20140715hp-pj1 |
Nga një rrobaqepës fshati që nisi një biznes me vetëm 8 makina qepëse dhe që i duhej të bënte 200 kilometra në ditë me biçikletë, Gao Dekang-u është kthyer sot në pronarin e një prej kompanive më të mëdha të veshjeve në Kinë, "Bosideng", që po synon fuqishëm shtrirjen jashtë vendit, ndërsa vetë ai është tashmë miliarder dhe nuk nget më biçikletën, por makina luksoze. Dhe ndonëse nuk ka përfunduar shkollën e lartë, Gao Dekang-u u ftua të mbajë ligjëratë në një prej universiteteve më të famshme në botë, atë të Harvardit, për të rrëfyer historinë e tij të mrekullueshme të suksesit.
Gao Dekang-u ka lindur në vitin 1952 në fshatin Shanjing të lokalitetit Changshu në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, rreth 100 kilometra në veri të Shangait. Pak pas mbarimit të shkollës së mesme, në vitin 1972, Gao nisi të punojë si rrobaqepës. Ishte një zgjedhje e natyrshme e profesionit prej të riut, pasi edhe gjyshi e babai i tij ishin rrobaqepës. Gao Dekang-u kujton me krenari ditët kur mund të thoshte masën e klientëve vetëm me sy. Gao thotë gjithashtu se mund t'i qepte një palë pantallona në vetëm 14 minuta, kur shumicës së rrobaqepësve të tjerë do të duheshin dy orë.
Në vitin 1975, ku ishte vetëm 23 vjeç dhe kur në Kinë ende nuk kishte filluar Reforma dhe Hapja, Gao Dekang-u vendosi të nisë biznesin e vet, duke hapur një punishte metetëmakina qepëse dhe ku punësoi 11 bashkëfshatarë të vet.
Ai bënte përditë me biçikletë rrugën nga fshati i vet në Shangai dhe kthim, për të çuar veshjet e qepura dhe për të blerë materiale për punishten e vet. Të nesërmen gjithçka niste nga e para. Kështu Gao Dekang-u përshkonte 200 kilometra në ditë me biçikletë, duke mbajtur me dhjetëra kilogramë stof e pëlhurë ose veshje të përfunduara. Sot në muzeun e kompanisë "Bosideng" që Gao Dekang-u do të krijonte më vonë, gjenden edhe kjo biçikletë e vjetruar nga përdorimi i gjatë, si edhe një prej tetë makinave qepëse të para të përdorura në punishten e Gao Dekang-ut, sigurisht edhe ajo mjaft e vjetruar nga koha dhe përdorimi. Më pas Gao do ta zëvendësonte biçikletën me motoçikletë, duke përdorur gjashtë të tilla njëra pas tjetrës, derisa më në fund u bë pronari i një makine. Sot djaloshi i dikurshëm që përshkonte 200 kilometra në ditë me biçikletën e tij të thjeshtë, është i apasionuar pas makinave luksoze dhe zotëron disa të tilla.
Sidoqoftë, në një prej atyre ditëve kur udhëtonte me biçikletë në Shangai, Gao Dekang hasi në një grup të madh njerëzish që po prisnin në radhë për të blerë pallto në Rrugën e Nankinit, rruga më e njohur tregtare në metropolin kinez. "Palltot ishin të bëra me pupla, që janë natyrore dhe të ngrohta," tregon Gao. Ai mendoi se prodhimi i palltove të tilla ishte një mundësi e mirë biznesi dhe me potencial të madh. Gao shprehet: "Sektori i prodhimit të veshjeve me pupla në Kinë ka filluar nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, por në të vërtetë disa kishin filluar të mbanin veshje të tilla që në vitet gjashtëdhjetë. Të vishje rroba me pupla në atë kohë quhej luks. Askush nuk e kishte kuptuar potencialin e madh të tregut të veshjeve të tilla."
