Irani dhe Bashkimi Europian u zotuan të hartojnë një plan të përbashkët për të nxitur bashkëpunimin dypalësh.
Konsultimet u zhvilluan në Teheran mbi shumë çështje, përfshirë energjinë dhe ekonominë, tregtinë dhe investimet, bujqësinë, ndryshimin e klimës, çështjet rajonale, emigracionin, kulturën dhe të drejtat e njeriut.
Lajmi për hartimin e një plani të përbashkët u njoftua të shtunën pas takimit të shefes së Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe ministrit të Jashtëm të Iranit Mohammad Javad Zarif.
Të dy palët ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin në sektorin bankar.
Nga ana e saj, Mogherini u bëri thirrje të gjithë vendeve për të ndihmuar në zbatimin e marrëveshjes bërthamore, si dhe nënvizoi rolin ndikues të Iranit në rajon për të ndihmuar zgjidhjen e krizave politike.
Mogherini mbërriti të shtunën në Teheran në krye të një delegacioni të lartë të BE-së me komisionerët e energjisë, çështjeve detare dhe peshkimit, transportit, tregut dhe industrisë. (Leftion Peristeri)