët.
"Jeta ishte shumë e rëndë dhe e vështirë," kujton Zhang Jindong-u, veçanërisht pas vdekjes së prindërve. Ai dhe vëllezërit e motra e tij duhej të punonin pas shkollës për të siguruar bukën e gojës.
Foto nga CFP
Falë sidomos vëllait të vet të madh, i cili ishte 12 vjet më i madh dhe që nisi të punonte me kohë të plotë, Zhang Jindong-u qe në gjendje të përfundonte shkollën e mesme dhe të niste në vitin 1984 studimet e larta për gjuhë dhe letërsi kineze në Universitetin Pedagogjik të Nankinit.
Por nuk ishte mësimdhënia rruga e karrierës që do të ndiqte Zhang Jindong-u. Pas diplomimit ai nisi të punojë për një firmë të instalimit e kondicionerëve të ajrit, ku kaloi gjashtë vjet "të mërzitshëm dhe të qullët", siç i cilëson vetë ai. Kështu në vitin 1990, kur ishte 27 vjeç,Zhang Jindong-u e la punën dhe me një kapital fillestar prej 100 mijë juanësh (mbi 16 mijë dollarë amerikanë), një pjesë nga paratë që kishte kursyer dhe të tjera që ia mori borxh të vëllait, themeloi Kompaninë e Pajisjeve Elektroshtëpiake "Suning". Zhang Jindong-u mori me qira një hapësirë 200 metra katrorë në kryqëzimin e rrugëve "Jiangsu" dhe "Ninghai" të Nankinit, duke hapur dyqanin e parë "Suning". Pikërisht emri "Suning" vjen nga emrat e këtyre dy rrugëve: rrokja e dytë e emrit "Jiangsu" dhe e para e emrit "Ninghai".
Suksesi i mëpasshëm i Zhang Jindong-ut erdhi jo vetëm nga vendosmëria e tij, por edhe nga idetë novatore dhe vizioni i tij.
Foto nga CFP
"Suning"-u fillimisht merrej vetëm me shitjen me shumicë të kondicionerëve të ajrit.Në atë kohë tregu i pajisjeve elektroshtëpiake mbizotërohej nga televizorët dhe frigoriferët, ndërsa kondicionerët nuk ishin shumë të përhapur në Kinë, megjithatë kjo ishte një lëvizje e zgjuar: Nankini ku e hapi dyqanin Zhang Jindong-u,është një qytet shumë i nxehtë në verë dhe njihet si një prej "Tre furrave" (dy qytetet e tjera janë Chongqing-u dhe Wuhan-i). Zhang Jindong-u gjithashtu e kuptoi më parë se mjaft të tjerë se, me përmirësimin e standardeve të jetesës, pajisje të tilla si kondicionerët – që deri atëherë quheshin si artikuj luksi - do të bëheshin gjithnjë e më të përhapur në Kinë. Po ashtu, Zhang Jindong-u paraqiti konceptin e instalimit falas për të gjithë ata që blenin një kondicioner prej tij.
Largpamësia dhe idetë novatore të Zhang Jindong-ut hodhën një themel të fortë për suksesin e tij dhe kështu, që në vitin e parë Zhang Jindong-uu bë milioner në juanë, duke fituar 10 milion juanë (1.62 milionë dollarë amerikanë) nga shitjet me vlerë mbi 60 milionë juanë. Dhe Zhang Jindong-u ishte vetëm 28 vjeç në atë kohë.
Po atë vit ai hapi edhe dy dyqane të tjera, një në Nankin dhe tjetrin në një qytet afër, Yangzhou.
Por suksesi solli shtimin e konkurrencës nga rivalët e tij, disa nga të cilët u bashkuan dhe i kërcënuan me bojkotim prodhuesit e pajisjeve shtëpiake nëse vazhdonin të furnizonin "Suning"-un. Por kjo përpjekje dështoi, pasi "Suning"-u kishte krijuar tashmë marrëdhënie shumë të mira me të gjithë furnizuesit, thotë Zhang Jindong-u.
Nëpërmjet bashkëpunimit të fortë me prodhuesit dhe ofrimit të shërbimeve të specializuara, "Suning"- fitoi, dhe në vitin 1993 të ardhurat vjetore të Zhang Jindong-ut arritën në 300 milionë juanë, me një rritje 182 për qind krahasuar me një vit më parë.
