PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Shitësi i vogël i kasatave" që u bë milioner
2014-06-24 17:05:34 CRI Komenti juaj Printoni

Ding Shuibo, themeluesi i kompanisë së produkteve sportive "Xtep", ishte një fëmijë vetëm 8 vjeç kur nisi të shiste për t'i ardhur në ndihmë familjes së vet të varfër, ndërsa në moshën 17-vjeçare i tha të atit se donte ta linte shkollën, me qëllim që të fitonte para për një jetë më të mirë. Me rreth 250 dollarë ai krijoi bashkë me dy shokë një punishte këpucësh, e cila u rrit dhe është bërë sot një ndër prodhueset më të mëdha të veshjeve sportivë në Kinë, dhe me një shtrirje të gjerë ndërkombëtare. Për fat shitësi i vogël i dikurshëm i kasatave pati një fat krejt të ndryshëm nga ai i shitëses së vogël të shkrepseve: sot ai ka një pasuri që llogaritet në disa qindra milionë dollarë amerikanë.

Ding Shuibo ka lindur në vitin 1970 në Jinjiang të provincës Fujian të Kinës Lindore. Familja e tij ishte një familje e varfër me katër fëmijë, nga të cilët Ding Shuibo ishte më i madhi. Prandaj atij iu desh që, që kur ishte fëmijë, të punonte për të ndihmuar për rritjen e motrave e vëllait më të vogël. Në moshën 8-vjeçare Ding Shuibo nisi të shiste një lloj petulle gjatoshe, kurse në verën e një viti më pas kasata. Duke mbajtur një kovë të rëndë të mbushur me kasata, gjatë pushimeve të verës ai dilte nëpër ara nën diellin zhuritës dhe thërriste për të reklamuar mallin e vet dhe për të tërhequr blerësit. Ishte e lodhshme, por ai ia dilte të shiste më shumë se të tjerët. Duke u përlotur, Ding Jinchao, i ati i Ding Shuibo-së, kujton se, kur qëllonte që ndonjë prej fshatarëve në arë të mos kishte para për të paguar, i biri i thoshte: "Xhaxhi, merre dhe haje tani, s'ka gjë, paratë m'i jep nesër". Në njëfarë mënyre këtu do ta kishte zanafillën edhe motoja e sipërmarrjes së ardhme të Ding Shuibo-së: "Fitim për klientët, punonjësit dhe biznesin".

Në vitin 1987, tashmë në shkollë të mesme, Ding Shuibo vendosi ta lërë shkollën e ta ndihmojë përsëri familjen e vet të dalë nga varfëria. Por këtë herë qëllimet e ambiciet e tij ishin edhe më të mëdha. Pa kaluar shumë ai mësoi se si të bëjë këpucë dhe brenda disa muajsh kishte kursyer 500 juanë (rreth 80 dollarë me kursin e sotëm), dhe me to krijoi bashkë me dy shokë të vetët, të cilët shtinë edhe ata nga 500 juanë secili, një punishte të vogël në Jinjiang. Në fillim kjo punishte prodhonte 15 palë shapka në ditë. "Në atë kohë ne nuk kishim ndonjë objektiv të veçantë apo të ashtuquajturat standardet menaxhimi. Për sa kohë që produktet tona do të arrinin të shiteshin, ne do të vazhdonim," kujton Ding Shuibo.

Më pas, duke punuar ditë e natë, punishtja prodhoi 300 palët e para të këpucëve, të cilat ia shiti një biznesmeni nga Sichuan-i, një provincë në brendësi të Kinës. Këto këpucë u pëlqyen shumë në kryeqendrën e kësaj province Chengdu: këpucët e prodhuara në një provincë më të zhvilluar, siç ishte provinca bregdetare e Fujian-it, e ndarë vetëm me një ngushticë nga Tajvani, shiheshin si të modës në Sichuan. E kështu që nuk është për t'u çuditur që biznesmeni u kthye për më blerë më shumë këpucë të prodhuara nga kompania "Sanxing" e Ding Shuibo-së.

