20140905hpp |
Weili Dai është një prej grave sipërmarrëse më të suksesshme në botë, e vlerësuar gjerësisht si një vizionare në fushën e teknologjisë. Ajo është e vetmja grua në botë që ka themeluar një kompani gjysmëpërcjellësish globale si "Marvell" dhe një nga drejtueset më të mirënjohura të biznesit sot. Weili Dai është kthyer tashmë në një figurë biznesi dhe shoqërore që është takuar me personalitete të tilla si presidenti Barak Obama dhe që merr pjesë në veprimtari që synojnë rritjen e pjesëmarrjes e të përfaqësimit të gruas në fusha të ndryshme, e ftuar nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton etj. Nga një emigrante e thjeshtë në ShBA, ajo është tashmë një nga njerëzit më të pasur në këtë vend.
Weili Dai ka lindur në qytetin e Shangait në vitin 1962. Në vitin 1979 prindërit e saj - i ati asokohe ishte kryeinxhinier në një kompani të madhe teknologjike, ndërsa e ëma kryeinfermiere në një spital në Shangai – bashkë me tre fëmijët e tyre, Weili Dai asokohe 17-vjeçare, dhe dy vëllezërit më të mëdhenj të saj, emigruan në ShBA. Familja e Weili Dai-së u vendos në qytetin e San-Franciskos, ku ajo ndoqi vitin e fundit të shkollës së mesme "Abraham Lincoln".
Për një banor të një qyteti të madh si Shangai, kalimi në një qytet tjetër të madh si San-Francisko mund të mos jetë shumë i vështirë, megjithatë për Weili Dai-në kishte një problem shumë të madh: gjuha. Kur mbërriti në ShBA ajo pothuajse nuk fliste fare anglisht. "Mua më pëlqen të flas me njerëzit, kur ja papritur, nuk mund të përdorja mjetin kryesor të komunikimit, gjuhën. Ishtë një sfidë shumë e madhe," kujton ajo.
Weili Dai u përpoq shumë për zotërimin e anglishtes. Me ndihmën e një fjalori të vogël kinezisht-anglisht, të cilin e mbante gjithmonë me vete, duke shfrytëzuar çdo mundësi për përmirësimin e nivelit të zotërimit të anglishtes, ajo përkthente edhe detyrat e shtëpisë. "Gjëja e mirë ishte që më pëlqente shkenca, të cilën unë e quaj gjuhë e gjithësishme," thotë ajo. Falë zgjuarsisë e zellit në mësime dhe dashurisë për matematikën e fizikën, ajo u pranua në një prej universiteteve më të mira në ShBA, e rrjedhimisht edhe në botë, Universiteti i Kalifornisë në Berkli, ku studioi në shkencat kompjuterike. Aty ajo u njoh me një student nga Indonezia, Sehat Sutardja, i cili studionte për inxhinieri elektrike, me të cilin ra në dashuri dhe më vonë u martua.
"Ne të dy ishim ndër ata që mund të quhen peshkopë," thotë Weili Dai. "Unë studioja për softuerë, ndërsa im shoq për dizenjim tranzistorësh."
Weili Dai thotë se Sehati kishte gjithmonë me ide të reja dhe krijonte dizajne të reja. "Kur u takuam, shpesh e dëgjoja të fliste për mendimet për të dhënë ndihmesë në industrinë e teknologjisë së lartë. Teknologjia vinte natyrshëm edhe tek unë, por e ndieja se gjithashtu ishte e rëndësishme për të pasur një ndikim në jetën e përditshme."
"Im shoq thoshte gjithmonë 'Kam një ide, diçka që do ta përmirësojë këtë apo atë', kujton ajo, "dhe një ditë, kur ishim në tryezë duke ngrënë, i thashë: 'Mrekulli, le të krijojmë një kompani të teknologjisë së lartë'."
Weili Dai thotë se atë dhe të shoqin i tërhiqte liria që ke kur zotëron biznesin tënd, në vend që të punosh për kompani të tjera.
