PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Poeti më i pasur në botë
2014-08-26 16:49:18 CRI Komenti juaj Printoni

Huang Nubo,themeluesi i Grupit të Investimeve "Zhongkun", është sipërmarrës, filantrop, poet, alpinist dhe eksplorator. Djali i vogël jetim të cilit i duhej ndonjëherë të lypte lëmoshë për të mbushur barkun, tani zotëron një konglomerat të madh dhe ka një pasuri që shkon në gati 1 miliard dollarë.

Huang Nubo ka lindur në kryeqendrën e provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore Lanzhou në vitin 1956. Kur ai ishte dy vjeç, familja e tij u zhvendos në Yinchuan të Rajonit Autonom Ningxia-Hui. I ati ishte oficer dhe u nda nga jetakur Huang Nubokishte mbushur vetëm tre vjeç. Dhjetë vjet pas vdekjes së të atit Huang humbi edhe të ëmën, duke mbetur kështu jetim. Huang Nubo-së i duhej të kërkonte lëmoshë dhe ndodhte ndonjëherë që të mos kishte asgjë për të ngrënë për një ditë të tërë. "Uria dhe vështirësitë ishin 'shokët' e mi në atë kohë," thotë ai. "Mund të gjeja paqe dhe ngushëllim vetëm në përqafimin e maleve".


Foto nga CFP

Ai mësoi të jetë me vullnet të fortë dhe i njerëzishëm nga ato vite, megjithatë shprehet: "Vuajtjet të hedhin një hije mbi zemër e shpirt dhe ti ndien dhimbje edhe në qoftë se arrin në kulmin e jetës." Huang mbijetoi duke luftuar, siç thotë vetë, "si një ujk".

Nubo, që do të thotë "valë e zemëruar", nuk është emri që i vunë prindërit. Në fillim ai quhej Yuping, që mund të përkthehet "paqja e nefritit". Por një ditë kur ishte në moshën 16 vjeç, Huang po shikonte valët e Lumit të Verdhë që përplaseshin në breg dhe kjo i dha idenë të ndryshonte emrin: "Mora vendim t'i jepja lamtumirën jetës sime të deriatëhershme e ta ndryshoja. Nuk isha i qetë, isha i zemëruar si ato valë që përplaseshin në breg."

Një vit më pas, si pjesë e fushatës për t'i dërguar të rinjtë për të jetuar në fshat, Huang Nubou çua në lokalitetin Tonggui pranë Yinchuan-it, ku fitoi njëfarë fame, për shkak të të qenit aktiv në veprimtaritë rinore. Huang Nubo madje krijoi aty edhe një ekip basketbolli. Në vitin 1977 në Kinë rifilluan provimet e pranimit në universitet dhe Rajonit Autonom Ningxia-Hui iu caktua një vend i vetëm në Universitetin e Pekinit, një institucion arsimor shumë prestigjioz. U vendos që ky vend t'i jepej një nxënësi nga Tonggui, dhe pikërisht Huang Nubo-së, me motivacionin se ai ishte "i mirë në mësime, i talentuar në poezi, i edukuar dhe i mbështetur nga njerëzit." Huang Nubo fitoi kështu të drejtën për të studiuar në departamentin e gjuhës dhe të letërsisë kineze të Universitetit të Pekinit.

Ashtu si edhe shumë të tjerë, Huang Nubo e pa arsimimin si rrugë për të dalë nga varfëria e për të pasur një jetë më të mirë. Pas diplomimit në vitin 1981, Huang Nubo nisi punë në zyrën e kuadrit në Departamentin e Publicitetit të Partisë Komuniste të Kinës, ku pas katër vjetësh, pikërisht kur ishte vetëm 29 vjeç, u bë drejtor. Më pas, në vitin 1990, ai kaloi në Ministrinë e Strehimit dhe të Zhvillimit të Qytetit e të Fshatit.

