PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Cao Guowei, njeriu që "harxhon" 3000 jetë në ditë
2014-07-01 17:20:32 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari dhe zyrtari kryeekzekutiv i "Sina"-s Cao Guowei nuk është krijuesi i kësaj kompanie, ndryshe prej shumë kryeekzekutivëve të kompanive kryesore të internetit në Kinë. Ai nisi punë te "Sina" kur kjo kompani ishte krijuar tashmë, ndonëse e re, por i ngjiti shkallët aty derisa arriti në majë. Pikërisht për shkak të kësaj hyrjeje me vonesë për të thonë se kërkon të jetë më i bujshëm se homologët e tij në kompanitë e tjera të teknologjisë së lartë në Kinë, meqë pati më pak kohë për të krijuar një emër. E megjithëse po ashtu ata që e kanë njohur thonë se Cao ka qenë më shumë një kontabilist që nuk dinte shumë lidhur me strategjinë e drejtimin, nën udhëheqjen e tij "Sina" është ndër kompanitë kryesore të internetit në Kinë dhe një ndër markat e vlerësuara më shumë si në Kinë, ashtu edhe ndër kinezët jashtë vendit, kudo që ata ndodhen.

Cao Guowei, i njohur edhe si Charles Chao, ka lindur më 10 nëntor të vitin 1965 në Shangai. Pas përfundimit të studimeve të larta në vitin 1988 për gazetari në Universitetin "Fudan" të qytetit të vet të lindjes, një ndër universitetet më të mira në Kinë dhe mjaft i njohur edhe në botë,Cao Guowei punoi për një vit në Televizionin e Shangait. Me dëshirën për të thelluar studimet në pasionin e vet të atëhershëm, gazetari, Cao shkoi në ShBA, pikërisht në Universitetin e Oklahomës, ku në vitin 1991 mori gradën "master" në gazetari. Fill më pas Cao Guowei vendosi ta ndryshojë krejtësisht kursin e karrierës së vet, duke u interesuar për botën e biznesit dhe të financës. Në të vërtetë, ai thotë se edhe grada që mori në gazetari nuk kishte dhe aq lidhje me shkrimin, krijimin e prodhimin, sesa me menaxhimin e medias. "Mendoj se kjo është një ndihmë e madhe për sa i përket të kuptuarit të medias si biznes më shumë sesa si profesion," vë në dukje Cao.

Dhe kështu Cao Guowei nisi të studiojë në Shkollën e Menaxhimit në Universitetin e Teksasit në Austin, ku mori një Master në Administrim Biznesi. Pas kësaj, ndërsa shumica e shokëve me të cilët kishte studiuar, shkuan në Nju-Jork për punë më të mirëpaguara, ndalesa e Cao Guowei-t ishte "Silicon Valley" në Kaliforni. Nga viti 1993 deri në 1999 ai punoi si menaxher i lartë për dy prej firmave më të njohura të kontabilitetit, fillimisht për "Arthur Andersen" dhe pastaj për "Price Waterhouse Coopers", ku shërbeu si menaxher auditimi, duke u ofruar shërbime auditimi dhe konsultimi biznesi kompanive të teknologjisë së lartë në "Silicon Valley" dhe duke pasur rastin për t'u përfshirë në procesin e listimit të disa prej tyre në Bursën "Nasdaq".

Ishte pikërisht kjo përvojë financiare që i dha Cao-s mundësinë të kthehet në Kinë. Në vitin 1999 ai i kërkoi shokut të vet Mao Daolin, me të cilin ishte njohur pikërisht në "Silicon Valley" dhe që atëherë ishte kryezyrtari i operacioneve i "Sina"-s, një kompani interneti e krijuar më pak se një vit më parë (pikërisht më 30 nëntor 1998), këshillë për karrierën që duhej të ndiqte. Mao i tha se mund të shkonte të punonte për "Sina"-n. Ishte koha e duhur: "Sina" po përpiqej të listohej në"Nasdaq" dhe kërkohej dikush që të kishte përvojë e njohuri lidhur me rregullat financiare në ShBA. Dhe kështu në shtator 1999 Cao Guoweiu bë zëvendëskryezyrtar financiar i "Sina"-s. Oferta publike fillestare e "Sina"-s doli po atë vit dhe Cao Guoweiishte bashkërenduesi i marrëveshjes. "Sina" u bë portali i parë kinez i bërë publik në "Nasdaq".

