20131126likeFE |
Kryeministri kinez Li Keqiang ndodhet tani për një vizitë zyrtare në Rumani. Gjatë qëndrimit në Rumani, kryeministri Li do të marrë pjesë edhe në takimin e liderëve Kinë-Europë Qendrore e Lindore, si dhe në Forumin Ekonomik Kinë-Europë Qendrore e Lindore, ku do të mbajë edhe një fjalim.
Një nga synimet e vizitës së kryeministrit kinez është forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Ekspertët janë të mendimit që të dyja palët kanë një perspektivë të gjerë në bashkëpunimin ekonomik e tregtar mes tyre dhe mund të zhvillojnë bashkëpunim të thellë në mjaft fusha.
Forumi Ekonomik Kinë-Europë Qendrore e Lindore ka filluar në vitin 2011 dhe ky është viti i tretë radhas që ai zhvillohet. Liu Zuokui është zv.drejtori i Qendrës së Studimeve të Europës Qendrore e Lindore pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës. Ai është i mendimit që ky forum tregon interesin e të dy palëve për thellimin e bashkëpunimit.
"Në gjendjen e tanishme të krizës së borxheve në Europë, marrëdhëniet tradicionale mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe BE-së kanë ndryshuar. Tani, për arsye që tregjet kryesore europiane nuk mund të ofrojnë më shumë investime dhe nxitje ekonomike, është normale që vendet e Europës Qendrore e Lindore t'i kushtojnë më shumë vëmendje Kinës që ka një rezervë shumë të madhe valutore. Me shtimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe Bashkimit Evropian, zhvillimi i marrëdhënieve mes tyre do të jetë në të mirë të zhvilimit të gjithanshëm dhe të balancuar të mbarë kontinentit europian," tha Liu Zuokui.
Z. Liu u shpreh se vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe Kina kanë nivel të afërt zhvillimi dhe një potencial të madh bashkëpunimi. Shtimi i bashkëpunimit me vendet në Europën Qendrore e Lindore pasqyron strategjinë e Kinës për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet europiane. Sipërfaqja e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore zë një të tretën e kontinentit europian, por tani, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së vendeve të këtij rajoni me Kinën është vetëm afro 50 miliardë dollarë amerikanë, më pak se një e dhjeta e atij të BE-së me Kinën. Për këtë Liu Zuokui shprehet:
"Rajoni i Europës Qendrore e Lindore është i pasur me produkte vendore. Ndërkohë, në këtë rajon ka edhe burime të pasura bujqësore e natyrore, si dhe energji të pastër. Këto janë gjërat që po kërkon Kina, prandaj bashkëpunimi mes dy palëve ka një potencial shumë të madh."
Sipas mediave, gjatë takimit të kryeministrit kinez Li Keqiang me kryeministrat e 15 vendeve të Europës Qendrore e Lindore, si edhe në takimin e veçantë me kryeministrin e vendit mikpritës, Rumanisë, do të zhvillohen diskutime mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë bërthamore, hekurudhave, energjisë termike, bujqësisë etj. Vitet e fundit, ndërtimi i infrastrukturës është bërë një pikë kryesore e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Zhang Xiangchen, ndihmësministër i Tregtisë i Kinës, thotë:
"Me fondet e kredisë nga Kina, ka nisur ndërtimi i urës mbi lumin Danub në Beograd të Serbisë, rinovimi i termocentralit të Kostolacit dhe ndërtimi i termocentralit të Stenarit në Bosnjë-Hercegovinë. Krahas këtyre, ka edhe disa projekte të tjera që janë në procesin e bisedimeve."
Investimet kineze janë mirëpritur mjaft në vendet e Europës Qendrore e Lindore. Slawomir Majman është drejtori i Agjencisë së Informacionit dhe Investimeve të Huaja të Polonisë. Ai i përshëndet investimet e kompanive kineze në fushat e telekomunikacionit, logjistikës dhe hekurudhave në Poloni.
"Në Poloni ne shpresojmë që investimet kineze të hyjnë në fushat e informacionit, telekomunikacionit dhe transportit. Ne po presim që Gdansku në Poloninë Veriore të bëhet porti më i rëndësishëm që lidh Kinën dhe Europën Veriore. Ndërkohë, shpresojmë që të ndërtohen më shumë linja hekurudhore që lidhin Kinën dhe Poloninë. Gjithashtu, shpresojmë që Kina të bëjë investime në Gdansk dhe Gdinia siç kanë bërë në Greqi, dhe të bashkëpunojë me Poloninë për t'i shndërruar këto porte në baza të rëndësishme të transportit detar. Krahas kësaj, shpresojmë që Kina të investojë në qendrat kërkimore shkencore, pasi kjo është një nga tre fushat më të rëndësishme në Poloni për investitorët ndërkombëtarë. Përveç kësaj, ne i mirëpresim investimet kineze edhe në përpunimin e ushqimeve," u shpreh Slawomir Majman.
Tani Kina po përpiqet për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë kombëtare dhe po bën reforma të reja e po hapet më tej. Vendet e Europës Qendrore e Lindore janë forca të reja për zhvillimin e ekonomisë europiane. Bashkëpunimi mes Kinës dhe vendeve të këtij rajoni ndodhet në fazën fillestare dhe ndodhet përpara mundësisë për zgjerimin dhe thellimin e vazhdueshëm. Këtë herë, në Bukuresht të Rumanisë, kryeministri i Kinës dhe homologët e tij të Europës Qendrore e Lindore janë mbledhur me synim që të hartojnë bashkë perspektivën e bashkëpunimit mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore për zhvillimin e ardhshëm. Publiku ka bindjen që ky takim do t'i japë një impuls dhe forcë të madhe bashkëpunimit dypalësh. (Jiang Lei/Artani)