Kryeministri i Islandës është bërë viktima e parë në nivelet e larta të politikës nga të ashtuquajturat "Dokumente të Panamasë".
Sigmundur Gunnlaugsson ka dhënë dorëheqjen, pasi u zbulua se ai dhe gruaja e tij kanë investuar miliona dollarë në një kompani jashtë vendit që kishte aksione në tre banka islandeze të rrënuara në vitin 2008.
Rënia e këtyre bankave e çoi ekonominë islandeze në një recesion masiv, duke shënuar fillimin e krizës financiare globale.
Të ashtuquajturat "Dokumente të Panamasë", të nxjerra në media nga një firmë ligjore panameze, kanë treguar se si disa prej njerëzve më të pasur dhe të fuqishëm të botës kanë përdorur llogari bankare jashtë vendit, për t'i kanalizuar pasuritë e tyre në kompani të fshehta.
Publikimi i dokumenteve, rreth 11.5 milionë të tilla gjithsej, e ka çuar Panamanë në konflikt me vendet e tjera.
Franca ka kërcënuar se do ta fusë përsëri Panamanë në listën e vendeve që i vlerëson si parajsa fiskale, pas heqjes nga kjo listë 3 vjet më parë. Autoritetet panameze janë shprehur se do të kundërpërgjigjen nëse autoritetet franceze e marrin një masë të tillë.