Në vitin 1990 punishtja ishte bërë tashmë një fabrikë e vogël me shitje vjetore prej 30 milionë juanësh (diçka më pak se 5 milionë dollarë me kursin e sotëm). Pikërisht mbi bazën e kësaj fabrike Ding Shuibo, që ishte tashmë pronari i vetëm i saj, krijoi kompaninë e këpucëve "Sanxing", që më vonë do të ripagëzohej "Xtep". Ding Shuibo e quajti kompaninë e vet "Sanxing", që në gjuhën kineze do të thotë "tre përparimet" ose "tre lulëzimet". Edhe sot selia e "Xtep"-it përbëhet nga dy ndërtesa në të dy anët e rrugës. Ndërtesa luksoze dhe moderne quhet Ndërtesa "Xtep", ndërsa më e vjetra ende mban emrin e dikurshëm kompania e këpucëve "Sanxing".

Pas kaluar shumë kohë, Ding Shuibo filloi të përqëndrohet, përveçse në tregun vendës, duke u zgjeruar edhe në vise të tjera të Kinës, gjithashtu edhe në tregjet e huaja. Suksesin e parë jashtë e arriti pikërisht në një vend të madh fqinj me Kinën si Rusia, para se t'i çonte prodhimet e veta në më shumë se 40 vende e rajone të tjera, kryesisht të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine, por edhe në Europë e në Amerikën Veriore. Në vitin 1999, pikërisht kur gjendej në kulmin e vet dhe ishte tashmë një eksportueset më të mëdha kineze të këpucëve, "Sanxing"-u eksportonte deri në 200 kontenierë në vit, duke mbajtur secili më shumë se 10 000 palë këpucë të prodhuara nga kjo kompani. Pak nga pak, Ding Shuibo u bë një kampion i industrisë së prodhimit të këpucëve në Kinë.

Por atyre 10 vjetëve, biznesi i Ding Shuibo-së nuk ishte një fushë me lule.

Zhvlerësimi i rublës ruse në vitin 1992 ishte goditja më e madhe që mori kompania e Ding Shuibo-së, sepse 60 për qind e shitjeve të saj në atë kohë vinin pikërisht nga Rusia. "Me paratë që fitoje sot mund të blije një vilë. Por të nesërmen me po atë sasi paraje mund të blije vetëm dy makina. Ndërsa të pasnesërmen, nuk mund të blije me to as edhe një bukë," thotë Ding. Biznesi i tij i orientuar 100 për qind nga eksportet u godit edhe nga kriza financiare aziatike në fund të vitit 1997.

Për arsyen e kësaj paqendrueshmërie, por edhe për faktin që kompanitë e tjera kineze të prodhimit të këpucëve i hodhën edhe ato sytë nga tregu i huaj, mjaft prej tyre duke u futur fuqishëm dhe me sukses në këtë treg, çka bëri që eksporti i këpucëve të jetë më pak fitimprurës për kompaninë "Sanxing", Ding Shuibo vendosi ta përqendrojë sërish vëmendjen e vet në tregun e brendshëm, pra atë kinez. Pasi suksesit në tregun e këpucëve, veshjet ishin hapi i ardhshëm i Ding Shuibo-së. Ai e ndryshoi emrin e kompanisë nga "Sanxing"-ut në "Xtep", tashmë një markë të re e cila ndërthurte veshjet sportive me modën.

Edhe pse Ding Shuibo ishte i bindur për cilësinë e këpucëve e të veshjeve sportive të prodhuara prej tij, sfida e vërtetë ishte për t'i bërë konsumatorët kinezë, shumë të vetëdijshëm për markën, që të pranonin një markë të re.

Në atë kohë "Li Ning" ishte marka më e njohur vendëse dhe "Anta" po ashtu po bëhej një markë gjithnjë e më e njohur. "Anta", e krijuar nga bashkëqytetari i Ding Shuibo-së Ding Zhizhong, filloi forcimin e markës së vet që në vitin 1994. Në vitin 1999Anta ftoi Kong Linghui, kampion botë në pingpong, të reklamojë produktet e saj, çka e bëri atë menjëherë një markë të famshme në mbarë Kinën.

Pas një kërkimi të kujdesshëm në treg, Ding-u vendosi të përqëndrohet tek të rinjtë e moshës 13-25 vjeç, duke nisur "markën "Xtep" në vitin 2001. Ai zbuloi se kjo grupmoshë konsumatorësh, kur zgjedhin veshje sportive, kujdesen më shumë për modele elegante dhe të modës që mund të tregojnë individualitetin e tyre.