Por dy vjet më vonë, në vitin 1995, Zhang Jindong-u bëri sërish ndrydhime në strategjinë e tij, duke arritur në përfundimin se në të ardhmen do të ishte më mirë që "Suning"-u të shiste me pakicë e jo me shumicë. Fillimisht Zhang Jindong-u hapi dyqane të shitjes me pakicë vetëm të kondicionerëve, por në vitin 2000 vendosi që të zgjerojë ambiciet e tij, duke shtuar pajisje të tjera elektroshtëpiake në dyqanet e tij. Po ashtu, në kapërcyell të shekullit, Zhang Jindong-u vendosi zgjerimin e mëtejshëm të "Suning"-ut dhe filloi ngritjen e dyqaneve në qytete dhe provinca të tjera të Kinës, duke u bë i pari tregtues i pajisjeve elektroshtëpiake në Kinë që zbatonte konceptin e dyqaneve zinxhir.
Jo të gjithë e mendonin si të arsyeshëm vizionin e Zhang Jindong-ut. Në të vërtetë, shumë bashkëpunëtorë dhe miq të tij u përpoqën ta bindnin atë ta mbyllte dyqanin në Nankin dhe ta jepte me qira Ndërtesën shumëkatëshe "Suning", e vendosur në një zonë kryesore tregtare të qytetit, për të paktën 30 milionë juanë një vit. Por Zhang Jindong-u nuk pranoi.
"Edhe në qoftë se kemi një humbje prej 40 milionë juanësh në vit, 'Suning'u do të ndjekë modelin e zinxhirit të dyqaneve," tha Zhang.
Koha provoi se ai kishte të drejtë. Sistemi i dyqaneve zinxhir të "Suning"-ut është zgjeruar shpejt në mbarë Kinën: mesatarisht, "Suning" hapte një dyqan në 40 ditë në vitin 2001, arriti në një në 20 ditë në vitin 2002, një në 7 ditë në vitin 2003, dhe tani pothuajse çdo ditë hapet një dyqan i ri "Suning". "Suning"-u ka tani mbi 1700 dyqane në më shumë se 600 qytete në Kinë.
Foto nga CFP
Zhang Jindong-u thotë se në vitin 2000, koncepti i menaxhimit të dyqaneve zinxhir ishte i ri. "Tani, menaxhimi i zinxhirit të dyqaneve është i shtrirë në mbarë vendin dhe të gjithë konkurrentët tanë po e ndjekin këtë koncept," thotë ai.
Gjatë procesit të zhvillimit, Zhang Jindong-u e ka udhëhequr kompaninë e vet "Suning" në krijimin e një vargu mënyrash të reja menaxhimi, të cilat madje janë përfshirë në materialet mësimore për llojet e menaxhimit të një numri shkollash biznesi në universitetet më të njohura.
Zhang Jindong-u është i etur pas punës, ai punon 16 orë në ditë dhe merr pjesë në rreth 200 takime biznesi në vit.
Atij gjithashtu, siç e thamë në fillim të këtij emisioni, i pëlqen të vizitojë dyqanet e "Suning"-ut në të gjithë Kinën për të parë nga afër se si shkojnë punët dhe për të qenë në kontakt të drejtpërdrejtë.
"Unë i përgjigjem telefonit në qoftë se punonjësit e mi më telefonojnë për të diskutuar për çështje të biznesit tonë, madje edhe natën vonë", thotë Zhang Jindong-u. "Ata e dinë zakonin tim dhe nuk kanë frikë të shqetësojnë."
Dhe pavarësisht numrit të madh të menaxherëve profesionistë në "Suning", Zhang Jindong-utende i pëlqen të bëjë shumë gjëra vetë.
Për shembull, gjatë vizitave të tij nëpër dyqanet e "Suning"-ut, ai shikon nëse stafi është në përputhje me rregulloret e kompanisë, deri në hollësi të tilla si kodi i veshjes.
Ndonëse në Listën e të Pasurve të Kinës Kontinentale të Hurunit për vitin 2013, Zhang Jindong-u renditet i nënti, me 39.5 miliardë juanë (më shumë se 6.5 miliardë dollarë amerikanë), ai përsëri është shumë i dashur me punonjësit dhe beson se komunikimi efektiv ndërmjet tyre dhe drejtuesve të kompanisë është shumë i rëndësishëm. Ai i këshillon të gjithë që duan për të hapin një biznes që të kultivojnë frymën e ekipit.
Ndonëse Zhang Jindong-u është shumë kërkues ndaj stafit të tij, ai është njëkohësisht edhe shumë shpërblyes. Rreth 10 % e "Suning"-ut, i cili u listua në Bursën e Shenzhen-it në vitin 2004, u është dhënë punonjësve nëpërmjet një skeme të shpërndarjes së aksioneve. Zhang Jindong-u një herë është shprehur se, në qoftë se kompania ruan rritjen e saj aktuale, skema mund të krijojë 1 000 miliarderë në juanë brenda pak viteve.