Por fillimisht Gao nuk e kishte kapitalin e nevojshëm për ta vënë në jetë
idenë e tij, prandaj vendosi së pari të mësojë vetë se si funksiononte ky biznes dhe filloi të bëjë pallto me pupla për një kompani në Shangai. Më pas ai hapi një fabrikë të vetën.
Dimri i vitit 1994 ishte një pikë kthese për Gao Dekang-un. Ai prodhoi 230 000 copë veshje, por shiti më pak se gjysmën e tyre. Ndërkohë banka po i kërkonte të shlyente kredinë prej 8 milionë juanësh (rreth 1.4 milionë dollarë amerikanë). "Në atë kohë, unë vërtet doja që të hidhesha nga ndonjë ndërtesë e lartë," kujton ai. "Por hoqa dorë kur mendova që isha përgjegjës jo vetëm për veten time, por edhe për jetën e qindra punonjësve të fabrikës."
I vendosur për të pasur sukses, Gao Dekang-u nisi një studim të madh të tregut të pjesës verilindore të Kinës dhe zbuloi se modelet dhe stili i tij nuk ishin ato që kërkonin shumica e banorëve aty. Kështu Gao ngriti zyrat përfaqësimi dhe u lidh me qendrat tregtare vendore, duke i rishikuar planet e tij.
Gao Dekang-u gjithashtu i modernizoi produktet e tij. Në atë kohë nuk kishin hyrë ende konceptet e modës ose idetë moderne në veshje, veçanërisht në veshjet prej puplash. Funksioni i vetëm i këtyre veshjeve ishte mbajtja ngrohtë. Ato ishin të njohura si "pallto mantou" në Kinë, pasi ishin të fryra dhe ata që i vishnin dukeshin në formën e bukës së rrumbullakët kineze të quajtur "mantou".
Gao Dekang-u mendoi se mënyra e vetme për t'i bërë veshjet prej puplash më të modës ishte për t'i bërë ato më të holla, në mënyrë që të shiheshin linjat e atij a asaj që e vishte. Por problemi ishte se si të bëheshin të holla materialet, duke i mbajtur prapë njerëzit ngrohtë?
Gao Dekang-u kujton: "Në atë kohë puplat e imëta e të buta përdoreshin për produkte të tilla si jastëkët dhe shiltet. Japonia kërkonte që 90 % e produkteve të saj të bëheshin me pupla të tilla, kurse Evropa dhe ShBA-ja 80 %. Unë i dija këto kërkesa dhe mendova me vete: 'Ndoshta edhe njerëzve në Kinë, ashtu si të huajve, do t'u pëlqejnë veshjet me pupla të imëta e të buta."
20140715hp-pj2 |
Fabrika e Gaos ia doli ta rriste përmbajtjen e këtyre puplave nga 50 në 90 për qind. Me këtë rritje, veshjet prej puplash u bënë më të holla, pa cenuar cilësinë dhe pa rritur koston. Ato ishin të ngrohta e të bukura. Gao përdori përvojën dhe aftësitë e tij si rrobaqepës për të përmirësuar modelet e palltove dhe filloi prodhimin e tyre në ngjyra të çelura në vend të ngjyrave të zymta blu dhe e zezë. Për habinë e të gjithëve, një ndryshim i thjeshtë nxiti një revolucion në industrinë e prodhimit të veshjeve prej puplash në Kinë në vitin 1995.
Gao Dekang-u thotë se i shiti pothuajse të gjitha palltot që bëri në vitin 1995, duke zënë vendin e parë në tregun vendor. Ai tregon: "Nuk investova për ndonjë reklamë. Prodhova 680 mijë copë, 620 mijë nga të cilat u shitën, ndërsa fitimet neto i kaluan 20 milionë juanët (3.25 milionë dollarët amerikanë me kursin e sotëm)"
Në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar biznesi i Gao Dekang-ut ishte duke shkuar aq mirë, saqë ai shpenzoi 1.5 milion juanë (pak më shumë se 240 000 dollarë me kursin e sotëm) në ndërtimin e një fabrike të dytë dhe mori vendimin e rëndësishëm për të regjistruar markën e vet.
