PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhou Xiaoguang-u, "mbretëresha e bizhuterive"
2014-08-12 10:09:08 CRI Komenti juaj Printoni

Mbi tre dhjetëvjeçarë më parë, kur ishte adoleshente, për ta ndihmuar familjen e saj të varfër, Zhou Xiaoguang-u mori dy çanta të rënda të mbushura me qëndisma për t'i shitur në Kinën Verilindore. Tani kompania e saj "Neoglory", e cila dikur ishte thjesht një prodhuese e vogël unazash, byzylykësh dhe varësesh me çmim të lirë, është një ndër kryesoret në botë për sa u përket bizhuterive, ndërsa pasuria e Zhou Xiaoguang-ut dhe e familjes së saj vlerësohet në 1.3 miliardë dollarë. Teksa kur bëri udhëtimin e saj të parë treditor me tren për të nisur tregtinë Zhou Xiaoguang-u nuk kishte vend as për të shtrirë këmbët, tashmë "mbretëresha e bizhuterive", e rritur në uri dhenë varfëri të skajshme,jeton bashkë me familjen e vet të zgjeruar prej gati 30 pjesëtarësh në një vilë të madhe e luksoze gjashtëkatëshe.


吴军 / 东方IC

Zhou Xiaoguang-u është fëmija më e madhe e një familjeje nga Zhejiang-u i Kinës Juglindore, provinca që ka sot numrin më të madh të të pasurve në Kinë, por që në fëmijërinë e Zhou Xiaoguan-it ishte e varfër, ashtu si gjithë provincat e tjera kineze në vitet '60 të shekullit të kaluar. Zhou Xiaoguang-ut i duhej të punonte që në moshë të njomë që të ndihmonte prindërit për të rritur pesë motrat dhe vëllain e saj të vogël. "Çdo prill dhe maj ishte koha e së ashtuquajturës 'uri pranverore'," kujton ajo. "Nuk kishim ushqim të mjaftueshëmdhe vuanim për bukën e gojës."

Zhou Xiaoguang-u e la shkollën në moshën 16-vjeçare, e mërzitur që e nxirrnin nga klasa, për shkak se prindërit e saj ishin prapa me pagimin e tarifave shkollore. "Nuk e paguaja dot shkollën, as edhe një apo dy muajt e parë të vitit të ri shkollor. Kur isha e re, e dija që vetëm duke punuar shumë mund të siguronim veshje dhe ushqim të mjaftueshëm," thotë Zhou.

Dhe e reja vendosi ta ndryshonte këtë gjendje. Pasi mori hua disa dhjetëra hua nga fqinjët, ajo u nis të bënte biznes në Kinën Verilindore, mijëra kilometra larg vendlindjes së saj, me dy çanta të mëdha të mbushura me qëndisma e mallra të tjera, tepër të rënda për krahët e saj të brishtë. Gjërat u vështirësuan edhe më shumë për të, sepse nuk kishte para për të blerë një biletë treni shtrati për atë udhëtim të gjatë nga provinca e saj, kështu që Zhou Xiaoguang-u kaloi tre ditë e ulur në një cep të vagonit, që ishte aq i ngushtë, sa ajo nuk mund të shtrinte dot as këmbët. Zhou Xiaoguang-u thotë se gjatë atij udhëtimi do të kishte dashur të hiqte dorë nga gjithçka, vetëm e vetëm që të kthehej në shtëpi.

Por sot 53-vjeçarja është e lumtur që nuk u kthye. Ndonëse tashmë ka bërë udhëtime të panumërta pune, duke fluturuar në klasin e parë dhe duke qëndruar në hotele me pesë yje, ajo përsëri e kujton atë udhëtim të sajin të gjatë e të vështirë. "Përvoja e fituar nga këto vuajtje nuk ka të çmuar," shprehet Zhou Xiaoguang-u.

Dhe ajo nuk e ka fjalën vetëm për vështirësitë e udhëtimit rraskapitës me tren 37 vjet më parë, por edhe për ditët e fillimit të jetës larg shtëpisë, kur i duhej të jetonte si endacake, duke u përpjekur të niste biznesin e vet. "Më dukej e padrejtë të fillojë të punoje si shitëse në një moshë aq të re," thotë Zhou.

