20140819fe |
Kohët e fundit, themeluesi dhe presidenti i grupit kinez "WanXiang", Lu Guanqiu, pati një takim në ShBA me zv.presidentin amerikan Joe Biden. Në këtë takim Lu Guanqiu u shpreh se grupi i tij po përpiqet të prodhojë makinat elektrike më të mira.
Grupi "WanXiang" është një kompani private kineze e energjisë së pastër dhe e prodhimit të makinave elektrike. Presidenti i "WanXiang"-ut Lu Guanqiu vuri në dukje që makinat elektrike janë prirja e pashmangshme e zhvillimit në industrinë e automobilave dhe se tani, në mbarë botën, të gjitha vendet që kanë kapacitetet po e zhvillojnë këtë industri.
Foto nga 梁子 / 东方IC
"WanXiang" ka hyrë në tregun amerikan prej më shumë se 30 vjetësh, duke krijuar një epërsi të dukshme në krahasim me kompanitë e tjera. Gjatë këtyre viteve "WanXiang" ka bërë investime të shumta në ShBA, duke blerë aty disa fabrika për prodhimin e makinave elektrike dhe baterive të tyre.
Sivjet "WanXiang" ka blerë prodhuesen amerikane të makinave elektrike luksoze "Fisker". Një gjë e tillë jo vetëm i ka dhënë grupit kinez një famë ndërkombëtare, por edhe ka sjellë plotësimin e zinxhirit industrial të prodhimit të makinave elektrike nga ana e këtij grupi.
Lu Guanqiu theksoi që vjet "WanXiang" ka blerë edhe kompaninë A123, e cila zotëron teknologjinë më moderne të baterive të litiumit në botë. Gjatë 18 muajve pas blerjes, kompania A123 ka ndalur uljen e biznesit dhe ka siguruar porosi për tërë vitin 2014.
"Tani prodhimi është normalizuar, financat e kompanisë janë ribalancuar dhe punëtorët e larguar janë kthyer në punë," thotë Lu Guanqiu lidhur me A123.
Ni Pin është kreu i degës së Grupit "WanXiang" në ShBA. Ai shprehet që, kur "WanXiang" mori vendim për blerjen e kompanisë A123, analistët ishin të mendimit që grupit do t'i duheshin afro 5 vjet për ta ndryshuar gjendjen e vështirë të kësaj kompanie, me humbje prej 300 milionë dollarësh. Por "WanXiang" e realizoi këtë ndryshim brenda vetëm një viti e gjysmë. Madje kapaciteti i prodhimit i kompanisë A123 nuk mund të plotësojë kërkesat e mëdha të tregut. Për këtë arritje kaq të madhe, guvernatori i shtetit Miçigan Rick Snyder i ka vlerësuar lart investimet nga Grupi "WanXiang", dhe pati një takim të veçantë me Lu Guanqiu-n gjatë vizitës së këtij të fundit në ShBA.
Foto nga CFP
Kompania e baterive A123 dhe kompania e makinave elektrike luksoze "Fisker" kanë qenë kompani të energjisë së pastër të inkurajuara nga qeveria amerikane dhe falimentimi i tyre shkaktoi dyshime të mëdha te publiku lidhur me politikat e qeverisë amerikane për promovimin e energjisë së pastër. Lu Guanqiu tha që biznesi i grupit "WanXiang" në ShBA, veçanërisht blerjet e kompanive A123 dhe "Fisker", i ka sjellë grupit një famë shumë të mirë dhe është vlerësuar nga zv.presidenti amerikan Joe Biden. Gjatë takimit me Lu Guanqiu, Biden shprehu dëshirën që Grupi "WanXiang" do të vazhdojë investimet e tij në tregun amerikan, duke shpresuar gjithashtu që kompanitë kineze të arrijnë sukses në ShBA.
"Siç vuri në dukje zv.presidenti Joe Biden, populli amerikan, populli kinez dhe të gjithë popujt e botës kanë nevojë për energji të pastër dhe i parapëlqejnë makinat me energji të pastër. Z. Biden shpreson që të kemi arritje të vërteta në këtë drejtim," tha Lu Guanqiu.
Përveç guvernatorit të Miçiganit dhe zv.presidentit Joe Biden, edhe sekretari amerikan i Energjetikës Ernest Moniz po përpiqet të promovojë energjinë e pastër te publiku. Ai i bëri të ditur grupit "WanXiang" që Departamenti i Energjetikës ka krijuar një fond prej 16 miliardë dollarësh amerikanë për të mbështetur energjinë e pastër dhe se grupi kinez është I mirëpritur që të aplikojë për këtë projekt.
Përballë tregut të saponisur të makinave elektrike dhe entuziazmit të një kategorie njerëzish dashamirës të tyre, Grupi "WanXiang" ka deklaruar se, megjithëse zotëron teknologjinë e fundit në këtë drejtim, nuk do të nxitojë rifillimin e prodhimit të kompanisë "Fikser". Kreu i degës së grupit "WanXiang" në ShBA Ni Pin shpjegon:
"Për të bërë një gjë të tillë, duhet të zgjidhim së pari problemet e mbetura nga e kaluara. 'WanXiang'-u mund të mos prodhojë makina, por nuk mund të prodhojë diçka jocilësore. Për këtë arsye, nëse rifillojmë prodhimin e kësaj marke, duam që të mos ketë asnjë problem. Prandaj, do t'i fusim këto makina në treg vetëm pasi të zgjidhim problemet përkatëse."
Z.Ni Pin shtoi që makinat elektrike të "Fikser"-it kanë mbi një mijë pjesë këmbimi, të cilat ofrohen nga furnizues të shumtë. Tani "WanXiang" po kontakton me të gjithë këta furnizuesj, për të zgjidhur problemet përkatëse.
Këtë strategji e ka pohuar edhe presidenti i grupit, Lu Guanqiu, i cili thekson që "WanXiang" tani po përpiqet të prodhojë makinën më të mirë elektrike në tregun amerikan. Fjalët e Lu Guanqiu-t mbështeten në suksesin e grupit të tij. Tani, "WanXiang" është bërë një shembull i suksesshëm i investimeve jashtë vendit të kompanive kineze. "WanXiang" është vlerësuar lart nga liderët kinezë e ata amerikanë dhe presidenti i tij Lu Guanqiu është ftuar shumë herë të mbajë fjalim në Dialogun Strategjik dhe Ekonomik Kinë-SHBA.
Lu Guanqiu është i mendimit që të dyja palët e bashkëpunimit, qoftë kompanitë, qoftë qeveria, duhet medoemos të tregojnë sinqeritet të plotë, të forcojnë lidhjet e komunikimin dhe të shtojnë njohjen e ndërsjellë. "Vetëm kështu do të realizohen fitimet e vërteta reciproke," tha Lu.
Në vitin 2012, Grupi "WanXiang" filloi të marrë pjesë në nismën "100 000 Strong" të propozuar nga presidenti amerikan Barak Obama për të rritur numrin e të rinjve amerikanë që studiojnë në Kinë. Deri tani ky grup ka financuar gjithsej afro 400 të rinj amerikanë për të shkuar në Kinë për të zhvilluar shkëmbime dhe për të studiuar, duke krijuar një platformë efikas komunikimi mes Kinës dhe ShBA-së. (Jiang Lei)