20140722hpasuri |
Kupa e Botës në futboll nuk ka shumë që ka përfunduar dhe, për fat të keq, ashtu si kuqezinjtë e Shqipërisë, as ekipi kombëtar kinez nuk ishte pjesë e festës më të madhe të futbollit botëror. Megjithatë, ashtu si shqiptarët u përfaqësuan me një numër lojtarësh që luanin për ekipet e tjera, edhe Kina ishte e pranishme në këtë kupë bote, por nëpërmjet kompanive të saj. Fjalët "Made in China" (Prodhuar në Kinë) ishin në shumë prej produkteve të lidhura me Kupën e Botës, ndërsa një kompani kineze është kompania e parë e energjisë së përtëritshme që bëhej një sponsor zyrtar. Në reklamat në stadiumet ku u zhvilluan ndeshjet e Kupës së Botës të haste syri shpesh dy hieroglife kineze dhe transliterimin e tyre në alfabetin latin, "Yingli", kompania më e madhe prodhuese e panaleve diellore në botë. Themeluesi i saj është Miao Liansheng-u, që sot është njëkohësisht kryetari i bordit të drejtorëve dhe zyrtari kryeekzekutiv i kësaj kompanie.
Miao Liansheng-u ka lindur në prill të vitit 1956 në Baoding të provincës Hebei të Kinës Veriore. Studimet e larta i ndoqi për menaxhim biznesi në Institutin Ekonomik të Pekinit, teksa më pas do të merrte edhe gradën "master" në administrim biznesi në Universitetin e Pekinit, një institucion arsimor mjaft prestigjioz në Kinë e në mbarë botën. Në vitin 1998 Miao Liansheng-u vendosi të nisë biznesin e vet, duke krijuar kompaninë "Tianwei Yingli", e cila më vonë do të quhej Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli".
Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" filloi prodhimin e moduleve diellore në vitin 2003, me një kapacitet prej 3 MW. Vetëm një vit më pas ky kapacitet arriti në 50 MW. Po në vitin 2004 "Yingli" filloi shitjet jashtë vendit, e pikërisht në Gjermani. Në vitin 2006 Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" arriti të prodhojë panele diellore me një kapacitet 100 MW, pra mbi 30 herë më shumë se vetëm tre vjet më parë. Po në vitin 2006 "Yingli" arriti të mbledhë 220 milionë dollarë nëpërmjet një vargu investimesh private. Një vit më pas kapaciteti i paneleve diellore të Kompanisë së Energjisë së Gjelbër "Yingli" u dyfishua, duke arritur në 200 MW, e po ashtu edhe në 2008-n ky kapacitet u dyfishua, duke arritur në 400 MW. Kjo rritje vazhdoi me ritme të shpejta derisa në vitin 2012 "Yingli" arriti një kapacitet prodhimi 2 450 MW, duke u bërë kështu prodhuesja më e madhe e paneleve diellore në botë. Kompania "Yingli" po ashtu u bë numri një në botë për sa u përket të ardhurave nga shitjet e paneleve diellore, vend të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot.
Në vitin 2007 Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" u kuotua në Bursën e Nju-Jorkut. Përveç Kinës, "Yingli" merr pjesë në projekte të energjisë diellore në një numër vendesh të tjera, si ShBA, Gjermani, Itali, Spanjë e Portugali, Produktet e saj shiten edhe në Greqi, Francë, Korenë e Jugut, Japoni e Australi.
Në vitin 2010, "Yingli" u bë kompania e parë kineze dhe kompania e parë e energjisë së përtëritshme që sponsorizoi një Kupë Bote në futboll, pikërisht atë në Afrikën e Jugut. "Yingli" ishte gjithashtu një nga sponsorët e Kupës së Botës në Brazil të sapopërfunduar, duke qenë e vetmja kompani kineze sponsorizuese e kësaj veprimtarie dhe kompania e parë dhe e vetme deri tani e energjisë së përtërtshme që ka qenë sponsor zyrtar si në Kupën e Botës të Afrikës së Jugut, ashtu edhe në Kupën e Botës të Brazilit. Duke u mbështetur në partneritetin e vet me FIFA-n, Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" është gjithashtu një sponsor i "Bajernit" të Munihut dhe i ekipeve kombëtare të futbollit për femra dhe meshkuj të ShBA-së.
Si kompania e parë e energjisë së përtëritshme që është bërë sponsor i Kupës së Botës dhe duke iu bashkangjitur listës së sponsorëve të tjerë prestigjiozë të Kupës së Botës,"Yingli" iu përgjigj thirrjes së FIFA-s për ta bërë sportin më popullor në botë jo vetëm një festë të lojës e konkurrimit, por edhe një simbol të respektimit të planetit.