Njerëzit pëlqenin markat e huaja në atë kohë, prandaj, për të përfituar nga kjo, Gao Dekang-u donte të krijonte një emër kinez që të tingëllonte si i huaj. Ai pa hartën e botës dhe zgjodhi Bostonin, një qytet amerikan i njohur për dimrin e tij të ftohtë dhe me dëborë. Gao Dekang-u thotë: "Bostoni është një qytet në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, i ftohtë e i qetë, dhe me atmosferë kulturore. Ky qytet ka rritur shumë njerëz të mëdhenj, si p. sh. presidenti."
Dhe kështu Bostoni u bë Bosideng në gjuhën kineze, emri i kompanisë së Gao Dekang-ut.
I nxitur nga suksesi fillestar, Gao Dekang-u nisi ta çojë përpara kompaninë e tij "Bosideng" me një strategji të guximshme marketingu. Kina, me territorin e saj të madh, stilet dhe materialet e larmishme, ndryshon në masë të madhe nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Gao Dekang-u vendosi që "Bosideng" të sponsorizonte veshjet e sportistit të parë kinez fitues në Lojërat Olimpike Dimërore Han Xiaopeng. "Bosideng"-u gjithashtu sponsorizoi një ngjitje në majën më të lartë në botë, Xhomolungma, dhe një ekspeditë në Antarktik, falë së cilës flamuri i kompanisë u ngrit në vendin më të ftohtë në planet.
Tashmë "Bosideng"-u është tashmë kompania më e madhe e veshjeve me pupla në Kinë, me gjithsej 13 010 dyqane në mbarë vendin, që shesin veshje të katër markave të grupit: "Bosideng", "Snow Flying", "Combo" dhe "Bengen". Vëllimi i përgjithshëm i shitjeve të veshjeve të këtyre katër markave zinte 40.1 % të tregut të veshjeve me pupla në Kinën kontinentale për sa u përket të ardhurave nga shitjet në vitin 2012. Vlera e markave të "Bosideng"-ut arriti 24.5 miliardë juanë (3.95 miliardë dollarë).
Kompania "Bosideng" ka marrë një numër çmimesh, si "Sipërmarrje e dalluar kombëtare për punësimin" nga Këshilli i Shtetit, "Çmimin e bamirësisë të Kinës" , "Çmimin e cilësisë së shkëlqyer të Azisë" dhe "Çmimet britanike të biznesit – Çmimi i investitorëve kinezë të vitit."
Pasuria e Gao Dekang-ut në marsin e sivjetshëm, sipas vlerësimit më të fundit të "Listës së të pasurve të Kinës" të "Forbesit", arrinte në 1.6 miliardë dollarë.
Gao Dekang-u kurrë nuk e kishte përfytyruar se do të shkonte në qytetin nga e ka marrë emrin kompania e tij, Boston, për të folur në një prej institucioneve arsimore më të njohura në botë, pikërisht në Universitetin e Harvardit.
Gao Dekang-u kujton: "Isha nervoz dhe më vinte turp. Mendoja se ishte shumë e vështirë për të dhënë një leksion në Harvard me nivelin tim arsimor. Ishte më mirë për mua të gjeja një vend ku të ulesha për të dëgjuar ligjërata në atë universitet."
Deri atëherë vetëm dy sipërmarrës kinezë kishin dhënë leksion në Harvard. I pari ishte Zhang Ruimin e kompanisë "Haier", i pasuar nga Liu Chuanzhi i Grupit "Lenovo". Tashmë edhe Gao Dekang-u kishte një mundësi për të treguar historinë e vet në këtë universitet. Po çfarë do të thoshte?
"Ata më thanë se duhet të flas për suksesin tim, të flas për arritjet që kam pasur gjatë viteve të fundit," tregon Gao.
Në të vërtetë suksesi iGao Dekang-ut është suksesi i markës "Bosideng".