Në vitin 2002 "Xtep" nxori në qarkullim një linjë të veçantë këpucësh sportive të quajtur "Feng Huo", e cila ishte një sukses i madh. Në atë kohë shumica e këpucëve sportive në treg ishin të modeluara me tri ngjyra - të bardhë, të zezë dhe blu. Por këpucët "Feng Huo" ishin pikturuar me ngjyrë portokalli dhe të kuqe të ndezur dhe ngjanin si flakë. Këpucët u pëlqyen shumë nga adoleshentët e të rinjtë dhe më shumë se 1.2 milionë palë u shitën atë vit.

"Kur unë isha djalë i vogël, pranonim atë që prindërit tanë zgjidhnin për ne. Por të rinjtë e sotëm janë para një bote shumë më të gjallë. Ata janë të etur për individualitet dhe për të marrë vetë vendimet e tyre," thotë Ding Shuibo, që është vetë baba i tre adoleshentëve.

Ding Shuibo theu edhe konvencionet e industrisë kineze të veshjeve sportive, duke ftuar këngëtarë dhe aktorë nga Hong-Kongu e Tajvani për të reklamuar këpucët e tij, ndërsa kompanitë e tjera homologe bashkëpunonin në atë kohë vetëm me sportistë të famshëm. "Konsumatorët që synojmë ne janë nxënës dhe studentë. Ata të gjithë kanë idhujt e tyre nga fusha e muzikës dhe e filmit," sqaron ai.

Ding Shuibo gjithashtu shpenzon shumë për publicitet. Reklamat e "Xtep" shfaqen në televizonet kryesore dhe kjo kompani sponsorizon shumë programe televizive me shikueshmëri të lartë në televizione të njohura argëtuese në Kinë, të tilla si TV Satelitor i Hunan-it. Kompania shpenzon afro 10 për qind të të ardhurave të saj nga shitjet për reklama.

Tregu kinez është bërë një fushëbetejë e nxehtë jo vetëm për gjigandët ndërkombëtarë të veshjeve dhe pajisjeve sportive, si "Nike" dhe "Adidas", por edhe për kompanitë vendëse, të tilla si "Li Ning" dhe "Anta Sports", e sigurisht edhe për "Xtep".

Teksa vetëdijësimi për shëndetin ka ardhur në rritje në Kinë në vitet e fundit, ka pasur një kërkesë të madhe për mallra sportive. Një ngjarje e tillë madhore sportive si Lojërat Olimpike të Pekinit të vitit 2008 e shtuan pasionin për t'u marrë me sport në Kinë. Tregu i mallrave e pajisjeve sportive në Kinë në vitin 2009, vetëm një vit pas Lojërave Olimpike të Pekinit arriti në 7.2 miliardë dollarë amerikanë, gati dy herë më shumë se tre vjet më parë, në 2006, kur ishte 3.84 miliardë dollarë amerikanë, dhe që prej atëherë ka pasur çdo vit një rritje të qëndrueshme.

Në të vërtetë, lidhja e Ding Shuibo-së me Lojërat Olimpike të Pekinit nuk është thjesht nëpërmjet produkteve të veta. Duke njohur ndihmesën e tij në zhvillimin dhe përhapjen sportit në Kinë, ai ishte edhe një ndër mbajtësit e pishtarit.

"Isha shumë i emocionuar dhe ndihesha shumë i nderuar në kohën kur mbaja lart pishtarin. Unë do ta ruaj këtë kujtim gjatë tërë jetës sime", shprehet Ding Shuibo.

Në qershor 2008 "Xtep" u kuotua në Bursën e Hong-Kongut, duke pasur një ofertë publike fillestare prej 286 milionë dollarë amerikanë. Në saje të zgjerimit të saj në fushën e modës dhe stilit të jetës me bazë sportin, strategjisë së diferencuar të tregut dhe shitjeve të larta, kompania "Xtep" dhe marka e saj lanë një përshtypje të mirë te investitorët globalë.