Sidoqoftë, në vitin 1985, Zhou Xiaoguang-u u martua me Yu Yunxin-in, po nga Zhejiang-u, i cili merrej edhe ai me shitjen e qëndismave. Pas një viti çifti u kthye në provincën e vet, duke shkuar pikërisht në qytetin Yiwu dhe duke hyrë aty në biznesin e bizhuterive.

"Që në fillim kur nisa të shisja në Kinën Verilindore, vura re që grave aty u pëlqenin stolitë e shumëngjyrshme," kujton Zhou. "Gjeta frymëzim nga fakti se të gjithë duan të duken bukur, pavarësisht nëse janë të pasur apo jo. Prandaj kisha besim se potenciali i biznesit ishte i madh."

Çifti bleu një dyqan të vogël në atë që është bërë sot një treg mjaft i njohur e mjaft i madh mallrash në Yiwu. Bashkë me zhvillimin e qytetit, edhe tregtia e tyre nisi të ecte mirë. Në vitin 1995, Zhou Xiaoguang-u dhe i shoqi krijuan kompaninë "Xinguang", që do të thotë "shkëlqim i ri", dhe që më pas do të merrte edhe emrin "Neoglory" në gjuhën angleze, dhe investuan disa milionë juanë në hapjen e një fabrike për prodhimin e bizhuterive.

"Ato para ishin të gjitha kursimet tona të dhjetë vjetëve punë rraskapitëse. Nuk kishte se si të mos shqetësohesha se çfarë do të bëhej me jetën tonë dhe si do të na shkonte filli nëse nuk ia dilnim mbanë, aq më tepër që tashmë kishim lindur edhe dy fëmijët," thotë Zhou Xiaoguang-u. "Por im shoq mundohej të më jepte zemër, duke më thënë se, sidoqoftë, në çdo rast ne mund t'ia fillonim nga e para, për aq kohë sa kishim zellin dhe vendosmërinë e duhur."

Por fatmirësisht, kompania e tyre njohu një zhvillim të madh gjatë viteve në vijim. Megjithatë, menaxhimi u bë një dhimbje koke për Zhou-n, për shkak të arsimimit të kufizuar të saj. Prandaj, në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar, ajo dhe disa sipërmarrëse të tjera u regjistruan në një kurs për t'u mësuar grave menaxhimin e financave dhe të burimeve njerëzore.

Që atëherë, Zhou Xiaoguang-u ka vazhduar të investojë në arsimimin si të vetvetes, ashtu edhe të stafit të saj, për të ecur në një hap me kohën. Në moshën 35-vjeçare ajo nisi studimet për gradën "master" dhe tashmë zotëron një master në administrim biznesi.


Foto nga 梁臻 / 东方IC

Zhou Xiaoguang-u fton ekspertë ose profesorë të japin mësim në kompaninë "Neoglory", duke i paguar ndonjëherë deri në barasvlerësin e 2000 dollarëve në ditë.

Tani ka më shumë se 4000 ndërmarrje prodhimi bizhuterish në qytetin Yiwu, 600 nga të cilat drejtohen nga ish-punonjësit e Zhou Xiaoguang-ut.

Në vend që të ulte çmimet për të mbetur konkuruese, Zhou i ka rritur ato, për t'u lënë hapësirë sipërmarrjeve të vogla të mbijetojnë në treg.

"Njerëzit e të njëjtit profesion nuk duhet të jenë armiq," shprehet ajo.

Dhe Zhou Xiaoguang-u thotë se nuk është e shqetësuar as edhe që kompanitë e tjera kopjojnë produktet e saj. "Ato më ndjekin aq shpejt, saqë e vetmja gjë që bëjnë është që më nxitin për të ecur edhe më shpejt," shprehet Zhou.

Nuk ka dyshim që Zhou Xiaoguang-u mund të bëjë një jetë të rehatshme, veçanërisht tani që i biri, i cili ka përfunduar edhe ai studimet për master në administrim biznesi, por në Britani, është bërë menaxher i përgjithshëm i kompanisë. Por Zhou nuk ka plane për t'u larguar.