Foto nga CFP
"Suning"-u është bërë tashmë kompania më e madhe e tregtisë me pakicë në Kinë dhe renditet ndër tre vendet e para në gjirin e kompanive private kineze, me një vëllim shitjesh që i kanë kaluar 230 miliardë juanë (më shumë se 37 milionë dollarë amerikanë). Sipas planit të ri të kompanisë, deri në vitin 2020 numri i dyqaneve të "Suning" do të rritet në 3 500, me një vëllim shitjesh 680 miliard juanë (110 milionë dollarë amerikanë). Zhang Jindong-u ka aplikuar gjithashtu për të hapur sivjet të parën bankë private në Kinë.
Zhang Jindong-u e lidh zgjerimin e shpejtë të kompanisë së tij në tregun e brendshëm të pajisjeve elektroshtëpiake me ndryshimin në sjelljen e konsumatorëve kinezë, si edhe përmirësimin e kapacitetit të prodhimit, produktivitetit dhe efektivitetit të kompanive prodhuese kineze. Pajisjet elektroshtëpiake në Kinë janë kthyer nga mallra luksi dikur në mallra të konsumit të përditshëm. Ndërsa fillimisht ishin të tërhequr pas mallrave të importit, konsumatorët kinezë tani parapëlqejnë markat vendore. Markat kineze kanë krijuar tashmë një profil global dhe kanë arritur nivelet ndërkombëtar.
"Vërtet kisha në planet e mia që ta bëja një kompani të madhe, por nuk kisha menduar kurrë për zgjerimin e bizneseve të saj në mbarë Kinën ose në vende të tjera," kujton Zhang.
Zhang Jindong-u i ka hedhur sytë tashmë përtej pjesës kontinentale të Kinës, duke synuar blerjet dhe bashkimet. Në vitin 2009, "Suning"-u investoi 57.3 milionë juanë (rreth 9.5 milionë dollarë) për të blerë 27.36 % të aksioneve të "Laox"-it, një zinxhir dyqanesh elektroshtëpiakesh në Japoni i krijuar në vitin 1930, duke e rritur më pas pjesën e vet në 65.3%. Në dhjetor të po atij viti "Suning" bleu "Citicall Appliance" me seli në Hong-Kong për 190 milionë dollarë hongkongas (24 milionë dollarë amerikanë).
"Suning" tani po synon të zgjerohet në Azinë Juglindore, si dhe në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ose nëpërmjet hapjes së dyqaneve, ose nëpërmjet blerjeve e bashkimeve, thotë Zhang Jindong-u.
Zhang shton megjithatë se, edhe pse "Suning"-u konsiderohet si një kompani të madhe, ajo është ende e re dhe përballet me shumë sfida. Një problem është mungesa e stafit me një vizion global, diçka që sipas Zhang-ut pengon rritjen jashtë vendit kompanisë. Por ai beson se brenda 10 vjetësh "Suning" do të bëhet një zinxhir dyqanesh shumëkombësh në Azi, Evropë dhe kontinentin amerikan.
Ndonëse "Suning"-i ka pasur një rritje të madhe e të qëndrueshme edhe në kushtet e krizës, Zhang Jindong-u thotë se ai dhe stafi i tij duhet të jenë të kujdesshëm. "Edhe disa probleme të parëndësishme mund ta bëjnë "Suning"-un të dështojë në këtë treg konkurrues. Suksesi nuk mund të vijë vetëm duke u mbështetur në përpjekjet e dikujt," thotë ai. "Gjithashtu, duhet të jesh aventurier, por njëkohësisht dhe i matur."
Por Zhang Jindong-u këshillon edhe kundër maturisë së tepërt: "Nëse rend verbërisht pas qëndrueshmërisë së biznesit dhe frikësohesh nga humbja, atëherë është e vështirë të arrish sukses."
Zhang Jindong-u nuk ka frikë nga konkurrenca. "Në tregun e pajisjeve elektroshtëpiake, konkurrenca gjithmonë do të ekzistojë," thotë ai. "Konkurrenca vjen jo vetëm vjen nga treguesit vendës, por edhe nga kompanitë, dyqanet ose supermarket e huaja."
"Megjithatë, ne duam vetëm të përqëndrohemi në biznesin tonë dhe të zbatojmë planet tona, dhe kështu duhet të jenë konkurrentët ata të cilët duhet të shqetësohen dhe të mundohen të ecin me ritmin tonë."
