PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Fermerët që kultivojnë ... furrtare
2013-11-19 14:42:26 CRI Komenti juaj Printoni

Vlerësohet se njerëzit në mbarë botën harxhojnë 40 miliardë dollarë në vit për pesticide dhe mbase asnjë kandërr tjetër nuk e shqetëson një njeri a një shtëpi të zakonshme më shumë sesa furrtaret. Vështirë t'i shkojë njeriu mendja se ato krijesat e padëshirueshme që na sillen nëpër shtëpi dhe që ne e këmi aq të vështirë për t'i zhdukur, mund të jenë të dobishme dhe aq fitimprurëse. Por disa fermerë kinezë jo vetëm që nuk po harxhojnë para në pesticide për t'i zhdukur ato, por përkundrazi, po i rritin për të fituar prej tyre. Furrtaret përdoren në mjekësinë tradicionale kineze për të trajtuar sëmundje të ndryshme, duke përfshirë kancerin, si edhe në kozmetikë.

43-vjeçari Wang Fuming nga provinca Shandong është një burrë me shtat mesatar, me mustaqe të holla dhe me syze, çka e bëjnë që të duket si ndonjë shkencëtar. Por në të vërtetë ai ka kryer vetëm shkollën e mesme dhe, pas përfundimit të saj, nisi të punojë në një fabrikë gome. Por kjo nuk ishte rruga që do të donte të ndiqte:

"E ndjeva se kurrë nuk do të bëja ndonjë gjë të rëndësishme në jetën time nëse do të vazhdoja të punoja në fabrikë, prandaj mendova që më mirë të filloja një biznes timin," thotë ai. "Në fillim mendova të merrem me rritjen e derrit, por me mënyrat tradicionale, fitimet janë shumë të ulëta."


Kur ishte i vogël Wang-ut i pëlqente të mblidhte insekte, kështu që filloi të rriste akrepa dhe brumbuj, të cilët përdoren në mjekësinë tradicionale dhe për gatim. Por shpejt do të merrej me kultivimin e diçkaje tjetër, e siç ndodh shpesh, kjo erdhi prej rastësisë. Disa vezë brumbujsh ishin kontaminuar me vezë të një kandrre tjetër, furrtareve.


"Pa dashje po rritja furrtare dhe më vonë e kuptova se ato ishin më të lehta për t'u rritur dhe më fitimprurëse," tregon Wang. "Me furrtaret mund të investosh 20 juanë (rreth 6 dollarë) dhe të marrësh 150 juanë (më shumë se 24 dollarë)."

E kështu Wang-u nisi të merrej me kultivimin e furrtareve. Kostoja e fillimit të biznesit të ri ishte minimale: Wang bleu vetëm vezët e furrtareve, një pulari të braktisur dhe tjegulla për çatinë e saj. Furrtaret, që janë të famshme për qëndrueshmërine e tyre, nuk preken nga sëmundjet si kafshët e fermave. Sa për ushqimin, ato nuk janë "buzëholla" dhe mund të hanë gjithçka, edhe pse kanë më shumë për zemër perimet e kalbura. Wang-u nisi t'i ushqejë furrtaret e veta me lëkura patatesh dhe kungujsh që i merrte nga restorantet afër.

"Kur furrtaret arrijnë moshën katër muajsh dhe krahët e tyre janë rritur plotësisht e ato mund të fluturojnë," thotë ai, "i heqim me vakuum nga foletë e tyre dhe i zhytim në një vaskë të madhe me ujë të valuar. Pastaj i thajmë në diell si speca djegës.

Wang-u ua shet furrtaret prodhuesve të barnave të mjekësisë tradicionale dhe firmave të kozmetikës, që i shohin ato si një burim i lirë proteinash, si edhe i përdorin për substancën si celulozë në krahët e tyre.

Të paktën pesë kompani farmaceutike i përdorin furrtaret për barna të mjekësisë tradicionale kineze, për të pakësuar mahisjet dhe për forcimin e imunitetit. Në Kinë, por edhe në Korenë e Jugut, po bëhen hulumtime lidhur me përdorimin e pluhurit të furrtareve për trajtimin e kancerit e të rënies së flokëve, dhe si shtojcë vitaminike. Fakulteti i Farmacisë i Universitetit të Dalisë të Kinës dhe Instituti i Kërkimeve Bujqësore i provincës Jeonnam të Koresë së Jugut kanë publikuar artikuj lidhur me vetitë antikancerogjene të furrtareve.

Që kur Wang-u filloi biznesin në vitin 2010, çmimi i furrtareve të thara është pesëfishuar, nga 25 juanë (4 dollarë) për kilogram në 120 juanë (rreth 20 dollarë) për kilogram


Tani biznesmeni 43-vjeçar ka gjashtë ferma për prodhimin e furrtareve, me mbi 10 milionë të tilla (megjithëse numri i saktë i tyre është e vështirë të llogaritet), duke qenë kështu prodhuesi më i madh i furrtareve në Kinë, e për rrjedhojë me gjasë edhe në botë.


