20130827zhanglan |
Kur hapi restorantin e parë të vetin në Pekin në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, në Kinë ende nuk ekzistonte kultura e të ngrënit jashtë dhe klientët ishte e vështirë të gjendeshin. Por falë zotësisë dhe shpirtit të krijimit të risive të saj, nga ai restorant i vogël i fillimit Zhang Lan ka tani në pronësi restorante luksoze që zënë një sipërfaqe më shumë se 60 000 metra katrorë, që punësojnë rreth 6 000 veta dhe që presin mbi 5 milion klientë në vit. Pas suksesit në tregun vendës, ajo synon që grupi i krijuar prej saj të bëhet një "Louis Vuitton" në tregun global të restoranteve.
Me një pasuri rreth 3.5 miliardë juanë (afro 500 milionë dollarë), Zhang renditet e dyta ndër sipërmarrëset femra të përfshira në listën e më të pasurve në sektorin e restoranteve në Kinë.
Zhang Lan ka lindur në Pekin në vitin 1958, në një familje intelektuale. Babai i saj ishte profesor universiteti. Gjatë Revolucionit Kulturor të nisur në vitin 1966, familja e saj u dërgua të jetonte në provincë, por në fillim të viteve '70 u rikthye në Pekin. Në vitin 1987 Zhang Lan u diplomua në Universitetin e Biznesit dhe të Teknologjisë të Pekinit dhe nisi të punojë si llogaritare në një kompani shtetërore ndërtimi.
Por dëshira për arsimim të mëtejshëm e Zhang Lanit ishte e fortë dhe, për këtë qëllim, në vitin 1989 ajo shkoi në Kanada. Teksa studionte atje, Zhang Lan punonte edhe me kohë të pjesshme, madje për një periudhë bënte edhe gjashtë punë njëherësh, përfshirë larjen e enëve dhe prerjen e mishit në restorant.
"Gjatë asaj kohe isha aq e lodhur, sa në fund të ditës nuk kisha fuqi as t'i vija këmbët mbi shtrat, prandaj duhej ta bëja këtë me duar," thotë Zhang. Falë punës së rëndë në restorante dhe sallone bukurie, brenda dy vjetësh ajo kurseu 20 000 mijë dollarë.
Me gjithë vështirësitë e jetës e të punës në Kanada, përvoja e atjeshme do t'i ndryshonte jetën Zhang Lanit. Ajo thotë se "përparimi i botës perëndimore" i la shumë mbresa dhe e bëri të vendosur që edhe ajo të arrinte suksesin e saj vetjak. Të cilin mendoi ta arrinte në atdheun e vet.
Gjatë qëndrimit në Kanada dhe udhëtimit në shumë vende të tjera, Zhang Lanit iu krijua bindja se kuzhina kineze nuk njihej mirë në botë. Mjaft të huaj e barazonin këtë kuzhinë vetëm me tofunë mapo dhe mishin e derrit të thartë dhe të ëmbël, të cilat ishin të njohura në "Qytetet kineze". Zhang Lan donte të ndryshonte këtë perceptim.
Ndaj në vitin 1991 Zhang Lan u kthye në Pekin dhe me 20 mijë dollarët e fituar në Kanada hapi një restorant të vogël të vetin.
Zhang lan vuri se në Kinën kontinentale kishte pak restorante kineze me mjedis elegant. "Kultura kineze e gatimit është e vjetër dhe e shkëlqyer. Ajo ofron që nga përbërësit ushqyes e deri te shija. Por ajo ka vuajtur për shkak të mungesës së promovimit dhe të markave të nivelit të lartë. Unë doja të ndryshoja konceptin e çmimit të lirë dhe të atmosferës jo të mirë me të cilat shumica e perëndimorëve e lidhin ushqimin kinez," shprehet Zhang.
Zhang vendosi në fillim të fokusohet në pastërtinë e restorantit, si edhe cilësinë e gjellëve të tij dhe mënyrën e shërbimit për ta dalluar nga të tjerët. Por ajo e dinte se një restorant duhet të ofrojë më shumë se thjesht disa gjellë në një mjedis të pastër, ndaj i dha rëndësi pamjes dhe dekorit. Ajo zgjodhi Tam Jack, një projektues kinezo-amerikan, i diplomuar në Universitetin e Harvardit, për të dizenjuar restorantin. Zhang besonte se vetëm Tam mund të kuptonte praktikat e stilimit të restoranteve perëndimore dhe kulturën e kuzhinës kineze. Zhang Lan shkoi vetë në fshatrat e provincës Sichuan, mjaft larg nga Pekini, dhe punësoi fermerë për të mbledhur bambu, të cilat pastaj i dërgonte në Pekin me tren. Kështu ajo e ktheu restorantin e vet në njëfarë shtëpie të vogël bambuje, duke krijuar një mjedis mjaft të këndshëm e të ngrohtë. Në këtë mënyrë, restoranti i saj u bë unik ndër restorantet e tjera në Pekin.