"Konkurrenca në tregun e pajisjeve elektroshtëpiake është e ashpër. Gjatë më shumë se 15 vjetëve, shumica e rivalëve tanë janë larguar," tha Zhang në 20-vjetorin e kompanisë. "Ne duhet t'i falënderojmë këta rivalë, sepse i kanë krijuar 'Suning'-ut më shumë mundësi për t'u zhvilluar duke hequr dorë nga bizneset e tyre."
Është këmbëngulja dhe qëndresa e Zhang Jindong-ut që kanë siguruar rritjen e shpejtë të "Suning"-ut në luftën e ashpër tregtare me simotrat e veta.
"Gome", rivali kryesor i "Suning"-ut, dikur numri një në Kinë në tregtimin me pakicë të pajisjeve elektroshtëpiake, u zhyt në krizë në fund të vitit 2008. Kjo i lejoi "Suning"-ut që ta blejë "Gome" në vitin 2009. "Tashmë gara ka marrë fund," thotë me buzëqeshje Zhang Jindong-u duke iu referuar konkurrencën së dikurshme mes "Gome" e "Suning". Gjithashtu, "Suning"-u pritet ta kalojë edhe atë që mbahet si kampioni global, "Best Buy".
Foto nga CFP
Zhang Jindong-u thotë se "Suning"-u është gjithmon në kërkim të modeleve të reja të biznesit dhe të platformave të tjera të shitjes dhe tashmë "Suning"-u është edhe në internet, me objektivin që të zërë më shumë se 20 për qind të tregut të pajisjeve elektroshtëpiake në internet.
Zhang thotë se tregtia në internet në Kinë ka një potencial të madh. Kina pritet që ta kalojë SHBA-në dhe të bëhet tregu më i madh në botë i shitjes me pakicë në internet në vitin 2015.
Të njëjtat prirje që Zhang Jindong-u mendon se i sollën sukses biznesit të tij dy dhjetëvjeçarë më parë, po e nxitin edhe tregtinë elektronike sot: të ardhurat në rritje dhe urbanizimi. "Në atë kohë çdo familje në Kinë donte katër pajisje: një frigorifer, një TV, një makinë larëse dhe një magnetofin. Sot një brez në gjendje më të mirë i konsumatorëvë kineze dëshiron t'i ketë të gjitha," shprehet ai
Pavarësisht ngadalësimit aktual, vëren Zhang, rritja e shpenzimeve të konsumatorit kinez do të jetë pozitive edhe për të paktën dhjetë vjet, duke krijuar mundësi shumë të mira.
Zhang Jindong-u mendon se ajo që do të duan konsumatorët e tregtisë në internet është mbi të gjitha shërbimi, ashtu si edhe kur ai ishte shiste kondicionerë në vitet '90 të shekullit të kaluar. "Kur nisa të fillim të shitja kondicionerë, klientët ishin të gatshëm të paguanin 200 juanë më tepër për të blerë nga 'Suning'-u," thotë ai. "E dini pse? Shërbimi ishte i mirë." Zhang mendon se, edhe pse në luftën e tregtisë elektronike sot në Kinë, duket se "askush nuk e vlerëson shërbimin," shërbimi përsëri ka rëndësi.
Foto nga CFP
Zhang Jindong-u dhe "Suning"-u i kushtojnë shumë vëmendje përmbushjes së përgjegjësive publike dhe janë të përfshirë në mënyrë aktive në çështjet e mirëqenies shoqërore. Në vitin 2008, Zhang Jindong-u personalisht dhuroi 50 milionë juanë për tërmetin shkatërrimtar në Wenchuan të Sichuan-it, duke shënuar një rekord të dhurimeve vetjake në atë kohë. Gjatë viteve të fundit, Suning ka bërë dhurim të përgjithshëm prej më shumë se 700 milion juanësh (rreth 114 milionë dollarë amerikanë.
Zhang Jindong-u është nderuar me titujt "Personazh ekonomik i vitit 2006" nga CCTV; "Çmimin i bamirësisë i Kinës" nga Ministria e Punëve Civile e Kinës, "Dhjetë njerëzit model për të mirën e përgjithshme " nga Federata e Bamirësisë e Kinës, "25 drejtuesit e sipërmarrjeve me ndikim më të madh në Kinë" radhazi për 5 vjet etj.
Foto nga CFP
Zhang Jindong-u ka thënë: "Njerëzit duhet t'i shfrytëzojnë mundësitë për të bërë para dhe të ndërmarrin veprime të vendosura. Nëse dështon, fillo nga e para, nuk ka asgjë për t'u frikësuar. Nëse ke gjithmonë frikë nga dështimet dhe ngurron, atëherë do të jetë e vështirë për të pasur sukses."