Presidenti i FIFA-s Joseph Blater tha se FIFA e kishte zgjedhur "Yingli"-në për t'u bërë një nga sponsorët e saj ndërkombëtarë, për shkak të suksesit të kësaj kompanie në fushën e energjisë së përtëritshme dhe angazhimit të qartë të sajnë ruajtjen e mjedisit. "Shpallja e Kompanisë së Energjisë së Gjelbër 'Yingli' si kompania e parë kineze që bëhet një sponsor global i Kupës së Botës të FIFA-s shënon një çast historik," vuri në dukje numri një i FIFA-s.
Jerome Valcke, Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, theksoi: "Jam shumë i gëzuar që mirëpres një kompani të tillë të energjisë së përtëritshme udhëheqëse në shkallë botërore dhe kompania e parë kineze në familjen e FIFA-s. Ne presim me padurim shkëmbimin e mendimeve se si ta bëjmë botën më të gjelbër dhe më të pastër nëpërmjet dashurisë për futbollin."
Nga ana e tij, Miao Liansheng theksoi: "Si një nga kompanitë kryesore të produkteve të energjisë diellore në botë, ne jemi të gëzuar që u bashkohemi markave të tjera të klasit botëror si një sponsor ndërkombëtar i Kupës së Botës të FIFA-s. Ky sponsorizim e lidh Kompaninë e Energjisë së Gjelbër 'Yingli' me sportin më popullor dhe të ndjekur me më shumë pasion në botë. Ne ndihemi të privilegjuar për këtë mundësi dhe presim me padurim të ofrojmë përvojën dhe njohuritë tona për ta ndihmuar FIFA-n ta bëjë këtë sport shumë të dashur një nxitës për një mjedis më të mirë e më të gjelbër."
Më tej Miao Liansheng-u shtoi: "Ky sponsorizim gjithashtu nënkupton përgjigjen tonë ndaj kërkesës globale në rritje për të krijuar një botë të gjelbër përmes energjisë së përtëritshme. Ne jemi krenarë për misionin tonë dhe hapat që kemi ndërmarrë për ta bërë energjinë diellore një teknologji të qëndrueshme dhe efektive nga ana e kostos për të gjithë njerëzimin. "
Në vitin 2010, Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" pagoi 500 milionë juanë (80 milionë dollarë) për të qenë sponsor i Kupës së Botës të Afrikës së Jugut. Në të 64 ndeshjet e Kupës së Botës dhe në të gjitha stadiumet, tetë minuta nga koha e reklamave iu lanë "Yingli"-së për të promovuar markën e vet. Logoja e Kompanisë së Energjisë së Gjelbër "Yingli" u shfaq në reklamat elektronike përanësh fushës për 30 sekonda çdo herë.
Pavarësisht nga shuma e paguar, Miao Liansheng-u thotë se kostoja ishte e justifikuar. "Kupa e Botës e Afrikës së Jugut ishte një platformë e madhe për njohjen e markës dhe zgjerimin e tregut," shprehet ai.
Ky veprim i guximshëm i siguroi "Yingli"-së më shumë se 50 milionë dollarë fitime. Në pamje të parë duket sikur kompania humbi para, krahasuar me 80 milionë dollarët e shpenzuar, por njohja globale e markës u shtua shumë. Kapaciteti prodhues i kompanisë arriti në 3 200 megavatë në vitin 2013, kurse pjesa e saj në tregun global u rrit nga 3 për qind në 10 për qind pas Kupës së Botës të Afrikës së Jugut.
Sigurisht një rritje me përmasa të tilla pritet edhe tani kur ka përfunduar Kupa e Botës e Brazilit.
Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" furnizoi me module të energjisë diellore stadiumet e Kupës së Botës të këtij viti, duke përfshirë edhe stadiumin "Marakana" në Rio-de-Zhanejro. "Marakana", ku u luajt ndeshja finale mes Argjentinës e Gjermanisë, është një nga stadiumet simbol dhe më të njohur në botë, për të mos thënë më i njohuri së bashku me "Uemblin" e Londrës, dhe tani do të jetë i njohur edhe për faktin e përdorimit të energjisë së përtëritshme. Në këtë kupë bote "Marakana" u ndriçua me energji diellore falë Miao Liansheng-ut dhe "Yingli"-së së tij.
"Furnizimi me energji i këtij stadiumi kaq të njohur në Brazil dhe në mbarë botën është një mundësi që të vjen një herë në jetë," vë në dukje Miao Liansheng-u. "Brazili është një treg i rëndësishëm në zhvillim për 'Yingli'-në dhe ne do të vazhdojmë ta rritim praninë tonë këtu, teksa potenciali i energjisë diellore në këtë vend vazhdon të rritet."
stadiumin "Marakana"
Në stadiumin "Marakana", i ndërtuar fillimisht për kampionatin botëror të vitit 1950, u luajtën në Kupën e sivjetshme të Botës shtatë ndeshje, më shumë se çdo stadium tjetër. Kulmi sigurisht ishte finalja e 13 korrikut. Mbi 1 500 module fotovoltaike të "Yingli"-së u vendosën në një unazë metalike që qarkoi pjesën e sipërme të stadiumit. Kjo vendosje e paneleve synonte të ishte një përkujtuese të fortë pamore për rëndësinë e mjedisit.