Dhe kështu në vitin 1995, Weili Dai, bashkë me të shoqin dhe vëllanë e tij, krijuan kompaninë e internetit "Marvell", emër i mbështetur në fjalën angleze "marvelous" (e mrekullueshme).
Meqë ishin të posadiplomuar, fondin fillestar për krijimin e kompanisë e siguruan nga miqtë dhe të afërmit. Për të kursyer, në zyrën e kompaninë sollën orendi dhe kompjutera të vjetër nga shtëpia.
Produktet e para të "Marvell"-it synonin tregun e ruajtjes së të dhënave kompjuterike. Weili Dai thotë se ishte shumë e vështirë në fillim. Klientët e mundshëm nuk kishin besim të bënin biznes me një kompani të vogël të posakrijuar. "Duhej bërë shumë për t'i bindur", shprehet ajo.
Klientin e parë që bëri një porosi shumëmilionëshe "Marvell" e siguroi kur Weili Dai ishte duke kërkuar nëpër "Fletët e verdha" dhe bëri një telefonatë prej së cilës nuk priste shumë. Më pas serioziteti, këmbëngulja dhe kujdesi i dhanë frytet e veta. Pas tre vjetësh "Marvell" u bë fitimprurës, ndërsa brenda një dhjetëvjeçari tre themeluesit e tij, përfshirë edhe Weili Dai, u përfshinë individualisht në listën e "Forbes"-it të 400 njerëzve më të pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në moshën 45-vjeçare emigrantja kineze ishte tashmë miliardere. Jo keq për dikë që shkoi në Shtetet e Bashkuara në moshën 17-vjeçare dhe nuk fliste pothuajse fare anglisht.
Me kalimin e kohës, kompania "Marvell" filloi të merret me dizenjimin e gjysmëpërçuesve, tranzistorëve të silicit që përdoren në kompjuterat dhe pajisjet e tjera elektronike moderne. Ajo ndoqi një model biznesi të panjohur në vitet '80, por që nisi të përhapej më vonë dhe "Marvell" ishte ndër të parat që e zbatoi. Kompania nuk i prodhon tranzistorët vetë, por ua ngarkon këtë prodhuesve të tjerë të teknologjisë së lartë, ndërsa vetë përqendrohet në kërkim-zhvillimin.
Ky doli se është një model fitimprurës. "Marvell"-i është tani një nga dizenjuesit më të mëdhenj në botë të tranzistorëve të silicit, me qendra kërkim-zhvillimi në mbarë globin.
"Sot shumica e tranzistorëve të silicit për kompjuterat janë të bërë nga ne. Ne zëmë 70 për qind të tregut," thotë Weili Dai.
Ajo tregon se gjysmëpërçuesit e kompanisë së saj – ose "rropullitë e produkteve elektronike" siç i quan ajo – gjenden në pajisje të tilla si "BlackBerry", "iPod" dhe "Xbox 360". Klientët e kompanisë janë ndër të tjera marka të njohura të tilla si "Panasonic", "Apple", "Toshiba", "HP" dhe "Samsung". Edhe "Google" ka njoftuar se ka zgjedhur tranzistorët "Marvell" për produktet e veta të ardhshme televizive.
"Mendoj se është Era e Re e mënyrës digjitale të jetesës. Ne po krijojmë teknologji që po ndikojnë mbi botën. Bota po bëhet më e zgjuar me anë të këtyre pajisjeve", thotë Weili Dai.
Weili Dai mendon se ndikimi i smartfonave dhe kompjuterave tabletë do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të jetës sonë, duke filluar që nga dhoma e ndenjies, por gjithashtu edhe në makinat dhe pajisjet elektroshtëpiake. Ajo shprehet se për "Marvell"-in, objektivi është që të shndërrohet në një platformë që mund të përdoret për zhvillimin e të gjitha këtyre pajisjeve.
"Që kur e themeluam 'Marvell'-in në vitin 1995, strategjia jonë ka qenë që të përqendrohemi te investimet dhe të hedhim themele të forta teknologjike nëpërmjet shpikjeve dhe risive, për të pasur një ndikim afatgjatë që çon përpara industrinë e teknologjisë së lartë dhe e bën botën një vend më të mirë për të gjithë," vë në dukje ajo.
