PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kupa e Botës 2014 "ndërtohet" nga kompania kineze "SANY Heavy Industry"
2014-06-24 16:59:48 CRI Komenti juaj Printoni

Megjithëse ekipi kinez nuk u kualifikua për në fazën finale të Kupës së Botës të Brazilit 2014, Kina, si ekonomia e dytë në botë, ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin normal të kësaj veprimtarie të madhe botërore.

Për botërorin Brazili ka bërë gati 12 stadiume të stileve të ndryshme arkitekturore në 12 qytete të vendit. Disa prej tyre janë restauruar, disa janë rindërtuar, ndërsa disa të tjerë janë ndërtuar posaçërisht për Kupën e Botës 2014, por të gjitha kanë kërkuar procedura të ndërlikuara ndërtimi. Vlen të përmendet që në një pjesë të mirë të këtyre stadiumeve janë përdorur makineri dhe pajisje të ofruara nga grupi kinez "SANY Heavy Industry". Z. Yu Miao është drejtori i marketingut i degës së grupit SANY në Brazil. Ai thotë:

"Produktet e grupit tonë janë përfshirë në ndërtimin e më shumë se gjysmës së 12 stadiumeve të botërorit 2014. P. sh., në stadiumet në San Paolo, Rio-de-Zhanejro, Brazilia, Recife, Forteleca, Kuritiba, Kuiaba dhe Manaus, janë përdorur shumë nga produktet tona. Gjatë gjithë procesit të ndërtimit, produktet tona nuk kanë pasur asnjë problem dhe nuk kanë shkaktuar asnjëherë ndërprerjen e ndërtimit."

Ndryshe nga kompanitë e tjera që po shfrytëzojnë botërorin 2014 për të hyrë në tregun brazilian, grupi SANY që prej vitit 2007 ka filluar eksplorimin e biznesit në këtë vend amerikanojugor. Me cilësinë e lartë të produkteve dhe me shërbimet e mira pas shitjes, SANY ka gjetur një pozicion të qëndrueshëm në tregun brazilian. Në vitin 2013, "SANY Heavy Industry zuri 37 % të tregut të megamakinerive në Brazil. Kjo është arsyeja kryesore që produktet e kësaj kompanie mund të shiheshin shpeshherë gjatë ndërtimit të stadiumeve të botërorit 2014. Yu Miao shprehet:

"Faktikisht, kjo është lidhur ngushtë me modelin e ndërtimit në Brazil. Këto projekte për ndërtimin e stadiumeve në fillim janë dhënë për disa kompani të mëdha ndërtimi, të cilat marrin me qira makineri të mëdha nga kompanitë e tjera të makinerive ose i kalojnë projektet te kompanitë e vogla të ndërtimit, të cilat përdorin kryesisht makineritë tona. Produktet tona janë përdorur në një numër kaq të madh stadiumesh, sepse pajisjet dhe makineritë tona janë pranuar gjerësisht nga tregu vendas. Kështu që produktet tona janë përdorur për ndërtimin e stadiumeve, pavarësisht se kush i ka marrë përsipër këto projekte."

Disa njerëz mendojnë që tregu brazilian është si një tortë dhe Botërori 2014 është si qershia mbi këtë tortë. Çdo kompani ka dëshirë të shijojë pjesën më të mirë të "tortës". Për "SANY Heavy Industry", përdorimi i produkteve të tij gjatë ndërtimit të stadiumeve vjen për arsye të zhvillimit të qëndrueshëm të Grupit prej shtatë vjetësh në këtë treg konkurrues. Megjithëse Botërori 2014 nuk i ka sjellë SANY-z shtim të madh të porosive, grupi kinez e ka kapur këtë shans të mirë si publicitet për mbarë botën.

"Në fakt, ndërtimi i infrastrukturës të botërorit 2014 është përqendruar te stadiumet, aeroportet dhe disa rrugë të caktuara. Një gjë e tillë ndryshon shumë nga Olimpiada e Pekinit e vitit 2008, kur Kina bëri investime të mëdha infrastrukturore. Kështu që ndërtimi i infrastrukturës për Botërorin 2014 nuk është aq shumë fitimprurës për sektorin e makinerive dhe kërkesat e tregut gjatë këtyre vjetëve janë pothuajse njësoj si dy vjet më parë. Por gjithsesi, Kupa e Botës 2014 i ka dhënë grupit tonë një shans shumë të mirë, me të cilin mund të fitojmë njohje nga më shumë klientë, dhe më shumë kompani ndërtimi ose që japin makineri ndërtimi me qira mund të njohin thellësisht dhe drejtpërdrejt produktet tona. Kështu, për përhapjen e produkteve të grupit tonë, Botërori 2014 është një platformë shumë e mirë," tha Yu Miao.

Për "SANY Heavy Industry", Brazili është një pjesë shumë e rëndësishme e biznesit të vet ndërkombëtar. Tani ky grup ka një nivel shumë të mirë shitjesh në Azi-Paqësor, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Brazili, si një pjesë e tregut euro-amerikan, është një fillim për SANY-n që të futet në tregun europian dhe amerikan. Për këtë arsye, grupi SANY do të fokusohet tek tregu brazilian edhe pas zhvillimit të botërorit.

"Në të kaluarën, ne importonim pjesë këmbimi nga Kina dhe montimin e bënim në Brazil. Në të ardhmen, do të blejmë pjesë këmbimi në tregun vendas, madje do të prodhojmë drejtpërdrejt këtu në Brazil. Kjo është njëra anë. Ana tjetër janë uzinat. Tani përdorim me qira uzina vendase ose ndërtojmë uzina të përkohshme, të cilat mund të plotësojnë kërkesat e tanishme në tregun vendas. Ndërsa me shtimin e mëtejshëm të famës së produkteve tona në tregun vendas, do të rritet niveli i shitjeve dhe sigurisht do të shtohet edhe niveli i prodhimit. Kështu, në atë sipërfaqe toke që kemi blerë në vitin 2010, do të ndërtojmë një uzinë për të shtuar nivelin e prodhimit. Prandaj në të ardhmen, do të shtojmë më tej vëllimin e prodhimit në Brazil dhe do të prodhojmë produkte të shumëllojshme," u shpreh Yu Miao.

Megjithëse ekipi kinez i futbollit nuk do të ndodhet në fushat e Kupës së Botës 2014, produktet dhe elementet kineze kanë dhënë ndihmesë për këtë veprimtari botërore. Grupi "SANY Heavy Industry" është një nga këto elemente. Drejtori i marketingut i degës së grupit SANY në Brazil Yu Miao mendon që elementet kineze padyshim luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin e botërorit:

"Pa elemente kineze, asnjë vend nuk mund të organizojë botërorin, pasi në çdo aspekt të kësaj veprimtarie është e nevojshme të përdoren produkte kineze. Nga kjo anë, mund të themi që çdo anë e Kupës së Botës është e mbushur me elemente kineze. Nga ana sportive, botërori është arena e brazilianëve, por nga ana mbështetëse dhe ana e zhvillimit, është arena e kinezëve." (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China