"Drejtimi i një sipërmarrjeje është një proces të mësuari dhe zgjidhjeje problemesh. Nga kjo pikëpamje, unë ende kam për të mësuar," thotë ajo.

Zhou Xiaoguang-u dhe i shoqi jetojnë bashkë me 27 anëtarët e tjerë të familjes së tyre në katet e sipërme të ndërtesës gjashtëkatëshe të kompanisë "Neoglory" në Yiwu. Secili ka dhomën e vet, ndërsa dhoma e ndenjies e madhe gati sa një fushë basketbolli është e përbashkët.

Me përjashtim të kohës kur është në udhëtime, Zhou Xiaoguang-u rrallë ha jashtë dhe shfrytëzon çdo mundësi për t'u ulur në tryezën e ngrënies bashkë me familjen e vet. Pasi ha, ajo shkon në zyrë dhe punon deri natën vonë.

"Si kompania, ashtu edhe familja ime, janë të ndikuara nga kultura tradicionale kineze. Menaxhimi ynë është shumë profesional dhe modern, por shpirti ynë është një lloj kulture familjare," shprehet Zhou Xiaoguang-u."Unë jam gjithmonë shtylla e familjes sime, ndërsa anëtarët e familjes më sigurojnë mbështetje emocionale dhe kujdesen për mua. Ne kemi një marrëdhënie të mrekullueshme," thotë ajo.


djali i Zhou Xiaoguang-ut
Foto nga 东方IC

Ashtu si shumë sipërmarrës të tjerë në Kinë, edhe Zhou Xiaoguang-u ua ka besuar postet kyçe të kompanisë anëtarëve të familjes së vet. "Im shoq është i fokusuar kryesisht në sektorin e pasurive të patundshme. Unë merrem me bizhuteritë, investimet dhe marrëdhëniet publike. Por sa i përket biznesit tonë kryesor, atij të bizhuterive, djali ynë ka nisur të marrë përgjegjësinë kryesore. Dhe ai po e bën një gjë të tillë shumë mirë," shprehet ajo.

Megjithatë, Zhou Xiaoguang-u e pranon se herët a vonë "Neoglory" do të bëjë kalimin nga një sipërmarrje kryesisht familjare në një sistem korporativ modern.

Në fillim sipërmarrëset femra si Zhou Xiaoguang-u e kishin shumë të vështirë, por tani gjërat po ndryshojnë. Zhou thotë se gratë tani janë plotësisht të barabarta në Kinë, dhe shton se femrat sipërmarrëse madje marrin edhe ndihmë të veçantë për të ngritur kompanitë e tyre.

"Sipërmarrëset femra tani nuk kanë pengesa nga politikat e qeverisë. Mendoj se pengesa më e madhe e tyre është vetvetja. Më pak gra se burra krijojnë kompanitë e tyre. Ato që e bëjnë një gjë të tillë, marrin më shumë ndihmë e mbështetje dhe kanë më shumë mundësi të mira," shprehet Zhou Xiaoguang-u.

Gjysma e grupit të kërkim-zhvillimit të kompanisë "Neoglory" është e përbërë nga femrat. Megjithatë, Zhou Xiaoguang-u thekson se "femrat duhet të duhet të përpiqen po aq sa meshkujt."

Zhou Xiaoguang-u zotëron 51 % të "Neoglory"-t, me vlerë 650 milionë dollarë amerikanë në vitin 2013, ndërsa i shoqi zotëron 49 %, me vlerë rreth 624 milionë dollarë amerikanë. Zhou Xiaoguang-uu përfshi për herë të parë në "Listën e 400 njerëzve më të pasur në Kinë" të "Forbes"-it në vitin 2008, me një pasuri prej 180 milionë dollarësh. Kështu brenda pesë vjetësh pasuria e saj është gati katërfishuar.