Por teksa e ardhmja e karrierës së tij zyrtare dukej e ndritur, Huang Nubo filloi të ndihej i shqetësuar. "Ti rri atje dhe duket sikur koha nuk lëviz. Doja të shpëtoja. Kisha nevojë për liri," thotë ai. Gjatë kësaj kohe, Huang Hubo u zhduk në botën e tij, duke shkruar dhe botuar poezi. "Poezia ishte një arratisje," kujton ai. Pika e kthesës duket se erdhi kur lexoi novelën e Anton Çehovit "Vdekja e një nëpunësi". "U shtanga dhe më dolën djersë të ftohta. Nuk mund të përfundoja si personazhi i novelës. Doja të shihja se si mund të jetoja pasi ta lija punën e shtetit," ndërmend Huang Nubo. "Po të mos kisha ikur, mund të kisha ngjitur shkallët e karrierës, por kjo do të kishte qenë tërë jeta time. Por unë ëndërroja për horizonte dhe sfida të reja. Ashtu si çdo poet, kam përfytyrim të gjallë, por nuk jam shumë praktik."

Dhe kështu që Huang Nubo hyri në biznesin privat, duke filluar së pari me disa marrëveshje të vogla për shitblerjen e mallrave, derisa më në fund, në vitin 1995, ngriti kompaninë e vet "Zhongkun", që sot quhet Grupi i Investimeve "Zhongkun". Një vit pas krijimit të "Zhongkun"-it Huang Nubo nisi studimet për marrjes e grades "master" në administrim biznesi në Shkollën e Biznesit Ndërkombëtar të Kinës, gjë që luajti një rol të rëndësishëm në rrugën e tij për t'u bërë një sipërmarrës i suksesshëm.

Në vitin 1997, Huang Nubo dhe Li Ming, që asokohe studionte edhe ai në në Shkollën e Biznesit Ndërkombëtar të Kinës (sot manjat i sektorit të pasurive të patundshme, kryetar ekzekutiv i bordit të Sino-Ocean Land Holdings) bënë 50 milionë juanë (më shumë se 8.1 milionë dollarë amerikanë) falë një projekti të pasurive të patundshme në Pekin. "Zhongkun"-i do të fitonte më pas të drejtat e ndërtimit të projekteve më të mëdha dhe kështu Huang Nubo filloi të grumbullojë pasurinë e tij.

Megjithatë, Huang Nubo nuk ishte i kënaqur me kaq dhe në vitin 2004 u zhvendos në zhvillimin e turizmit. Mjaft nga punonjësit e kompanisë u befasuan: në vitin 2004 tregu i pasurive të patundshme ishte në lulëzim dhe disa mendonin se, duke e zhvendosur fokusin e vet, "Zhongkun"-i po humbte kështu një mundësi të mirë. Huang Nubo u përgjigj se gjithmonë do të kenë njerëz më të fortë dhe më të pasur se ju. Pse të luftosh atëherë për burime të kufizuara?

Dhe strategjia e Huang Nubo-së ishte që të mos konkurronte, por të bënte diçka që askush tjetër nuk ishte duke bërë: të krijonte risi.

Ee kështu, për ta zgjeruar më tej "Zhongkun"-in, Huang Nubo krijoi një koncept të ri, "pasuri të patundshme turistike", pra ndërthurja e turizmit me pasuritë e patundshme. Me përvojën e fituar në shfrytëzimin e turizmit, dhe në veçanti në veprat disamilionëshe turistike në provincën Anhui dhe në jug të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, kompania e tij, "Zhongkun", ka arritur të bashkojë në një tërësi turizmin dhe pasuritë e patundshme. Nëpërmjet sistemit të anëtarësimit, Huang Nubo ka mundësuar që investitorët të fitojnë si prej pasurisë së patundshme, ashtu edhe prej investimeve në fushën e turizmit.


Foto nga CFP

Huang Nubo bëri shumë investime të zona të largëta të Kinës, që shumë nuk i shihnin me potencial për turizmin. Kështu ai investoi 2 miliardë juanë (më shumë se 325 milionë dollarë) për ndërtimin e dhjetëra e hoteleve në jug të Xinjiang dhe ka investuar në resorte turistike dhe hotele me pesë yje në Huangshan të provincës Anhui. Të dy projektet vlerësohen si kryevepra e tij. Në vitin 1997 Huang Nubo vendosi të investojë në fshatin Hongcun, në rrëzë të malit të njohur Huangshan në provincën Anhui, edhe pse anëtarët e ekipit të tij e kundërshtuan marrëveshjen, duke mos parë ndonjë potencial në atje.

"Të tjerët panë aty një fshat të rënë dhe të shkatërruar. Kurse unë pashë mbetjet e jetës idilike për të cilën banorët e qyteteve janë aq të dëshiruar," thotë Huang Nubo.