21 nëntori 2006 ishte një ditë e paharrueshme për Gao Dekang-un. Kur mbërriti në Harvard, ai u prit nga kryeadministratorja, zonja Jacqueline O'Neill. Ajo i foli Gao Dekang-utpër historinë e Harvardit.
"Pastaj ne nisëm të flitnim për zhvillimin e Kinës. Më pas i thashë se kisha qenë rrobaqepës më parë. Znj. O'Neill shfaqi shumë interes dhe më tha se edhe ajo më parë kishte qënë rrobaqepëse!"
"Çfarë rastësie që dy rrobaqepës ishin ulur së bashku dhe bisedonin në Universitetin e Harvardit," thotë Gao. "Kjo e bëri bisedën shumë më të lehtë".
Znj. O'Neill i dhuroi Gao Dekang-utnjë fotografi të kampusit të vjetër të Harvardit, por Gao nuk kishte asgjë se ç't'i jepte, prandaj i premtoi t'i bënte një pallto. Znj O'Neill i tha se nuk i kishte masat e veta, por Gao iu përgjigj se nuk kishte problem, pasi sytë e tij ishin si metër shirit.
"Nuk mburrem," thotë ai, "por kjo vërtet është një aftësi që e kam. Pak rrobaqepës e kanë një aftësi të tillë."
Znj. O'Neill atë dimër veshi një pallto të bukur të ardhur nga Kina.
Ngrohja globale ka dëmtuar edhe ... ata që e nxjerrin jetesën duke i mbajtur njerëzit ngrohtë.
"Dimrat e ngrohtë janë problemi ynë më i ngutshëm," thotë Gao Dekang-u. "Problemet e tjera do të zgjidhen sapo të trajtohet ky problem."
Shumë prodhues të vegjël palltosh janë detyruar t'i mbyllin vitet e fundit bizneset e tyre për shkak të dimrit të ngrohtë, por "Bosideng"-u mbijetoi dhe shitjet e kompanisë kanë vazhduar të rriten, kryesisht për shkak të reputacionit të krijuar gjatë më shumë se 10 vjetëve, por edhe të risive në produkte.
Gao Dekang-u thotë se ai po e ndryshon strategjinë e kompanisë për të trajtuar ndryshimin e klimës. Ai ka punuar me modelin e palltove të tij për t'i bërë ato më të modës dhe gjithashtu ka përdorur teknologjinë për t'i përshtatur sa më mirë elementet e reja të veshjeve.
"Bosideng"-u po punon me një institut studimor për të bërë rroba që mund të vishen në temperatura të ndryshme. Synimi është të prodhohen veshje që mund të etiketohen me temperaturën në të cilën janë të përshtatshme të vishen.
"Konsumatorët do të dinë cilën pallto të veshin sipas parashikimit të motit, p. sh. një pallto nëse temperatura është -5 gradë C dhe një tjetër nëse është -10 gradë C," thotë Gao. "Kjo do të sigurojë që 'Bosideng'-u të ketë një treg për veshjet e veta, pa marrë parasysh se sa e ngrohtë është koha."
Siç u përmend më sipër, "Bosideng"-u ka katër marka prodhimi për grupmosha dhe nivele të ndryshme të të ardhurave. "Pra, nëse një konkurrent përpiqet të na mundë duke ulur çmimet, ai do të shohë që ne kemi tashmë një markë në nivelin më të ulët," thotë Gao Dekang-u.
Kompania ka gjithashtu në plan të zgjerohet përtej veshjeve dimërore.
Ndërsa Gao Dekang-u thotë se fokusi do të jetë ende në tregun kinez, "Bosideng"-u ka qenë gjithashtu në kërkim të daljes në tregjet ndërkombëtare, duke zënë tashmë pjesë të tregut në vende të tilla si Rusia dhe Kanadaja.
