PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
BRICS, krijohet Banka e përbashkët e Zhvillimit
2014-07-22 17:18:22 CRI Komenti juaj Printoni

Pas Kupës së Botës Brazil 2014, qyteti bregdetar brazilian Fortaleza sërish është bërë fokusi i botës, por këtë herë vëmendja nuk është përqenduar në stadiumin e këtij qyteti, por në fushën politike e ekonomike. Udhëheqësit shtetërorë të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut u mblodhën në Fortaleza për samitin e 6-të të liderëve të BRICS-it. Gjatë samitit, liderët e 5 vendeve shpallën krijimin e Bankës së përbashkët të Zhvillimit, si dhe Fondit Rezervë të Emergjencave të vendeve të BRICS-it. Këto dy institucione janë konsideruar si përpjekje kyçe të vendeve të BRICS-it për formimin e të ashtuquajturave "Bankë Botërore dhe FMN të BRICS-it". Analistët janë të mendimit që me këto dy institucione financiare, ekonomitë e reja do të kenë të drejtë më të madhe fjale në arenën ndërkombëtare. Veç kësaj, selia e Bankës së Zhvillimit të BRICS-it do të vendoset në Shangai të Kinës Lindore, duke përbërë herën e parë që një institucion financiar ndërkombëtar e ka selinë e vet në një qytet kinez.

 

Gjatë samitit të BRICS-it në Brazil, mediat i kushtuan rëndësi më të madhe lajmit për krijimin e Bankës së Zhvillimit të BRICS-it. Ministrat e financave të 5 vendeve të BRICS-it nënshkruan në ditët e samitit marrëveshjen e krijimit të Bankës së Zhvillimit të BRICS-it. Në emër të qeverisë kineze, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Lou Jiwei. Për krijimin e kësaj banke, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping vuri në dukje:

"Me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve, kemi arritur unanimitet për krijimin e një banke zhvillimi. Kjo është një arritje me rëndësi të madhe e bashkëpunimit mes vendeve të BRICS-it. Ajo tregon konsolidimin e këtij bashkëpunimi, si edhe vullnetin e vendeve të BRICS-it për zhvillimin e përbashkët. Një gjë e tillë jo vetëm do të jetë në të mirë të shtimit të së drejtës së fjalës të vendeve në zhvillim në çështjet financiare ndërkombëtare, por prej saj do të përfitojnë edhe popujt e vendeve në zhvillim. Falënderojmë të gjithë ata që mbështetën vendosjen e selisë së kësaj banke në Shangai dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha palët dhe të bëjmë përgatitje të mjaftueshme, për të garantuar nisjen sa më të shpejtë të punës së kësaj banke."

Krijimi i kësaj banke zhvillimi është në të vërtetë një konsensus i arritur në vitin 2013, gjatë samimit të liderëve të vendeve të BRICS-it në Durban të Afrikës së Jugut. Ministrat e financave të BRICS-it arritën konsensus për një marrëveshje të tillë pas 7 raundesh bisedimesh. Në këtë marrëveshje janë përfshirë përmbajtjet kryesore, si objektivat e bankës, vlera e kapitalit fillestar, vendet anëtare të bankës dhe guvernatori i bankës.

Sipas marrëveshjes, objektivat e Bankës së Zhvillimit janë mbështetja e ndërtimit infrastrukturor dhe zhvillimi i vazhdueshëm në vendet e BRICS-it dhe vendet e tjera në zhvillim. Kapitali fillestar i kësaj banke do të jetë 100 miliardë dollarë amerikanë, që do të ndahet në mënyrë të barabartë nga vendet e BRICS-it. Pesë vendet e BRICS-it janë vendet themeluese të bankës, por në këtë bankë do të përfshihen më pas edhe vende të tjera. Përveç kësaj, është përcaktuar që selia e bankës do të vendoset në Shangai dhe guvernatori i bankës do të zgjidhet me radhë nga vendet e BRICS-it. Guvernatori i parë do të jetë nga India.