Fshati Hongcun u rendit në "Listën e trashëgimive botërore të UNESKO-s" në vitin 2002 dhe tani tërheq 1 milion vizitorë në vit, duke sjell në vit më shumë se 500 milionë juanë (më shumë se 80 milionë dollarë amerikanë). Ky është një shembull i aftësive të Huang Nubo-së për zhvillimin e një destinacioni turistik të ndërthurur me vlerën e pasurive të patundshme.

Huang Nubo është po ashtu i lumtur që pasuroi edhe fshatarët e zonës, pasi mjaft prej familjeve aty mund të fitojnë tani dhjetëra e qindra mijëra juanë në vit, nga vetën 800-1000 juanë që fitonin më parë.


Foto nga CFP

Nën drejtimin e Huang Nubo-së, "Zhongkun"-i u kthye në një konglomerat me mijëra të punësuar, me pasuritë e patundshme dhe turizmin si veprimtaritë e veta kryesore, dhe me tregtinë, kulturën, veçanërisht kinematografinë, dhe internetin, si veprimtari ndihmëse.

Huang Nubo vitet e fundit ka qenë në kërkim të mundësive të investimeve jashtë Kinës, si pjesë e planit të tij për të ndërtuar një perandori turistike globale.


Foto nga CFP

Në vitin 2011 Huang Nubo bëri bujë në mbarë botën me synimin e vet për të blerë tokë në Islandë. Ai propozoi blerjen e 300 kilometrave katrorë për ndërtimin e një prone me vlerë 200 milionë dollarësh, me një hotel me 120 dhoma, aeroport, fushë golfi, pistë hipodrom etj. Për fat të keq, marrëveshja nuk u pranua nga qeveria islandeze, për shkak se nuk përputhej me ligjet për shitjen e tokës të huajve. Por Huang Nubo nuk është nga ata që dorëzohet lehtë. Ai hyri në negociata për marrjen me qira të asaj sipërfaqeje. Huang Nubo synon ta përdorë Islandën si bazë të një zinxhiri turistik në vendet skandinave, Danimarkë, Suedi dhe Finlandë.

"Ëndrra ime është që në dekadën e ardhshme Zhongkun të kthehet në një zinxhir resortesh të klasit botëror," thotë ai.

Në tetor të vitit të kaluar "Forbes" e llogariti pasurinë e tij në 990 milionë dollarë. Huang Nubo vlerësohet si poeti më i pasur në botë

Në të vërtetë, Huang Nubo mund që quhet një biznesmen i cili shkruan poezi, ose një poet që merret me biznes. Siç shprehet Wei Xiaoan-i, ekspert i ekonomisë turistike në Akademinë e Turizmit të Kinës: "Huang është një ndërthurje e rrallë e romantizmit poetik dhe e agresivitetit të tregtarit plus zgjuarsinë."

Ndërsa vetë Huang-u thotë: "Është identiteti im si poet që më dallon nga biznesmenët e tjerë dhe që më bën të shquaj mundësi të mira aty ku të tjerët priren t'i shpërfillin ato. Biznesmeni mund ta ushqejë poetin dhe poeti biznesmenin."

Huang Nubo ka shkruar poezi që kur ishte 13 vjeç. Ai ka botuar me pseudonimin Luo Ying një numër vëllimesh me poezi, përfshirë "Ditare të ngjitjes 7 +2", "Lepuri i vogël" dhe "Nata e nëntë", të cilat janë përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera.

Huang tregon se si një herë, rreth dhjetë vjet më parë, kur po fliste në një takim të investitorëve të pasurive të patundshme, ata qeshën sepse kujtuar se po bënte shaka kur u tha që është poet.

Huang Nubo mendon se njerëzit sot përqendrohen në mënyrë dritëshkurtër te materializmi dhe argëtimi. "Kjo nuk është një epokë për shkrimtarë të mëdhenj," thotë ai. "Por ia vlen të përpiqesh ta kthesh atë epokë."

Huang Nubo ende beson se poezia ka dashamirët e vet. Ai ka shpenzuar shuma të mëdha parash për të sponsorizojë universitetet dhe takime ndërkombëtare poetësh.

"Në ditët e sotme, njerëzit nuk flasin për ideale," thotë ai. "Por unë besoj se poezia është zgjidhje. I pasur apo i varfër, një poet duhet të ketë ideale. Kjo më ka bërë t'i bëj ballë çdo vështirësie."