Foto nga CFP
Mendjemprehtësia në biznes, të menduarit strategjik, aftësia në drejtim dhe pasioni i Weili Dai-së kanë ndihmuar në rritjen e shpejtë dhe suksesin e "Marvell-it. Marrëdhënia e saj e ngushtë me klientët dhe bazat e besimit të përbashkët me ta e kanë bërë Weili Dai-në të ketë një emër të mirë për profesionalizëm dhe ndershmëri në të gjithë industrinë e teknologjisë së lartë. Weili Dai ka pasur një rol kryesor në krijimin e disa prej partneriteteve më të rëndësishme strategjike të kompanisë dhe nën udhëheqjen e saj teknologjia e "Marvell"-it është bërë një pjesë përbërëse e shumë prej produkteve më të rëndësishme. Ajo gjithashtu është bërë një forcë shtytëse në përhapjen e teknologjisë në vendet në zhvillim dhe ka luajtur rolin e një ambasadoreje mes ShBA-së dhe Kinës, veçanërisht në fushat e arsimit dhe të teknologjisë së gjelbër. Ajo është gjithashtu një avokate e fuqishme për përdorimin më të mirë të teknologjisë për të përmirësuar jetën e njerëzve.
Për të gjitha këto, Weili Dai është nderuar me çmime të ndryshme, si "Çmimi i spikatjes në drejtim" nga organizata jofitimprurëse "Upwardly Global", "Çmimin e sipërmarrëses së vitit" në 2013 nga Instituti Kinez i Inxhinierëve në ShBA, po vitin e kaluar "Çmimin e Rrugës së Re të Mëndafshit" nga Këshilli i Biznesit Kaliforni-Azi etj. Gjithashtu, revista "Newsweek" e ka përfshirë Weili Dai-në në listën e "150 grave që kanë befasur botën", ndërsa "Forbes" për tre vjet rresht nga 2012-2014 në listën e "Grave më të fuqishme të botës". Sivjet ajo renditej në vendin e 97-të të kësaj liste.
Po cilat janë arsyet e suksesit të saj?
Weili Dai ka një besim të fortë në parimet dhe vlerat, të cilat ajo i quan si thelbësore për sukses. Ajo thotë: "Pasioni dhe ndershmëria janë themelet për të gjithë suksesin; drejtësia dhe kujdesi janë parimet për të gjithë drejtuesit e suksesshëm."
Nën udhëheqjen e Weili Dai-së, kompania "Marvell" ka sjellë shumë risi që kanë ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm në botën e teknologjisë. Pasioni dhe përkushtimi i Weili Dai-së për t'i fuqizuar njerëzit në mbarë botën nëpërmjet risive dhe teknologjisë janë shndërruar edhe në themelin e kulturës dhe vlerave të kompanisë së saj "Marvell".
Megjithatë Weili Dai nuk kërkon të jetë në qendër të vëmendjes. Çelësi i suksesit të kompanisë, thotë ajo, është ekipi i fortë i punonjësve të saj.
"Duhet të jesh i drejtë me të gjithë dhe të kujdesesh për ekipin tënd", thotë Weili Dai. "Ne nuk mblidhemi më rreth tryezës së bukës si në fillimet e kompanisë, por tradita e kujdesit për ekipin tonë vijon ende. Kyçi i suksesit janë përpjekjet në grup. Nuk jam unë. Nuk është as im shoq. Ne drejtojmë dhe financojmë, por merita është e tërë ekosistemit, e klientëve, e punonjësve, e drejtuesve."
Sipas Weili Dai-së, një gjë që mund të rrisë mundësitë për sukses në biznes është prania e një rrjeti përkrahës. Ajo e vlerëson shumë mbështetjen e familjes së saj dhe thotë se suksesi i saj vjen nga edukata e marrë në familje dhe nga arsimimi.