Kur Zhou Xiaoguang-u dhe i shoqi shkuan në Yiwu në vitin 1986 dhe hapën një dyqan bizhuterish aty, ky qytet ishte i njohur kryesisht për varfërinë e vet. Sot Yiwu është një simbol i ekonomisë së tregut në Kinë dhe një vend ku tregtarët dhe turistët nga të katër anët e Kinës e të botës vijnë për të gjetur mallra me çmim sa më të lirë. Dhe Zhou Xiaoguang-u është një pjesë e këtij suksesi. "Kur e ngrita fabrikën time në 1995, këtu nuk kishte fabrika të tjera," kujton ajo. Ndërsa tani në Yiwu ka, siç e thamë, rreth 4 mijë prodhues bizhuterish, që punësojnë mbi 100 000 veta dhe kanë një vëllim shitjesh më shumë se 3 miliardë dollarë në vit.

"Mendoj se tregtarët e Yiwu-së janë mjaft të qëndrueshëm në bizneset e tyre. Ne kemi gjithmonë nevojë e pasion për të mësuar nga biznesmenët e tjerë," vë në dukje Zhou.

Zhou Xiaoguang-u thotë se kompania e saj ka ndihmuar edhe për ndryshimin e Yiwu-së dhe të imazhit të këtij qyteti. Kompanitë e Yiwu-së tashmë kanë filluar të jenë novatore dhe të përpiqen për krijimin dhe forcimin e markave të tyre. Zhou thotë se Yiwu nuk është tashmë vetëm një qendër e shitjes së mallrave me shumicë, por ka një sistem të pjekur tregtie dhe logjistike.


Foto nga 梁臻 / 东方IC

Zhou Xiaoguang-u e ka diversifikuar "Neoglory"-n, i cili është kthyer tashmë në një grup me mbi 21 degë dhe kompani holding, me pasuri me vlerë të përgjithshme më shumë se 10 miliardë juanë dhe rreth 6000 punonjës. Bizneset e grupit përfshijnë edhe pasuritë e patundshme, investimet, tregtinë, prodhimin e verës dhe sektorë të tjerë, por biznesi i bizhuterive vazhdon të jetë ende fokusi kryesor. Zhou Xiaoguang-u shprehet se vazhdimi i lulëzimit të sipërmarrjes së saj varet nga diversifikimi i mëtejshëm i biznesit, por shprehet në mënyrë të figurshme se bizhuteritë do të vazhdojnë të mbeten zemra e "Neoglory"-t.

"Njerëzit në Kinë janë bërë më të pasur dhe kanë më shumë nevoja se më parë. Ata duan ta ndjekin më shumë modën dhe të duken sa më bukur. Kështu që ne e shfrytëzuam këtë mundësi dhe u bëmë të suksesshëm, dhe do të vijojmë në këtë rrugë," thotë Zhou Xiaoguang-u.

Sot "Neoglory" ka një mijë dyqane të vetat në të gjithë Kinën, si dhe 400 dizenjues që prodhojnë më shumë se 100 modele të reja në ditë. "Ne jemi udhëheqës për sa u përket aksesorëve të modës," thotë Zhou Xiaoguang-u. Por ajo nuk do që ta marrë të gjithë meritën për vete: "Mjedisi në Yiwu na ka krijuar shumë mundësi. Bashkia e qytetit ka pasur rol kyç në suksesin e biznesit tim, ajo ka krijuar një mjedis të përshtatshëm ekonomik për tregtimin e mallrave tona në mbarë botën. Bashkia e Yiwu-së, siç e them shpesh, drejton një qytet prej vetëm 700 mijë banorësh, por është përgjegjëse për veprimtarinë e përditshme të 2 milionë vetave".

Zhou Xiaoguang-u thekson më tej: "Qeveria na ka nxitur për të bërë më shumë tregti globale dhe ne po marrim gjithnjë e më shumë porosi nga tregjet jashtë vendit. Modeli i zhvillimit i Yiwu-së është nxitur nga tregu i mallrave në lulëzim dhe logjistika e mundësitë e mira për tregti globale. Përpjekjet tona e kanë ndihmuar Kinën që bëhet një nga dritaret më të mëdha të tregtisë në botë."