Zhang Lan gjithashtu vendosi që restoranti i ri të ketë kuzhinë Sichuan-i.. Ajo besonte se, ndër tetë kuzhinat kryesore kinezes, ushqimi i Sichuan-it e shprehte më mirë thelbin e kulturës kineze.
Zhang Lan zgjodhi po ashtu një ndërtesë prestigjioze për restorantin e saj të parë, të vendosur në afërsi të klientëve që synonte – nëpunësve të zyrës - të cilët ishin një treg ende i pashfrytëzuar në atë kohë në Kinë. Pothuajse të gjitha restorantet që hapi më pas Zhang Lan mbetën në afërsi të këtij lloj klienti dhe u vendosën në ndërtesat e klasit të parë në qytetet kryesore.
Ideja se njerëzit vijnë në restorant jo vetëm për ushqim, por edhe për mjedisin, funksionoi më së miri. Klientët nisën të vërshonin në restorant, dhe ky sukses e shtoi oreksin e Zhang Lanit. Në vitin 2000 ajo krijoi Grupin "South Beauty" (Bukuria jugore), që e hapi restorantin e vet të parë në Qendrën Tregtare Botërore të Kinës në Pekin, një ndërtesë luksoze në Distriktin Qendror të Biznesit të kryeqytetit.
Edhe pse shpenzimet ishin më të larta në krahasim me ato të restoranteve të tjera, ushqimi ishte më i shtrenjtë për të mbuluar shpenzimet. Kjo ndërthurje e vendit dhe çmimit ishte gjithashtu e dobishme në zhvillimin e imazhit të markës.
"Ishte një vendim i guximshëm, sepse qiraja ishte e lartë, por e dija që edhe fitimet do të ishin të larta," shprehet Zhang. Dhe kishte të drejtë.
Në vitin 2006 ajo hapi "Lan Club", një restorant luksoz në Pekin, dhe harxhoi gati 200 milionë juanë për vepra arti nga e gjithë bota për ta zbukuruar atë.
Zhang ftoi gjithashtu Philippe Starck-un, projektues francez, për të dizenjuar restorantin. Ajo e pagoi 12 milion juanë për punën, ndërsa një investimi i përgjithshëm arriti në 300 milionë juanë.
"Nuk u shkurajova kur disa njerëz u shprehën se i hodha paratë në erë dhe se 12 milionë juanë ishin shumë për një projekt. Por sigurova publicitet të madh dhe njohje marke me këtë projekt, shumë më tepër sesa shumica e kompanive që shpenzojnë miliona juanë për reklama televizive. Jo të gjithë në Kinë mund të krenohen me një projekt të Starck-ut në restorantet e tyre," shprehet Zhang Lan.
Grupi gjithashtu themeloi klubin "SUBU" në Pekin në vitin 2007 dhe hapi në Shangai një klub tjetër "Lan" në vitin 2008.
Po nuk ka qenë gjithçka fushë me lule. Në vitin 2003, Zhang Lan kishte filluar të krijonte një zinxhir restorantesh dhe kishte punësuar mijëra njerëz. Por, kur sapo kishte hapur një restorant të ri në Pekin, SARS-i goditi qytetin. Ajo e ndërmend këtë si një periudhë të tmerrshme në historinë e kompanisë: "Askush nuk vinte në restorant, sepse kishte frikë mos e kapte sëmundja."
Madje edhe ajo vetë u infektua, ndonëse më pas për fat të mirë e mori veten, ashtu si edhe biznesi i saj.
Zhang Lan beson se, kur gjërat nuk shkojnë mirë, në vend që të mbetesh rob i dështimit, duket të shohësh mbi të gjitha rastet e mira që të ofrohen. Kur mësoi për vendimin e Zhang-ut për të nisur biznesin, një shoqe e pyeti se si do t'ia bënte po të mos ia dilte mbanë. Zhang Lan u përgjigj se, në vend që ta mbante mendjen te dështimi, do ta kalonte kohën duke kërkuar "mijëra mundësitë për sukses" që të nxjerr përpara jeta.
