Kryeministri kinez Li Keqiang u takua të premten në Pekin me kryeministrin australian Malcolm Turnbull, në bisedimet e katërta vjetore kino-australiane.
Të dyja palët ranë dakord për t'i dhënë përparësi marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe bashkërendimit të zhvillimit strategjik në fushën e risive.
Kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh gjatë takimit se vizita e homologut të vet australian tregon marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.
"Vizita juaj në Kinë tregon se ju u kushtoni vëmendje të madhe marrëdhënieve dypalëshe. Në kohën kur ekonomia globale është në depresion dhe faktorët e pasigurt po shtohen, forcimi i bashkëpunimit mes Kinës dhe Australisë përcjell një sinjal pozitiv për rajonin dhe mbarë botën," ka theksuar Li.
Kina është tregu më i madh i eksporteve australiane, ndërsa Australia është destinacioni i dytë më i madh i investimeve kineze jashtë vendit.
Turnbull shoqërohet gjatë kësaj vizite nga një delegacion prej rreth një mijë biznesmenësh, për të shfrytëzuar mundësitë e bashkëpunimit të ofruara nga rregullimet strukturore në Kinë.
"Ndihem shumë i nderuar që jam kryeministri i parë australian që viziton Kinën pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Australi. (...) Rreth një mijë biznesmenë po vizitojnë Kinën, dhe marrëdhënia e angazhimi po forcohen gjithnjë e më shumë. Ndaj, ne kemi shumë punë për të bërë së bashku," u shpreh kryeministri australian Malcolm Turnbull.
Dy kryeministrat arritën konsensus për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në ndërtimin e infrastrukturës dhe prodhimin e pajisjeve, si edhe zhvillimin e sektorëve të rinj, si energjia e re dhe tregtia elektronike ndërkombëtare.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Malcolm Turnbull-it në Kinë që prej marrjes prej tij të postit të kryeministrit vitin e kaluar.
(Raela)