"Ne jemi të përkushtuar për të ofruar më të mirën. Ne vazhdimisht e përmirësojmë cilësinë e produkteve tona duke blerë teknologjinë dhe pajisjet e fjalës së fundit. Që prej kuotimit në Bursën e Hong-Kongut në vitin 2008, ne kemi ardhur duke i rritur vazhdimisht investimet tona në kërkim e zhvillim, duke zënë tashmë rreth 2 % të vëllimit të përgjithshëm të të arshurave nga shitjet," thotë ai.

Në vitin 2010, "Xtep" pagoi 12.88 milionë dollarë amerikanë për t'u bërë sponsor i klubit të futbollit të "Birmingam City", por ky sponsorizim nuk vazhdoi gjatë, për shkak të rënies së ekipit të "Birmingam City" një kategori më poshtë dhe disa skandaleve të tjera që kaloi ky klub. Megjithatë kompania "Xtep" nuk e ndërpreu lidhjen e vet me futbollin dhe sponsorizimin e ekipeve të futbollit. Tashmë kjo kompani është sponsor i dy klubeve spanjolle të futbollit, "Vilareal" dhe "Roda", si edhe i ekipit "Perlis" që luan në kampionatin malajzian. Po "Xtep" nuk është mjaftuar vetëm me sponsorizimin e futbollit. Kjo kompani ka sponsorizuar edhe atletin amerikan Justin Gatlin, fitues i medaljes së artë olimpike në garën e 100 metrave, si edhe vrapuesi më i shpejtë i të gjitha kohërave në moshën mbi 30 vjeç. "Xtep" planifikon zgjerimin e sponsorizimit të vet edhe në sporte të tjera.

Sot "Xtep" është jo vetëm marka numër një sportive e modës, por një propagandues i një stili jete të shëndetshme. Ding thotë se edhe në të ardhmen, "Xtep" do të vazhdojë të përpiqet për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve dhe të përkushtohet për të ofruar produkte të personalizuara dhe shërbimeve të nivelit të lartë. Ajo do të japë ndihmesën e saj në ofrimin e mundësive më të mira për çdo të ri që dashuron sportet dhe modën.

Ndonëse kur është në punë Ding Shuibo mban veshur kostum dhe këpucë luksoze lëkure, ai shprehet se në kohën e lirë shpesh vesh rroba dhe atlete të markës së kompanisë së tij "Xtep". "Kur isha i ri, njerëzit mendonin se veshjet sportive ishin vetëm për kohën kur bëhet stërvitje dhe duheshin veshur kryesisht nga sportistët. Por tani sporti është masivizuar dhe veshjet sportive janë bërë diçka e përdorimit të përditshëm, apo qoftë edhe një domosdoshmëri e përditshmërisë sonë. Për sa kohë që keni një markë të konsoliduar dhe produktet tuaja janë në modë, do të ketë kërkesë të madhe për to," thotë 44-vjeçari.

Për një numër të madh konsumatorësh, prakticiteti i produkteve sportive nuk është çështja numër një, por ata të etur për modele elegante dhe të modës, shprehet Ding Shuibo.

Duke shtuar një element mode në veshjet sportive ishte në të vërtetë karta e luajtur nga Ding-u për t'ia dalë mbanë në një treg si ai kinez që ishte tashmë i mbizotëruar nga marka të tjera kryesore të huaja, por edhe vendëse.

Aktualisht, "Xtep" ka rreth 6000 të punësuar. Ajo ka krijuar degë në të gjitha provincat, qytetet e varura drejtpërdrejt nga qeveria qendrore dhe rajonet autonome në Kinën kontinentale, me një rrjet shitjesh që mbulon të gjithë vendin.

Gjatë këtyre viteve, "Xtep" ka krijuar një kulturë të veçantë të modës, avangardës dhe lirisë. Klasi i lartë, qëllimet madhore dhe aftësia e fortë për rise janë vlerat kryesore të "Xtep". Parulla e markës, " Xtep i bën sportet të ndryshme" shpërfaq plotësisht qëndrimin e "Xtep", synimin drejt sporteve eksperimentale. Me mbështetjen e fortë të kulturës unike të markës, "Xtep" synon të bëhet marka nr. 1 sportive e modës në botë. Gjatë zhvillimit të saj "Xtep" është nderuar me shumë tituj, si "Markë e famshme e Kinës", si edhe ka marrë çmimin "500 markat më të çmuara të Kinës", dhe "Marka më e mirë kineze e produkteve sportive".