Përveç "Marakanës", panelet diellore të Yingli ndriçuan edhe stadiumin "Arena Pernambuco" të Recifes. Partneriteti i FIFA-s me sponsorin e Kupës së Botës të Brazilit "Yingli" e bëri këtë kupë më ekologjiken e të gjitha kohërave.
Ndonëse kompanitë prodhuese kineze kanë qenë shumë të përfshira në prodhimin e produkteve të autorizuara për këtë Kupë Bote, të tilla si topat zyrtarë të ndeshjeve, të quajtur "Brazuca", dhe mallra të ndryshme të tjera, të tilla si maskota, flamuj kombëtarë, imitime të Kupës së Botës dhe qindra lloje produktesh të tjera, "Yingli" është kompania e parë dhe e vetme kineze që ka sponsorizuar Kupën e Botës deri tani. Reklamat me logone Kompanisë së Energjisë së Gjelbër "Yingli" u panë në të 12 stadiumet ku u zhvilluan ndeshjet e kësaj kupe bote, krahas markave të tjera të mëdha botërore, të tilla si "McDonalds" dhe "Visa". Miao Liansheng-u e vlerëson këtë si shumë të nevojshme për të nxitur rritjen e biznesit të kompanisë. Ndërsa Judy Tzeng, zëvendësdrejtore e marketingut global në "Yingli", thotë se sponsorizimi i Kupës së Botës së Brazilit synote ndër të tjera depërtimin në tregun e panjohur të Amerikës së Jugut.
Kompanitë e energjisë diellore kanë pasur probleme vitet e fundit për shkak të mbikapacitetit të prodhimit dhe taksave të larta ndëshkuese të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, që janë edhe dy tregjet kryesore të Kompanisë së Energjisë së Gjelbër"Yingli" jashtë vendit. Rritja e çmimeve i pengoi eksportet e "Yingli"-së në këto dy rajone, në të cilat më parë kishte pasur vëllime të qëndrueshme të shitjeve. Kështu "Yingli" nuk arriti të nxjerrë fitime për 11 tremujorë rresht.
Ecuria jo e mirë e industrisë së energjisë diellore dhe pengesat e krijuara nga taksat e larta të vendosura nga ShBA-ja dhe BE-ja kanë bërë që kompanitë e këtij sektori të jenë në një proces ristrukturimi, dhe një numër prej tyre janë bashkuar ose po bashkohen me njëra-tjetrën e disa janë të tjera janë mbyllur e po vijojnë të mbyllen.
"Firmat që do t'i mbijetojnë ristrukturimit do të jenë ato me kërkesë të fortë tregu, markë të konsoliduar dhe teknologji të përparuara, ndërsa kompanitë e vogla dhe joefikase do të mbeten jashtë," thotë Miao, duke shtuar: "Tregu global i produkteve fotovoltaike do të vazhdojë të zgjerohet dhe njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë gjithnjë e më shumë energji të gjelbër. Kjo ofron mundësi shumë të mira për zhvillimin e kësaj industrie."
Lin Boqiang-u, drejtor i Qendrës Kineze për Studimin e Ekonomisë Energjetike në Universitetin e Xiamen-it, është i një mendjeje me optimizmin e Miao-s. "Në industrinë e sotme të energjisë diellore, me gjithë problemet, një treg më i pjekur mundëson qëndrueshmërinë e çmimeve dhe rritjen në mënyrë të qëndrueshme të kërkesës, kështu që rritja e industrisë së energjisë diellore ka praktikisht një potencial të madh," mendon ai.
Dhe teksa industria globale e energjisë diellore ka filluar të rigjallërohet dhe kërkesa nga tregjet e reja në Amerikën e Jugut dhe Azi është rritur, gjigandi i energjisë diellore i listuar në bursën e Nju-Jorkut ka pasur një ecuri më të mirë që prej fillimit të këtij viti. Të ardhurat e përgjithshme bruto të kompanisë "Yingli" u rritën me mbi 15 për qind në gjashtëmujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Miao Liansheng-u thotë se fitimet pritet të rriten në disa tremujorë në vazhdim, duke shpresuar se fushata e marketingut e Kupës së Botës do të bëhet një forcë shtytëse e rritjes së biznesit të "Yingli"-së falë depërtimit në tregun e Amerikës së Jugut. Edhe aksionet e kompanisë në bursë kanë njohur një rritje të madhe kohët e fundit.
