PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pedagogu që vendosi të prodhojë veshje
2014-06-11 10:32:29 CRI Komenti juaj Printoni

Kur Zhou Haijiang-ue la punën e mirë të sapofilluar si pedagog në universitet dhe u kthye në vendlindje, ku familja e vet kishte një fabrikë për prodhimin e veshjeve të pambukta, e cila nuk po shkonte mirë, e ëma nisi të qante, e dashura e la dhe fqinjët dyshonin se duhej të kishte bërë patjetër "gabime serioze" dhe e kishin pushuar nga puna. Nuk mund të thuhet se ishte periudha më e mirë dhe më e qetë e jetës së tij, por pa dyshim këtu e ka zanafillën një histori sipërmarrjeje e suksesshme.

Sigurisht, janë të njohura dyzimi i zgjedhjes mes pasurisë e dashurisë dhe mes asaj që duan prindërit për fëmijët e tyre dhe asaj që vetë fëmijët duan, por sot, si kryetari i grupit "Hongdou", një prej kompanive më të mëdha të tekstileve në Kinë, Zhou Haijiang-u thotë se është i lumtur për zgjedhjen që ka bërë.

Zhou Haijiang-u ka lindur në shkurt të vitit 1966 në Wuxi të provincës Jiangsu të Kinës Lindore. Në vitin 1984 ai nisi studimet për menaxhim ekonomik në Universitetin e Shenzhenit, një qytet që më vonë u bë i famshëm për "turin jugor" të ish-udhëheqësit kinez Ten Hsiao Pin dhe që për një kohë të gjatë do të shërbente vend eksperimentimi i politikës së Reformës dhe të Hapjes në Kinë. Shenzhen-i do të ishte edhe një paraprijës i begatimit që do të pasonte Kinën në vitet që prej fillimit të kësaj politike. "Një herë një ekonomist nga Pekini erdhi në universitetin tonë dhe parashikoi se sistemi i triskave të drithit më në fund do të anulohej," kujton Zhou. "Ne të gjithë qeshëm, sepse kishte disa kohë që një sistem i tillë ishte hequr nga përdorimi në Shenzhen." Për banorët e kryeqytetit të vendit Pekin dhënia e triskave do të përfundonte gati rreth një dhjetëvjeçar pas Shenzhen-it, pikërisht në vitin 1993.

Por pas diplomimit, Zhou Haijiang-ut iu desh ta linte Shenzhen-in, pasi u u kthye në provincën ku kishte lindur, Jiangsu, dhe nisi të punojë si lektor në Universitetin Hehai në kryeqendrën e kësaj province, Nankin. Por pas vetëm katër muaj vendosi ta lërë atë punë të mirë e të sigurt shteti, që i jepte edhe një status të ngritur shoqëror. Por ai e ndiente se talenti i tij ishte diku tjetër: "E dija që mësimdhënia nuk ishte ëndrra ime dhe as gjëja që mund të bëja më mirë. Doja që të dilja nga ai 'kafaz pëllumbash' dhe të krijoja diçka me duart e mia."

Por, në të vërtetë, Zhou Haijiang-ut nuk do t'i duhej të krijonte diçka nga e para. Në vitin 1957 gjyshi i tij kishte ngritur në një objekt të marrë me qira një punishte për përpunimin e pambukut, ku kishte punësuar tre punëtorë. Po më vonë punishtja u shtetëzua, duke u bashkuar me dy të tjera dhe duke krijuar një fabrikë.

Ishte një periudhë e vështirë, kur vendi u godit nga varfëria dhe fatkeqësitë natyrore, dhe punët për fabrikën e re nuk shkonin mirë. Gjyshi i Zhou Haijiang-ut vdiq në vitin 1964, pas vitesh të tëra të thithjes së pluhurit të pambukut.