Restorantet e "South Beauty" sollën disa risi e përmirësime në lidhje me ushqimin tradicional të Sichuan-it, jo vetëm në përbërësit e gatimit, por edhe në procesin e përgatitjes dhe të paraqitjes së gjellëve dhe përvojën e konsumatorit.
Një ekip i pavarur kërkimi dhe zhvillimi u ngarkua me krijimin e gjellëve të reja. Sipas një sistemi vlerësimi të rreptë, vetëm 2 për qind e të gjitha gjellëve të reja mund të përdoren në vit. Edhe pse shumë konkurrentë i kopjojnë gjellët e grupit, Zhang Lan i kërkon ekipit të saj të përqendrohet në vazhdimin e risive për t'i mbajtur gjithmonë të lidhur pas vetes klientët, në vend që të shqetësohen për kopjimin, për të qenë kështu gjithmonë në pararojë. Përveç kësaj, për të pasuruar shumëllojshmërinë dhe për të kënaqur shijet e njerëzve të ndryshëm, kompania ka shtuar disa gjellë të kuzhinës kantoneze dhe shije të tjera në menynë e saj.
Zhang shprehet se kompania ka në plan të standartizojë ushqimin dhe proceset, për të ulur koston dhe për t'u zgjeruar më tej. Kjo është një sfidë, por dhe një faktor kyç për suksesin e një zinxhiri restorantesh. Restorantet e grupit janë të vendosura në disa qytete dhe kanë kuzhinierë të ndryshëm në çdo restorant. Lënda e parë varet nga furnizuesit lokalë të shpërndarë, dhe cilësia e çdo gjelle mbështetet në përvojën e kuzhinierit.
Grupi ka ndërtuar tashmë dy kuzhina qendrore përkatësisht në Pekin dhe Shangai, 2 000 metra katrorë secili, për përgatitjen e pakove kryesore me lëndë të para të pagatuara dhe për dërgimin e tyre në restorante të ndryshme të kompanisë për gatim. Në të ardhmen, kuzhina qendrore do të ngrihen në çdo qytet ku e ushtron biznesin kompania. Megjithatë, kuzhinat në restorante individuale gjithashtu do të përgatitin disa pjata me lëndë të para të freskëta, të tilla si perimet, dhe përbërës të tjerë të veçantë.
"Standardizimi është mjaft i rëndësishëm për shtrirjen me shpejtësi dhe në mënyrë të qëndrueshme të restoranteve kineze, sepse kjo mund të rrisë efikasitetin dhe të sigurojë cilësinë. Ne kemi punuar edhe me kompaninë këshilluese globale të menaxhimit 'McKinsey' për të çuar përpara procesin tonë të standardizimit", thotë Zhang.
Një faktor kyç që Zhang Lan beson se qëndron prapa rritjes së biznesit të saj është krijimi i markës.
Ajo thotë se e ka studiuar ndikimin e markave perëndimore në tregun kinez dhe u përpoq të veprojë si ato, duke krijuar një markë për biznesin e vet që do të ndikonte te klientët që synonte: nëpunësit. Ajo zgjodhi një logo të bazuar në një maskë të Operës së Pekinit.
Por ndonëse ambiciet e Zhang Lan ngjajnë se nuk njohin kufij (ajo thotë se brenda 20 vjetësh do të donte ta bënte biznesin e saj një nga "500 kompanitë më të fuqishme në botë"), mbetet për t'u parë nëse një markë restoranti që synon tregun kinez do të jetë në gjendje të lulëzojë edhe në shkallë globale.
Zhang e di se kultura tradicionale, përfshirë edhe kuzhinën kineze, mund të rinohet kur ndërthuret me të menduarin bashkëkohor dhe praktikat risisjellëse. Në një treg të globalizuar në ndryshim, ky do të ishte një koncept ndihmues për çdo sipërmarrës që kërkon të nxjerrë në spikamë vlerat e traditës.
Zhang nuk ndihet se nuk është në vendin e vet kur shkon për të ngrënë në restorantet e vogla në Pekin ushqimet e saj të parapëlqyera, si kukureci i zier, e veshur me një fustan elegant Armani.
