Rifilloi të hënën dialogu mes qeverisë greke dhe të dërguarve të kredidhënësve ndërkombëtarë, pjesë e ndihmës së tretë financiare ndaj Greqisë, për të cilën u ra dakord verën e kaluar. Bisedimet mbi masat e reja shtrënguese që pala greke duhet të zbatojë për të dalë nga kriza 6 vjeçare e borxheve, nisën të tensionuara mes përfaqësuesve të Athinës zyrtare dhe atyre të FMN-së.
Në mbledhjen e parë të raundit të ri, palët ranë dakord për programin e bisedimeve në ditët në vijim, me synim përfundimin në kohë të rishikimit të çeshtjeve të trajtuara në janar, që në mbledhjen e 22 prillit të Eurogrupit ti hapet drita jeshile dhënies së fondeve për Greqinë, theksojnë burime të ministrisë greke të financave. I njejti burim konfirmon se palët në bisedime nuk diksutuan rreth "çeshtjes së Wikileaksit".
Të shtunën media ndërkombëtare publikoi disa raporte të Wikileaks, sipas të cilave gjatë një bisede telefonike një muaj më parë, zyrtarë të lartë të FMN-së kanë diskutuar një plan për shtyrjen e ndihmës financiare për Greqinë, me qëllim që ti imponohen këtë verë masa shtrënguese shtesë.
Athina zyrtare i kërkoi FMN-së shpjegime lidhur me këtë plan, nëpërmjet një letre që kryeministri Alexis Tsipras i drejtoi drejtores së përgjithëshme të FMN-së Christine Lagarde, ku theksohet se besimi mes palëve negociuese minohet nëse vërtetohet plani i bërë publik nga Wilileaks. (Eda Merepeza)