Në vitin 1983, pesë vjet pas fillimit të Reformës dhe të Hapjes në Kinë, babai i Zhou Haijiang-ut, Zhou Yaoting-u, nisi procesin e marrjes në pronësi të fabrikës. Zhou Haijiang-ue ndihmoi të atin në privatizimin e fabrikës nëpërmjet së ashtuquajturës "blerje të menaxhimit".

Në vitin 1992 familja e Zhou Haijiang-ut dhe 50 veta të tjerë morën në zotërim më shumë se 50 % të pronësisë së fabrikës. Më vonë familja e Zhou Haijiang-ute forcoi pushtetin e vet mbi këtë fabrikë, teksa shteti më në fund i shiti edhe aksionet e veta të fundit në vitin 2004. Po atë vit Zhou Haijiang-u u bë kryetar i Kompanisë Industriale "Hongdou" të Jiangsu-së, siç u quajt kompania e ngritur mbi bazën e fabrikës në fjalë, teksa më parë kishte punuar me radhë sekretar i selisë së kësaj fabrike, shef i zyrës së planit, zëvendësdrejtor i fabrikës dhe zëvendësmenaxher i përgjithshëm ekzekutiv.

Nën drejtimin e Zhou Haijiang-ut, "Hongdou" u shndërrua nga një fabrikë prodhimi veshjesh pambuku në një grup të madh me të ardhura vjetore që vitin e kaluar arritën vlerën e 40 miliardë juanëve (rreth 6.5 miliardë dollarëve), me një rritje dyshifrore që prej vitit 2008. Tani Grupi "Hongdou" ka më shumë se 20 000 punonjës, duke qenë një nga kompanitë private me numrin më të madh të të punësuarve në Kinë, pa përmendur 40 000 punëtorë të tjerë të punësuar tërthorazi.

Tashmë, përveç prodhimit të veshjeve, bizneset e Grupit "Hongdou" përfshijnë edhe sektorë të tillë si mjetet motorike, pasuritë e patundshme dhe farmaceutikën. Grupi "Hongdou" ka tashmë 10 kompani, duke përfshirë edhe një kompani të listuar në bursë, 85 kompani të nivelit të 3-të, mbi 100 fabrika, si edhe dy degë të vetat në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Nju-Jork dhe Los Anxheles.

Ndonëse Zhou Haijiang-u nuk kishte prirje për mësimdhënie, atij nga ana tjetër i pëlqen të mësojë. Ai mund të thuhet se është një ndër biznesmenët kinezë më të mirarsimuar. Arsimi ka qenë i rëndësishëm në karrierën e Zhou-t. 48-vjeçari ka një master në administrim biznesi dhe gjithashtu i ka thelluar studimet e veta edhe jashtë vendit, pikërisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 1997, ku pati mundësi të vizitojë korporatat shumëkombëshe të tilla si "Wal-Mart". Atje Zhou mësoi rëndësinë e të dhënit secilit mundësi të barabarta.

Zhou Haijiang-u i ka hapur dyert e "Hongdou"-t për të tërhequr talentet e reja. Tani ai i mundëson një të sapodiplomuari të zgjedhur me votim të mbajë një pozicion të rëndësishëm në kompanitë e fabrikat e grupit të tij. Ai ka vendosur edhe një kuti postare për të nxitur punëtorët t'ia dërgojnë mendimet e tyre drejtpërdrejt atij.

Por mësimi më i rëndësishëm që Zhou Haijiang-u thotë se ka marrë është konkurrimi, të cilën ai më vonë e përfshiu në stilin e vet të menaxhimit. Shumica e ndërmarrjeve në vitet '80 të shekullit të kaluar në Kinë ishin në pronësi shtetore dhe jorentabël. Punëtorët ishin të kënaqur me atë që quhej "tasi prej hekuri" i tyre, pra me një punë të sigurt për tërë jetën në kushtet e një ekonomie të planifikuar, pa u shqetësuar kurrë se një ditë do të mbeteshin të papunë. Por kur ishte student në Shenzhen Zhou-t i bëri mjaft përshtypje kur mësoi që një shok i tij i fëmijërisë, i cili punonte në këtë qytet, ishte pushuar për shkak të punës së dobët.