Edhe pse shumica e kompanive kineze të këpucëve u goditën nga kriza në ekonomike globale, sipas tyre më e keqja që kanë parë ndonjëherë, të tjerët si Ding Shuibo janë optimistë.

Optimizmi i Ding Shuibo-së është i dukshëm kur ai flet për planet për të hapur dhjetëra dyqane kryesore në qytetet më të mëdha të vendit dhe mbi 1 000 dyqane të tjera të reja në qytetet e mesme dhe të vogla të Kinës. Në vitin 2009 ai punësoi 2 000 në fabrikën e tij të sapohapur, teksa kompanitë e tjera po mbyllnin linjat e prodhimit dhe po shkurtonin numrin e punëtorëve.

"Kriza financiare është një goditje e rëndë për prodhuesit me mallra origjinale që furnizojnë tregun e huaj. Por ne jemi më pak të prekur pasi kemi markën tonë dhe jemi të përqendruar kryesisht në tregun e brendshëm," thotë Ding Shuibo.

"Ding Shuibo është shumë ambicioz e ka një vetëmotivim të fortë," thotë Xu Zhenkun, president i kompanisë së këpucëve "Shingon" të Fujian-it, e cila e ushtron veprimtarinë e vet për më shumë se dy dekada në të njëjtin qytet si "Xtep" dhe prodhon këpucë sportive për markat e huaja.

Xu thotë se ndien pendesë për vendimin e moskrijimit të markës së vet në më parë. Porositë për këpucë nga klientët e huaj kanë ardhur duke u ulur për shkak të rënies ekonomike globale. "Ai shfrytëzoi mundësinë më të mirë për të krijuar markën e vet. Tani është shumë vonë për mua për të bërë një gjë të tillë," tha Xu.

Ding Shuibo shton se kriza financiare i ka dhënë mundësi ideale për të zgjeruar më tej zinxhirin e tij të shitjes me pakicë në vende më të mira duke paguar qiratë më të ulët.

Teksa kërkesa në tregjet e huaja është ulur, disa prodhues me mall origjinal në Kinë, duke përfshirë edhe ato që prodhojnë këpucë për Nike dhe Adidas, tani bëjnë këpucë për "Xtep".

"Ky është një partneritet prej të cilit të gjithë dalin të fituar. Këto fabrika kanë një kontroll të mirë të cilësisë së prodhimit, për arsye se prej shumë vitesh ato prodhojnë këpucë për markat kryesore globale. Duke ua kaluar një pjesë të prodhimit tonë këtyre fabrikave, ne mund të përqendrohemi më shumë në fushën e marketingut dhe të forcimit të markës sonë," shprehet Ding Shuibo.

"Në kushtet kur urbanizimi në Kinë ka ardhur duke u përshpejtuar me ritme gjithnjë e më të larta, në tregun e brendshëm të këpucëve ka një potencial gjithë e më të madh, sidomos në qytetet e mesme dhe të vogla," shton ai.

Ding Shuibo e mbështet një mendim të tillë duke përmendur një studim, sipas të cilit në ShBA një njeri ka mesatarisht rreth 5-6 palë këpucë sportive, duke përfshirë këpucë për vrapim, këpucë për në palestër, atlete etj., ndërsa në Kinë një njeri mesatarisht ka më pak se 2 palë këpucë sportive. në funksion të një ekonomi të shërohet, tregu globale sportive pret një rritje organike të shitjeve duke filluar nga 3-5%.

Ding Shuibo ka një makinë Jaguar dhe i pëlqen të luajë golf në kohën e tij të lirë. Ai është edhe kapiten i ekipit të sipërmarrësve vendorë të golfit.

"Kur je duke luajtur golf, duhet të jesh i përqendruar dhe këmbëngulës. Kjo është edhe e fshehta e të bërit biznes," thotë ai. Dhe duket se falë kësaj të fshehte, ai ka arritur të ketë një pasuri që sipas Listës së të Pasurve të Kinës të "Hurun"-it arrinte në fund të vitit 2013 në 4.5 miliardë juanë (rreth 750 milionë dollarë amerikanë). Jo keq për një vogëlush që e nisi gjithçka duke shitur petulla dhe kasata.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China