"Të bësh biznes privat nuk është diçka e lehtë. Unë kam pasur vuajtjet e mia në drejtimin e kompanisë," tregon Huang. "Por gjej ngushëllim në kthimin pas në kohët dhe në vendet për të cilat kam mall. Pa marrë parasysh se si shikohen poezitë e mia, unë vazhdoj të shkruaj".

Huang Nubo është një njeri i aventurës. Përveç poezisë dhe biznesit, ai është gjithashtu një ngjitës malesh me përvojë. Huang Nubo filloi t'u ngjitej maleve në vitin 2004, kur kompania e tij ndërroi drejtimin. Në vitin 2005 ai ngjiti malin Kilimanxharo, gjë që ngjalli entuziazmin e tij për alpinizëm. Deri tani ai ka ngjitur të shtatë majat më të larta në të shtata kontinentet, dhe gjithashtu ka shkuar edhe në të dy polet, në Polin e Jugut dhe Polin e Veriut. Për këtë arsye, si edhe për punën e tij bamirëse, Huang Nubo është përfshirë në Klubin e Eksploruesve, ku kanë bërë ose bëjnë pjesë njerëz të tillë të njohur si astronauti i ndjerë Neil Armstrong dhe regjisori Xhejms Kameron.

Majën më të lartë në botë, Xhomolungma, apo Everest, Huang Nubo e ka ngjitur tre herë, për herë të parë në vitin 2010 kur ishte 54 vjeç. Në një prej këtyre herëve ai e hoqi maskën e tij të oksigjenit, qau dhe lexoi një nga poezitë e tij.

Por Huang Nubo është gjithmonë i përunjur para natyrës. Në çdo fotografi që ka bërë në Xhomolungma, Huang mund të shihet i ulur në një pozicion më të ulët se maja.

"Nuk e kam pushtuar unë malin," shpjegon ai. "Përkundrazi, duhet ta falënderoj malin që më pranoi mua."

Pas njërës prej ngjitjeve në Everest, ai tha: "Të menaxhosh një kompani në Kinë është si t'i ngjitesh një mali; ka shumë të papritura dhe të duhet shumë këmbëngulje dhe përballim i vetmisë, dëshpërimit dhe frikës për të arritur majën. 99 % e sipërmarrësve heqin dorë, sepse ata nuk janë këmbëngulës."

"Ajo që kam mësuar nga alpinizmi është këmbëngulja. Ne alpinistët nuk heqim dorë kurrë," thotë Huang Nubo.

Shumë herë Huang Nubo ka thënë se duhet t'ia kthejë pasurinë e tij shoqërisë dhe do t'ia dhurojë gjysmën e pasurive të kompanisë së tij, me vlerë 50 miliardë juanë (mbi 8 miliardë dollarë), Universitetit të Pekinit.

"Si një sipërmarrës, unë mendoj se është detyra ime për të mbështetur shoqërinë për atë që më ka dhënë," thotë ai. "Duhet të punosh shumë për t'u bërë një njeri më i mirë dhe për të zotëruar vlera pozitive. Më e rëndësishmja është të përpiqesh shumë për t'u bërë dikush që është i domosdoshëm për të tjerët, për fëmijët, prindërit, shokët dhe, në fund të fundit, për mbarë shoqërinë. "

Në vitin 2012 Instituti i Studimeve të Bamirësisë në Universitetin Normal të Pekinit e vendosi Huang Nubo-në në krye të listës së 100 njerëzve më bujarë të Kinës. Ndërsa vlerësohet se deri tani Huang Nubo ka dhënë mbi 1 miliard juanë (më shumë se 162 milionë dollarë) për bamirësi.

Huang Nubo është i angazhuar gjithashtu thellësisht në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Në shkurt të këtij viti, me nismën e tij si kryetar i degës së organizatës "WildAid" në Kinë, 36 udhëheqës biznesi në Kinë u shprehën publikisht kundër tregtisë së fildishit, duke premtuar për të mos blerë, zotëruar a dhënë fildish si dhuratë. Grupi përfshin Charles Chao, CEO i "Sina", portali më i madh i internetin në Kinë; Liu Chuanzhi, kryetar i "Lenovo"; Jack Ma, themelues i Grupit "Alibaba".