Dy vjet më pas, në shkurt të vitit 2001, Cao u caktua kryezyrtar financiar i "Sina"-s. Pa kaluar shumë ai u bë arkitekti i strategjisë së rritjes së portalit mjaft popullor të internetit. Gjatë viteve të para në "Sina", Cao Guoweipunoi nga afër me kryekzekutivin e atëhershëm Wang Yan për të përshtatur për tregun kinez teknikat e marketingut në internet të krijuara në ShBA. Këto përpjekje ndihmuan mjaft në suksesin e hershëm dhe në shndërrimin më vonë të "Sina"-s në një kompani kryesore të shitjeve dhe marketingut në internet në Kinë.

Cao Guowei a meritën se e kuptoi që në fillim potencialin e tregut të telefonisë celulare në Kinë, duke bërë blerje që e vendosën "Sina"-n në biznesin "jokabllor". Kështu në vitin 2003, ai negocioi në emër të "Sina"-s blerjen e dy kompanive kineze të telekomit, "Xunlong" dhe "Wangxing". Këto blerje sinjalizuan hyrjen e "Sina"-s në tregun e telekomunikacionit. Shitja e lojërave, lajmeve, zileve të celularit dhe shërbimet e tjera për përdoruesit e telefonave celularë krijuan një fluks të ardhurash që ishin vendimtare për kompaninë e re.

Në korrik 2004, kur të ardhurat nga reklamat të uebajtit të "Sina"-s, "Sina.com", po kërcënoheshin nga konkurrenti i saj kryesor, "Sohu.com", Cao Guowei, i cili kishte qenë kryezyrtar financiar për vetëm tre vjet, u bë bashkëkryezyrtar i operacioneve, duke u ngarkuar me biznesin e reklamave të uebsajtit të "Sina"-s, një post të cilin ai e shfrytëzoi për të ristrukturuar ekipin e marketingut dhe të shitjeve në internet.

Vendimi për ta vënë Cao Guowei-n në këtë post habiti shumë njerëz, por u provua se ishte i drejtë vetëm një vit më vonë. Në vitin 2005 përqindja e rritjes së reklamave në "Sina.com" e kaloi atë të "Sohu.com" për herë të parë në tre vjet dhe aftësitë e Cao-s u pranuan nga drejtuesit e "Sina"-s.

Më 10 maj 2006, Cao Guowei u emërua zyrtari kryeekzekutivi i pestë i "Sina"-s. Për sa i përket stilit të menaxhimit, Cao është mjaft i ndryshëm nga Wang Yan-i, ish-zyrtari kryeekzekutiv i "Sina"-s. I udhëhequr nga parimet e tij të biznesit "kujdes, arsye, planifikim" , Cao e çoi "Sina"-n në një fazë të re në vitet në vijim. Kur u caktua zyrtar kryeekzekutiv, jo me shumë modesti, por sidoqoftë mbase duke shprehur të vërtetën, Cao Guowei u shpreh: "Askush nuk e njeh biznesin e 'Sina'-s më mirë se unë, askush nuk e njeh më nga afër 'Sina'-n se unë."

Ndoshta arritja e parë e madhe e Cao Guowei-t si zyrtar kryeekzekutiv ishte në shtator 2009, kur u njoftua se ekipi menaxhues i "Sina"-s do të blinte 56 milionë dollarë amerikanë të aksioneve të kompanisë në bursë, duke qenë tashmë aksionerët më të mëdhenj të saj. Kjo i dha Cao-s një kontroll më të madh mbi kompaninë, duke e lejuar të vërë më lehtë në jetë risitë që mendonte.

Dhe në të vërtetë, kjo shënoi fillimin e një epoke të re për "Sina"-n. Një muaj më pas Cao udhëtoi për në Hong-Kong dhe Shtetet e Bashkuara që të gjente investitorë për të financuar një ndërmarrje të përbashkët, të cilën e quajti Korporata e Informacionit e Pasurive të Patundshme e Kinës. Kjo ishte një ndërmarrje e përbashkët e pasurive të patundshme që "Sina" e krijoi me "E-House Holdings", një kompani kineze e shërbimeve të pasurive të patundshme. Korporata e Informacionit e Pasurive të Patundshme u bë publike në bursën "Nasdaq" në tetor 2009. Çmimi fillestar i aksioneve ishte 12 dollarë amerikanë dhe arriti në 14.20 dollarë në fund të ditës së parë të tregtimit, duke i sjellë 216 milionë dollarë fitime ndërmarrjes së përbashkët. Cao Guowei vuri në dukje se suksesi fillestar i Korporatës së Informacionit të Pasurive të Patundshme të Kinës "paraqet më shumë mundësi për të ardhmen e Sina -s".

