PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë-Zvicër, më shumë mundësi nga tregtia e lirë
2014-07-01 17:29:58 CRI Komenti juaj Printoni

Më 1 korrik hyn në fuqi zyrtarisht Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes Kinës dhe Zvicrës. Kjo është marrëveshja e parë e tregtisë së lirë e Kinës me vendet evropiane. Ajo është një marrëveshje e nivelit të lartë dhe e gjithanshme. Kompanitë zvicerane shpresojnë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të krijojë më shumë mundësi për bashkëpunimin dypalësh ekonomik-tregtar.

Jean-François Rim është që prej dy vjetësh kryetar i Federatës së Ndërmarrjeve të Mesme e të Vogla të Zvicrës. Ai është si sipërmarrës, ashtu edhe politikan. Rim zotëron tre kompani dhe është zgjedhur tre herë deputet. Në parlament ai përgjigjet kryesisht për çështjet ekonomike. Për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Kinës dhe Zvicrës, Jean-François Rim-i u shpreh:

"Shumica dërrmuese e deputetëve mbështesin këtë marrëveshje të tregtisë së lirë. Edhe shumica e zviceranëve janë të bindur që kjo marrëveshje do të ketë ndikime të ndjeshme në të dy vendet."

Federata e Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla e Zvicrës përbëhet nga shoqatat e sektorëve të ndryshëm dhe shoqatat e promovimit të ndërmarrjeve të mesme e të vogla, si edhe nga ndërmarrjet e mesme e të vogla të kantoneve të ndryshme të Zvicrës. Në këtë federatë janë regjistruar gjithsej 250 shoqata dhe afro 300 mijë biznese të ndryshme. Ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, që përbëjnë 98 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve, janë shtylla e ekonomisë zvicerane. Ato kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe lulëzimin e ekonomisë kombëtare. Përveç kësaj, këto ndërmarrje kanë edhe fuqi të madhe konkurruese në arenën ndërkombëtare. Z.Rim është i mendimit që ndërmarrjet e mesme dhe të vogla zvicerane kanë përparësi, një prej të cilave është fleksibiliteti dhe fuqia e madhe e vendimmarrjes:

"Cili është avantazhi i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla zvicerane? Dua të them që ato kanë fleksibilitet të mjaftueshëm. Shumë sipërmarrje këtu kanë përmasa të vogla, me më pak se 10 punonjës. Ato janë krejtësisht private ose familjare dhe njerëzit mund të komunikojnë drejtpërdrejt me vendimmarrësit e kompanisë. Kjo përbën një epërsi shumë të madhe të ndërmarrjeve zvicerane."

Rim përmendi edhe një avantazh tjetër, që është shumëllojshmëria. Ndërmarrjet e mesme dhe të vogla zvicerane mbulojnë pothuajse të gjitha fushat e ekonomisë. Krahas kësaj, Zvicra nuk është vend anëtar i Bashkimit Evropian, kështu që ajo mund të marrë vetë vendime mbi çështjet përkatëse.

Në janar të vitit 2011, Kina dhe Zvicra nisën bisedimet për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë mes tyre, e cila u nënshkrua në korrik të vitit 2013 në Pekin. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Zvicër mbulon fusha të shumta, si tregtinë tradicionale, shërbimet, financat dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, Zvicra do të heqë tarifat për 99.7 % të produkteve të importuara nga Kina, ndërsa Kina ndaj 84.2 % të produkteve të importuara nga Zvicra. Të dyja vendet janë të mendimit që kjo marrëveshje do të ngrejë në një nivel më të lartë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar Kinë-Zvicër dhe Kinë-Europë.

Z. Jean-François Rim është i mendimit që fillimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do t'u krijojë ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla zvicerane më shumë mundësi. "Kina dhe Zvicra bashkëpunojnë në shumë fusha, si të makinerive, energjetikë, mjedis, shëndetësi dhe shërbime, posaçërisht në shërbimet për të moshuarit. Kina do të futet shpejt në fazën e shoqërisë së moshuar dhe Zvicra në këtë drejtim ka mjaft përvojë prej së cilës mund të mësohet. Krahas kësaj, edhe mallrat luksoze, si orat, preferohen shumë nga konsumatorët kinezë," thotë Rim.

Jean-François Rim është biznesmen dhe politikan. Për këtë arsye, ai ka mendim të ndryshëm nga mjaft të tjerë mbi bashkëpunimin ekonomik mes Kinës dhe Zvicrës. Ai është i mendimit që, në fazën fillestare të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, detyra kryesore e të dy palëve është shtimi i njohjes dhe krijimi i besimit.

"Unë shpresoj që ne mund të ecim pak më shpejt sesa parashikon plani i tanishëm. Mendoj që në tre vjetët e parë, më e rëndësishmja është krijimi i besimit. Duhet të shtojmë njohjen e ndërsjellë. Mund ta nisim këtë fazë shumë shpejt," shprehet Rim.

Nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Kinës dhe Zvicrës pa dyshim është një ngjarje e rëndësishme për tregtinë mes dy vendeve. Në muajin maj të vitit të kaluar, kur kryeministri kinez Li Keqiang bëri vizitë në Zvicër, të dyja palët nënshkruan memorandumin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe më 1 korrik, kur kjo marrëveshje hyri në fuqi, Kina dhe Zvicra organizuan bashkërisht një ceremoni kremtuese në Bazel. Pa dyshim, me zbatimin e mëtejshëm të kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Zvicrës do të hyjë në një fazë të re. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China