Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif ka theksuar se Irani kurrë nuk do të negociojë mbi programin e vet raketor, duke e quajtur këtë një çështje të mbrojtjes kombëtare.
"Kapacitetet raketore dhe mbrojtëse të Iranit nuk janë të negociueshme. Nëse qeveria e ShBA-së është vërtet serioze në lidhje me çështjet e mbrojtjes, ajo duhet të pakësojë shitjen e armëve në rajon, të cilat përdoren për të vrarë përditë njerëz të pafajshëm në Jemen," tha Zarifi.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry theksoi të enjten se Shtetet e Bashkuara janë të hapura për një "marrëveshje të re" me Iranin, për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me programin e raketave të Iranit.
Shtëpia e Bardhë është kritike nga këtij programi, të cilin e vlerëson si një kërcënim për paqen rajonale dhe botërore.
Megjithatë, Irani ka thënë se programi i tij raketor është për qëllime paqësore dhe se asnjë masë nuk mund t'i heqë të drejtën e vet të ligjshme për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare. (Artani Goga)