Tani në Grupin "Hongdou" kandidatët i zënë postet kyçe nëpërmjet konkursit. Kjo u ka mundësuar shumë njerëzve të talentuar të spikatin dhe të shtojnë forcën kohezive të kompanisë. Aktualisht, në "Hongdou" ka më shumë se 2 300 punonjës që kanë përfunduar arsimin e lartë.

Veç kësaj, Zhou Haijiang-u ka krijuar grupe shitjesh nga fabrikat e veshjeve të "Hongdou"-t të cilat prodhojnë të njëjtin produkt, dhe i ka bërë ato që të kenë një konkurrencë të brendshme. Zhou thotë se është relativisht e lehtë për të ditur cilët janë më të mirët, sepse rezultatet dhe faktet janë dëshmia më bindëse për të gjykuar punën e dikujt.

"Është e vështirë të rritësh një fëmijë të vetëm," shpjegon ai në mënyrë metaforike. Disa mund të mendojnë se një strategji e tillë e rrit koston, por Zhou Haijiang-u vë në dukje se "ne kemi nevojë për konkurrencë brenda kompanisë për t'u përballur me konkurrencën e ashpër jashtë saj".

Zhou Haijiang-u mendon se aftësia e një drejtuesi është që ta bëjë kompaninë të ecë me këmbët e veta edhe gjatë kohës kur drejtuesi nuk ndodhet në krye të punëve. Dhe ai vetë është një drejtues i tillë. Gjatë kohës që ai është ndodhur larg "Hongdou"-t, si për shembull në periudhat kur ka ndjekur studime të ndryshme, sërish punët në kompani kanë vajtur mbarë. "Nëse sipërmarrja nuk shkon mirë kur unë nuk ndodhem në zyrë, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon në mekanizmin e kësaj sipërmarrjeje," thotë ai.

Zhou Haijiang-U është përpjekur të fusë në "Hongdou", përveç frymës së konkurrencës, edhe një sistem modern menaxhimi në këtë biznes me bazë familjare.

Zhou Haijiang-u ka në plan që brenda pak vjetësh ta bëjë "Hongdou"-n një sipërmarrje me një vëllim vjetor shitjesh prej 100 miliardë juanësh, si edhe një ndër 500 korporatat kryesore në botë.

Ndërsa Kina ende shihet si një bazë prodhimi për kompanitë më të mëdha ndërkombëtare, "Hongdou" është ngjitur shkallë-shkallë në zinxhirin e vlerës. Tregu kryesor i markës më të rëndësishme të kompanisë, që mban po të njëjtin emër, "Hongdou", ka qenë deri tani në të ashtuquajturat qytete të kategorisë të dytë, pra qytete që për nga rëndësia vijnë pas qyteteve të tilla kryesore si Pekini, Shanghai, Guangzhou, Chengdu-ja etj., por tani po synon gjithnjë e më shumë qendrat e mëdha urbane.

Zhou Haijiang-u thotë se forca më e madhe e kompanisë është marka "Hongdou". "Gjëja më e rëndësishme është të forcojmë markën tonë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit," thotë ai.

Zhou synon ta bëjë emrin e markës "Hongdou" më të lehtë për t'u mbajtur mend edhe nga klientët jashtë vendit. Ai përmend rastin e kompanisë kineze të frigoriferëve "Haier", si një kompani që ka pasur dallim mes suksesit brenda vendit nga ai në nivel global. "Një shtëpiake në një studim në ShBA u pyet lidhur me emrin 'Haier' dhe tha: 'Unë nuk e përdor [Haier]. Nuk ia shqiptoj dot emrin'. Ne nuk duam që kjo të ndodhë me markën tonë," thotë Zhou Haijiang-u.