Ndërkohë, edhe biznesi themelor i "Sina"-s, ai i marketingut në internet, po ecte gjithashtu mirë. Të ardhurat nga ky biznes u rritën në mënyrë të ndjeshme pas risive të mëparshme të kompanisë. Sidoqoftë, edhe konkurrenca në treg erdhi gjithashtu duke u rritur, nga kompani të tilla si "Renren", "Kaixin001" dhe "Sohu". Këto kompani arritën sukses në popullarizimin e shërbimeve të rrjeteve sociale në Kinë. "Sina", nga ana a saj, po haste vështirësi në përpjekjet e veta në këtë drejtim me "Sina Friend". Kompania përballej me sfidën se si të konkurronte në këtë treg të vështirë. Në një mbledhje të menaxherëve të lartë të "Sina"-s në maj 2009, Cao Guowei u shpreh se tregu i rrjeteve sociale ishte pjekur dhe se ndoshta "Sina" duhej të shënjestronte në një drejtim tjetër; në mënyrë të veçantë , atë të mediave të reja. Kjo çoi menjëherë në braktisjen e "Sina Friend" dhe fillimin zyrtar të "Sina Weibo" më 28 gusht 2009.

"Sina Weibo" u frymëzua dukshëm nga suksesi dhe funksionaliteti i "Twitter"-it. Megjithatë, Cao Guowei e dinte që në fillim se "Weibo" kishte nevojë për risi; ajo duhej të përshtatej për përdoruesit kinezë të internetit. "Weibo" ishte një sukses jo vetëm përsa i përket bazës së përdoruesve dhe të ardhurave, por edhe novacionit. Ajo madje edhe frymëzoi disa ndryshime të mëvonshme të "Twitter"-it.

Në pak më shumë se dy muaj që prej krijimit të vet, Sina "Weibo" kishte një milion përdorues, ndërsa në tetë muaj arriti në dhjetë milionë përdorues. Në fund të muajit shkurt 2011, baza e përdoruesve të saj arriti në njëqind milion. "Twitter"-it iu deshën tre vjet për ta arritur një shifër të tillë. Sot numri i përdoruesve të "Sina Weibo" i kalon 300 milionët.

Vetë Cao thotë se "Weibo" është një ndërthurje ndërmjet "Twitter"-it dhe "Facebook"-ut dhe se në versionin e fundit po shton gjithnjë e më shumë elemente të këtij të fundit.

Në të vërtetë Cao u takua me Mark Zuckerberg-un gjatë vizitës së themeluesit të "Facebook"-ut në Kinë dhe të dy, sipas shtypit, "folën për një kohë të gjatë", teksa Zuckerberg-u kërkonte të kuptonte një treg si ai kinez ku ka dëshirë shumë të madhe të hyjë. Ndërsa Cao Guowei, nga ana e tij, dëshiron ta çojë "Weibo"-në në tregun global, ku "Facebook"-u dhe "Twitter"-i mbizotërojnë, por ai thotë se fokusi i tij tani për tani "është ende në Kinë."

Kryesisht për shkak të suksesit të tij me "Sina Weibo", Cao Guowei u emërua nga revista "Time" si një nga 100 njerëzit me ndikim më të madh në botë në vitin 2011. Ai u vlerësua për aftësinë e tij për të arritur sukses në një treg të vështirë, kur "Sina" u përball me konkurrencë të fortë në fushën e rrjeteve sociale. I pyetur se si u ndie për këtë vlerësim, Cao thotë:

"Sigurisht, u befasova kur më përfshinë ndër 100 njerëzit me ndikim më të madh në botë. Pa dyshim që ishte kënaqësi e madhe dhe u ndjeva i nderuar. Por, nga ana tjetër, besoj se ky nuk ishte edhe aq shumë një vlerësim për mua sesa për ndikimin që ka pasur 'Sina Weibo' në Kinë që kur ka filluar".

Cao Guowei shpreson se suksesi i "Weibo"-së do ta shndërrojë "Sina"-n, që është tashmë një portal kryesor lajmesh dhe zbavitjeje në Kinës, me një biznes të suksesshëm reklamash, në një platformë mbizotëruese rrjeti social.

Analistët në grupin e investimeve në tregjet e reja "Mirae Asset" besojnë se kjo strategji do t'i frytet e veta, duke vlerësuar se "Weibo" mund të krijojë 6 miliard juanë në vit (rreth 1 miliard dollarë) të ardhura deri në vitin 2015.

"Weibo" është një njësi e cila ka tashmë 600 nga gjithsej 3400 punonjësit e kompanisë "Sina". "Unë e shoh atë si motor të rritjes për 'Sina'-n," thotë Cao për "Weibo"-në.

