Në takimin e së hënës mes ministrave të Jashtëm të G7-s, që u mbajt në Hiroshima të Japonisë, u publikua një deklaratë mbi çështjet detare, ku përfshihet edhe çështja e Detit të Kinës Lindore dhe Jugore.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i MPJ-së kineze Lu Kang tha sot para medieve se projektet e ndërtimit të Kinës në ishujt Nansha janë plotësisht brenda sovranitetit të vet dhe lundrimi e fluturimi mbi Detin e Kinës Lindore dhe Jugore nuk thyejnë asnjë rregull. Kina mbron me vendosmëri sovranitetin territorial dhe interesat detare të vendit. Historia ka treguar se Kina përpiqet gjithmonë t'i zgjidhë mosmarrëveshjet drejtpërdrejt me palët përkatëse përmes bisedimeve dhe konsultimeve, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në ujërat përkatëse. Kina nuk do të pranojë dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë projekt arbitrazhi të detyruar në mënyrë të paligjshme.
Lu Kang nënvizoi se në një kohë kur ekonomia botërore ka probleme dhe po rimëkëmbet me vështirësi, grupi G7 duhet të fokusohej tek menaxhimi dhe bashkëpunimi global mbi ekonominë e botës dhe jo të shfrytëzojë çështjen e Detit të Kinës Jugore për nxitjen e mosmarrëveshjeve rajonale. Kina shpreh pakënaqësi ndaj këtij veprimi.
"U bëjmë thirrje anëtarëve të G7-s të zbatojnë me rigorozitet zotimet e tyre për mbajtjen e një qëndrimi të paanshëm mbi mosmarrëveshjet territoriale dhe të luajnë rol me të vërtetë konstruktiv për paqen dhe stabilitetin rajonal," tha Lu Kang, zëdhënësi i MPJ-së kineze. (Jiang Lei/Albana)