20140708yiwu |
Tani po zhvillohet në Brazil Kupa e Botës në futboll. Megjithëse ekipi kinez nuk është kualifikuar për në fazën finale, elementet kineze kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në këtë aktivitet të madh ndërkombëtar.
Brazili njihet si mbretëria e futbollit dhe Kupa e Botës për banorët brazilianë është një festë e madhe. Gjatë kësaj feste, mallrat e vogla zbukuruese janë shumë të pëlqyera nga njerëzit. Ndër këta artikuj, ata që shiten më mirë janë prodhuar nga fabrikat në Yiwu të Kinës Lindore. Zheng Xiamao është presidenti i kompanisë së import-eksportit "Rio Carioca":
Zheng Xiamao
"Në Yiwu tani qindra fabrika po shesin produkte mbi Kupën e Botës 2014, posaçërisht ato me ngjyrat e flamurit brazilian (e gjelbër dhe e verdhë). Janë shitur mirë edhe produktet me ngjyrat e flamurëve të tjerë, por produktet janë kryesisht me ngjyrat e flamurit brazilian, pasi kampionati zhvillohet në Brazil. Për këto mallra, zakonisht ne u tregojmë fabrikave si t'i prodhojnë ato, ose u japim porosi të drejtpërdrejta me mostrat e gatshme nga Brazili."
Një pjesë e mallrave të vogla lidhur me Kupën e Botës, të prodhuara nga fabrikat në Yiwu, kanë hyrë në tregun brazilian nëpërmjet kompanisë së zotit Zheng Xiamao. Dyqani i tij ndodhet në tregun e mallrave të vogla afër bulevardit "Presidente Vargas" të qytetit Rio-de-Zhanejro. Në këtë dyqan shiten dhjetëra mallra mbi Kupën e Botës, si kapela, shalla, syze dielli dhe bori. Ngjyrat e ndezura kanë tërhequr vëmendjen e madhe të njerëzve.
"Kjo kapelë ka ngjyrat e flamurit brazilian: e verdhë dhe e gjelbër. Kjo është kapelë piratësh. Ajo preferohet jashtëzakonisht nga brazilianët, të cilët e mbajnë në çdo ndeshje. Ndërsa ky shall i bukur pëlqehet si nga brazilianët, ashtu edhe të huajt. Kjo bori shitet shumë mirë, pasi bën shumë zhurmë. Kjo që është më e madhe shitet edhe më shumë, pasi krijon zhurmë më të madhe!" shpjegon Zheng Xiamao.
Porositja e mallrave të Kupës së Botës ka filluar disa muaj para nisjes së kësaj veprimtarie madhështore futbollistike. Një pjesë e mallrave që ka importuar Zheng Xiamao janë shpërndarë në qytetet ku zhvillohen ndeshjet, dhe pjesa tjetër shitet në dyqanin e tij në Rio-de-Zhanejro. Në krahasim me suvenirët zyrtarë të FIFA-s, këto mallra të vogla pëlqehen më shumë nga banorët e thjeshtë.
"Për sa u përket shitjeve, zakonisht këto mallra blihen në sasi të mëdha nga banorët e thjeshtë. Ndërsa të
pasurit blejnë në dyqane të mira mallra më cilësore, por në një masë të vogël. P. sh., këta suvenirë që po shiten buzë rrugës, preferohen shumë nga njerëzit që jetojnë në lagjet e varfra e të zakonshme dhe sasia e shitjeve është në një nivel shumë të lartë," shprehet Zheng Xiamao.
Në krahasim me Kinën, tregu i mallrave të vogla në Brazil është mjaft i prapambetur. Brazilianët janë të prirur të blejnë gjëra të lira e që u sjellin atyre kënaqësi dhe zakonisht nuk i kushtojnë rëndësi cilësisë së këtyre mallrave. Për këtë arsye, mallrat e vogla cilësore me çmim të ulët dhe të shumëllojshme të prodhuara nga fabrikat në Yiwu të Kinës Lindore kanë gjetur një treg të madh në Brazil.
"Tregu kinez është zhvilluar më shpejt se tregu brazilian, i cili po ndjek zhvillimin e tregut kinez. Kemi bërë biznes edhe në tregun kinez. Kemi vënë re që tregu kinez në vitet '90 kishte pothuajse të njëjtin nivel me tregun e sotëm brazilian. Mallrat tona janë të mira për brazilianët. Ndoshta një cilësi e tillë nuk pranohet nga blerësit në vendet europiane, posaçërisht në ato të zhvilluara. Por, në një vend si Brazili, mendojmë që këto mallra janë të përshtatshme për tregun e tanishëm," vë në dukje Zheng Xiamao.
Për biznesmenët si Zheng Xiamao, Kupa e Botës pa dyshim ka sjellë një shans të madh, pasi zhvillohet në "mbretërinë e futbollit", duke krijuar kështu hapësirë më të madhe tregtare sesa herët e kaluara. Biznesmenët mund të kenë fitime të mëdha nëse e kapin këtë shans. Zheng Xiamao mendon që suvenierët e vegjël lidhur me kampionatin botëror jo vetëm sjellin fitime të mëdha për biznesmenët, por edhe luajnë rol të rëndësishëm për famën e mallrave "Made in China" (Prodhuar në Kinë) në tregun brazilian.
"Nëse këtu nuk do të ishin mallrat kineze që po shesim, tregu brazilian nuk do të kishte një gjallëri kaq të madhe. Sigurisht tregu duhet të ketë larmi mallrash. Të gjitha mallrat që kërkohen nga njerëzit këtu, mund të prodhohen në Kinë. Ky është një element shumë kyç për gjallërinë e tregut," theksoi Zheng Xiamao.
(Jiang Lei/Artani)