"Me rritjen e Kinës, edhe kompanitë kineze duhet të bëjnë të njëjtën gjë dhe të marrin më shumë përgjegjësi shoqërore," tha Huang Nubo. "Kjo është arsyeja pse po bashkojmë përpjekjet për mbrojtjen e kafshëve të egra të planetit tonë. Ne shpresojmë se kjo etikë do të rrënjoset te ne dhe do të përcillet te brezat e ardhshëm. "

Në qershor të vitit të kaluar Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Irina Bokova dhe Huang Nubo nënshkruan një marrëveshje partneriteti prej një milion dollarësh për të mbështetur punën e organizatës në zhvillimin e Turizmit të Vazhdueshëm të Trashëgimisë Botërore gjatë një ceremonie në selinë e UNESCO-s.

"Dëshiroj t'ju falënderoj për ndërthurjen e shpirtit tuaj të sipërmarrjes me entuziazmin dhe pasionin tuaj për kulturën, letërsinë dhe trashëgiminë, duke mbështetur në këtë mënyrë përpjekjet e UNESCO-s," tha Irina Bokova, duke theksuar rëndësinë e ekuilibrimit të zhvillimit ekonomik me ruajtjen e trashëgimisë botërore. "UNESCO-ja është krenare që ju vlerëson si pjesë të familjes së saj. "

Më 17 maj 2013 Huang Nubo u ngjit në malin Everest për herë të tretë. Nga maja, ai ngriti logon e UNESCO-s, hoqi maskën e tij të oksigjenit dhe i bëri thirrje botës për të mbrojtur planetin dhe për të mbështetur misionin e UNESCO-s. "UNESCO-ja është e përkushtuar për të zhdukur varfërinë, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, për të përshpejtuar dialogun ndërkulturor dhe për të ndihmuar në krijimin e një shoqërie të dijes," tha ai me atë rast. "Mesazhi im nga pika më e lartë e Tokës është se UNESCO-ja mund të kontribuojë për të ndihmuar të gjitha vendet në arritjen e këtyre qëllimeve fisnike."

Huang Nubo ka ndihmuar në kthimin e shtatë kolonave të mermerta në Kinë nga një muze norvegjez. Këto kolona mermeri ishin marrë rreth 150 vjet më parë nga Pallati i Verës në Pekin. Huang Nubo thotë se ai është mirënjohës që iu dha mundësia të bënte diçka për të ndihmuar që këto relikte kinezë të ktheheshin në shtëpinë e tyre.

"Kur vizitova muzeun norvegjez, pashë se aty ishte hapur një ekspozitë e quajtur 'Pallati i verës. Kur e pashë, më rrodhën lot. Ata të muzeut më pyetën pse po tregohesha aq emocional. U thashë se nuk mund ta kuptonin se ç'përfaqësonin ato kolona për historinë e Kinës dhe u kërkova që ato të ktheheshin në shtëpi. Reliket e pallatit mbajnë kujtesën kulturore të kombit dhe nuk duhet të enden jashtë vendit. Pastaj biseduam më hollësisht për këtë çështje."

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me muzeun, Huang Nubo do t'i dhuronte këtij muzeu 10 milionë korona norvegjeze (rreth 1.6 milionë dollarë amerikanë). Në këmbim, kolonat do të dërgoheshin përsëri në Kinë


Foto nga CFP

Huang Nubo thotë se dhurimi për muzeun nuk është tregti ose "hedhje kot e parave", por një veprim shumë kuptimplotë për Kinën dhe për atë vetë.

"Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për këtë! Ajo periudhë kohore është një kujtim i trishtuar në historinë kineze, por tani kemi një mundësi për të sjellë një ndryshim. Si një biznesmen dhe sipërmarrës kinez, jam i kënaqur mund të bëj diçka kuptimplotë," vë në dukje ai.

Huang Nubo beson se do të ishte shumë e dobishme në qoftë se sipërmarrësit kinezë do të përfshiheshin më shumë në kthimin e thesareve të humbura në Kinë.


Foto nga CFP

Në tryezën e vet të punës Huang Nubo ka një statuetë druri të një njeriu gjysmë të gjunjëzuar dhe që e ka mbuluar fytyrën e tij me të dy duart, e cila të kujton "Mendimtarin" e Rodenit.

"E shoh përditë dhe e kujtoj veten të jem i thjeshtë dhe i sjellshëm me të tjerët," thotë poeti milioner.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China