"Duhet të gjej një baraspeshë mes popullores dhe markës së nivelit të lartë në jetën time të përditshme. E njëjta gjë vlen edhe për Grupin 'South Beauty', që ka si qëllim të tërheqë klinetët në një vend modern për t'u kënaqur me klasin e lartë dhe kuzhinën popullore kineze," thotë ajo.
Mënyra e paraqitjes së ushqimit, dekori cilësor, atmosfera e mirë dhe kamerierët që mund t'u japin informacion klientëve në lidhje me gjellët që po shërbejnë, të gjitha ndërthuren për të dhënë një përvojë të paharrueshme, vë në dukje Zhang Lan.
Luo Yun, një ndër menaxherët e "South Beauty", shprehet se arsyeja kryesore pse ekzekutivët e tjerë të grupit besojnë shumë te Zhang është aftësia e saj për të marrë vendime të drejta. "Ajo ka guximin e madh për të sjellë risi. Dhe shpesh rezultatet tregojnë se ajo ka të drejtë," shprehet Luo.
Ishte vendosmëria dhe pasioni për risi që e ndihmuan Zhang-un për të kapërcyer shumë sfida, kur vendosi ta transformojë restorantin e vetëm në një zinxhir restorantesh luksi, shprehet An Yong, bashkëkryeekzekutiv i "South Beauty", i cili pjesën më të madhe të meritës për suksesin e grupit ia jep Zhang-ut. "Zhang këmbënguli që grupi të ndjekë rrugën e restoranteve luksoze," shprehet An.
Zhang shprehet se zgjerimi ndërkombëtar, një treg i fortë i brendshëm dhe fokusimi në krijimin e risive do të jenë armët kryesore të arsenalit të saj teksa ajo përpiqet të arrijë objektivin e bërjes së grupit një markë luksi të rëndësishme globale.
"Të nxitur nga lulëzimi i tregut të brendshëm të restoranteve luksoze, ne po kërkojmë rrugët për t'u shndërruar në një markë të madhe luksi në sektorin global të restoranteve e ofrimit të pijejeve e ushqimit. Nuk është një detyrë e lehtë, duke pasur parasysh se në botë ka kultura të ndryshme dhe zakone të ndryshme të ngrëni. Por përvoja e mëparshme më ka mësuar se mundësitë shpesh vijnë të shoqëruara me sfidat," vë në dukje Zhang.
Grupi "South Beauty" planifikon të listohet në Bursën e Hong-Kongut, me shpresën se do të tërheqë kapital dhe investorë ndërkombëtarë dhe do të shtrihet në tregun global.
Por kjo nuk do të jetë përpjekja e parë e "South Beauty" për të tërhequr klientelë globale.
Në vitin 2005, ushqimet e "South Beauty" u ofruan për herë të parë në klasin e parë dhe klasin e biznesit të aeroplanëve të shoqërisë ajrore "Dragon Air". Më pas, në vitin 2007, kompania u ortakësua me "Air France" dhe "KLM Royal Dutch Airlines" për t'u ofruar udhëtarëve të tyre që fluturonin nga Kina për në Francë e Holandë dhe anasjellas, kuzhinë kineze.
"Bashkëpunimi me markat ndërkombëtare është një hap i rëndësishëm në strategjinë tonë për të hyrë në tregun global," shprehet Zhang Lan.
"Misioni ynë është të promovojmë kuzhinën autentike kineze anembarë botës. Në kushtet kur ekonomia e Kinës ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ndikimi i kulturës kineze po rritet gjithnjë e më shumë, nuk do të jetë e largët dita kur të shohim kompani kineze ushqimi që të bëhen globale, ashtu si 'McDonald's'," shprehet Zhang.
"South Beauty" nisi të fitojë popullaritet e prestigj edhe më të madh global kur siguroi kontratën për t'u bërë Partner i Shërbimit të Ushqimeve të Kuzhinës Kineze për Lojërat Olimpike të Pekinit të vitit 2008.
Më pas kompania e drejtuar nga Zhang Lan u përzgjodh të jetë furnizuese me ushqime dhe pije në Ekspozitën Botërore të Shangait të vitit 2010. "Këto veprimtari të mëdha ndërkombëtare na dhanë besim të madh në planifikimin e shtrirjes jashtë vendit," thotë Zhang.