Gjatë samit të BRICS-it në Fortaleza, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës Zhou Xiaochuan, në emër të qeverisë kineze, nënshkroi marrëveshjen për formimin e Fondit Rezervë të Emergjencave të BRICS-it me përfaqësuesit e vendeve të tjera të BRICS-it. Sipas kësaj marrëveshjeje, këto vende premtojnë që të krijojnë një fond prej 100 miliardë dollarësh amerikanë si fond ndihme kur vendet anëtare janë në gjendje emergjente financiare, si në humbje kapitalesh ose krizë buxhetore. Kjo rezervë është quajtur edhe si "mini-FMN". Për këto arritje në bashkëpunimin financiar mes vendeve të BRICS-it, presidentja braziliane Dilma Vana Rousseff u shpreh:

"Sot, kemi krijuar zyrtarisht Bankën e Zhvillimit dhe Fondin Rezervë të Emergjencave të BRICS-it. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, pasi mund të na ndihmojë të përmirësojmë punën tonë për qeverisjen globale. Kemi miratuar edhe një deklaratë, ku ritheksojmë që duhet të shtohet më tej bashkëpunimi në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë treguar që, megjithëse ndodhemi larg gjeografikisht, megjithëse kemi shumëllojshmëri të madhe, do të përpiqemi bashkë për një partneritet të ngushtë dhe të fortë. Kjo do të jetë në të mirë të përmirësimit të sistemit të tanishëm botëror dhe të rendit ndërkombëtar."

Banka e Zhvillimit e BRICS-it është banka e parë e përbashkët e ekonomive të reja. Kjo do të thotë që vendet e BRICS-it, që përbëjnë 21 % të ekonomisë botërore dhe kanë 40 % të rezervës valutore të botës, do të luajnë rol më aktiv në kornizën financiare globale. Ndërsa krijimi i Fondit Rezervë të Emergjencave të BRICS-it është një provë e madhe për përballimin e përbashkët të sfidave globale nga ekonomitë e reja.

Me këto dy sisteme të reja financiare, samiti i Brazilit ka krijuar një platformë të rëndësishme për vendet e BRICS-it, si edhe për vendet e tjera në zhvillim. Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping, gjatë samitit, vuri në dukje se vendet anëtare të BRICS-it duhet të hartojnë bashkë një hartë të re dhe të punojnë për një ekonomi më të hapur botërore.

"Duhet të hartojmë një hartë të re në bazë të përvojës që kemi. Unë mendoj që kjo hartë do ta bëjë në fakt partneritetin mes vendeve të BRICS-it më të ngushtë, më të gjithanshëm dhe më të fortë. Një gjë e tillë kërkon që ta përhapim partneritetin e veçantë mes vendeve të BRICS-it, të ngulim këmbë në frymën e hapjes, të shfrytëzojmë përparësitë tona, të shtojmë bashkëpunimin ekonomik dhe të formojmë një treg të madh global, për të përsosur më tej zinxhirin global të vlerës dhe për t'u bërë krijuesit e ekonomisë botërore të tipit të ri," tha Xi Jinping.

Bashkëpunimi mes vendeve të BRICS-it në vitin 2009 është zhvilluar në mekanizmin e ri të samitit të liderëve. Vitet e fundit, vendet e BRICS-it kanë formuar një kornizë bashkëpunimi në politikën ndërkombëtare, ekonominë globale dhe bashkëpunimin konkret mbi çështjet e rëndësishme rajonale dhe botërore, veçanërisht në luftën kundër terrorizimit dhe për çështjet e Lindjes së Mesme, Afganistanit, Sirisë dhe Ukrainës. Për këtë presidentja braziliane Dilma Rousseff u shpreh:

"Me këto bashkëpunime, kemi pasur mundësi që të rishikojmë bashkë çështjet kryesore të ekonomisë dhe politikës botërore. Kemi bërë diskutime edhe mbi luftën, posaçërisht për gjendjen në Lindjen e Mesme, si edhe konfliktet në Siri, Irak dhe Ukrainë. E pranojmë që gjendja në botë ka pasur një përparim, por duhet të ngulim këmbë për një zgjidhje më të gjithanshme afatgjatë. Një rrugë e rëndësishme për këtë është dialogu. Ne u bëjmë thirrje palëve përkatëse të dialogojnë. Për zgjidhjen e një sërë problemesh, duhet medoemos të përpiqemi nëpërmjet lidhjeve shumëpalëshe, jo vetëm të palëve të përfshira, por edhe të mbarë bashkësisë ndërkombëtare."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China