Cao Guoweishprehet se përdoruesit e internetit në Kinë, të rinj dhe të vjetër, janë të pasionuar pas shprehjes së opinionit të tyre: "Mendoj se 'Weibo' tërheq grupe të ndryshme njerëzish, nga nxënësit shumë të rinj te të moshuarit shumë të vjetër 80-90-vjeçarë ... por sigurisht baza e përdoruesve janë atë të moshës 20-40 vjeç. Mendoj se ata janë ndoshta opinionbërësit e vërtetë në Kinë."

Në vitin 2014, "Sina" do të përpiqet të rrisë numrin e përdoruesve të "Weibo"-së dhe kohën e tyre të përdorimit nëpërmjet produkteve të reja, thotë Cao. Ai shtoi se, për të siguruar një shërbim më të mirë, "Weibo" planifikon ta bëjë platformën e vet më multimediale, duke u kushtuar edhe më shumë rëndësi lajmeve, muzikës dhe videove.

"Sina Weibo" ka joshur edhe personalitete të famshme ndërkombëtare, si Tom Cruise, Bill Gates dhe Radiohead, të cilët kanë llogari në mikroblog së bashku me yllin kinez të basketbollit Yao Ming dhe aktoren Yao Chen. Cao Guowei e pranon se prania e njerëzve të famshëm është e dobishme si për ta, ashtu edhe për popullaritetin e blogut. "Mikroblogimi jo vetëm që është mjaft argëtues për yjet ose për përdoruesit e zakonshëm, por ai i bën këto yje më të famshëm dhe ata mund të ndërveprojnë me adhuruesit e tyre më lehtë. Dhe mendoj se është shumë i dobishëm dhe i këndshëm për këto yje," shprehet Cao.

Cao Guowei thotë se 3000 jetë njerëzore në ditë harxhohen në "Sina Weibo". Kjo gjë që e bën atë mjaft tërheqëse për reklama.

Të ardhurat nga reklamat vjet u rritën 163 për qind krahasuar me vitin 2012, duke arritur në 56 milionë dollarë amerikanë, ndërkohë që të ardhurat e palidhura me reklamat nga shërbimet e vlerës së shtuar të "Weibo"-së, si ato nga regjistrimi dhe nga lojërat, u shtuan 114 për qind në krahasim me vitin 2012, duke arritur vlerën e 15.4 milionë dollarëve amerikanë.

"Newsweekly" e përshkruan Cao Guowei-n si një udhëheqës i cili vepron në bazë të gjendjes së tregut. Ai cilësohet nga kjo revistë si i durueshëm, këmbëngulës dhe realist, cilësi që e dallojnë atë nga kryekekzekutivët e tjerë të internetit. Çfarëdo posti që mban në një kompani, ai këmbëngul në krijimin e një sistemi të fortë rregullash. Në kompaninë e tij, rregullat drejtojnë njerëzit. Cao Guowei është një mendimtar logjik, i aftë për të bërë gjykime të pavarura, thekson "Newsweekly". Ai ka një ndjenjë të fortë biznesi dhe e di se si të veprojë në një treg të komplikuar .

Kurse në një raport nga "Morgan Stanley" Cao Guowei vlerësohet si një nga kryekekzekutivët më të talentuar në sektorin e internetit në Kinë. Për të thuhet se e njeh median dhe e di se si të ketë sukses në biznes. Cao e ka treguar kreativitetin dhe urtësinë e vet në të gjitha sukseset që ka arritur në "Sina", vë në dukje raporti.

"The Economic Observer" vëren se Cao ishte në thelb zyrtar kryekekzekutiv edhe përpara se ta mbante këtë post në "Sina". Edhe pse u bë zyrtarisht zyrtar kryekekzekutiv vetëm në vitin 2006, Cao Guowei në thelb i menaxhonte të gjitha aspektet e kompanisë në fillim të vitit 2004.

Cao Guowei, pavarësisht suksesit të vet në biznes, e quan veten mjaft të pakujdesshëm në jetën personale. Ai thotë se kurrë nuk i menaxhon paratë e tij dhe ia lë së shoqes të marrë të gjitha vendimet financiare të familjes. Me shaka Cao thotë: "Unë nuk e di se ku m'i çon gruaja paratë, dhe nuk kam ndonjë plan menaxhimi financiar."

Cao Guowei-t gjithashtu i pëlqen të udhëtojë. "Unë gjithmonë shkoj aty ku më pëlqen të shkoj," thotë ai. Por ai rrallë harxhon kohë për t'i planifikuar udhëtimet dhe kjo e acaron të shoqen, e cila ankohet se ata gjithmonë përfundojnë duke paguar çmimin maksimal për biletat e aeroplanëve dhe hotelet. Po sigurisht, kur je grua miliarderi, ke edhe andralla të tilla.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China