Megjithatë, ajo shton se tani planet për shtrirje më të gjerë jashtë vendit duhet të presin, pasi kushtet e tregut në Europë dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe aq të favorshme. Për shkak të gjendjes së paqartë ekonomike aty, Grupi "South Beauty" po sheh të investojë fillimisht në tregun aziatik, veçanërisht në Singapor, e më pas në Europë dhe ShBA.
Zhang shprehet se edhe jashtë vendit objektiv do të jenë klientët me të ardhura të larta që duan një shërbim cilësor dhe vendndodhja do të jenë qendrat e populluara tregtare, por grupi nuk do t'i përmbahet thënies së vjetër: "Kur je në Romë, bëj si bëjnë romakët." Ushqimi që do të ofrojë 'South Beauty' jashtë vendit do të ruajë sa më mirë e sa më plotë karakteristikat e ushqimit tradicional kinez.
"Tiparet dalluese dhe të veçanta të ushqimit kinez do të jenë përparësia jonë më e madhe gjatë zgjerimit në tregjet e huaja," shpjegon Zhang.
Grupi po shpejton edhe shtrirjen brenda vendit.
"Ne planifikojmë të hapim 30 restorante të reja në vit në tre-katër vjetët e ardhshëm, shumica nga të cilat në qytete më pak të zhvilluara, të tilla si Chengdu në provincën Sichuan," shprehet Zhang.
Zhang shprehet se, krahasuar me Pekinin dhe Shangain, në qytetet më pak të zhvilluara qiraja, kostoja e fuqisë punëtore dhe lëndët e para janë më të lira, ndërsa numri i klientëve të mundshëm është në rritje.
Suksesi i saj është simbol i rritjes së shpejtë të sektorit të restoranteve në Kinë, shprehen analistët, të cilët shtojnë se megjithëse tani ky sektor po njeh rënie, i goditur nga rritja e kostos dhe ulja e ritmeve të rritjes ekonomike, tregu për restorantet e nivelit të mesëm dhe të lartë është ende shumë i madh.
Biznesi i restoranteve në Kinë ka ruajtur një rritje vjetore dyshifrore gjatë 30 vjetëve të fundit. Të ardhurat nga ky sektor pritet të arrijnë në 3.7 trilionë juanë (rreth 500 miliardë dollarë) deri në fund të vitit 2015
Tregu vendas ofron fitime më të mëdha dhe shpenzime më të vogla në krahasim me tregjet e huaja, teksa rritja në mënyrë të qëndrueshme e shtresës së mesme në Kinë siguron një shtysë të fortë për zgjerimin e "South Beuaty".
Zhang Lan kujton thënin e e njohur të Mao Ce Dunit "Gratë zotërojnë gjysmën e qiellit" dhe beson se veçanërisht gratë kineze janë të përshtatshme për t'u bërë sipërmarrëse, pasi shumë prej tyre janë mësuar të jenë këmbëngulëse dhe janë tejet të motivuara për të kapërcyer vështirësitë. Por ajo shton se këmbëngulja është një cilësi për të cilën kanë nevojë të gjithë sipërmarrësit.
Zhang Lani e ka shumë për zemër të lexojë biografi kryeekzekutivësh të suksesshëm globalë. Ajo gjithashtu është "e çmendur" pas studimit të menaxhimit dhe ka bërë kurse EMBA në dy nga shkollat e biznesit në Kinë të njohura ndërkombëtarisht.
"Rastet e studimit që janë pjesë e programit në kurset e EMBA-së shpesh më japin frymëzim dhe besim të madh," shprehet Zhang Lan.
Zhang, që kurrë nuk shkon në spa, shprehet se puna është është shpërblimi më i mirë për të dhe se ajo kurrë nuk vë një vijë ndarëse ndërmjet punës e jetës së vet. "Sekreti im i të qenit energjike e plot gjallëri është se çdo ditë bëj gjërat që më pëlqejnë."
Zhang është edhe koleksioniste arti. Ajo gjen kohë për të vizituar ekspozitat dhe galeritë e artit pavarësisht se e ka programin shumë të ngjeshur. Shija artistike e saj duket te mënyra me shije dhe tërheqëse me të cilën paraqiten ushqimet në restorantet e saj.
Ndonëse fytyra e saj ka hijeshuar shpesh kopertinat e revistave të ndryshme vendëse e ndërkombëtare si një prej historive më të spikatura të suksesit të femrës në biznes në Kinë, Zhang Lan thotë se udhëtimi i saj është shumë larg mbërritjes në fund. (Artani)