Edhe pse shumë prej sipërmarrjeve kineze janë zgjeruar me shpejtësi jashtë vendit, kompanitë e veshjeve të modës kryesisht kanë mbetur të kufizuara brenda vendit. Kina mund të jetë prodhuesja më e madhe e tekstileve dhe e veshjeve në botë, por rrallë është e njohur për modën dhe markat e saj. "Bosideng"-u po punon shumë për ndryshimin e një gjëje të tillë, me një plan ambicioz zhvillimi ndërkombëtar që shkon nga Londra në Nju-Jork. Duke synuar "të ndërtojë një markë globale dhe të frymëzojë shpirtin kombëtar', Gao Dekang-u përpiqet t'i bëjë veshjet e prodhimit kinez të njohura dhe të respektuara nga pjesa tjetër e botës.
Sigurisht për kompaninë "Bosideng"-un, zgjerimi ndërkombëtar paraqet fazën tjetër në zhvillimin e vet. Guo Dekang-u thotë: "Krijimi i një marke të njohur globalisht është një ambicie personale, si dhe një strategji afatgjatë e kompanisë."
Gao Dekang-u shprehet se rritja e fuqisë blerëse të konsumatorëve kinezë kanë qenë themeli i suksesit të "Bosideng"-ut, duke bërë të mundur zgjerimin jashtë vendit. "Vetëm në Kinë, një vend kaq i madh dhe me përqindje rritjeje pothuaje dyshifrore në vit në 20 vjetët e fundit, një kompani si 'Bosideng'-u mund të rritej në atë nivel ku ka arritur," thotë ai. "Kur e fillova 'Bosideng'-un kurrë nuk e përfytyroja që do të arrinim këtu, por kompania u rrit përtej ëndrrave të mia dhe zgjerimi ndërkombëtar ndihet si një hap i natyrshëm."
"Ne kemi një plan afatgjatë në Britaninë e Madhe dhe në të njëjtën kohë kemi filluar të shqyrtojmë mundësinë e zgjerimit në vendet e tjera europiane, si Francë e Itali, si edhe në Amerikën e Veriut," shton ai.
"Bosideng"-u e ka shtuar pra praninë e vet veçanërisht në Britaninë e Madhe vitet e fundit, duke i shitur mallrat e veta nëpërmjet dyqaneve të tregtisë me pakicë "Greenwoods". Në vitin 2009 "Bosideng"-u i bleu të 87 këto dyqane. Gao ka në plan të mbajë emrin "Greenwoods" dhe të hapë 100 dyqane të tjera, kryesisht në Jug të Anglisë, gjatë disa viteve të ardhshme. "Bosideng"-u hapi gjithashtu në korrik 2012 një dyqan të vetin afër Bond Street, distrikti luksoz tregtar në Londër.
"Që nga hapja e dyqanit në Londër, ne kemi pasur reagime shumë të mira e pozitive si nga mediat, ashtu edhe konsumatorët," thotë Gao Dekang-u. "Shumicës së klientëve që hyjnë në dyqan u pëlqen stili, kështu që përqindja e blerjes është shumë e lartë. Kemi pasur një rritje të vazhdueshme të shitjeve dhe jemi shumë të kënaqur me një gjë të tillë."
Në janar 2013 "Bosideng"-u hapi një dyqan të vetin në Nju-Jork dhe tani po synon zgjerimin e mëtejshëm në tregun amerikan.
"Bosideng"-u është jo vetëm kompania më e madhe e veshjeve prej puplash në Kinë, por edhe prodhon një të tretën e vëllimit të përgjithshëm të këtyre veshjeve në shkallë globale. Në vitin 2007 "Bosideng"-u u kuotua në Bursën e Hong-Kongut.
Gao thotë se është i përkushtuar ndaj biznesit të tij dhe të vetmet ditë pushimi për të janë ato të Festës së Pranverës, siç quhet Viti i Ri Kinez. Ta lërë punën për të ushtruar ndonjë pasion tjetër, si për shembull për të luajtur golf apo për t'iu ngjitur maleve, është e pakonceptueshme për të. Sërish duket sikur mund të shtrohet pyetja e zakonshme: A të bëjnë paratë të lumtur? Por duket se hobi i Gao Dekang-ut është puna dhe është ajo që e bën të lumtur.