"Yingli" ka tashmë më shumë se 16 000 punëtorë dhe 21 zyra dhe degë në mbarë botën.Miao Liansheng-u thekson se Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" është prej kohësh e përkushtuar për të vënë në jetë vizionin e vet për një botë me energji të pastër e të përtëritshme. Në përmbushjen e këtij vizioni, kompania përpiqet të krijojë një mjedis pune të shëndetshëm, të sigurt dhe mbështetës për të gjithë punonjësit e saj. Misioni i kompanisë "Yingli" është pikërisht sigurimi i energjisë së gjelbër për të gjithë. "Në 'Yingli', ne punojmë për të përmbushur përgjegjësinë tonë shoqërore globale për ta bërë energjinë diellore një opsion të mundshëm për gjithkënd," shprehet Miao Liansheng-u. "Objektivi ynë është të jemi kompania që ofron koston më të ulët dhe në të njëjtën kohë siguron produktet më të mira për klientët tanë."
Si pjesë e sponsorizimit të Kupës së Botës të FIFA-s në Afrikën e Jugut në vitin 2010, Kompania e Energjisë së Gjelbër "Yingli" merr pjesë në nismën "Futboll për shpresë, energji për shpresë", që ka për qëllim krijimin e njëzet qendrave "Futboll për shpresë" në komunitete në Afrikë që përdorin elementet pozitive dhe tërheqjen që ka futbolli për të trajtuar sfida të tilla si shëndeti publik dhe arsimi në zonat e varfra në të gjithë kontinentin afrikan. "Yingli" është duke punuar për t'i furnizuar këto njëzet qendra me energji të pastër diellore. Produktet fotovoltaike të "Yingli"-së do të sigurojnë energji elektrike për një llojshmëri të madhe përdorimi në këto qendra, nga ndriçimi në fushat e futbollit te sigurimi i energjisë për kondicionerët dhe kompjuterat.
Ndërkohë, Kompania e Energjisë së Gjelbër"Yingli" dhe Federata e Futbollit e ShBA-së kanë krijuar programin mbarëkombëtar PASS për të ndihmuar në promovimin e energjisë së qëndrueshme në lagjet e varfra, duke nxitur edhe një stil të shëndetshëm jetese për të rinjtë. "Yingli" është gjithashtu furnizuesi i parë zyrtar dhe më i madhi me module për "GRID Alternatives", një organizatë jofitimprurëse me bazë në Oakland të Kalifornisë, që u ofron familjeve me të ardhura të ulëta sisteme të energjisë diellore falas. "Yingli" ka ndihmuar deri tani më shumë se 1000 familje për të pasur fatura më të ulëta të energjisë elektrike nëpërmjet mbështetjes së "GRID Alternatives". Me mijëra punëkërkues gjithashtu kanë marrë trajnime profesionale përmes këtij partneriteti.
Ky angazhim për komunitetin dhe mjedisin përgjatë shumë viteve ka bërë që "Yingli" të vlerësohet me shumë çmime, disa prej të cilave përfshijnë: "Sipërmarrje që mbron mjedisin e Kinës" e dhënë në vitin 2008 nga Ministria kineze e Mjedisit për kompanitë e dalluara në drejtim të kontrollit të lëshimit të gazit, ruajtjes së burimeve dhe riciklimit të mbetjeve industriale; "Kompani me lëshim të ulët karboni e Kinës" në vitin 2010; "Çmimin e marketingut sportiv më të mirë" për Kupën e Botës 2010, me motivacionin se, si kompania e parë kineze dhe e energjisë së përtëritshme që sponsorizon një kupë bote, "Yingli" integron në shkallën më të lartë frymën sportive me atë të sipërmarrjes novatore.
Përveçse kryetar i bordit të drejtorëve dhe zyrtar kryeekzekutiv i Kompanisë së Energjisë së Gjelbër "Yingli", Miao Liansheng-u është drejtor ekzekutiv i Komitetit të Industrisë Fotovoltaike të Shoqatës së Energjive të Përtëritshme të Kinës, zëvendëskryetar i Shoqatës së Furnizimit me Energji Elektrike të Zonave Rurale të Kinës dhe zëvendëskryesues i Shoqatës së Industrisë së Paneleve Diellore të Kinës. Miao është gjithashtu kryetar i Shoqatës së Industrive të Teknologjive të Reja dhe të Larta të Hebei-t dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë të Energjive të Reja të Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe Tregtisë. Në vitin 2010 Miao Liansheng-uu përfshi në listën e 400 individëve më të pasur në Kinë të "Forbes"-it, ndërsa në vitin 2012 pasuria e tij llogaritej po nga "Forbes"-i në rreth 260 milionë dollarë.