Zhou Haijiang-u ka investuar në stilim dhe ka punësuar stilistë nga Parisi për t'u dhënë veshjeve të prodhuara nga "Hongdou" një pamje të re dhe një konceptim të ri. "Hongdou" është bërë tashmë një prej markave të njohura dhe të respektuara të veshjeve në Kinë, duke fituar edhe Çmimin e Artë për cilësinë e produkteve. "Hongdou" përdor pajisjet më të përparuara të prodhimit, shtatëdhjetë për qind e të cilave janë importuar nga Gjermania, Italia, Japonia, dhe Shtetet e Bashkuara. Kompania ka ngitur një qendër testimi për pëlhurat dhe veshjet.

"Hongdou" i ka shtrirë tashmë bazat e prodhimit edhe jashtë Kinës, duke investuar në Kamboxhia. Zhou Haijiang-u ka blerë 70 për qind të një zone ekonomike në Kamboxhia dhe ka hapur fabrika atje për zgjerim të mëtejshëm.

Zhou Haijiang-u, i vetëdijshëm se tekstilet kanë gjithmonë një marzh të vogël fitimi, e ka diversifikuar biznesin e vet. Në vitin 1995 ai bleu një kompani prodhimi motoçikletash në Shangai dhe po ashtu është futur shkallë-shkallë në pasuritë e patundshme dhe sektorin e farmaceutikës. Prodhimet tekstile tani përbëjnë vetëm rreth gjysmën e vëllimit të përgjithshëm të shitjeve të kompanisë. Zhou Haijiang-u planifikon që "Hongdou" të shtrihet edhe në fusha të tjera për të siguruar kështu një diversifikim të mëtejshëm. Por edhe pse "Hongdou" ka qenë aktiv në diversifikim në dhjetëvjeçarin e fundit, Zhou është i vendosur që veshjet të jenë biznesi kryesor i grupit. "Veshjet ende kanë një të ardhme të mirë në Kinë, për shkak të konkurrencës së vërtetë në këtë sektor, pagave relativisht të ulëta dhe punëtorëve të zgjuar," thotë ai.

Kur e pyet se cili është lloji i të punësuarve që parapëlqen më shumë, Zhou Haijiang-u thotë se ka më shumë për zemër njerëzit që cilët janë të gatshëm të mësojnë dhe që janë ambiciozë për arritjen e objektivave të tyre në punë dhe në jetë. Ndërkohë, lidhur me atë se ç'vlera duhet të ketë dikush që i futet rrugës së sipërmarrjes, Zhou Haijiang-u vë në dukje se një sipërmarrës i mirë duhet të jetë mendjehapur për të kuptuar tregun dhe për të kontrolluar gjendjen e përgjithshme, si edhe të ketë njohuri të gjera për sektorin e vet. Zhou thotë se kalon të paktën një orë në ditë duke lexuar, kryesisht biografitë e sipërmarrësve të suksesshëm, për të mësuar prej tyre, ndonëse edhe ai vetë bën pjesë tashmë në radhën e këtyre sipërmarrësve. Zhou Haijiang-u thotë se, po të kishte kohë për të mësuar më shumë, do të donte të dinte më shumë për ligjet, veçanërisht për ato që lidhen me ekonominë dhe tregtinë ndërkombëtare. "Janë ndër interesat e mia dhe janë të lidhura me biznesin tim, por është për të ardhur keq që ende nuk kam gjetur kohë të mjaftueshme për t'i studiuar," shprehet Zhou.

Lidhur me motivimin për krijimin e biznesit të vet, Zhou Haijiang-u tregon: "Në fillim ishte shumë e thjeshtë. Doja vetëm të ndihmoja babanë dhe të gjeja një punë për veten time që të më përshtatej. Por motivi që kam tani është kthimi i kompanisë sime në një sipërmarrje sa më të suksesshme."

Zhou Haijiang-u ka një vetëdisiplinë të fortë dhe punon të shtatë ditës e javës, karakteristika për të cilat thotë se i ka trashëguar pikërisht nga babai i vet.