Wang Fuming thotë tani për tani tërë prodhimin ua shet kompanive farmaceutike, duke shtuar se çmimi i furrtareve është rritur ndjeshëm. Prandaj që nga viti 2011, ai e ka pesëfishuar prodhimin, duke arritur në më shumë se 100 tonë në vit, dhe ka tetë punëtorë.

Që nga kjo pranverë, Wang-u ka pasur 100 kërkesa nga fermerët që duan të merren me rritjen e furrtareve dhe ka ndihmuar për të ngritur 30 ferma të tjera.

Vala e tregtisë së furrtareve e ka zanafillën mbase tek Li Shunan-i, një profesor 78 -vjeçar i mjekësisë tradicionale nga krahina jugperëndimore e Yunnan-it, i cili vlerësohet si babai i studimit të furrtareve. Prof. Li pa në vitet '60 të shekullit të kaluar se pakicat etnike në këtë provincë që banonin në afërsi të kufirit me Vietnamin, e përdornin pluhurin e furrtareve të thara për të mjekuar tuberkulozin e kockave. Atij iu deshën më shumë se një dhjetëvjeçar kërkime, por më në fund arriti të sigurojë patentën për përdorimin e pluhurit të furrtareve si një përbërës i mjekësisë tradicionale kineze dhe të bashkëpunojë me firmën më të madhe të prodhimit të barnave me bazë furrtaret. Përveçse për tuberkulozin e kockave, tani pluhuri i furrtareve përdoret edhe për të mjekuar cirrozën, kancerin e gjirit dhe sëmundje të tjera, dhe mendohet se mund të përdoret edhe kundër rënies së flokëve dhe plakjes. Ndërkohë, një shurup i krijuar nga një firmë farmaceutike në Sichuan përdoret për të mjekuar gastroenteritin, ulcerën e duodenit dhe tuberkulozin e mushkërive.

"Furrtaret janë me të vërtetë ilaçe çudibërëse," shprehet Liu Yusheng, profesor në Universitetin Bujqësor të Shandong-ut dhe kreu i Shoqatës së Insekteve të provincës Shandong. "Ato mund të mjekojnë një numër sëmundjesh dhe japin efekt shumë më shpejt se ilaçet e tjera."

Prof. Liu tregon se kremi i bërë nga pluhuri i furrtareve është në përdorim në disa spitale kineze për trajtimin e djegieve, ndërsa në Korenë e Jugut përdoret si maskë kozmetike për fytyrën.

"Kina ka probleme me plakjen e popullsisë," shpjegon prof. Liu. "Prandaj ne po mundohemi të gjejmë ilaçe për të moshuarit, të cilat janë në përgjithësi më të lira se ato të mjekësisë perëndimore".

Por fillimisht, edhe pse u krijua një fermë e madhe në Yunnan për kultivimin e furrtareve, sërish ajo nuk ishte e mjaftueshme për të plotësuar kërkesën për pluhurin e këtyre kandrrave. Kjo është arsyeja pse Wang Fuming-u dhe sipërmarrës të tjerë kanë hyrë tashmë në këtë biznes. Dhe mjaft prej tyre kanë fituar jo pak.

Zou Hui është një grua 40-vjeçare nga provinca Sichuan e Kinës Jugperëndimore. Si shumë të tjerë ajo e la vendlindjen dhe shkoi për të punuar në qytetin e Ningbo-së, në pjesën lindore të vendit. Ashtu si edhe Wang Fuming-u, Zou punonte në një fabrikë. Por kur në vitin 2008 pa një program televiziv në lidhje me rritjen e furrtareve në Yunnan dhe kërkesën e madhe për pluhurin e tyre, Zou vendosi ta lërë punën në fabrikë e të kthehet në fshatin e vet në Sichuan, që të merret edhe ajo me një veprimtari të tillë.

"Njerëzit në fshat qeshën me mua kur fillova, por kam besuar gjithmonë se furrtaret do të më sillnin pasuri," thotë Zou Hui.

Tani pesë kompanitë e mëdha farmaceutike janë klientë të fermës së saj prej rreth 100 mijë furrtaresh. E ndonëse nuk mund të thuhet ende se Zou ka vënë mjaft pasuri, ajo po siguron të ardhura të qëndrueshme me biznesin e vet. Më shumë se 60 mijë juanët (10 mijë dollarët) që fitoi vitin e kaluar nga shitja e furrtareve janë një shumë jo e vogël për fshatin e saj, madje qeveria vendore i ka dhënë Zou-t çmimin "Eksperte në pasurim", duke e nxitur të krijojë Kooperativën e Kultivimit të Furrtareve të Sichuan-it.

"Tani unë po mësoj katër familje të tjera", tregon Zou. "Edhe ata duan të pasurohen si unë."

49-vjeçari Xiao Zhongwu është edhe ai nga provinca Shandong si Wang Fuming-u. Ai ka një numër fermash furrtaresh në fshatin e vet pranë Qufu-së, vendlindjes së Konfucit. "Unë kam edhe një biznes transporti me kamion, transportoj mermer, letër dhe produkte bujqësore për kompanitë vendore. Por ky biznes më sjell vetëm para xhepi. Ato që sjellin para të madhe janë furrtaret".

