Ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov tha se partneriteti strategjik ruso-kinez ka shënuar një kulm historik, pavarësisht recesionit të ekonomisë globale. Ai e bëri deklaratën në një takim me gazetarë në Moskë, para nisjes së turit në Mongoli, Japoni dhe Kinë.
"Rusia dhe Kina kanë plane bashkëpunimi për projekte të mëdha në një gamë të gjerë fushash, si në energjetikë, teknologjinë e avancuar, energjinë bërthamore, astronautikë, kryesisht në industrinë e aviacionit dhe telekomunikacionit, ku kemi kapërcyer shumë pengesa" tha Lavrov.
Kreu i diplomacisë ruse theksoi se pjesmarrja e Rusisë në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EEU) nëpërmjet nismës kineze "Një brez dhe një rrugë" është një hap i rëndësishëm në shkëmbimet gjeo-ekonomike dhe në bashkëpunimin midis dy vendeve. Ai bëri thirrje për krijimin e një zone të tregtisë së lirë midis Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EEU) dhe Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO), me synim forcimin e rritjes ekonomike rajonale.
Në fjalën e tij para mediave Lavrov u ndal te çeshtja e Detit të Kinës Jugore, duke nënvizuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog dhe t'u jepet fund përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e kësaj çeshtjeje.(Eda Merepeza)