Familja e Zhou Haijiang-ut është një familje tipike që merret me biznes privat në provincat Zhejiang dhe Jiangsu të Kinës Lindore. Brezi i dytë ka lindur me misionin e natyrshëm për të qenë drejtuesit e ardhshëm të sipërmarrjeve të familjeve të tyre.

Zhou Haijiang-u u zgjodh president i grupit "Hongdou" në vitin 2004, gjë për të cilën ndihet krenar, dhe kyçi në këtë rast është fjala "zgjedh", pra që do të thotë se ai nuk e trashëgoi postin.

Zhou Haijiang-u nuk do që ta pranojë se ai vetë i përket brezit të dytë, sepse është përfshirë në punët e kompanisë "Hongdou" që në vitet '80 të shekullit të kaluar e jo së fundmi. Megjithatë, arsimi që ka marrë e dallon nga brezi i parë, të cilit i përket edhe i ati. Zhou Haijiang-u është i vetëdijshëm për këtë ndryshim. "Në marrjen e vendimeve, brezi i babait tim është më i guximshëm dhe ata kanë një vizion shumë strategjik," thotë Zhou. "Ndërsa unë jam i prirur të pres derisa të ndihem krejtësisht i sigurt për vendimin që do të marr."

Por Zhou Haijiang-u dhe i ati kanë sigurisht një gjë të përbashkët: kërkesën e disiplinës. Zhou kujton se si, kur ishte i vogël, i duhej të rrinte në këmbë gjithë natën nëse bënte ndonjë gabim. Këtë disiplinë familjare atë e bir e kanë përçuar edhe në kompani.

Një tjetër karakteristikë që ka brumosur familja te Zhou Haijiang-u është edhe shpirti i sakrificës dhe ndjenja e përgjegjshmërisë. Ai e mban mend fare mirë ditën kur i ati i thërriti djemtë e vet dhe u tha se vetëm një prej tyre do të kishte mundësi të vazhdonte shkollën, për shkak të kushteve ekonomike të familjes. Vëllai i vogël, për të cilin Zhou Haijiang-u thotë se "ishte shumë i zgjuar, dhe po ashtu ishte edhe ai një nxënës i mirë", hoqi dorë me vullnetin e vet nga arsimimi i mëtejshëm, në mënyrë që Zhou Haijiang-u të kishte mundësinë të shkonte në universitet.

Kjo është edhe një ndër arsyet pse Zhou Haijiang-u e la punën e vet si pedagog dhe u kthye në vendlindje, duke qenë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kishte ndaj familjen së vet, për sakrificat që kishte bërë ajo për shkollimin e tij.

E megjithëse u kthye në vendlindje pikërisht për hir të biznesit të familjes së vet, Zhou Haijiang-u mendon se një biznes nuk duhet të mbetet gjithnjë i tillë, por duhet zgjeruar me rritjen e kompanisë. Ai thotë se është zgjedhja e duhur për të punësuar anëtarët e familjes, miqtë dhe të afërmit kur sipërmarrja është e vogël, pasi "nga perspektiva ekonomike, kostoja e mbikëqyrjes për një biznes të vogël është e barabartë me zero". Por, teksa përmasat e sipërmarrjes zgjerohen, thotë ai, "është më se e pamjaftueshme për të zgjedhur njerëz vetëm nga zona përreth. Është domosdoshmëri tërheqja e talenteve me prejardhje të ndryshme".

Zhou Haijiang-u është zëvendëskryetar i Shoqatës së Veshjeve të Kinës, duke pasur një ndikim në rritje në këtë sektor në Kinë. Ndër vlerësimet që ka marrë ështe edhe "Medalja e sektorit të veshjeve të Kinës", ndërsa "Hongdou" është shpallur disa herë një ndër dhjetë markat më të njohura të veshjeve në Kinë. Tani pasuria e Zhou Haijiang-ut dhe e famijes së tij vlerësohet në mbi 700 milionë dollarë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China