Xiao i ushqen furrtaret e tij me një "formulë të veçantë" pureje perimesh dhe mbeturinash për të prodhuar nivele të larta aminoacidesh, siç ia kërkojnë blerësit. Por ai thotë se rritja e tyre është shumë e thjeshtë: "Vetëm mbaji ngrohtë dhe ato janë të lumtura."

Tani llogaritet se janë rreth 100 ferma në Kinë që merren me kultivimin e furrtareve dhe numri i tyre po vjen duke u rritur. Fermerët tërhiqen nga kostoja e ulët e fillimit të biznesit dhe nga fakti që furrtaret mund të rriten kudo dhe shpenzimet për t'i mbajtur janë shumë më të ulëta se ato për të mbarështuar bagëti për shembull.

Po të shkosh për ta takuar Wang Fuming-un, siç kanë bërë një numër gazetarësh vendës e të huaj kohët e fundit, nuk është çudi ta gjesh duke shijuar ndonjë pjatë me insektin që ai rrit dhe që e ka pasuruar. Dhe kjo sepse furrtaret janë duke u bërë gjithnjë e më popullore jo vetëm në mjekësinë kineze dhe si përbërës të shumë produkteve kozmetike, por edhe sepse, ashtu si edhe mjaft insekte të tjera, janë një burim i madh proteinash, e kështu edhe një ushqim i mirë.

Në majin e sivjetshëm Organizata e Bujqësisë dhe e Ushqimit e OKB-së (FAO) publikoi një raport lidhur me përdorimin e insekteve si ushqim. Sipas këtij raporti, në vitin 2050 në Tokë do të jetojnë 9 miliardë njerëz. Ky shtim i rreth 2 miliardë vetave në më pak se dyzet vjet do të kërkojë thuajse dyfishim të prodhimit të tanishëm të ushqimit, po të kesh parasysh që edhe tani nuk plotësohen një pjesë e mirë e nevojave ushqimore të popullsisë botërore. Kjo ngre disa sfida serioze praktike. Zgjidhja: Ngrënia e kandrrave. Sipas raportit të FAO-s, duhen studiuar mundësitë që kandrrat të plotësojnë pjesën më të madhe të nevojave ushqimore globale. Statistikat tregojnë se një e ardhme e konsumit gjerësisht të kandrrave nuk është e pamundur.


Kultivimi i kandrrave ka rendiment shumë më të madh në krahasim me burimet e tjera të proteinave shtazore. Ato prodhojnë shumë më tepër mish për kilogram ushqim se kafshët që mbarështohen zakonisht, dhe një pjesë më e madhe e masës së tyre trupore është e ngrënshme. Kandrrat gjithashtu prodhojnë një sasi gazi serrë mjaft më të vogël se ajo që prodhohet nga bagëtitë dhe janë të pasura me minerale, vitamina dhe proteina. Vetëm katër karkaleca sigurojnë po aq kalcium sa një gotë qumësht, ndërsa krimbat mopani kanë më shumë proteina sesa viçi për gramë. Gjedhi kërkon 12 herë më shumë ushqim sesa gjinkallat për masë njësie të rritjes proteinike, ndërkohë që kërkojnë më pak tokë e ujë dhe lëshojnë më pak gaz serrë dhe amoniak.


Në të vërtetë, edhe tani kandrrat hahen në shumë vende të botës. Sipas FAO-s, 1 900 lloje të ndryshme kandrrash konsumohen nga rreth 2 miliardë njerëz në më shumë se 80 vende në Azi, Afrikë dhe Amerikë. Vetëm në Perëndim ideja e të ngrënit insektet është një koncept i huaj. Louis Sorkin, entomologjist në Muzeun Amerikan të Historisë së Natyrës në Nju-Jork, që është vetë një ngrënës kandrrash dhe një propagandues i kësaj ideje, thotë: "Duhet bërë njerëzit që ta 'përtypin' këtë koncept (të ngrënies së kandrrave) këtu në Perëndim."

Ndërkohë në Kinë, shtimi i shtresës së mesme ka shtuar edhe rritjen e konsumit të mishit në vend, duke e çuar nga 10 kg për njeri në mesin e viteve '70 të shekullit të kaluar në 45 kg për njeri në vitin 2010. Dhe ritmet e konsumit po vijnë duke u shtuar dhe për t'i përballuar është shtuar prodhimi dhe eksporti. Kështu, eksporti i mishit të kuq nga Australia në Kinë sivjet është rritur me 214 për qind krahasuar me vitin 2012. Kjo ka sjellë një trysni të madhe mbi burimet, në një vend që duhet të mbajë popullsinë më të madhe në botë. Prandaj, konsumimi gjerësisht i insekteve do të ishte një zgjidhje e mirë.

Kur një grup gazetarësh shkuan këtë muaj ta intervistojnë Wang Fuming-un, ai u kërkoi të shijonin furrtaret e skuqura që shërbenin në një restorant pranë fermës së tij. Dhe kur gazetarët ngurruan, ai u tha me buzëqeshje: "Do të pendoheni gjithë jetën tuaj që nuk i provuat."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China