Weili Dai thotë se është rritur në një mjedis me shumë dashuri dhe kujdes, dhe që e nxiste të mendonte se mundësitë e saj ishin të pafund: "Prindërit e mi gjithmonë më inkurajonin dhe ata kishin besim gjithmonë te unë", thekson ajo. "Unë kam qenë me fat që kam pasur prindër kaq të mirë, kaq të kujdesshëm dhe kaq zemërdhënës. Prindërit janë burimi im i frymëzimit."
Weili Dai thotë se prindërit, bashkë me "mësuesit e pedagogët e mrekullueshëm" dhe dashuria për matematikën e shkencën në përgjithësi e ndihmuan atë të bëhet sipërmarrëse. Ajo beson se "arsimi është me të vërtetë elementi kyç për suksesin e dikujt" dhe shprehet se arsimi i ka dhënë një bazë të fortë për t'u marrë me biznes.
Weili Dai beson se elementet kryesore të suksesit të dikujt fillojnë me pasionin, ndershmërinë, zgjuarsinë dhe punën me zell. "Filozofia ime në jetë," thotë Weili Dai, "ka qenë gjithmonë arritja e rezultateteve me përfitime të ndërsjella. Dhe kjo është sjellja ime me klientët, partnerët dhe punonjësit".
Një gjë tjetër që Weili Dai thotë se e ka ndihmuar në biznes është dashuria e saj për sportin, dhe në veçanti për basketbollin.
"Ishte sporti, pikërisht basketbolli," vëren ajo, "që më ndihmoi për të zotëruar aftësitë që i nevojiten një udhëheqësi biznesi."
Weili Dai ishte një nga pak vajzat e përzgjedhura nga qeveria kineze për t'u trajnuar për një karrierë profesionale basketbolli. Nga mosha 8- deri në 14-vjeçare ajo e kalonte gjysmën e ditës në shkollë dhe gjysmën tjetër duke u stërvitur.
"Basketbolli më mësoi të jem e fortë, të luaj në grup dhe të jem e disiplinuar," thotë ajo. Këto aftësi e ndihmuan atë për ta kthyer "Marvell" nga një sipërmarrje e vogël në një kompani me 7000 punonjës dhe të ardhura vjetore më shumë se 3.4 miliardë dollarë.
"Basketbolli të bën të ndihesh shumë i shpërblyer kur më në fund e fut topin në kosh. Ndien se e ke arritur qëllimin. Më pëlqen shumë ky qëllim, që ta futësh topin në kosh", vëren ajo. "Jo vetëm që duhet të mendosh shpejt, por duhet edhe të lëvizësh shpejt. Duhet të bashkërendohesh dhe të bashkëpunosh me ekipin. Por, në fund të fundit, është të kesh diçka drejt së cilësh duhet të synosh, si në biznes."
Edhe energjia e saj e pashtershme Weili Dai thotë se vjen prej marrjes me sport: "Sporti më dha vetëbesim dhe themele të forta, prandaj unë mund të punoj papushim dhe njerëzit më pyesin: 'Si ka mundësi që nuk lodhesh kurrë?'"
"Sportet ekipore janë shumë të rëndësishme," vëren ajo. "Ato të ndihmojnë të mësosh disiplinën. Dhe duke luajtur çfarëdolloj sporti, kjo të jep pasionin për të fituar."
Për të theksuar rëndësinë e punës në ekip, Weili Dai vazhdon të shkojë në punë me të shoqin me të njëjtën makinë dhe madje nuk ka as edhe një zyrë të vetën. Ajo punon bashkë me të tjerët, që mund ta shohin atë si pronare, ndërsa vetë Weili Dai e quan veten thjesht një kujdestare.
Weili i nxit punonjësite e kompanisë së vet - 3500 në Shtetet e Bashkuara dhe 3 500 të tjerë në mbarë botën - të ftojnë familjarët që t'i vizitojnë në punë.
Kur e pyet se ç'sugjerime do t'u jepte sipërmarrësve të rinj, Weili Dai thotë se këshilla e saj e vetme është: "Jini gati!"
