20160408-tregti.m4a |
Organizata Botërore e Tregtisë publikoi të enjten raportin vjetor, ku parashikohet që në vitin 2016, tregtia botërore do mbetet e dobët, me rritje prej afro 2.8%. Ky do të jetë viti i 5-të radhazi që rritja e tregtisë botërore shënon shifrën nën 3%. Në këtë raport, vihet në dukje se në vitin 2015, eksporti i mallrave i Kinës vazhdon të renditet në vendin e parë në botë, duke zënë 13.8% të vëllimit të përgjithshëm global.
OBT-ja publikon çdo vit një raport, ku rishikohet gjendja e tregtisë globale e një viti më parë si dhe parashikimi i tregtisë botërore. Lidhur me gjendjen e dobët të tregtisë botërore në vitin 2015, sekretari i përgjithshëm i OBT-së Roberto Azevedo u shpreh: "Është e dukshme që 2015 ishte një vit me luhatje dhe paqartësi. Tregtia botërore në gjashtëmujorin e parë ishte e dobët dhe pati mëkëmbje në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Çmimi i naftës pësoi rënie prej mbi 60%, kursi i dollarit amerikan u rrit me rreth 20% dhe ekonomia kineze fillon të ngadalësohet, duke shënuar rritje të dukshme në fund të vitit."
Sipas raportit, në vitin 2015, eksporti i Kinës renditet në vendin e parë, duke shënuar 2.27 trilionë dollarë amerikanë, që është 13.8% e nivelit botëror. Ndërsa në renditjen e importit, SHBA-ja zë vendin e parë, me 13.8% të nivelit botëror dhe pas saj renditen Kina, Gjermania, Japonia dhe Britania.
Lidhur me perspektivën e tregtisë globale, parashikimet e OBT-së nuk janë optimiste. Azevedo u shpreh:
"Për vitin 2016, parashikojmë që rritja e tregtisë botërore do të vazhdojë dhe niveli i rritjes do të jetë 2.8%. Kështu, 2016 do të jetë viti i 5-të radhazi që shënon rritje më pak se 3%. Kjo gjendje zhgënyese ka patur precedent në historinë tregtare. Ne shpresojmë që në vitet e ardhshme të dalim jashtë këtij modeli me rritje të pakëta.Parashikojmë që në vitin 2017, rritja e tregtisë botërore të mëkëmbet në 3.6%."
Në këtë raport, parashikohet gjithashtu se në vitin 2016, vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim do të shënojnë rritje të ngjashme në eksport. Eksporti në Azi do të jetë më i shpejtë në krahasim me rajonet e tjera, me 3.4%. Amerika Veriore dhe Europa do të jenë me 3.1%. Ndërkohë, importi i ekonomive të zhvilluara do të jetë më shumë se vendet në zhvillim, me 3.3%. Ndër to, importi në Amerikën Veriore do të jetë 4.1% dhe Azia dhe Europa do të jenë 3.2%. Vendet e Amerikës Jugore dhe Qendrore janë renditur disa vende prapa me shfaqje të dobëta në eksport dhe import.
Lidhur me gjendjen e dobët të tregtisë globale, Azevedo u bën thirrje anëtarëve të OBT-së të shtojnë përpjekjet.
"Dua të ritheksoj që anëtarët e OBT-së kanë aftësi të ndryshojnë këtë gjendje. Ne mund të marrim shumë masa, të krijojmë vende pune nëpërmjet nxitjes së rritjes ekonomike, për të stimuluar zhvillimin," thotë Azevedo.
Ndërkohë, Azevedo u bëri thirrje vendeve anëtare të miratojnë dhe të zbatojnë sa më parë marrëveshjen e lehtësimit tregtar të arritur vitin e kaluar, për të ulur kostot e tregtisë dhe për të nxitur tregtinë globale. (Jiang Lei/ Eda Merepeza)