PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Rritet përdorimi i makinave elektrike në Kinë
2014-07-29 11:06:18 CRI Komenti juaj Printoni

Deri në fund të vitit 2013, në tregun kinez kishte gjithsej 137 milionë automjete. Në secilin nga tetë qytetet më të mëdha të vendit tashmë numri i makinave arrin mbi 2 milionë. Vetëm nëpër rrugët e kryeqytetit Pekin lëvizin tashmë më shumë se 5 milionë makina. Me zhvillimin kaq të shpejtë të tregut të automjeteve në Kinë, si dhe për shkak të mungesës së naftës dhe ndotjes së ajrit, makina elektrike, sipas shumë njerëzve, është një mundësi mjaft praktike në Kinë.

Në vitin 2012, Kina publikoi "Planin e zhvillimit të makinave me energji të reja (2012-2020)", ku shpallet qartë strategjia e Kinës për zhvillimin e industrisë së automjeteve me motor elektrik.

Në fakt, nga vitet '80 të shekullit të kaluar, Kina ka filluar studimin dhe prodhimin e makinave elektrike. Në vitin 2008, gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit, për herë të parë u vunë në përdorim mbi 500 makina të tilla, ndërsa gjatë Ekspozitës Botërore të Shangait në vitin 2010 numri i tyre arriti mbi 1000. Ndërkohë, në vitin 2011, gjatë Universiadës së Shenzhen-it, pala organizatore vuri në qarkullim mbi 2000 makina të tilla.

Të gjitha këto makina elektrike u vunë në përdorim vetëm në zonat eksperimentale. Atëherë, si është gjendja e përdorimit të makinave elektrike në tregun e konsumit?

Tre vjet më parë, z. Feng nga qyteti Hangzhou i Kinës Lindore u tërhoq nga një reklamë për makinat elektrike. Në atë kohë ai kishte një makinë, por megjithatë kishte shumë dëshirë të zotëronte një makinë të re që harxhon pak energji. Kështu, një makinë elektrike e tillë u bë makina e dytë e tij.

"Po ta krahasojmë me makinat e zakonshme, makina me benzinë harxhon 8-10 litra naftë, afro 70-80 juanë për 100 kilometra, ndërsa makina elektrike harxhon më pak se 10 juanë për 100 kilometra. Kjo diferencë është shumë e dukshme. Nëse unë qarkulloj 1000 e madje 10000 km, do të kurseja një shumë e madhe," thotë Feng.

Megjithëse kostoja e përdorimit është e ulët, çmimi i një makine të tillë është 200 mijë juanë. Me subvencion nga qeveria, një makinë e tillë shitet mbi 100 mijë juanë. Në krahasim me makinat e zakonshme, kjo nuk përbën aspak epërsi. Për një çmim kaq të lartë, z. Feng ishte i pavendosur, por në fund ai e bleu për të mos harxhuar karburant.

Por problemi nuk ishte vetëm çmimi, por edhe ngarkimi i baterisë. Me një ngarkim të plotë, makina elektrike e Feng-ut mund të ecë vetëm 100 kilometra. Kjo do të thotë që Feng-u nuk mund të shkojë në një vend më larg se 50 km, nëse dëshiron të kthehet mbrapsht përsëri po me atë makinë dhe nëse nuk ka ndonjë pikë ngarkimi përgjatë rrugës.

"Tani në shumë rrugë nuk bëhet ngarkimi i baterisë. Po të shkosh larg, nuk mund të gjesh asnjë pikë ngarkimi as në autostradë, as në rrugë. Për një makinë me naftë, mund të gjesh kudo dhe kurdo një pikë karburanti, ndërsa për një makinë elektrike, nuk ka asnjë mundësi, megjithëse mund të ndodhesh në një pikë karburanti," u shpreh Feng-u.

Nga ana e tregut, për arsye që tani në studimin dhe prodhimin e makinave elektrike ende nuk është realizuar një përparim i madh në teknologjinë thelbësore, këto makina nuk mund të shkojnë larg pa ngarkim. Gjithashtu, për shkak të çmimit të lartë dhe mungesës së instalimeve për ngarkimin e baterive, konsumatorët nuk i parapëlqejnë makinat elektrike. Luo Jun është kryeekzekutivi i Shoqatës së Prodhuesve të Azisë. Ai tha:

"Nga viti 2009, kur vendi ynë fillon të nxitë zhvillimin e makinave që kursejnë energjinë dhe me energji të reja, si makinat hibrid dhe makinat elektrike, gjendja e tregut nuk ka qenë e mirë. Deri tani, në tregun kinez ka afro 30 mijë makina që punojnë me energji të reja, çka është një numër i vogël. Arsyeja kryesore për këtë, sipas meje, është që niveli teknologjik nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm, posaçërisht për makinat me motor elektrik."

Për të mbështetur përdorimin e makinave elektrike, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Financave, Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Komiteti Kombëtar për Zhvillimin dhe Reformën i Kinës publikuan listën e vlerësimit të përhapjes së makinave me energji të reja, duke përcaktuar 28 qytete si kontingjenti i parë i qyteteve pilot të përdorimit të makinave elektrike.

Sipas politikës mbështetëse, vëllimi i subvencionit është 35 mijë juanë për makinat elektrike me kapacitet udhëtimi 80-150 kilometra, për ato me kapacitet 150-250 km është 50 mijë, ndërsa për makinat me mbi 250 km, subvencioni është 60 mijë juanë.

Pra, sipas kësaj politike, sa më i madh të jetë kapaciteti i udhëtimit të makinës elektrike, aq më shumë subvencion mund të marrin konsumatorët. Analistët janë të mendimit që kjo politikë mbështetëse synon të nxitë kompanitë të shtojnë kapacitetin dhe kohëzgjatjen e baterive të makinave. Kështu, do të pakësohen shqetësimet e konsumatorëve për blerjen e makinave elektrike. Feng Yanjie është punonjës në një kompani makinash elektrike. Ai u shpreh se, me nivelin e tanishëm teknologjik, nuk është e lehtë që të realizohet ky synim.

"Makina elektrike tani për tani është e përshtatshme vetëm për rrugët brenda qyteteve. Ajo nuk mund të përdoret në mbarë vendin, si makina me karburant. Kapaciteti dhe kohëdurimi i baterisë dhe teknologjitë e tjera kyçe duhet medoemos të ketë një përparim të madh për të mbuluar këtë disavantazh," u shpreh Feng Yanjie.

Hangzhou është një nga qytetet e para të përcaktuara si zona pilot për përdorimin e makinave elektrike. Në fillim të vitit 2011, makinat elektrike nisën të përdoren si taksi. Tani Hangzhou ka kompaninë më të madhe të makinave-taksi elektrike në Kinë.

Sipas të dhënave përkatëse, deri në fund të vitit 2013, kompania e menaxhimit të furnizimit me energji elektrike e Hangzhou-t kishte gjithsej 723 makina elektrike, të cilat bënë 540 mijë herë ngarkim baterie, duke udhëtuar mbi 30 milionë kilometra.

Qysh nga viti 2009, Kina është bërë prodhuesja më e madhe e makinave në botë. Por, për shkak të mungesës së teknologjisë kyçe, Kina nuk është ende një prodhuese e fuqishme. Me zhvillimin e urbanizimit dhe rrjetit rrugor, gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme, tregu i automjeteve në Kinë do të vijojë në një fazë zhvillimi të shpejtë, ku makina elektrike do të ketë një perspektivë më të gjerë. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China