Weili Dai e krahason sipërmarrjen me udhëtimin me një tren të shpejtësisë së lartë. "Kur hipën në këtë tren, nuk ka kthim prapa," shprehet ajo. "Sipërmarrësit e rinj duhet të jenë gati dhe të kenë besim te vetja. Kur të përballen me sfida, ata duhet të nisin të kërkojnë për të gjetur rrugë për përballimin e tyre."
Weili Dai shton se fokusimi në të ardhmen është diçka që duhet ta bëjnë të gjithë sipërmarrësit.
"Para se të bëni një lëvizje," vëren ajo, "duhet të pyesni veten nëse ajo që ju jeni gati duke bërë do të ndihmojë në suksesin afatgjatë, apo është thjesht një rrugë e shkurtër vetëm për sot. Në qoftë se është për suksesin afatgjatë, kjo është diçka për të cilën duhet të jeni krenar dhe është një recetë e mirë për të filluar." Dhe shton: "Duhet të ndjekësh një filozofi përunjësie - gjithmonë keni diçka më shumë për të mësuar. Po të thuash: 'Ah, nuk ka më nevojë për të mësuar', vetëm se mund të shkosh mbrapa.".
Lidhur me kompaninë e vet, Weili Dai nuk sheh fund ose kufij për atë që mund të arrijë "Marvell" në vitet e ardhshme. "Ne në 'Marvell' jemi njerëz që bëjmë plane afatgjata dhe të apasionuar marrëzisht pas teknologjisë," shprehet ajo.
Weili Dai është mjaft e angazhuar edhe në filantropi, duke qenë në krye të zbatimit të përgjegjësive shoqërore të "Marvell"-it, përfshirë edhe partneritetin me programin "One Laptop Per Child" ("Një laptop për fëmijë"). Ajo është gjithashtu anëtare e bordit të organizatës humanitare për ndihmën në raste fatkeqësish "Give2Asia", si edhe bën pjesë në Komitetin e të 100-ve, një organizatë prestigjioze që përfaqëson kinezo-amerikanët me ndikim më të madh. Në universitetin ku ka studiuar ajo dhe i shoqi, për nder të kontributit të tyre financiar për këtë universitet, është krijuar Salla "Sutardja Dai", ku ndodhet ndër të tjera edhe Qendra për Studimin e Teknologjisë së Informacionit në Interes të Shoqërisë.
Weili Dai është edhe një promovuese e zjarrtë e pjesëmarrjes së gruas në sektorin e teknologjisë dhe e ngjitjes së gruas në poste drejtuese. Vetë suksesi i Weili Dai-së është një shembull i asaj që mund të arrijnë gratë që kanë vendosur ta kenë karrierën e tyre në shkencë e teknologji.
Në vitin 2011 Weili Dai u ftua nga sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit Hillari Klinton për të marrë pjesë në Samitin "Gratë dhe Ekonomia" të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC).
"Jam krenare që isha pjesë e këtij samiti, ku u diskutua për mënyrën se si vendet në zhvillim mund të krijojnë mjedise më mbështetëse për gratë drejtuese biznesi dhe sipërmarrëse," shprehet Weili Dai. "Si grua, unë besoj se shpërfaqja e fuqive tona të brendshme - ndjenjës së përgjegjësisë, pasionit, dhembshurisë dhe përkushtimit për familjen dhe shoqërinë - dhe zbatimi i tyre në biznes mund të na bëjnë faktorë të rëndësishëm në një epokë të re të rritjes dhe përparimit global".
Në mars të vitit të kaluar Weili Dai ishte pjesë e grupit prej shtatë kryeekzekutivësh dhe drejtuesish të kompanive të teknologjisë së lartë që u takuan me presidentin Barak Obama për të diskutuar për çështje të kësaj industrie, duke përfshirë edhe rregullat e emigrimit për punonjësit e huaj të kualifikuar e të mirarsimuar. Weili Dai është pa dyshim shembulli më i mirë i potencialit të këtij grupi.