"Neoglory", dikur një ndër të ashtuquajturit "kampion i fshehur", pra një firmë prodhuese që nuk kishte markën e vet, tani aspiron vetë të bëhet një markë globale.

Kompania e Bizhuterive "Neoglory", pjesë e Grupit "Neoglory", i tregton produktet e saj në 70 vende të botës dhe ka më shumë se 1500 pika shitjeje në Azi, Europë, Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore. "Neoglory" tashmë po bashkëpunon me divën e këngës Celine Dion për të prodhuar një linjë të re bizhuterish dhe ka krijuar një aleancë me "Swarovski"-n për të përdorur kristalet e kësaj marke të famshme austriake në produktet e veta.

"Zgjerimi jashtë vendit është një domosdoshmëri për të mbështetur rritjen," thotë Zhou Xiaoguang-u.

Maji i vitit 2000 ishte një muaj i rëndësishëm për Zhou-n. Kjo grua e thjeshtë kineze befasoi shumë tregtarë të huaj të bizhuterive në Panairin Tregtar të Hong-Kongut. Pothuajse 70 klientëve nga më shumë se 50 vende të botës u tërhoqën vëmendjen bizhuteritë e kompanisë së saj. Zhou Xiaoguang-u arriti sukses në një treg të mbizotëruar nga prodhuesit hongkongas dhe koreanë të bizhuterive. Pas këtij panairi, shumë klientë shkuan në Yiwu për të porositur bizhuteri te "Neoglory".

Në kushtet e krizës financiare të vitit 2009, që goditi mjaft eksportet kineze, "Neoglory" e zhvendosi vëmendjen nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, ku kërkesa për produktet e saj u përgjysmua, drejt tregjeve në zhvillim, të tilla si Rusia, Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme. Zhou Xiaoguang-u e vlerëson pra krizën si një mundësi për t'u zhvendosur në tregje të reja, por edhe për të kaluar nga prodhimi i bizhuterive në dizenjimin dhe shitjen me pakicë të tyre.

"Është kohë e vështirë, por edhe që krijon mundësi dhe ne jemi të gatshëm për të përfituar prej saj," vë në dukje ajo.

Zhou Xiaoguang-u mendon se kriza financiare është një rast për kompanitë e Yiwu-së për të shkuar përtej modelit të teknologjisë së ulët dhe të punës intensive. "Kompanitë me aftësi të mira e vendosmëri mund të mbijetojnë e madje edhe të përsosin aftësitë e tyre," shprehet ajo.

Në vend që të këmbëngulë që "Neoglory" të prodhojë më shumë bizhuteri, Zhou Xiaoguang-u thekson: "Ne duhet të përmirësojmë dizenjimin, kërkimin dhe përpunimin." Për këtë qëllim, ajo udhëton në të gjithë botën dhe viziton fabrika bizhuterish në kërkim të ideve të reja.

Zhou Xiaoguang-u po e vë gjithashtu edhe më shumë theksin në tregun e brendshëm, që tani zë 60 për qind të vëllimit të përgjithshëm vjetor të shitjeve, me vlerë 340 milionë dollarë amerikanë, nga vetëm 40 për qind disa vjet më parë.

"Neoglory" ka fituar deri tani më shumë se 70 çmime kombëtare e ndërkombëtare, të cilat përfshijnë "Markë e njohur kineze", "Markë e njohur ndërkombëtare e krijuar nga gratë" etj. Synimi i "Neoglory"-t është të bëhet një markë e njohur ndërkombëtarisht që ka lindur në Kinë dhe i shërben botës. Motoja e kompanisë është "Rritje në Kinë dhe zgjerim në botë", ndërsa misioni i saj "Krijimi i markës së njohur dhe shërbimi ndaj shoqërisë".

Synimi i Zhou Xiaoguang-ut për të ardhmen e "Neoglory"-t është që të bëhet kompania më e madhe dhe më e fuqishme e bizhuterive në botë. Dhe "mbretëresha e bizhuterive" di se si të mos i lërë ëndrrat të mbeten vetëm ëndrra.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China