PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Lanzhou, motori i ri i zhvillimit të Kinës Perëndimore
2014-08-12 11:40:49 CRI Komenti juaj Printoni

Zona e re ekonomike e Lanzhou-t është zona e 5-të ekonomike në rang kombëtar në Kinë. Kjo zonë, me një sipërfaqe 1700 kilometra katrore, vlerësohet si nyjë e tregtisë mes Kinës Qendrore dhe Azisë Qendrore. Zona ekonomike e Lanzhou-t ka katër detyra kryesore strategjike: të mbështetë rritjen ekonomike në krahinat perëndimore të vendit, të kthehet në bazë kryesore industriale në shkallë kombëtare, të shndërrohet në platformë strategjike drejt Perëndimit dhe të bëhet zonë pilot për transferimin e sektorëve të ndryshëm nga pjesa lindore në atë perëndimore të Kinës.


Foto nga 小米 / 东方IC

Zona ekonomike e Lanzhout, si një pjesë e rëndësishme e strategjisë kombëtare për zhvillimin e krahinave perëndimore të vendit, është krijuar nga Këshilli i Shtetit në vitin 2012 dhe është ngarkuar nga qeveria qendrore me misionin për të gjetur një rrugë të re për shpejtimin e industrializimit, urbanizimit dhe zhvillimit në zonat më pak të zhvilluara të vendit.

Në tremujorin e parë të këtij viti, në zonën ekonomike të Lanzhou-t u shënua një vëllim i përgjithshëm prodhimi prej 1.669 miliardë juanësh, 26.4 % më shumë se në vitin 2013. Tani në qendër të kësaj zone ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës dhe ajo ka tërhequr 237 projekte me një investim të përgjithshëm prej më shumë se 260 miliardë juanësh. Në këtë zonë kanë vendosur bizneset e tyre 28 ndër 500 kompanitë kryesore vendëse e të huaja. Kompania e Industrisë së Rëndë e Korporatës së Ndërtimit të Hekurudhave të Kinës (CRCC) është një nga sipërmarrjet e mëdha në zonën ekonomike të Lanzhou-t. Kjo kompani, me seli në Hunan të Kinës Jugore, u fut në këtë zonë në vitin 2011, duke ndërtuar një bazë kryesore për prodhimin e pajisjeve me teknologji dhe cilësi të lartë në Kinën Veriperëndimore. Xie Weiguo është drejtori i Departamentit të Projekteve të kompanisë. Ai shprehet:


Foto nga 曹志政 / 东方IC

"Në prodhimin e pajisjeve të cilësisë së lartë jemi në vendin e parë në shkallë kombëtare, pasi zotërojmë shumë teknologji thelbësore me të drejtat tona të pronësisë intelektuale dhe të nivelit të lartë botëror. Në mënyrë të pandërprerë ne do të krijojmë produkte të reja, do të studiojmë metoda të reja dhe do të përpiqemi për të futur industri të reja."

Zhou Haixiang është zv.kryemenaxheri i CRCC-së. Ai është i mendimit që zona e re e Lanzhout ka vendndodhje të mirë dhe një prirje të fuqishme zhvillimi. Kjo, sipas tij, është mundësi e re e mirë për zhvillimin e kësaj korporate. Kështu, zona ekonomike e Lanzhou-t është bërë zgjedhja e tyre në Kinën Veriperëndimore.


Foto nga 曹志政 / 东方IC

"Me mbështetjen e politikave shtetërore dhe masat e veçanta të zonës ekonomike të Lanzhou-t, jam i bindur që do të kemi më shumë sukses në këtë zonë," tha Zhou.

Në fakt, zhvillimi i sektorëve të prodhimit të pajisjeve të cilësisë së lartë është një drejtim kryesor i zonës ekonomike të Lanzhou-t. Lanzhou vetë ka një bazë shumë të mirë industriale dhe, me hyrjen e kompanive të mëdha në këtë fushë, mund të krijohet një gjendje përplotësuese zhvillimi. Liu Weiping është zv.guvernatori i provincës Gansu. Ai thekson:

"Për zhvillimin e zonës ekonomike të Lanzhou-t kemi vendosur në fokus disa sektorë. I pari është sektori i manifakturës. Lanzhou ka një bazë shumë mirë industriale dhe ka epërsi tradicionale në këtë drejtim. Me një zonë të re ekonomike, mund të përqendrohemi tek prodhimi i pjesëve të automjeteve e të makinerive, si edhe i pajisjeve me energji të reja dhe atyre që mbrojnë mjedisin. Ato nuk ndotin shumë mjedisin dhe kjo përputhet me standardin tonë."

Në zonën ekonomike të Lanzhou-t ka edhe disa sipërmarrje të tjera të mëdha, si Kompania e Industrisë së Rëndë e Korporatës së Ndërtimit Hekurudhor të Kinës (CRCC) që përmendëm më parë. Për ta, hyrja në zonën ekonomike të Lanzhou-t mund të ofrojë jo vetëm kosto më të ulët dhe një treg më të gjerë, por edhe biznes më të madh në tregun e jashtëm, si Azinë Qendrore e madje edhe në Europë.

Në vitin 2013, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping, gjatë turneut të vet në Azinë Qendrore, shpalli për herë të parë konceptin e "Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit", duke bërë thirrje për një model të ri bashkëpunimi, për shtimin e komunikimit në fushën e politikave dhe forcimin e lidhjeve në fushën tregtare e financiare, si edhe të shkëmbimeve ndërmjet popujve. Zona ekonomike e Lanzhout, si nyja kryesore e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, ka një përparësi gjithnjë e më të dukshme në këtë projekt ndërkontinental.

Pas krijimit të kësaj zone ekonomike, këtu u ndërtuan shumë shpejt infrastruktura të tilla si rrugë, hekurudhë dhe aeroport. Brenda një kohe të shkurtër zona ekonomike e Lanzhou-t do të bëhet nyjë e transportit ndërkombëtar. Për të ardhmen e kësaj zone, kryetari i bashkisë së Lanzhou-t Yuan Zhanting ka besim të plotë. Ai shprehet:


Foto nga马军 / 东方IC

"Kemi dy linja të transportit të udhëtarëve. Njera është hekurudha e shpejtësisë së lartë nga qendra e qytetit Lanzhou deri në aeroport. Shpejtësia e kësaj linje është afro 250 km në orë. Linja tjetër është ende në ndërtim. Sipas planit, kjo linjë do të nisë nga qendra e zonës ekonomike. Planifikojmë të ndërtojmë edhe një linjë tramvaji. Ndërtimi do të fillojë vitin tjetër, bashkë me tre autostrada."

Për të ardhmen e zonës ekonomike të Lanzhou-t, Yuan Zhanting tregon planin e vet, duke u shprehur që tani, për të shkuar nga porti i Shangait dhe ai i Tianjin-it deri në portin e Roterdamit në Holandë duhen afro 40 ditë, ndërsa nëse bëhet transporti i drejtpërdrejtë hekurudhor nga zona ekonomike e Lanzhou-t për në Roterdam, nevojiten vetëm 12 ditë. "Mund të përfytyrojmë që në hartën e Kinës do të ketë një sërë linjash që nisin nga Shangai, Tianjin-i, Chongqing-u dhe Zhejiang-u e që takohen në zonën ekonomike të Lanzhou-t, dhe pastaj kjo linjë shkon drejt Urumqit dhe Azisë Qendrore," u shpreh Yuan Zhanting. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China