PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shpejtohet ndërkombëtarizimi i monedhës kineze RMB
2014-07-16 09:25:38 CRI Komenti juaj Printoni

Procesi i ndërkombëtarizimit të monedhës kineze RMB ka pasur një përparim të madh në qershor. Pas krijimit të bankave të kleringut me RMB në qendrat ndërkombëtare financiare Londër dhe Frankfurt, Banka e Popullit Kinez, banka qendrore kineze, bëri të ditur që ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Bankën e Francës, banka qendrore franceze, dhe bankën qendrore të Luksemburgut për shërbimet e kleringut me RMB. Sipas memorandumit, këto tre banka qendrore do të vendosin formimin e bankave të kleringut me juanin kinez në Paris dhe Luksemburg. Kjo do të thotë që gjithnjë e më shumë vende të botës po përpiqen të krijojnë qendra tregtimi me RMB jashtë Kinës.

Kompania e Qeramikës "Sanhuan" e ka selinë në Guangxi të Kinës Jugperëndimore. Produktet e saj eksportohen kryesisht në vendet e Bashkimit Europian. Zoti Liang, një drejtues i kësaj kompanie, e ka pritur prej kohësh pagesën me juanin kinez në biznesin e tij.

"Sigurisht shpresojmë në përdorimin e pagesave me RMB. Kompanitë nuk fokusohen në çështjet makroekonomike, por vetëm në fitimet dhe efektivitetin e biznesit. Nëse bëhet pagesa me RMB, nuk do të ketë nevojë për llogaritjen e kursit të këmbimit valutor. Kështu, mund të llogarisim drejtpërdrejt koston e shpenzimet dhe mund të kuptojmë më shpejt nëse biznesi ka dalë me fitim apo me humbje, pa menduar aspak për faktorin e këmbimit valutor," thotë z. Liang.

Ndonëse pagesa me RMB nuk është më tashmë vetëm një ëndërr, z.Liang është përsëri i shqetësuar. Ajo për të cilën po mendon tani ai është si të komunikojë me klientët në Europë, që ata të pranojnë pagesat me monedhën kineze.

"Tani qeveria qendrore i ka hartuar politikat përkatëse dhe më pas duhet të na mësojë si t'i zbatojmë këto politika dhe si të mbajmë lidhje për rifreskimin e informacioneve përkatëse. Se kur mund të realizohet pagesa me RMB dhe ku mund të gjejmë shërbime të tilla, këto janë çështje shumë të rëndësishme. Së pari, duhet të kuptojmë vetë ne dhe në këtë bazë mund të komunikojmë me klientët. Pasi ta kuptojnë atë për të cilën po flasim, ata do ta pranojnë këtë mënyrë të re," thekson Liang.

Për shqetësimet e biznesmenit Liang, ekspertët vënë në dukje që përdorimi i monedhës kineze në pagesat ndërkombëtare do të jetë i dobishëm si për kompanitë kineze, ashtu edhe ato europiane. Zv.drejtori i Shkollës së Financës pranë Universitetit Renmin të Kinës Zhao Xijun shprehet:

"Në krahasim me monedhat e tjera, monedha kineze RMB ka qëndrueshmëri më të madhe dhe rreziqe më të vogla. Gjithashtu, me pagesën me RMB do të ulet deri diku edhe kostoja. Nëse të dyja palët e transaksionit përdorin monedhën e një pale të tretë, duke bërë vendosjen e çmimit, pagesën, shlyerjen dhe kleringun me këtë monedhë, duhet të marrin parasysh edhe rreziqet e sjella nga luhatjet e kësaj monedhe."

Një zyrtar i Bankës Popullore të Kinës u shpreh që kleringu me juanin kinez do të jetë në të mirë të tregtisë ndërkufitare mes kompanive e institucioneve kineze, franceze e luksemburgase dhe do të nxitë më tej lehtësimin e investimeve e tregtinë mes palëve përkatëse.

Në fakt, qysh nga fillimi i këtij viti, është shpejtuar procesi i ndërkombëtarizimit të RMB-së, veçanërisht në vendet europiane. Në muajin mars, banka qendrore kineze nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit për kleringun me RMB me bankat qendrore të Britanisë dhe Gjermanisë. Më pas, Banka e Ndërtimit e Kinës dhe Banka e Kinës u përcaktuan si banka kleringu me RMB në Londër dhe Frankfurt. Analistët janë të mendimit që, me përfshirjen e Francës dhe Luksemburgut në këtë proces, gjithnjë e më shumë vende po marrin pjesë në ndërkombëtarizimin e monedhës kineze, duke krijuar qendra tregtimi me RMB jashtë Kinës. Zhao Xijun analizon:

"Të gjitha këto qytete janë qendra financiare ndërkombëtare. Për këtë arsye, ato do të përpiqen të shtojnë ndikimin e tyre në fushën financiare, për të zgjeruar biznesin e tyre dhe për të zënë përqindje më të madhe në treg. Kjo do të luajë një rol jashtëzakonisht të madh për ruajtjen e statusit të tyre si qendra financiare ndërkombëtare."

Guo Tianyong është drejtori i Qendrës së Studimeve të Sektorit Bankar pranë Universitetit Qendror të Financave të Kinës. Ai vë në dukje se ndërkombëtarizimi i RMB-së është bërë një prirje kryesore dhe se vendet e ndryshme e kanë vënë re hapësirën e madhe komerciale të krijuar nga ky proces.

"Vendet e huaja e kanë kuptuar që ndërkombëtarizimi i RMB-së është një prirje. Në të ardhmen RMB-ja do të përdoret më gjerësisht jashtë Kinës. Nëse këto vende do të krijojnë banka kleringu, do të gjejnë në të ardhmen një hapësirë të madhe komerciale," thekson Guo Tianyong.

Sipas të dhënave statistikore, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze dhe asaj të BE-së përbëjnë një të tretën e ekonomisë globale. Tregtia mes Kinës dhe Europës, gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, është katërfishuar, duke arritur mbi 550 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2013. Për dy ekonomi kaq të mëdha, lidhjet financiare janë një faktor shumë i rëndësishëm, por, në krahasim me lidhjet tregtare, ato janë ende të dobëta. Guo Tianyong analizon që, në të ardhmen, krijimi i bankave të kleringut me RMB në vendet europiane dhe ndërkombëtarizimi i RMB-së do të jenë dy procese që do të nxitin njëri-tjetrin.

"Nga njëra anë, ndërkombëtarizimi i RMB-së ka nevojë për banka kleringu, pasi, nëse nuk ka banka të tilla, përdorimi i RMB-së jashtë Kinës nuk do të jetë i përshtatshëm. Nga ana tjetër, krijimi i këtyre bankave të kleringut do të nxitë më shumë njerëz dhe institucione të parapëlqejnë RMB-në, çka do të favorizojë më tej ndërkombëtarizimin e monedhës kineze," u shpreh drejtori i Qendrës së Studimeve të Sektorit Bankar pranë Universitetit Qendror të Financave të Kinës Guo Tianyong. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China